Monday, 21 October 2013

MBI ZGJEDHËSIT DHE TË ZGJEDHURIT (2)



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 TETOR 2013

Një vështrim pritjesh zgjedhore nga e prej LDK-së dhe VV-së

Javën që shkoi, në një përpjekje për të analizuar procesin zgjedhor lokal në Kosovë, provova të argumentojë mbi pritjet që partitë politike mund të kenë në zgjedhje lokale – gjithmonë si një test para nacional i zgjedhjeve të vitit në vijim. Në pjesën e parë të këtij shkrimi tre-pjesësh diskutova mbi tallin që secila parti e secila lëvizje politike ka vendosur në këto zgjedhje, se si rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të diktojnë aq shumë skenën politike të Kosovës sa që të determinojnë dhe ekzistencën ose jo, të disa prej akterëve – deri më sot – kryesorë.

Përderisa në pjesën e shkuar diskutova mbi sjelljen e PDK-së, si parti kryesore parlamentare në vend, në këtë të sotshmin dhe atë të javës së ardhme do të provoj të argumentojë mbi pritjet dhe rreziqet nga e për partitë opozitare (parlamentare). Sa për të rikujtuar, opozita kosovare futet në zgjedhje lokale me po aq kureshtje për vlerësimin e testin që zgjedhësit do tu bëjnë. LDK do të testojë oponencën e shfaqur në frymën e quajtur nga ta si institucionale – gjithsesi nga gjithë të tjerët si pasive; VV do të testojë protestën dhe rrugën si alternativë të keqqeverisjes për të parë se mos polarizimi i kërkuar nga ta ka prodhuar ndonjë efekt rritës në preferencat qytetare (ose jo); AAK do të testojë efektin “Haradinaj” pas kthimit spektakular dhe djegies pa-koalicion edhe më spektakulare; AKR në fund fare do të testojë flirtimin e rëndë me qeverinë, të bërë gjatë rrëzimit të saj (më 2010) dhe gjatë krijimit të saj (më 2011) - për të ofruar nga vetja ankesë për pamundësi (sa për të dëshmuar paaftësinë si vlerë) dhe asgjë më shumë.

***

Herën e fundit që LDK kishte dalë nga një proces zgjedhor, ishte viti 2010, kur pas rënies drastike të viteve 2007 e 2009 rritja ishte përkthyer si rilindje. Për një rilindje të dytë LDK ka nevojë edhe sot; kjo gjithsesi nëse udhëheqësit e saj pretendojnë primatin e fuqisë politike në vend – në të kundërtën çdo stagnim në numër e përqindje është sinjal i qartë nga kosovarët në relacion me ta. E për të marrë këtë primat, LDK ka zgjedhë në disa komuna kryesore një strategji bukur të çuditshme – riciklimin.

Shoh dy arsye prapa një strategjie të tillë - gjithmonë për mua të habitshme. E para, sepse në rast të humbjes eventuale të figurave në pretendim të përjetshëm për riciklim, qendra do të lirojë veten dhe kështu marrë frymë një herë e mirë. Në stilin e njëjtë të largimit nga qytetarët ishte fshirë edhe kandidati i tyre për Ferizaj gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme aty më 2012. E dyta, sepse në rast të fitores eventuale të të ricikluarve – të njëjtit do të akomodohen nëpër qeverisjet lokale për të liruar sërish qendrën drejt frymëmarrjes së lirë. Në një rast hipotetik dhe presupozues ndaj reformës, strategjia e tillë është me përfundim “të shumës zero”. E tëra natyrisht mban një rrezik permanent, të refuzimit qytetar ndaj qendrës. Jo të gjithë kanë kohë të presin.

Pavarësisht kësaj, janë dy komuna që i ofrojnë LDK-së betejën kryesore. E para është Prizreni, në të cilën kjo parti futet me një kandidat që e ka humbur atë një herë. E për të marrë “Jerusalemin” e kundërshtarit politik, LDK paradoksalisht nuk mund të shpresojë në fitoren vetanake, por në humbjen e kryetarit aktual; i cili përndryshe në çdo rrethanë normale e në çdo shtet normal nuk do të duhej as të konsideronte kandidimin përderisa është në proces gjyqësor – por ja që mund ta bëjë tek ne. Rol kryesor në Prizren gjithsesi do të kenë dhe komunitetet pakicë të cilat marrin një numër enorm të votave; për rikujtim, rreth 20% e votave të gjithmbarshme prizrenase i kanë takuar në vazhdimësi komunitetit minoritar turk dhe boshnjak. Duke parë afërsinë e tyre me PDK-në në nivel qendror është lehtësisht e pritshme se në rast të balotazhit të njëjtit mund ti japin një dorë ndihmese kryetarit aktual. LDK atje mund të shpresojë edhe në efektin e BD-së së Zafir Berishës - i cili vetëm disa vite më parë konsiderohej si arkitekt i fitores spektakulare të Mujës në Prizren.

Beteja e dytë ndodh në komunën me (potencialisht) konkurrencën më të ngushtë në vend, Gjilani, ku LDK futet në gjasa pothuajse të barabarta ndaj PDK-së dhe VV-së. Këtu numrat nga zgjedhjet e fundit parlamentare tregojnë për një shpërthim elektoral të VV-së e cila kishte zotëruar plot 9500 vota, përballë PDK-së me 11.000; LDK ndodhej e treta me vetëm 8900. Në fakt, LDK dhe VV në këtë komunë kanë problem balotazhin meqë secila mund të largojë tjetrën. E në rast të kalimit në balotazh secila mund të shpresojë në votat e tjetrës - një aleancë e çuditshme por gjithsesi e mundur marrë parasysh nevojën e tyre për neutralizuar përfundimisht pushtetin dy-mandatësh atje.

Në Prishtinë, si beteja e fundit por gjithsesi më e rëndësishmja për LDK-në, gjithçka do të varet nga diferenca në relacion me vendin e dytë. Në rast të një fitoreje pa balotazh, LDK merr konfirmimin prishtinas (së paku) për oponencën e deritanishme. Por ama, në rast të një balotazhi të ngushtë - dhe pavarësisht rezultatit të rundit të dytë - mesazhi do të ishte sa i qartë aq edhe i dhimbshëm për partinë kryesore opozitare. Një fitore lokale me trend rënës (në proporcion me matjet nacionale) nuk është ku me ditë se çfarë fitore për cilindo me pretendim të primatit qeverisës.

Në fund fare, për hir të diskutimit me probabilitet pothuajse “të një topi bore në ferr”, qendrat tjera si Mitrovica, Peja, Gjakova e Ferizaji janë dhe mund të mbesin bukur larg “rrjetit” të LDK-së edhe për katër vitet e ardhshme. Në tri komunat e para kjo parti madje në zgjedhjet e fundit as që ka qenë pretenduese e vendit të dytë; pa lëre më të parit. Gjithsesi se për ta, një ngritje e konsiderueshme në këto komuna, sa për të dhënë sinjalin e votimit nacional, do të ishte lajm i mjaftueshëm në një skenar të moderuar pritjesh.

***

Për Lëvizjen “Vetëvendosje!” këto janë zgjedhjet e para lokale (përjashto ato të jashtëzakonshmet të organizuara në Kaçanik dhe Ferizaj) dhe si të tilla përbëjnë një mundësi të re vlerësuese në tri fronte. I pari - dhe ky kam përshtypjen duhet për ta të jetë dhe më i rëndësishmi - përbën frontin e rikonsolidimit të të gjitha njësive lokale të lëvizjes; një lloj parapërgatitje ngrohëse për garën (e vërtetë) nacionale. Mobilizimi i përkrahësve militant të lëvizjes mund të marr një hov të rëndësishëm veçanërisht nëse rezultati përfundimtar nga këto zgjedhje është premtues për të ardhmen.

Fronti i dytë ka të bëjë me vlerësimin e brendshëm për një lloj hierarike partiake. Për një trup organizues që ka pretenduar në vazhdimësi interpretimin orientues vetëm ndaj “qytetarit” dhe vullnetit të tij e saj, nuk ka mundësi më të mirë matëse e vlerësuese për shumicën e akterëve partiak se sa interpretimi nëpërmjet zgjedhjeve dhe numrit të votave që ata potencialisht do të merrnin. Në këtë proces VV do të vendosë një peshore për përbërësit e saj.

Fronti i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me natyrën e një rezultati final. E ky rezultat final nuk është domosdoshmërish marrje e udhëheqje e një komune; VV mund të dalë e kënaqur e thirret në sukses në rast të ngritjes më shumë se simbolike të numrit të gjithmbarshëm të votave që ajo merr. Kjo rritje potenciale, nëse ndodhë gjithsesi, do të konfirmonte ecjen polarizuese të lëvizjes gjatë oponencës në politikëbërje. Njëtrajtësisht, në rast të stagnimit, apo për më keq rënies, VV do të merr mesazh kristal të qartë se për qytetarët (në e për të cilët dhe thirren ata) oponenca radikale është e papranueshme. E nëse VV dëshiron të mendoj një trend më ndryshe se trendet e zakonshme debutuese si ato të AAK-së e AKR-së ku pas një eksplozimi fillestar vijonin rëniet graduale deri në rrezik për shuarje, atëherë e njëjta duhet të mendojë urgjentisht ndërrimin e kursit të anijes.

Përndryshe VV ka gjasa bukur të mira të marrë Gjilanin - ku, siç argumentova më parë, ajo mbanë vendin e dytë për nga përkrahja e gjithmbarshme nga zgjedhjet nacionale. Thënë të drejtën, në një vend ku praktikisht është provuar e testuar gjithsecili, do të ishte bukur interesante testimi e provimi edhe i VV-së nëpërmjet udhëheqjes së një komune. Në Prishtinë VV gjasë më të mirë mund ta ketë balotazhin. Them kështu meqë edhe nëse e arrin raundin e dytë, atëherë VV nuk mund të llogaritë në votat e përkrahësve të tjerë opozitarë të cilët megjithatë do të preferonin mos-rritjen e VV-së si marrëse e kërcënuese direkte e votave të tyre.

Zgjedhjet lokale, përveç tjerash, do të peshojnë edhe potencën kreative të VV-së përtej shablloneve të përgjithshme që polarizojnë e karakterizojnë Lëvizjen në relacion me temat si negociatat me Serbinë, privatizimin e ndërmarrjeve publike apo dhe shtetin social; në zgjedhje lokale këto fusha kanë shumë pak rëndësi. E deri më tani, përjashto Prishtinën, VV del me shumë më pak potencë se sa që zakonisht kemi mësuar ta shohim në debatet parlamentare apo temat e mëdha qendrore. Në të vërtetë, energjia e shfaqur nga VV zakonisht në Parlament - e që nuk e ka shfaqur asnjë grupacion tjetër politik asnjëherë më parë - e gjejmë shumë pak në nivel lokal. Ndoshta kjo sa për të konfirmuar dhe centralizimin e kualitetit politik e të ideve vetëm në qendër.

No comments: