Monday, 30 September 2013

NË QORRSOKAK

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 SHTATOR 2013

Për kryeministrin Thaçi, ndërprerja e mandatit në gjysmë, për herë të dytë, do të thoshte shumë për paaftëisnë e tij për të dërguar deri në fund edhe një mandat të vetëm. Kjo sepse përkrahja ndaj tij ka qenë gjithmonë e pamjaftueshme për tu thirrur si lider. Në të vërtetë, e gjithë qeverisja e tij në këto vitet e fundit ka qenë qeverisje e pakicës shqiptare, e mundshme vetëm falë mrekullisë së përkrahjes nga disa diplomatë që prodhojnë fenomenin e “Atifetizmit” – një kombinim i çuditshëm i naivitetit e paditurisë me pakurrizoizëm, e gjitha e mbështjellë në shumë fat.


Nuk besoj të kem shkruar për ndonjë temë tjetër më shumë se për PTK-në; gjatë këtyre dy e sa viteve kolumnizmi në “Koha Ditore”. Nuk besoj të kem trajtuar me më shumë dëshpërim e reaksion shpërthyes gjithë pakujdesinë e shfaqur nga institucionet tona përballë PTK-së. Sinqerisht nuk mund të bëja ndryshe kur të paditurit e të paturpshmit në pandërprerje prodhonin akte që as mendja më e mbrapshtë nuk mund ti imagjinonte. Në një pikë dikur njeriu dhe gjënë veten të habitur se si një proces lehtësisht i destinuar për sukses arrin të shndërrohet e transformohet në një hallakamë tmerrësisht të mbrapshtë e destruktive. Vetëm një antitalent mund të prodhojë një antiproces si ky.

PTK edhe një herë bëhet më shumë se sa një proces. Njëtrajtësisht sikurse tri vite më parë, PTK shndërrohet në pasqyrim të paaftësisë qeverisëse për të prodhuar shumicë në Parlament, rrjedhimisht domosdoshmërisë për të përcjellë gjithë Kosovën në një proces të ri zgjedhor. Kujtoj se ishte mu PTK që në vitin 2010 kishte qenë preteksti i partisë ko-qeverisëse, pra LDK-së, për të tërhequr përkrahjen parlamentare ndaj qeverisë së PDK-së. Them pretekst meqë asokohe ishte inati personal i ish-presidentit shkelës të Kushtetutës, juristit Sejdiu, që kishte prurë vendin tërësisht të papërgatitur në zgjedhje – për të prodhuar kështu vjedhjen industriale të votave – kutitë e së cilës gjenden nëpër bodrume shkollore sot e kësaj dite.

Këtë herë, sërish si pretekst, PTK – ndonëse me mrekulli - shndërrohet në test vlerësues dhe sipas të gjitha gjasave ndryshues i ritmit të qeverisjes. Këtë herë, për shkak të momentumit të ri të krijuar brenda PDK-së pas rebelimit të dy figurave kyçe të partisë (Limaj-Krasniqi), qeveria nuk arrin të shndërrojë parlamentin si zakonisht në arenë palaçosh e fjalimeve “edhe zogjtë kur cicërojnë e dinë se...”

***

Para se ti jap pritjet e mija për rrjedhat e mundshme politike në vend, dua ti them dy a tri fjalë për procesin privatizues të PTK-së; e të cilin do ta rrumbullakoja rreth tri lajmeve – të mirin, të keqin dhe të duhurin. Lajmi i mirë është se pas shtyerjes të sërishme të faljes së PTK-së tek një fond investiv skandaloz, të paktën për pak kohë ne mund të mbesim me pak shpresë se Parlamenti - në këtë krizë të votave pro Qeverisë – do të tregohet racional e anulojë gjithë procesin e bërë tashmë shoshë.               

Lajmi i keq është se ripërsëritjet e procesit kanë shkaktuar humbje enorme financiare, ekonomke dhe të kredibilitetit në Kosovë. Çdo hap i ndërmarrë në PTK deri më tash nga skandaloz-qeveritarë në relacion me skandaloz-investitorë nëpërmjet një skandaloz-procesi, është përsëritur disa herë, sa për ta zhvlerësuar asetin në vazhdimësi. Kujtoj, 2 herë është përsëritur procesi i shtijes, 3 herë është përsëritur marrja e ofertave shitëse, dhe tash 3 herë shtyhet nënshkrimi i kontratës tek shitësi. Pra qeveria jonë nuk ka ditur të bëjë as edhe një aktivitet të vetëm pa e bërë gabim e lëmsh. Në një rast të tillë hajgareje, vlera e mbetur e asetit bëhet paçavure. 

Lajmi i duhur është se në rast të anulimit të procesit nga Parlamenti, vendi duhet ti mbajë përgjegjës moralisht dhe ligjërisht të gjithë ata skandaloz-qeveritarë të involvuar në proces; e të cilët përveç se kanë humbur miliona euro për gabimet e shkarravinat e procesit, i kanë bërë dëm ekonomik enorm vendit. Në refleksion, ne duhet të stopojmë idenë e shitjes, të ngrisim vlerën e asetit nëpërmjet pastrimeve nga elementet korruptivo-politike, dhe të shesim asetin gradualisht në kohë të duhur, për para të duhura tek investitorë të duhur.

Gjithsesi, në gjithë skenarët konspirativ të PTK-së, duhet përgatitur veten me një lajm të ri të mundshëm, atë të tërheqjes së Axos-Najafi nga procesi i shtyrjes. Pra, përderisa në dy herët e para të shtyrjes ishte jo gatishmëria e investitorit për të derdhur paratë në buxhetin e Kosovës, shtyrja e tretë është bërë nga Qeveria në pamundësi të aprovimit nga Parlamenti. Kjo i lë mundësi të paparë grupit fantom investues të tërhiqet nga i gjithë procesi me pretekstin se është Kosova ajo që nuk dëshiron të shesë asetin e jo investitori – ani pse dy shtyrjet paraprake ishin iniciuar nga vet ata. Me shtyrjen e re, grupi investues do ti shpëtojë së paku ato 3 milionë euro të lëna si garanci bankare. Gjithsesi kostoja e ripërsëritjes së privatizimit është dhjetëra herë më e lartë se aq; kjo ka pak rëndësi për ta e qeveritarët tanë.

***

PTK, megjithatë, mund të privatizohet në një skenar bukur të pritshëm, të koalicionit apo marrëveshjes potenciale për koalicion të ardhshëm në mes të PDK-së e AAK-së. Kujtoj se AAK nuk do ta kishte sefte flirtimin me PDK, veçanërisht në relacion me PTK-në. Po mos të kishte qenë pjesërisht abstenimi pjesërisht votimi pro i AAK-së për shitjen e asetit këtë vit, ky proces do të ndalej kaherë – duke kursyer kështu së paku dinjitetin e shtetit, imazhin e asetit dhe rrjedhimisht vlerën optimale të synuar.

Një konstalacion i ri politik qeverisës në Kosovë mund të ndodhë vetëm nëse PDK ndihet në domosdoshmëri për të amortizuar efektin Limaj-Krasniqi së paku për disa muajt e ardhshëm – nëpërmjet zgjatjes së mandatit me përkrahje të AAK-së; gjithsesi në këmbim të premtimit për bashkë-qeverisje në mandatin e ardhshëm me vet AAK-në pas zgjedhjeve nacionale të pranverës). Kjo sepse, me apo pa pritje, përkrahja e shpërfaqur si masive në disa bastione militanteske të PDK-së për dyshen revoltuese, mund të prishë matematikën e tandemit Thaçi-Veseli.

Për kryeministrin Thaçi, ndërprerja e mandatit në gjysmë, për herë të dytë, do të thoshte shumë për paaftëisnë e tij për të dërguar deri në fund edhe një mandat të vetëm. Kjo sepse përkrahja ndaj tij ka qenë gjithmonë e pamjaftueshme për tu thirrur si lider. Në të vërtetë, e gjithë qeverisja e tij në këto vitet e fundit ka qenë qeverisje e pakicës shqiptare, e mundshme vetëm falë mrekullisë së përkrahjes nga disa diplomatë që prodhojnë fenomenin e “Atifetizmit” – një kombinim i çuditshëm i naivitetit e paditurisë me pakurrizoizëm, e gjitha e mbështjellë në shumë fat.

Për kohën – dhe këtu qëndron lajmi i keq për vendin – vendi vazhdon të mbes me një opozitë të papërgatitur për të marrë qeverisjen. Në të vërtetë, opozita ka qenë e papërgatitur të marrë qeverisjen tash e sa kohë. Disa sot arsyetojnë mospregatitjen me mungesën e vullnetit për tu marrë me Veri (nga LDK-ja) apo rrezikshmërinë (për të huajt) e mënyrës së marrjes me Veri (nga VV-ja). Gjithsesi, përtej gatishmërisë ose jo për tu marrë me e rreth Veriut, them se të dy partitë kanë qenë pak a shumë në valë disporporcionale me nevojat e Kosovës dhe nuk kanë shfrytëzuar as për së afërmi mundësinë e rrëzimit të kësaj Qeverie. Dorën në zemër, punë më të lehtë se rrëzimi i një qeverisje “grabovciane”, “kamishiane” e “shikiane” me të gjitha skandalet e ndërlidhura me të, nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjëherë. Është diçka tjetër që LDK është treguar pensioniste e VV si axhami; është diçka tjetër që asnjëra nga to, fatkeqësisht për ne, nuk u ndalën në moshën e pjekurisë.

Pra, qeverisja mund ti mos ketë votat për të kaluar shumicën e proceseve, sidomos të atyre që i japin epitet kryeministrit Thaçi si “delivery guy” – siç e thërrasin të huajt atë rëndom – në fund ndoshta ai edhe nuk qenka aq i aftë për të “deliver”; pra kjo qeverisje mund të mos ketë shumicën, por shumicën nuk e ka as opozita. Ky kombinim i çuditshëm matematikor mund të sjellë vendin në një proces ku nuk ecet as para as mbrapa, pra stagnohet. Rrjedhimisht stagnimi do ti jepte fuqi kryeministrit Thaçi të rrëzojë vetën kur të dojë, ose, potencialisht (nëse flirtimi i AAK-së është serioz) të zgjasë veten për pak kohë.

Në të gjitha rrethanat, vendi është sot në qorrsokak dhe çdo rrjedhë do të jetë më e çuditshme se tjetra. Në një “teori të lojërave”, repeticioni i akteve të palës tjetër si reflektim i gjendjes reale të tyre prodhon një situatë të re tek pala reflektuese. Thënë ndryshe, zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit mund të jenë pika reflektuese të cilën e presin të gjitha partitë; një lloj testi i fuqisë së tyre. Pas këtij testi, secila parti a lëvizje do të reflektojë njëtrajtësisht për tu pozicionuar potencialisht në qëndrime krejt të papartishme e të reja nga këndvështrimi i sotshëm. Politika kosovare gjithmonë ka ditur të jetë e çuditshme dhe befasuese; kush e di se çfarë sjellë 4 Nëntori.





Monday, 23 September 2013

PAGA, ASFALT DHE PAGA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 SHTATOR 2013

Në teorinë ekonomike, pavarësisht bindjeve e orientimeve filozofike, ka një konsensus rreth relacionit pagë-çmim-pagë. Bëhet fjalë për spiralen e rritjes artificiale të pagave (në kushte të krizës ose recesionit) e cila rritë më pas çmimet, e rritjet e çmimeve më pas ri-rritë pagat. Natyrisht cikli përfundon në më shumë krizë, në më shumë recesion, në çmime edhe më të larta e domosdoshmëri në paga më të larta

Përderisa privatizimi i PTK-së u fut këtë javë sërish në agjendën parlamentare, gjithsesi për të bërë diskutim të zakonshëm e jo për të prodhuar ndonjë vendim të mbarë, të mirë e të natyrshëm, pjesët tjera të diskutimeve ekonomike pak a shumë mbetën në nuancat e premtimeve zgjedhore – e të cilat si duket sërish do të bëjnë nam. Pjesë e kësaj qasje është edhe sjellja tërësisht jo-korrekte e kryeministrit nëpër komunat e partisë së tij, ku kushtëzohen investimet potenciale me zgjedhjen e partisë së kryeministrit. Sikur u thuhet qytetarëve se po nuk votuat (vetëm) kandidatin e partisë së kryeministrit të harrohen se janë qytetarë të Kosovës, se paratë e Kosovës nuk do ti shohin asnjëherë – ato na qenkan të partisë, shtetit e kryeministrit, të gjitha në një.

Për t’iu kthyer sërish premtimeve me nam, ç‘është e vërteta, ato në shumicën e rasteve merren e jepen si të tilla, pra nuk është se formësohen për të bërë ndonjë ndryshim, megjithatë disa prej sosh evoluojnë rrezikshëm në vendime të marra pak para zgjedhjeve; siç është edhe rasti i pagave atëherë dhe tash sërish.

Këto më pas na bëhen barrë e marrë për katër vite rresht, duke paralizuar secilin potencial tjetër zhvillimor. Në të vërtetë, filozofia e blerjes së votave nëpërmjet rritjes së pagave në sektorin publik, ka rrënuar secilin potencial për rimëkëmbje në këto tre vitet e fundit. Çfarë përfituesit megjithatë nuk kuptojnë dot është se paratë e fituara në fillim të ciklit zgjedhor zhvlerësohen në plotni në fund të tij. Rritja e menjëhershme e pagave dhe sidomos rritja artificiale e tyre (për artificialitetin pak më vonë) nuk prodhon mirëqenie, prodhon iluzion për rritje të saj, por eventualisht rënie (nëpërmjet inflacionit) dhe përfundimisht kthim në pikën e parë të përfituesve. Natyrisht se gjatë kësaj kohe përfituesit e të tjerët nuk do të marrin asnjëherë shkëmbimet e duhura shëndetësore, edukimin e drejtë, lëvizjen e lirë e trajtimin e barabartë; për më tepër ata e të tjerët nuk do të shohin vendet të reja të punës as për familjarët, miqtë e akrabatë e tjerë. Nuk do të ketë vende pune meqë në vend të ndihmës për sektorin privat, qeveria e tyre jep paga, asfalt dhe paga sërish. Politikë bukur shkurtpamëse.

***

Në teorinë ekonomike, pavarësisht bindjeve e orientimeve filozofike, ka një konsensus rreth relacionit pagë-çmim-pagë. Bëhet fjalë për spiralen e rritjes artificiale të pagave (në kushte të krizës ose recesionit) e cila rritë më pas çmimet, e rritjet e çmimeve më pas ri-rritë pagat. Natyrisht cikli përfundon në më shumë krizë, në më shumë recesion, në çmime edhe më të larta e domosdoshmëri në paga më të larta. Ndodh kështu meqë pagat normalisht duhet të rriten si reflekcion i produktivitetit. Thënë ndryshe, pagat rriten kur ka rritje të gjithmbarshme. Kjo rritje e gjithmbarshme më pas financon pagat. E nëse ndodhe ndryshe, pra ka rritje të pagave por nuk ka rritje të gjithmbarshme, atëherë financimi i pagave bëhet artificialisht – gjithsesi përfundon në më shumë krizë.

Në Kosovë një cikël i tillë veçse ka ndodhur në vitin 2010-2011 kur po e njëjta qeveri, në po të njëjtin stil dhe për më tepër me po të njëjtin qëllim – pra zgjedhjet – kishte rritur artificialisht pagat. Asokohe ne u shtrënguam shumë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si rezultat humbëm kredinë e paraparë, rrezikuam buxhetin dhe në fund u sollëm si të çmendur ndaj sektorit privat (formal) për të vjelë sa më shumë taksa e dënime – gjithsesi e tëra përfundoj në një inflacion rekord për Kosovën që nga paslufta, plot 8.2% në vetëm një vit.

Në të vërtetë, në Kosovë inflacioni që nga ardhja e kësaj qeverie është i barabartë në plotni me rritjen e pagave në sektorin publik. Pra kosovarët që nga ardhja e kësaj qeverisjeje kanë përjetuar një inflacion prej plot një të tretën e pasurisë, pra rreth 30%. Të gjithë ata që kanë marrë rritje pagash – e që janë kryesisht në sektorin publik – kanë stabilizuar këtë rritje enorme të çmimeve dhe praktikisht janë kthyer në fuqinë fillestare të tyre. Sektori privat në anën tjetër jo vetëm se nuk ka mundur të ndjekë artificialitetin e rritjes (prandaj dhe pamaturia) por është shtrënguar në përmasa të mbijetesës, borxhit dhe eventualisht largimit nga puna të punëtorëve – as që kanë menduar të njëjtit ndonjëherë për shtim të tyre.

***

E vërteta është se pagat do të rriten. Nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje të FMN-së meqë ne nuk kemi më programe të përmasave të atëhershme, e për më tepër këto programe as që janë para si decisive si atëherë. Pagat do të rriten dhe për këtë do të ketë një vallë popullzimi që nuk i bën ballë kush. Do të jetë bukur e rëndë dhe bukur e papritur që një parti politike të kundërshtojë çfarëdo rritje pagash tash para zgjedhjeve. E tëra çfarë të njëjtit mund të argumentojnë është se edhe ata do të bënin të njëjtën gjë, veçse jo një herë në katër vite por gradualisht nëpër vite. Sado edhe kjo rritje potencialisht do të ishte artificiale (sepse po nuk prodhove e po nuk u rrite ekonomikisht rritjet janë balona që shpërthjenë dikur) ajo do të ishte shumë më e mirë dhe shumë më e përballueshme se sa infuzionet e rralla po të rënda.

Rritja e pagave do të shoqërojë dhe politikën e vazhdueshme për asfalt. Pra pas përfundimit të “autorrugës së Kombit” – e cila përndryshe veçse ka humbur karakterin ndërkombëtar meqë diku është autostradë diku magjistrale e diku rrugë mahallash; e tëra konsekuence e prerjeve ad-hock – pra pas përfundimit gjysmak të saj diku në Besi, me plot 30-40 kilometra në mes të saj si rrugë magjistrale deri në Fushë-Kosovë,  Qeveria jonë do të nisë urgjentisht të njëjtën për në Shkup. Ndërtimin e Rrugës natyrisht se do ta bëjë “Bechtel-Enka” me një kosto zbërthyese që nuk do ta kuptojë askush.

Rrjedhimisht siç edhe ka ndodhur njëjtë në këto 3-4 vitet e shkuara, ne do të mbesim me të njëjtat telashe ekonomike, me plot asfalt, me një sektor publik në rritje e pa prodhim privat; dhe jo vetëm aq. Vendimet e pamatura e popullsite si këto do të na reflektohen në plot vite më pas. Në fund të fundit këtu edhe qëndron edhe fuqia e veprimit ekonomik, secili vendim i keq që ne marrim sot do të na kthehet vite më pas edhe më keq edhe më mbrapshtë.


Monday, 16 September 2013

EFEKTI I ZGJEDHJEVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 SHTATOR 2013

Mbi teorinë e kaosit dhe eskalimin tregtar 

Teoria e kaosit përmban në vete një koncept mjaft interesant; i thonë “butterfly effect” - shqip “efekti i fluturës”. Emëruar nga matematicienti amerikan Edward Lorenz, efekti në fjalë përshkruan një ngjarje teorike kur formimi i një uragani në një skaj të botës varet ekskluzivisht nga rrahja e krahëve (ose jo) nga një flutur në skajin tjetër të saj. Thënë ndryshe, ngjarjet, pavarësisht përmasave e rëndësisë që mund të kenë, janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën; rrjedhimisht një ngjarje sado e vogël në dukje - siç është kjo e krahëve të fluturës, mund të prodhojë një rezultat gjigand në përfundim - siç dhe mund të jetë uragani.

***

Në tre vitet e fundit Republika e Maqedonisë “rrah krahët e fluturës” përballë vendit tonë dhe fqinjëve tanë e saj, sa herë që shtatori afrohet. E bën këtë për të mbrojtur, siç pretendon ajo, prodhuesit e miellit në Maqedoni. Mbrojtjen në fjalë e bën duke u thirrur në marrëveshjen e CEFTA-s, e cila, ç’është e vërteta - dhe për dallim nga pasaktësitë e dhëna në Kosovë rëndom - megjithatë lejon që një shtet të marrë masa proteksioniste sa herë që një industri apo një sektor ekonomik ndodhet para kolapsit.

Ky definimin “para kolapsit” është bukur i gjerë dhe rrjedhimisht lë bukur hapësirë për interpretime nga anëtarët nënshkrues siç ja u merr mendja. Me logjikën e definimit të kolapsit nga vendet e rajonit, Kosova kaherë është dashur të mbrojë sektorët e saj. Sektorët tanë në të vërtetë ka kohë që janë para kolapsit - gjithsesi sipas standardeve të Maqedonisë e rajonit. Pavarësisht kësaj, në tre vitet e fundit Kosova është ballafaquar me bllokadë eksporti të miellit në Maqedoni, vendim ky që në vazhdimësi ka dëmtuar përparësitë krahasuese të vendit tonë (në pikun e zhvillimit të tyre) dhe i ka fuqizuar bizneset e atjeshme - gjithsesi me praktika të padrejta.

Në dy herët e shkuara reagimi ynë ka qenë pritja; këtë vit ne dhamë bllokadë. Për fatin e keq të maqedonasve, këtë vit kur ata “rrahën krahët” ne u ndodhëm në ciklin e zgjedhjeve; e cikli i zgjedhjeve tek ne prodhon nga krahu i fluturave një uragan, mu ashtu siç parasheh teoria e kaosit. Pra në përgjigje të proteksionizmit maqedonas të miellit, ne dhamë një kundërpërgjigje bllokuese ndaj disa produkte të importuara maqedone. Kjo në kthim prodhoj një politikë të re diskriminuese ndaj qytetarëve kosovarë të cilët u detyruan të paguajnë një taksë mobiliteti sa herë që kalonin kufirin andej - pra u kalua (paradoksalisht) nga sanksionim i mallrave në sanksionim të njerëzve. Në përgjigje të masës së dytë ne kaluam në bllokadë të plotë mallrash; e e cila në fund prodhoj një mbyllje të plotë të kufijve nga andej. Në këtë fazë ne e ata nuk kemi e kanë letra më për të djegur, prandaj dhe kjo status-quo.

***

Në këtë status-quo megjithatë ka një humbës (financiar) të sigurt. Sipas të dhënave zyrtare që burojnë nga Doganat e Kosovës e që publikohen rëndom nga Agjencia e Statistikave, në Kosovë mesatarisht brenda ditës importohen rreth 930.000 euro mallra e shërbime nga shteti maqedonas; ndërsa eksportohen andej vetëm 70.000 euro në ditë. Pra thënë ndryshe, në një disproporcion kaq të madh tregtar, janë mu bizneset maqedone që përballen me presionin e kohës; rrjedhimisht dhe insistimi i tyre në qeverinë (bukur nacionaliste) atje për të bërë zhbllokim. Në të vërtetë, vizitat e shumta nga andej për të zhbërë këtë status-quo burojnë mu nga një situatë disfavorizuese për bizneset dhe shtetin maqedon.

Problemi bllokues megjithatë është më i madh se sa një relacion financiar i zakontë. Ai në të vërtetë shpërfaqë një sërë elementesh të reja tregtare dhe reaguese që Kosova ose nuk i ka provuar asnjëherë ose nuk i ka menduar se mund ti provojë ndonjëherë. Elementi i parë ka të bëjë me thyerjen e paradoksit së anti-protekcionizmit në disa sektorë tanë, e që rëndom është arsyetimi prapa mos-reagueshmërisë së institucioneve tona sa herë që kjo lypset. Pra Kosova mundet dhe për më tepër ka të drejtë (me vet CEFTA-n) njëtrajtësisht siç bëri Maqedonia me fqinjët e saj, të marrë masa mbrojtëse për një periudhë të dhënë kohore nëse sektori i dhënë ka nevojë për masa të tilla. Nuk e kemi bërë asnjëherë, por mund ta bëjmë gjithsesi.

Elementi i dytë ka të bëjë me konstatimin e egërsisë tregtuese të fqinjëve tanë ndaj vendit tonë. Nëse reagimi i tyre është kaq enorm në një situatë kur humbës janë ata, paramendoni çfarë reagimi do të kishin të njëjtit sikur Kosova të kishte bilancin në favor të saj. Ky fakt duhet të na shërbejë si shtytës për mos-varësi tregtare dhe ekonomë nga vende kaq armiqësore ndaj nesh.

Elementi i tretë, dhe i fundit, ka të bëjë sërish me fatkeqësinë ekonomike të brendshme të Kosovës, e cila nuk ka se nuk ka potencë të prodhoj produkte lehtësisht të zëvendësueshme siç janë këto të importuara nga Maqedonia. Pra në vend se ky relacion të përkthehej në rritje të konsumit të brendshëm, e tëra çfarë ne mund të shpresojmë tani është që këto produkte të mos zëvendësohen nga një vend edhe më pak mik për kohën, siç është Serbia.

***

Për t’iu kthyer edhe një herë vendimit, them se nuk ka as edhe një fije dyshimi se sikur e njëjta bllokadë të ndodhte në ndonjë periudhë tjetër të vitit, reagueshmëria e jonë do të ishte inefektive; siç edhe ka qenë pra në dy vitet paraprake tona. Por kjo, dhe këtu dua të vë theksin më tepër, ka shumë pak rëndësi kur vlerësojmë vendimin në vete.

Ndjej çudi kur shoh e dëgjoj qeveritarë, opozitarë e të pavarur, që kritikojnë reciprocitetin kosovar ndaj shtetit Maqedon; përkundër faktit që pothuajse në çdo elaborim të tyre të njëjtit kanë gojën plot reciprocitet. E jam edhe më tepër i bindur se sikur institucionet tona të mos vendosnin reciprocitet në kohë, të njëjtit do të kërkonin mu këtë reciprocitet. Pra thënë ndryshe, ka fare pak rëndësi se a jemi apo jo në periudhë zgjedhjesh, ka shumë rëndësi që vendimi ynë është i drejtë. Është e vetmja formë reagueshmërie ndaj një diskriminimi.

Akti i reciprocitetit në fund të fundit dëshmon dinjitet të shtetit (të cilin e kemi humbur kaherë) dhe njëtrajtësisht promovon drejtësinë. Prodhuesit dhe bizneset tona duhet të mbrohen; e mbrojtja bëhet vetëm me dhënie të shembujve, siç dhe po bëjmë tani. Kosova mund të ndjejë dëmin eventual nga bllokimi i rrugës prej andej, por Maqedonia ndjenë plot 930.000 humbje të tjera në ditë – dhe ky proporcion duhet të na shërbejë si arsye që ti mbetemi besnik idesë sonë së barazisë në trajtim tregtar. Nuk ka dhe nuk bën të ketë alternativë tjetër ndaj diskriminimit.

***

Ajo çfarë në fund lë përshtypje në Kosovë, e që lidhet njëtrajtësisht edhe me vendimin e Kosovës për reciprocitet, është vullneti, angazhimi, efikasiteti dhe mbarësia në vendimet politike gjatë kohës së zgjedhjeve. Për pak, vetëm për pak, paramendoni Kosovën si do të dukej sikur ritmi i punës së institucioneve në vend të ishte i njëjtë në katër vite rresht; paramendoni rrugët, trotuaret, kontejnerët, sheshet, shkollat, autostradat, e vendimet e tilla tregtare, politike e ekonomike me energji kaq të njëjtë sikurse energjia e prodhuar nga ethet se zgjedhjeve. Qenka e mundshme; shihni jashtë. E mundshme po, por këta nuk duan.




Friday, 6 September 2013

ÇFARË I MUNDON BIZNESET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 Shtator 2013

Një përmbledhje e barrierave të të bërit biznes në Kosovë


Ka pothuajse 13 vite që kur Instituti Riinvest diagnostikon shëndetin e sektorit privat në Kosovë. E bëjmë këtë nëpërmjet anketimit dhe intervistimit të një numri të selektuar biznesesh, rëndom 600 sosh, të zgjedhura në mënyrë të rastësishme pro mjaftueshëm sa për të përfaqësuar statistikisht gjithë popullacionin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.

E bëjmë këtë për të kuptuar natyrisht potencialet e burimit të vetëm gjenerues të Kosovës; pra të bizneseve. Ta vejmë rekordin mbarë, zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk do të vijë asnjëherë nga punët e shtetit, as nga donacionet e remitencat, hiç se hiç nga hiperndërmarrjet publike. Do të vijë, ashtu siç edhe vjen tani – ani pse i lodhur e i mangët – vetëm nga sektori privat, nga iniciativat e ndërmarrësve, risku e mundi i tyre e nga pritjet eventuale për profit. Kujtoj se edhe sot pjesa dukshëm më e madhe e të punësuarve në vend vijnë mu nga sektori privat; nga ato 60.000 biznese (të regjistruara) që megjithatë krijojnë diçka. Pa to Kosova do të kishte një papunësi prej 90%, varfëri të skajshme në po aq skajshmëri e destabilitet social e politik të tmerrshëm; pra thënë ndryshe, Kosova nuk mund të parafytyrohet pa biznese.

Anketa e fundit e bërë në Kosovë me ndërmarrjet private, e që qëllon të jetë e Riinvestit dhe UNDP-së, është bërë në vitin 2011. Këtë vit ne kishim replikuar pjesërisht pyetësorin e njëjtë të bërë nëpër vite, që nga viti 2000 e këndej, gjithmonë për të parë trendin e ecjes së bizneseve në Kosovë. Në këtë kolumnë do të provoj të jap një pasqyrë të shkurtë të një segmenti të vetëm të të dhënave të para-përpunuara, së shpejti për tu bërë publike. Kjo sa për të thyer akullin e të dhënave të tjera, të bollshme, të çuditshme e të plota që do të dalin shpejtë shumë. Pra do të provoj të vë vëmendjen në trendin e barrierave të perceptuara nga vet bizneset kosovare nga viti 2011 deri në vitin 2013, për të parë se çfarë i mundon në të vërtetë bizneset kosovare.

***

Në vitin 2011 lista e barrierave të renditura përfshinte 22 kategori; këtë vit nisur nga rrethanat e fundit dhe nga para-percepcioni që marrim rëndom nga kontaktet me bizneset, ne kishim shtuar edhe një, atë të “mbledhjes së borxhit”. E bëmë këtë meqë në një treg ku norma e interesit thyen rekordet evropiane, ku eksporti mbulon vetëm 12% të importit, ku politikat fiskale kanë hiper ndikim në rrjedhën e parasë së bizneseve – duke i tharë ato – është shumë e pritshme që borxhi të jetë tipar i zakonshëm në stilin e të bërit biznes. Në të vërtetë, rezultatet e sivjetme treguan mu këtë. Ndonëse e futur për herë të parë në listën e gjithmbarshme, “mbledhje a borxhit”, si barrierë ne vete, u rendit si e 5-ta në listën e gjithmbarshme të të bërit biznes në Kosovë. Sinqerisht nuk mbaj mend ndonjë shfaqje debutuese kaq të dukshme sa herë që kemi përditësuar listën e barrierave. E meqenëse “mbledhjen e borxhit” nuk e kishim në rangimet paraprake – rrjedhimisht nuk mund ta krahasojmë fare – në pjesën nga këtu e më poshtë do të bëjmë sikur jemi pa të; kjo për hir të analizës krahasuese.

Percepcioni i parë i krahasimit të të dy viteve është se nga 22 barrierat e krahasueshme, 18 kishin shënuar rëndesë, vetëm 3 kishin shënuar përmirësim, e njëra kishte mbetur në nivel të pandryshueshëm. Për të qenë më të qartë, përderisa 18 kategori/fusha ishin rënduar keq shumë, përmirësim kishin shënuar “energjia elektrike”, “transporti” dhe “relacionet me furnitorë e konsumatorë”; në nivel të pandryshuar nga viti 2011 kishte mbetur “rregullativa e punës” – e perceptuar si barrierë. Në të vërtetë, përmirësimi i energjisë elektrike dhe infrastrukturës në Kosovë është shumë lajm i mirë, sidomos për bizneset prodhuese dhe (potencialisht) eksportuese. Kujtoj se në vitin 2006 energjia elektrike ishte shpërfaqur për herë të parë si top barrierë në Kosovë, për të qëndruar aty deri në vitin 2010. Rangimi i saj sot diku nga fundi i barrierave, në vendin e 14, është me të vërtetë ecje e mbarë dhe e mirë. Ky rangim ndoshta edhe rrumbullakon me së miri gjithë angazhimin qeveritar në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve; pra fokusin në investime infrastrukturore (me tenderë) në rrugë, energji e telekom – dhe vetëm kaq.

Vetëm kaq meqë ato 18 kategoritë tjera, të gjitha jo-infrastrukturore, dalin të jenë tmerrësisht të dëmshme, tmerrësisht në rritje, e tmerrësisht shqetësuese. Pra rëndesa e 18 kategorive nga gjithsejtë 22, tregon qartësisht se në Kosovë ambienti biznesor ka shënuar rënie nga viti 2011 gjer në vitin 2013. Për ti dhënë një nuancë pozitiviteti edhe këtij regresi, them ti rrumbullakojmë ato barriera që kanë pasur rëndesë më të lehtë. Në këtë grup do të hynin kryesisht (dhe jo rastësisht) fushat e brendshme e më pak të rëndësishme të bizneseve; diçka për shembull si aftësia e punëtorëve, qasja në tokë, standardet e prodhimit, qasja në informacione për biznesin, licencat, dhe rregullativa e tregtisë. Pra, ndonëse edhe këto kategori janë në regres, themi se regresi i tyre është më i lehtë, potencialisht subjekt i ndonjë gabimi statistikor dhe pa ndonjë tendencë të madhe shqetësuese. Gjithsesi, pozicionimi i këtyre fushave në intenzitete pothuajse të njëjta ndaj njëra tjetrës, dëshmon edhe kredibilitetin e anketave të bëra në dy periudha plotësisht të ndryshme me dy grupe plotësisht të ndryshme biznesesh.

Kategorizimi i lehtë i këtyre dy barrierave jep edhe dy fakte shtesë. I pari, se bizneset kosovarë në vazhdimësi i kanë kosnideruar (me apo pa të drejtë) barrierat e brendshme, pra ato që varen vetëm nga ta, si më pak të dëmshme dhe më pak problematike për punën e tyre – prandaj dhe rëndom do të mbesin me këtë qëndrim. Kjo sepse ata ose me të vërtetë kanë më shumë halle në ambientin e jashtëm se sa në vet biznesin, ose se e mbi-vlerësojnë së tepërmi potencialin e brendshëm që ata kanë

Fakti i dytë ka të bëjë politikat biznesore të drejtuara nga Qeveria e Kosovës, veçanërisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në këto vitet e qeverisjes së fundit, e që fatkeqësisht janë koncentruar me barrierat e pjesës së poshtme të biznesit. Pra fokusimi i gjithë ministrisë e Qeverisë për të zhbërë disa barriera në regjistrim e rregullativë ka lënë anash gjithë pengesat serioze, ato që nuk gjenden në top dhjetëshen e fundit, por në top dhjetëshen e parë. E top dhjetësha e parë është halli i vërtetë i Kosovës.

***

Është halli i vërtetë i Kosovës jo vetëm për nga pozicionimi aktual i tyre, pra për nga fakti se mbajnë dhjetë vendet e para, por për shkak se janë njëkohësisht barrierat që kanë shënuar më së tepërmi regres në këto dy vitet e fundit, kur edhe krahasohen këto të dhëna. Pra përderisa në grupin e regresit të lehtë futeshin barriera më pak të dëmshme –ato të fundit - në grupin e regresit të madh janë këto më të rëndat – këto të parat. Të dhënat sikur tregojnë një lloj goditje të dyfishtë; se në vend të zhbërjes së top barrierave Kosova ka përjetuar rëndesë të tyre.

Për të shuar çfarëdo kurioziteti, bizneset kosovare këtë vit e konsiderojnë “konkurrencën e padrejtë” të shtyrë nga informaliteti dhe evazioni fiskal si barrierën kryesore. Sa për të rikonfirmuar edhe një herë kredibilitetin e anketës, e njëjta barrierë i printe listës së barrierave edhe në vitin 2011. Është pak e pritshme që në dy vite kohore, në dy grupe anketimi, një barrierë e njëjtë të dalë rastësisht si e para. Pra në këtë renditje nuk ka rastësi. Është fakt i konfirmuar se bizneset kosovare vuajnë nga evazioni dhe informaliteti – pra nga trajtimi jo i barabartë i autoriteteve inspektuese ndaj tyre. Për më tepër kjo barrierë rëndohet në vitin 2013 sa për të dëshmuar kështu edhe kahun e ecjes sonë.

Barriera e dytë në këtë rangim del të jetë “korrupsioni”, me një kërcim rekord nga e gjithë lista e barrierave. Pra “korrupsioni” i perceptuar si barrierë, bën regresin më të madh në krahasim me secilën barrierë tjetër, për plot 4 vende, nga vendi i 6-të sa ishte në vitin 2011 në të dytin këtë vit. Ç’është e vërteta, rëndesa e korrupsionit nuk shihet vetëm në kategorizim, por edhe në intensitetin e tij (i cili poashtu arrin nivel rekord).

Rekord ndryshim në intensitet (njësia matëse e këtyre barrierave) ka edhe “funksionimi i gjyqësorit” i cili, sipas mendimit të bizneseve, duket se ka shënuar degradim të pamëshirshëm, aq sa renditet nga vendi i 12 në të 6-tin. Në vendet e ndërmjetme pas “konkurrencës së padrejtë” dhe “korrupsionit” janë “krimi dhe hajnia rrugore”, “praktikat jo korrekte të konkurruesve” dhe “krimi i organizuar dhe mafia” – pas gjyqësorit vjen në vendin e 7-të “jostabiliteti politik”. Në të vërtetë, këto 7 barrierat e para kanë një emërues të përbashkët; ky është sundimi i ligjit.

Është mu për shkak të mos-sundimit të ligjit që bizneset kosovare mundohen e rëndohen nga evazioni e informaliteti, korrupsioni e hajnia rrugore, mafia e mungesa e vet gjyqësorit. Të dhënat, ç‘është e vërteta, japin një pasqyrë kristal të qartë; padyshim të pritshme: ky vend është në anarki ligjore, rrjedhimisht në anarki biznesore. Këtu ka më së paku potencial për zhvillim.

***

Katër barrierat e mbetura, pra nga vendi i 8-të deri në të 11-tin, kanë të bëjnë me dy fusha, potencialisht më të mençura. Pra zgjidhja e tyre kërkon më shumë mendje se vullnet. Në vendin e 8-të bizneset kosovare i rendisin “normat tatimore”, mesiguri për të aluduar në pagesën e TVSH-së; në të 9-in “koston e financimit”, pra normat e interesit; në të 10-tin kthehen sërish tek çështjet tatimore për të ranguar “administratën tatimore” si pengesë serioze; për tu kthyer sërish në “qasjen në financa”, pra mundësinë  e marrjes së kredisë.

Pra këto katër barriera i përkasin dy fushave kryesore, e para ka të bëjë me politikat fiskale të përkthyera në norma dhe administratë tatimore; ndërkaq e dyta ka të bëjë me financim të përkthyera në koston dhe qasjen e kredive. Për grupin e parë nuk shpreh fare habi. Përderisa normat tatimore në fitim dhe paga mbesin në rang normal, ngarkesat tjera të ndërlidhura me TVSH-në vazhdojnë të jenë barrierë serioze në qarkullimin e parasë nga bizneset. Këtë qarkullim e rëndon edhe më tepër Administrata Tatimore e Kosovës, një trup tërësisht jofunkcional dhe armiqësor me bizneset që paguajnë; tolerant (siç edhe shihet nga vet rangimi) me evazionistë dhe informalë. Në të vërtetë, ATK është aq e rëndë me bizneset që kërkojnë shërbime nga ajo, diçka si për shembull rimbursimi i TVSH-së, saqë bizneset preferojnë të mos e kërkojnë shërbimin (rimbursimin) fare. Shto kësaj edhe sjelljen prej “kapadaiu” të inspektorëve tatimorë, dhe ke një pasqyrë të përafërt të rezonit prapa një rangimi të tillë.

Në fund fare, por aspak më e parëndësishme, është qasja dhe kostoja e kredive. Pra bizneset jo vetëm që kanë kosto të lartë të normës së interesit, por se edhe marrja e saj është bukur e rëndë dhe e vështirë. Me apo pa fajin e institucioneve financiare në vend them se Kosova me bizneset e saja nuk do të mund asnjëherë të ndërtojnë asnjëherë një fije zhvillime në kushte të tanishme kreditimi. Fatkeqësisht këto fushat “e mençura” të biznesit, pra diçka më ndryshe e më mençur se sa rangimet biznesore, nuk janë prekur asnjëherë deri më sot.