Friday, 5 July 2013

KOHË TË FRIKSHME

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 KORRIK 2013

Lufta kundër krimit, me falje!


Nuk jam ndier asnjëherë më i pasigurt për Kosovën se sa gjatë kësaj jave. E frikshme dhe e tmerrshme ishte ndjenja e mundësisë së kalimit të një ligji amnistues të pakuptimtë, jo të drejtë, anti-human e anti-shtetëror. Ishim aq afër prodhimit të një dokumenti që kthente atë pak demokraci të mbetur në hiç, që barazonte një faqezi që në 14 vite kishte bërë hajnin, plaçkitësin, korruptuesin e zhvatësin, me një punëtor, një prind e një qytetar që në gjithë këtë kohë kishte bërë kundër-hajnin, kundër-plaçkitësin, kundër-korruptuesin e kundër-zhvatësin.

Në të vërtetë, vet ideja e gjetjes së një vendi të tërë kaq afër rrënimit parimor e të vlerave më bazike në mes të mirës versus së keqes, më bën të ndjejë trishtimin e frikën për secilën ditë të ardhme. Ky vend e këta njerëz mund të prodhojnë gjithçka nesër; kanë humbur çdo vetëkontroll. Kufijtë e turpit, vlerës, humanizmit, e dinjitetit janë zhbërë për ta. Ka vetëm një vijë vetanake që ata ndjekin dhe kjo vijë evoluon vetëm me ecjen e tyre. Kjo ecje është thjeshtë inkluzive për sundimtarët dhe ekskluzive për gjithë të tjerët. Për sa mërziten, ata janë në gjendje të vënë një vend të tërë në shërbim faraonik të qejfeve të tyre; nga më të ndryshmet. Sa e frikshme.

-1-

Amnistia, si pardon, bëhet kuptimplote kryesisht në rastet kur falja e mosdënimi kanë kosto më të ulët – morale, financiare e praktike – se sa vet dënimi. Pra thënë ndryshe, amnistia bëhet kuptimplote vetëm nëse përfitimet nga një falje mundin dëmet eventuale nga mosfalja. Dhe rasti i amnistisë për veprat anti-shtetërore ndaj Republikës së Kosovës për serbet e pjesës Veriore mund të kuptohej mu kështu. Për shtrirjen e legjitimitetit të institucioneve tona në atë pjesë - ndonëse kam shumë për të thënë për formatin e kësaj shtrirje, kjo tash ka pak rëndësi – kosovarët janë të gatshëm ti falin të gjitha veprat kriminale “të lehta anti-shtetërore” që nga data e shpalljes së pavarësisë e këndej.

Këto vepra kriminale “të lehta anti-shtetërore” në asnjë rrethanë nuk përfshijnë vrasjet e heronjve kosovarë, larg asaj, por në një gjuhë më të qartë do të mund të përfshinin djegien e pikave kufitare (dy a tri herë), vënien e barrikadave gjithandej, mosrespektimin e rendit Kushtetues të Kosovës në rrafsh pesë vite, e të gjitha thirrjet tjera për separatizëm territorial e nxitje të urrejtjes. Pra ne do ti falnim të gjitha këto krime (që përkundër amnistisë megjithatë mbesin krime) në këmbim të kontrollit territorial të Veriut dhe respektimit të rendit Kushtetues tonin tash e tutje atje. Një falje e tillë në këmbim të Veriut është pazar bukur i mirë – këtë do ta argumentoja në çdo rrethanë. Nuk është pazar ideal e as zgjidhje ideale, por në rrethanat politike që kemi sjellë të gjithë vendin, sidomos klasa e paditur politike, është zgjidhje e pranueshme. A e marrim realisht apo e autonomojmë në të vërtetë Veriun me këtë marrëveshje, këtë nuk kam intencë ta diskutoj këtu. Tashmë besoj se i kam bërë mjaftueshëm të qarta, për aq sa mundem, pasojat e marrëveshjeve të fundit në gjithë shkrimet e shkuara.

Amnisti të tilla për grupe minoritare brenda një shteti (kryesisht emigrantë) kanë qenë shpesh të zakonshme në Amerikë, Spanjë apo Francë sa herë që një e mirë më e madhe të ketë mbuluar dëmet e faljes. Kujdes, nuk ka falje pa dëme. Nëse asgjë tjetër mostrajtimi i pabarabartë me të rregulltit apo edhe vënia e precedentit për rastet e ardhme mjaftojnë për të hezituar para çdo falje. Shto kësaj edhe gjasën bukur reale që amnistia të mos rregullojë asgjë, dhe ke mjaftueshëm një pasqyrë argumentesh për hezitim bukur të logjikshëm kundër-amnistues. Në fund të fundit kosovarët nuk është se kanë dëgjuar për herë të parë për amnisti. Në vitin 2007, qeveria e atëhershme kishte shlyer një pjesë bukur të madhe të borxheve tatimore, gjithsesi të motivuara politikisht, për të mos arritur asgjë.


-2-

Pra nën synimin e një fillimi të ri, që ndodh pra rrallëherë e vetëm atëherë pas ndërrimeve kategorike brenda një shteti – siç mund ta presupozojmë potencialisht integrimin e Veriut – palët dialoguese në Bruksel kanë arritur marrëveshjen e amnistisë. Prandaj në rrethana si këto është krijuar edhe Neni 5, që është specifikisht i dizajnuar për serbët e Veriut. Pikat që përfshijnë “sulmin kundër rendit Kushtetues”, “kryengritjen e armatosur”, “rrezikimin e tërësisë territoriale”, “kalimin e pautorizuar të vendkalimeve”, “armëmbajtjen pa leje”, “nxitjen e urrejtjes”, “thirrjen për rezistencë” e “huliganizmin e turmës” janë të dizajnuara për të gjitha ngritjet e armatosura,  barrigaduese e çoroditëse të ndodhura menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (kujtoni zjarrvënien në kufi një ditë pas pavarësisë), ndjekjen e gjykatave kosovare nga Veriu (po në atë kohë) dhe të gjitha barrikadat, mbledhitë e sulmet tjera terroriste të armatosura pas ndërhyrjes policore më 25 Korrrik 2011.

Fatkeqësisht, siç edhe e shpjegoj Dastidi në “Interaktiv” - një ndër avokatët më të mirë që ka Kosova -gjeneroziteti i palës kosovare në relacion me Veriun është i pashpjegueshëm dhe për më tepër i pazakontë; e paramendoni ne ende nuk po e diskutojmë pashpjegueshmërinë e pazakonshmërinë e faljeve të tjera për pjesën institucionale të Kosovës (për këtë pak më vonë). Ligji në fjalë jo vetëm që nuk përcakton validitetin e ligjit vetëm për pjesën territoriale (deri sot) të pakontrollueshme të Kosovës, por nuk bën as përcaktimin e kohës së amnistisë. Pra në vend se i njëjti të ofrojë një prerje kohore që nga shpallja e pavarësisë e këndej dhe vetëm Veriun, amniston secilin në gjithë Kosovën e në pafundësi deri me një datë arbitrare, që ndodh të jetë e vënë pa ndonjë arsye të veçantë, 20 Qershori.

Përveç kësaj, ligji amniston vepra të vrasjeve e hajnisë jo në relacion me shtetin, por të qytetarëve (pavarësisht etnisë) ndaj njëri tjetrit. Pra me ligjin në fjalë, një serb i Veriut që ka dhunuar, plaçkitur apo vrarë në afekt mendor një serb tjetër, është i falur. Me predispozita si këto, ligji as serbeve të Veriut nuk ju bën mirë e lërë më gjithë të tjerëve në Kosovë. Përveç se me një ligj të tillë ky shtet i yni bën shkeljen më bazike të parimeve humane dhe të akteve që nuk falen, i njëjti merr kompetenca që nuk i takojnë. Pra shteti mund të falë, edhe sikur të duhet (pavarësisht se a duhet tani apo jo) vetëm krimet që janë në relacion me të, por në asnjë rrethanë krimet në relacion mes palëve tjera. Nuk ka tagër për këtë punë.


-3-

Problemi me Ligjin megjithatë nuk është amnistia e Veriut, është legjitimi i krimeve në gjithë Kosovën për të gjithë kohën – dhe këtë kam përshtypjen se e kanë kuptuar shumë pak kosovarë. Nuk e di përse, por kam bindjen se e gjithë amnistia është kuptuar si një proces i faljes së disa të burgosurve, të cilët, “të shkretit”, kanë vuajtur pak dënim prandaj nuk bëhet punë e madhe po i falëm pak. Falja është akt njerëzor; të paktën kështu edhe u provua të shitej nga sponsorizuesit e ligjit në Parlament. Ajo çfarë në të vërtetë është provuar të ndodhë me ligjin, them e provuar meqë besoj në mosbërjen e tij asnjëherë më,  është produkti i fundit i zaptimit të shtetit nga njerëz të zhytur thellë në aktivitete kriminale nga më të ndryshmet.

Duke parë mundësinë për falje, kriminelët them ta kenë menduar këtë si një mundësi të artë të larjes e shpëlarjes së tyre, duke e rritur vlefshmërinë e ligjit për të gjithë Kosovën, për të gjithë kohën, e pothuajse për të gjitha veprat kriminale në vend – të dënuara, padënuara, hetuara e të pahetuara deri më tani. Them se kriminelët, hartues të ligji, të kenë marrë një listë “Interpoli” të krimeve më bizare që mund ti gjejë dikush diku, e ti kenë futur në ligjin për falje. Apo dhe më tepër, të njëjtit të kenë bërë një “curriculum vitae” të të gjithë krimeve të tyre që nga paslufta e këndej, nga korrupsioni, haraçi, vjedhja, shantazhi, manipulimi, kërcënimi, rrahja e deri te vrasja, e të kenë futur më pas të gjitha një nga një në një nen të vetëm (nen rrëfimi), Nenin 3. Në të vërtetë, vetëm duke parë renditjen e veprave të falura në këtë ligj arrij të kuptojë edhe madhësinë e krimeve që këta i paskan bërë në Kosovë në 14 vite.

Për gjithë ata që nuk kanë marrë mundin, për një apo arsye tjetër, të lexojnë Nenin 3 të Ligjit për Amnisti, më lejoni të ju kujtoj se cilat vepra të ndodhura ndonjëherë në Kosovë, pavarësisht etnisë, janë pretenduar të falen e të harrohen: vrasja (nga pakujdesia e afekti mendor), vrasja e foshnjave, vjedhja (te gjitha format), rrahja, haraçi, fajdeja, kanosja, uzurpimi i banesave, vjedhja e votave e vetëgjyqësia (pra bërja e gjyqit vet). Me përfshirjen e këtyre veprave në amnisti, të gjithë personat në Kosovë, “përfshirë edhe ata ndaj të cilëve nuk është ngritur ende aktakuzë apo nuk janë hetuar” (mu kështu thuhej në ligj), mund të falen përgjithmonë. Pra po të aprovohej ky ligj, siç kanë pretenduar gjithë hartuesit e kriminalizuar, gjyqësia në Kosovë nuk mund të ndjekë asnjëherë, asnjë njeri, në asnjë rrethanë, secilin që ka bërë krimet e lartpërmendura para datës 20 qershor 2013. Ke vjedhur para datës 20 qershor; je i lirë; ke përfituar miliona nga aferat korruptive para datës 20 qershor; je i lirë; ke vrarë, zaptuar, rrahur e bërë gjithë të zezat para datës 20 qershor; qëlloja, je i lirë. Natyrisht se në listën e pafund të veprave të falura ka edhe të tilla si “dhënia e ndihmës veterinere në mënyrë të pandërgjegjshme për shtazët” për të mbuluar diçka për shembull si “skandali i arushave” ku edhe deputetë të Kosovës janë të përfshirë; apo edhe “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrave” për të mbuluar diçka si rrahja e policëve në detyrë le të themi.

Me fjalë të tjera, ky ligj amniston secilin krijues të problemeve në Kosovë që nga përfundimi i luftës e deri më këndej. Nëse keni shpresuar ndonjëherë për vënien e drejtësisë në vend, për mbajtjen përgjegjës të secilit që është pasuruar në kurriz të më të varfërve tanë, për gjithë ata që sot na sillen rrugëve “nga opingat në Mercedes” – siç e kishte përshkruar një politikan gjerman ecjen e politikanëve tanë – nëse keni shpresuar për një ditë të mbarë në fund të gjithë anomalisë e anomalive, keni qenë të marrë. Të njëjtit shkaktarë faqezinj të gjithë krimeve tuaja, kanë marrë guximin të falin veten; dhe ky guxim i tyre bën edhe frikën tënde e timen.  

-4-

As nuk dua të mendoj gjatë për efektet e pritshme nga një marrëveshje e tillë. Por, paramendoni nesër deklarimet e pasurive të politikanëve që pa fije marre e turpi do të shumëfishoheshin. Të gjitha të zezat e fshehura do të shfaqeshin pa kurrfarë hezitimi. E reagimi ndaj kësaj? Përveç një stigmatizimi potencialisht moral, as edhe një akt tjetër ndjekës gjyqësor; as edhe një përgjegjësi e vetme, as edhe një trup i vetëm. Për aq sa do të brengoseshin, të njëjtit do të pranonin hajninë e krimin e bërë para datës 20 qershor dhe prapë do të na qeshnin nga sallat e Parlamentit e do të na mbanin moral.

Paramendoni reagimin e institucioneve e individëve të pakët që në gjithë këtë amulli të së keqes megjithatë kanë punuar mbarë e mirë. Paramendoni energjitë e tyre për të trajtuar kriminelët e rinj, vjedhësit e rinj, zaptuesit e haraçgjinjtë e rinj. Paramendoni mesazhin ndaj gjeneratave tjera për sjelljet e pritshme të tyre. Paramendoni motivin e precedentin për qeveritë e ardhshme, kriminelët e rinj e keqbërësit tjerë. Në të vërtetë Ligji Amnistisë nuk është betejë partiake, politike e etnike; është një betejë mes së mirës e së keqes.

-5-

Ligji në fjalë është aq i mbrapshtë sa që dikur edhe humbë rezonin që amnistia potenciale në Veri mund të prodhonte. Në të vërtetë përmasat e amnistisë në gjithë Kosovën nuk dëshmojnë unitetin territorial që e rezonante me naiviteti kryeministri i vendit, meqë falja e të kriminelëve të hetuar apo jo në pjesën tjetër të Kosovës nuk prodhon kurrfarë sovraniteti në Veri. Çfarë lidhje ka me sovranitet një politkan që ka vjedhë 1.4 milionë në tenderin e pasaportave? Çfarë ka lidhje me sovranitetin në veri një zaptues i banesave të huaja? Çfarë ka lidhje me veri një falsifikues e hajn i rrugëve? Ligji nuk dëshmon as luftën kundër krimit, meqë së paku e kemi pritur si luftë me mbajtje të përgjegjësisë e jo si falje e kthim në vitin zero. Ligji dëshmon vetëm një përpjekje, tani për tani të dështuar, për të përmbyllur një cikël kriminal nga krijuesit e krimit që na bëhen gjykatës e falës të tij.

Pavarësisht tendencave të keqbërësve, unë nuk bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve që do ta merrnin si përfundimtar e të shkruar në gur një ligj edhe po të kalonte si i tillë. Unë besoj se qeveritë vijnë e shkojnë; sot janë por nesër zhbëhen. E me to do të zhbëheshin edhe vendimet absurde si këto - sinqerisht të padëgjuara nëpër botë. Gjithë të zezat për 14 vite, e në fund amnisti për një ditë, kjo s'mund të përpihet. Se lojë kjo jeta jonë nuk është.

Në fund fare, nuk e kuptoj as votimin e disa deputetëve të partive opozitare qe kritikojnë në vazhdimësi pozitën për gjitha të zezat, kryesisht për hajni e korrupsion, vrasje e haraç, e në fund janë në gjendje ti falin keqbërësit. Nuk kuptoj se me çfarë baze morale, etike e njerëzore të njëjtit do të pretendojnë alternativë qeverisëse kur ishin në gjendje ti falin më të zinjtë e këtij vendi. Pse dallojnë nga po të njëjtit kriminel? Ndihem krenar e falënderues për ata pak deputetë që thanë jo, por mjaftueshëm për të kthyer ligjin mbrapa. Ndihem krenar për të gjithë ata individë që kaluan kufijtë partiak për ti dhënë një vepër të mirë vendit e një shpresë për drejtësi.

-6-

Ka një gjë që më frikëson më shumë se guximi amoral i të pamoralshmëve për shpëlarje e pastrim gjynahesh me rrëfim e amnisti. Është mungesa e ngritjes së zërit të qytetarëve sa herë që na ndodhin të zeza si këto. Katër vjet më parë akti më absurd që mund të prodhohej nga Parlamenti ishte rritja e ndonjë page të deputeti, apo ndonjë ligj qiraje mbi objektet publike. Sot, si rrjedhojë e komforti qytetar për të mos ngritur zërin edhe për akte të tilla, ky Parlament guxon të diskutojë edhe ligje kaq denigruese e kaq rrënuese që falë kriminelët e dënon të ndershmit. 
 




No comments: