Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 Shtator 2013
Një
përmbledhje e barrierave të të bërit biznes në Kosovë
Ka
pothuajse 13 vite që kur Instituti Riinvest diagnostikon shëndetin e sektorit
privat në Kosovë. E bëjmë këtë nëpërmjet anketimit dhe intervistimit të një
numri të selektuar biznesesh, rëndom 600 sosh, të zgjedhura në mënyrë të
rastësishme pro mjaftueshëm sa për të përfaqësuar statistikisht gjithë
popullacionin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.
E
bëjmë këtë për të kuptuar natyrisht potencialet e burimit të vetëm gjenerues të
Kosovës; pra të bizneseve. Ta vejmë rekordin mbarë, zhvillimi ekonomik i
Kosovës nuk do të vijë asnjëherë nga punët e shtetit, as nga donacionet e
remitencat, hiç se hiç nga hiperndërmarrjet publike. Do të vijë, ashtu siç edhe
vjen tani – ani pse i lodhur e i mangët – vetëm nga sektori privat, nga
iniciativat e ndërmarrësve, risku e mundi i tyre e nga pritjet eventuale për
profit. Kujtoj se edhe sot pjesa dukshëm më e madhe e të punësuarve në vend
vijnë mu nga sektori privat; nga ato 60.000 biznese (të regjistruara) që
megjithatë krijojnë diçka. Pa to Kosova do të kishte një papunësi prej 90%,
varfëri të skajshme në po aq skajshmëri e destabilitet social e politik të
tmerrshëm; pra thënë ndryshe, Kosova nuk mund të parafytyrohet pa biznese.
Anketa
e fundit e bërë në Kosovë me ndërmarrjet private, e që qëllon të jetë e Riinvestit
dhe UNDP-së, është bërë në vitin 2011. Këtë vit ne kishim replikuar pjesërisht
pyetësorin e njëjtë të bërë nëpër vite, që nga viti 2000 e këndej, gjithmonë
për të parë trendin e ecjes së bizneseve në Kosovë. Në këtë kolumnë do të
provoj të jap një pasqyrë të shkurtë të një segmenti të vetëm të të dhënave të
para-përpunuara, së shpejti për tu bërë publike. Kjo sa për të thyer akullin e
të dhënave të tjera, të bollshme, të çuditshme e të plota që do të dalin
shpejtë shumë. Pra do të provoj të vë vëmendjen në trendin e barrierave të
perceptuara nga vet bizneset kosovare nga viti 2011 deri në vitin 2013, për të
parë se çfarë i mundon në të vërtetë bizneset kosovare.
***
Në vitin 2011 lista e barrierave të renditura përfshinte 22 kategori; këtë vit nisur nga rrethanat e fundit dhe nga para-percepcioni që marrim rëndom nga kontaktet me bizneset, ne kishim shtuar edhe një, atë të “mbledhjes së borxhit”. E bëmë këtë meqë në një treg ku norma e interesit thyen rekordet evropiane, ku eksporti mbulon vetëm 12% të importit, ku politikat fiskale kanë hiper ndikim në rrjedhën e parasë së bizneseve – duke i tharë ato – është shumë e pritshme që borxhi të jetë tipar i zakonshëm në stilin e të bërit biznes. Në të vërtetë, rezultatet e sivjetme treguan mu këtë. Ndonëse e futur për herë të parë në listën e gjithmbarshme, “mbledhje a borxhit”, si barrierë ne vete, u rendit si e 5-ta në listën e gjithmbarshme të të bërit biznes në Kosovë. Sinqerisht nuk mbaj mend ndonjë shfaqje debutuese kaq të dukshme sa herë që kemi përditësuar listën e barrierave. E meqenëse “mbledhjen e borxhit” nuk e kishim në rangimet paraprake – rrjedhimisht nuk mund ta krahasojmë fare – në pjesën nga këtu e më poshtë do të bëjmë sikur jemi pa të; kjo për hir të analizës krahasuese.
Percepcioni
i parë i krahasimit të të dy viteve është se nga 22 barrierat e krahasueshme,
18 kishin shënuar rëndesë, vetëm 3 kishin shënuar përmirësim, e njëra kishte
mbetur në nivel të pandryshueshëm. Për të qenë më të qartë, përderisa 18
kategori/fusha ishin rënduar keq shumë, përmirësim kishin shënuar “energjia
elektrike”, “transporti” dhe “relacionet me furnitorë e konsumatorë”; në nivel
të pandryshuar nga viti 2011 kishte mbetur “rregullativa e punës” – e
perceptuar si barrierë. Në të vërtetë, përmirësimi i energjisë elektrike dhe
infrastrukturës në Kosovë është shumë lajm i mirë, sidomos për bizneset
prodhuese dhe (potencialisht) eksportuese. Kujtoj se në vitin 2006 energjia
elektrike ishte shpërfaqur për herë të parë si top barrierë në Kosovë, për të
qëndruar aty deri në vitin 2010. Rangimi i saj sot diku nga fundi i barrierave,
në vendin e 14, është me të vërtetë ecje e mbarë dhe e mirë. Ky rangim ndoshta
edhe rrumbullakon me së miri gjithë angazhimin qeveritar në Kosovë gjatë gjithë
këtyre viteve; pra fokusin në investime infrastrukturore (me tenderë) në rrugë,
energji e telekom – dhe vetëm kaq.
Vetëm
kaq meqë ato 18 kategoritë tjera, të gjitha jo-infrastrukturore, dalin të jenë
tmerrësisht të dëmshme, tmerrësisht në rritje, e tmerrësisht shqetësuese. Pra
rëndesa e 18 kategorive nga gjithsejtë 22, tregon qartësisht se në Kosovë
ambienti biznesor ka shënuar rënie nga viti 2011 gjer në vitin 2013. Për ti
dhënë një nuancë pozitiviteti edhe këtij regresi, them ti rrumbullakojmë ato
barriera që kanë pasur rëndesë më të lehtë. Në këtë grup do të hynin kryesisht
(dhe jo rastësisht) fushat e brendshme e më pak të rëndësishme të bizneseve;
diçka për shembull si aftësia e punëtorëve, qasja në tokë, standardet e
prodhimit, qasja në informacione për biznesin, licencat, dhe rregullativa e
tregtisë. Pra, ndonëse edhe këto kategori janë në regres, themi se regresi i
tyre është më i lehtë, potencialisht subjekt i ndonjë gabimi statistikor dhe pa
ndonjë tendencë të madhe shqetësuese. Gjithsesi, pozicionimi i këtyre fushave
në intenzitete pothuajse të njëjta ndaj njëra tjetrës, dëshmon edhe
kredibilitetin e anketave të bëra në dy periudha plotësisht të ndryshme me dy
grupe plotësisht të ndryshme biznesesh.
Kategorizimi
i lehtë i këtyre dy barrierave jep edhe dy fakte shtesë. I pari, se bizneset
kosovarë në vazhdimësi i kanë kosnideruar (me apo pa të drejtë) barrierat e
brendshme, pra ato që varen vetëm nga ta, si më pak të dëmshme dhe më pak
problematike për punën e tyre – prandaj dhe rëndom do të mbesin me këtë
qëndrim. Kjo sepse ata ose me të vërtetë kanë më shumë halle në ambientin e
jashtëm se sa në vet biznesin, ose se e mbi-vlerësojnë së tepërmi potencialin e
brendshëm që ata kanë
Fakti
i dytë ka të bëjë politikat biznesore të drejtuara nga Qeveria e Kosovës,
veçanërisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në këto vitet e qeverisjes
së fundit, e që fatkeqësisht janë koncentruar me barrierat e pjesës së poshtme
të biznesit. Pra fokusimi i gjithë ministrisë e Qeverisë për të zhbërë disa
barriera në regjistrim e rregullativë ka lënë anash gjithë pengesat serioze,
ato që nuk gjenden në top dhjetëshen e fundit, por në top dhjetëshen e parë. E
top dhjetësha e parë është halli i vërtetë i Kosovës.
***
Është
halli i vërtetë i Kosovës jo vetëm për nga pozicionimi aktual i tyre, pra për
nga fakti se mbajnë dhjetë vendet e para, por për shkak se janë njëkohësisht
barrierat që kanë shënuar më së tepërmi regres në këto dy vitet e fundit, kur
edhe krahasohen këto të dhëna. Pra përderisa në grupin e regresit të lehtë
futeshin barriera më pak të dëmshme –ato të fundit - në grupin e regresit të
madh janë këto më të rëndat – këto të parat. Të dhënat sikur tregojnë një lloj
goditje të dyfishtë; se në vend të zhbërjes së top barrierave Kosova ka
përjetuar rëndesë të tyre.
Për të
shuar çfarëdo kurioziteti, bizneset kosovare këtë vit e konsiderojnë
“konkurrencën e padrejtë” të shtyrë nga informaliteti dhe evazioni fiskal si
barrierën kryesore. Sa për të rikonfirmuar edhe një herë kredibilitetin e
anketës, e njëjta barrierë i printe listës së barrierave edhe në vitin 2011.
Është pak e pritshme që në dy vite kohore, në dy grupe anketimi, një barrierë e
njëjtë të dalë rastësisht si e para. Pra në këtë renditje nuk ka rastësi. Është
fakt i konfirmuar se bizneset kosovare vuajnë nga evazioni dhe informaliteti –
pra nga trajtimi jo i barabartë i autoriteteve inspektuese ndaj tyre. Për më
tepër kjo barrierë rëndohet në vitin 2013 sa për të dëshmuar kështu edhe kahun
e ecjes sonë.
Barriera
e dytë në këtë rangim del të jetë “korrupsioni”, me një kërcim rekord nga e
gjithë lista e barrierave. Pra “korrupsioni” i perceptuar si barrierë, bën
regresin më të madh në krahasim me secilën barrierë tjetër, për plot 4 vende,
nga vendi i 6-të sa ishte në vitin 2011 në të dytin këtë vit. Ç’është e
vërteta, rëndesa e korrupsionit nuk shihet vetëm në kategorizim, por edhe në
intensitetin e tij (i cili poashtu arrin nivel rekord).
Rekord
ndryshim në intensitet (njësia matëse e këtyre barrierave) ka edhe “funksionimi
i gjyqësorit” i cili, sipas mendimit të bizneseve, duket se ka shënuar degradim
të pamëshirshëm, aq sa renditet nga vendi i 12 në të 6-tin. Në vendet e
ndërmjetme pas “konkurrencës së padrejtë” dhe “korrupsionit” janë “krimi dhe hajnia
rrugore”, “praktikat jo korrekte të konkurruesve” dhe “krimi i organizuar dhe
mafia” – pas gjyqësorit vjen në vendin e 7-të “jostabiliteti politik”. Në të
vërtetë, këto 7 barrierat e para kanë një emërues të përbashkët; ky është
sundimi i ligjit.
Është
mu për shkak të mos-sundimit të ligjit që bizneset kosovare mundohen e rëndohen
nga evazioni e informaliteti, korrupsioni e hajnia rrugore, mafia e mungesa e
vet gjyqësorit. Të dhënat, ç‘është e vërteta, japin një pasqyrë kristal të
qartë; padyshim të pritshme: ky vend është në anarki ligjore, rrjedhimisht në
anarki biznesore. Këtu ka më së paku potencial për zhvillim.
***
Katër
barrierat e mbetura, pra nga vendi i 8-të deri në të 11-tin, kanë të bëjnë me
dy fusha, potencialisht më të mençura. Pra zgjidhja e tyre kërkon më shumë
mendje se vullnet. Në vendin e 8-të bizneset kosovare i rendisin “normat
tatimore”, mesiguri për të aluduar në pagesën e TVSH-së; në të 9-in “koston e
financimit”, pra normat e interesit; në të 10-tin kthehen sërish tek çështjet
tatimore për të ranguar “administratën tatimore” si pengesë serioze; për tu
kthyer sërish në “qasjen në financa”, pra mundësinë e marrjes së kredisë.
Pra
këto katër barriera i përkasin dy fushave kryesore, e para ka të bëjë me
politikat fiskale të përkthyera në norma dhe administratë tatimore; ndërkaq e
dyta ka të bëjë me financim të përkthyera në koston dhe qasjen e kredive. Për
grupin e parë nuk shpreh fare habi. Përderisa normat tatimore në fitim dhe paga
mbesin në rang normal, ngarkesat tjera të ndërlidhura me TVSH-në vazhdojnë të
jenë barrierë serioze në qarkullimin e parasë nga bizneset. Këtë qarkullim e
rëndon edhe më tepër Administrata Tatimore e Kosovës, një trup tërësisht
jofunkcional dhe armiqësor me bizneset që paguajnë; tolerant (siç edhe shihet
nga vet rangimi) me evazionistë dhe informalë. Në të vërtetë, ATK është aq e
rëndë me bizneset që kërkojnë shërbime nga ajo, diçka si për shembull
rimbursimi i TVSH-së, saqë bizneset preferojnë të mos e kërkojnë shërbimin
(rimbursimin) fare. Shto kësaj edhe sjelljen prej “kapadaiu” të inspektorëve
tatimorë, dhe ke një pasqyrë të përafërt të rezonit prapa një rangimi të tillë.
Në
fund fare, por aspak më e parëndësishme, është qasja dhe kostoja e kredive. Pra
bizneset jo vetëm që kanë kosto të lartë të normës së interesit, por se edhe
marrja e saj është bukur e rëndë dhe e vështirë. Me apo pa fajin e
institucioneve financiare në vend them se Kosova me bizneset e saja nuk do të
mund asnjëherë të ndërtojnë asnjëherë një fije zhvillime në kushte të tanishme
kreditimi. Fatkeqësisht këto fushat “e mençura” të biznesit, pra diçka më
ndryshe e më mençur se sa rangimet biznesore, nuk janë prekur asnjëherë deri më
sot.
No comments:
Post a Comment