Friday, 12 July 2013

PARDONI I PADRONËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 KORRIK 2013

Politikanë të pandershëm, hajna e kriminelë të tjerë, që në një formë apo tjetrën sot keni në dispozicion pasuri të pashpëlarë, dilni, shfaquni, deklaroni të tërën dhe thirruni në rezistencë. Thirruni në rezistencë me arsyetimin se nuk keni qenë të kënaqur se si kjo qeveri ka shpenzuar paranë, thirruni në rezistencë për shkak të  korrupsionit në Qeveri prandaj edhe evazioni juaj; e nëse nuk i bindin këto, thirruni në rezistencën e veriorëve për motive etnike. Nga sot të gjithë jeni të gjithë falur!


Ka mbi dy vjet e gjysmë që çdo të premte shkruaj në këtë kolumne, e nuk jam ndier asnjëherë më i bindur e më i sigurt se sa sot për fjalët e thëna në të. Do të flas për amnistinë, veçanërisht për amnistinë e evazionit fiskal (apo ikjes së tatimeve); e evazioni fiskal është tema me të cilën bashkëjetoj në studime tash e katër vite – prandaj dhe siguria ime. Kam punuar në pjesë empirike, analitike e përshkruese për 27 vende të tranzicionit që nga viti 1999 e këndej, për të kuptuar e përshkruar natyrën e vjedhjes së tatimeve dhe format e parandalimit të tij – nëse ka të tilla. Sepse parandalimi i evazioni në fund të fundit, së paku këtë ma thotë literatura koncensuale, parandalon një zinxhir regresiv gjithandej, e ky parandalim në kthim jep institucione të drejta e potenciale zhvillimore politike e ekonomike.

Qeveria e Kosovës këtë javë, nëpërmjet trikut më shantazhues të bërë ndonjëherë në vend, përdori mbrapshtësisht, por me plot mjeshtri, Parlamentin për të prodhuar hendikepin më të madh ligjor që ka mundur ta pranojë Kosova – amnistinë. Me këtë amnesti ndër të tjerash, bëhet edhe falja e evazionit fiskal. Dëmet? Ta themi se përtej dëshpërimit moral, trajtimit jokorrekt e tradhtisë së të mirës, Kosova tash e tutje ka shpërlarë secilin kriminel politik e jopolitik përjetësisht. E përjetësia e tyre është në korrelacion me ecjen negative të vendit.

Më lejoni të bëj një shëtitje (të shkurtë për kontekstin) rreth asaj çfarë kemi falë me amnesti, e çfarë mund të presim nesër. Më lejoni të provoj përshkrimin e pasojave të faljes për të treguar rezonin se pse asnjë shtet në asnjë rrethanë (jo-konfliktuoze) nuk ka falur evazionin deri më tash. 

-1-

Alphonse Gabriel Capone, shkurtë Al Capone, është gangsteri, krimineli, banditi, vjedhësi, vrasësi, e çfarë të mendosh tjetër, më i njohur mbarësisht. Përgjegjës për masakrën e “Shën-Valentinit” ku u vranë shtatë, reketues i secilit biznes në Chicago, garantues i secilës fajde e borxhdhënie ilegale, korruptues i secilit shërbim publik rreth tij, vjedhës, plaçkitës e terrorizues i paskrupullt i rrugëve, Capone përfaqëson simbolikën e rënies absolute të “rendit dhe ligjit” amerikan gjatë viteve të 20-ta; pak a shumë si në Kosovën e sodit.

Në mungesë të provave, Al Capone nuk ishte dënuar asnjëherë për vrasje, vjedhje, rrahje e krime të tjera ordinere, që thënë të drejtën i dinin të gjithë por nuk mund ti provonte apo nuk guxonte ti provonte asnjëri.  Nuk ishte dënuar për asnjërën prej tyre. Besoni ose jo Capone ishte dënuar me 11 vjet burg në Alkatraz për vjedhje të taksave, pra evazion fiskal, pas gjetjes së parave të gatshme (të pashpëlara) tek ai. Në të vërtetë gjetja e parave të gatshme në dispozicion të kriminelëve (të cilat përndryshe i kanë vështirë ti shpëlajnë) përbën mbarësisht formën më të lehtë të ndjekjes së tyre.

Spiro Theodore Agnew, është ish-nënkryetari i 39 i SHBA-ve i cili shërbente në kohën e Presidentit Nixon. Agnew është i vetmi nën-kryetar në gjithë historinë amerikane që është detyruar të dorëhiqet e mbahet përgjegjës për shkak të evazionit fiskal, për paratë e pranuara në mënyrë të paligjshme.

Leona Helmsley, është ish-biznesmene amerikane, pronare e një zinxhiri hotelesh me vlerë miliardësh. Në vitin 1989 e njëjta dënohet me 16 vite burgim për shkak të evazionit fiskal. Evazioni për të ishte vetëm një dënim i provuar më lehtë. Krimet e saja ekonomike ishin marramendëse.

Pra CV-ja e luftës ndaj evazionit fiskal në Amerikë përmban kriminelë ordinerë, politikanë e biznesmenë – të gjithë të dënuar për evazion fiskal. Jo se të njëjtit nuk kanë bërë krime të tjera, kanë bërë mjaftë - por se evazioni fiskal është pa kurrfarë dyshimi forma më e lehtë e ndjekjes së kriminelëve (politikanë, mafiozë e biznesmenë). Është pikërisht për shkak të akuzave ndaj evazionit fiskal (dhe konsekuencave prej tij) pse keqpërdoruesit nuk arrin asnjëherë ti shpëlajnë paratë. Lufta ndaj evazionit është shumë më tepër se luftë borxhesh tatimore.

-2-

Ligji i Amnistisë, që në rrethana normale nuk duhej të përfshinte asnjëherë pjesën shqiptare të Kosovës, ku institucionet funksionojnë tash e 14 vite e se çdo shkelje e ligjit është bërë vetëm për qejf e pse disa kanë dashur të pasurohen në kurriz të të tjerëve, pra ky ligj falë keqbërësit dhe hendikepon çdo qeveri serioze të nesërme që ka vullnetin e vendosjes së drejtësisë në vend duke krijuar kushte për gjyqësorin për të mbajtur përgjegjës të padrejtit.

Ligji për amnisti falë të gjithë Al Capon-ët kosovarë, të gjithë politikanët e biznesmenët kosovarë, e secilin keqbërës tjetër kosovarë që kanë keqpërdorur në çdo formë të mundshme paranë publike të vendit tash e 14 vite; dhe jo vetëm aq. E tëra se çfarë keqpërdoruesit duhet të bëjnë është deklarimi i rezistencës, dhe kjo jo patjetër në baza etnike – munden për etikë, moral, bindje apo thjeshtë mospajtime politike; dhe janë të falur. Kujtoj se thelbi i evazionit fiskal në esencë është mu rezistenca.

-3-

Rezistenca ndaj tatimeve është thjeshtë një formë e kundërshtimit të qeverisë dhe gjithë mekanizmave të saj zbatues, në bazë të bindjeve politike, etike, morale apo thjeshtë individuale. Natyrisht e njëjta në çdo vend demokratik është e papranueshme për tu bërë argument gjyqi, por në sisteme të mëdha ndryshuese (siç mund të jetë argumenti për Veriun, por assesi për pjesën tjetër të Kosovës) mund edhe të falet, pra amnistohet. Natyrisht se rezistencën mund ta promovojnë grupe të ndryshme etnive që jetojnë në një shtet që për ta është armiqësor/pushtues/jopërfaqësues; njëjtë siç kemi rezistuar ne Serbinë gjatë 90-tave apo siç (pretendojnë ata) jemi rezistuar nga veriorët që nga paslufta.

Por përveç argumentimeve etnike, rezistenca mund të prodhohet edhe nga bindjet filozofike. Për shembull anarki-kapitalistët besojnë se tatimi është formë tipike e vjedhjes dhe se askush nuk ka të drejtë të marrë paratë e tjetrit. Në të vërtetë raste të rezistencës e thirrjeve për rezistencë janë dëgjuar nga revolucionistë të dhunshëm si John Adams apo pacifistët si John Woolman; nga komunistët si Karl Marx-i apo kapitalistët si Vivien Kellems; nga aktivistët kundër luftës si Ammon Hennancy apo liderët e lëvizjeve të pavarura si Mahatma Gandhi. Rezistenca ka ngjyra nga më të ndryshmet.

Rezistencë është konsideruar të jetë edhe rasti i vitit 1968 në Britani, i njohur botërisht si “Chennery v. Conn” kur një taksapagues britanik ishte thirrur në shkeljen e “Konventës së Gjenevës” nga qeveria britanike e cila asokohe administronte me programe nukleare. Në thirrje të konventës i njëjti kishte refuzuar kryerjen e obligimeve tatimore për një qeveri, e cila gjithmonë sipas bindjeve të tija, shkelte rregullat ndërkombëtare. Natyrisht se bindjet e tilla ishin refuzuar nga sistemi gjyqësor, meqë një precedent i tillë i rezistencës do të zhbënte në parim çdo pagesë të taksave. Nesër tjetri do të ankohej për bindjet e veta morale, religjioze apo edhe politike.

Në Kosovë, Ligji për Amnisti e bën rezistencën (kujdes jo vetëm në Veri, por në të gjithë Kosovën) si akt të ligjshëm. Pra sikur rasti “Chennery v. Conn” të zhvillohej në Kosovë, paradoksalisht mospagesa e tatimeve do të amnistohej. Në këtë frymë, evazionistët e Kosovës nesër kanë një fushë të pafund mundësish për tu thirrur në rezistenca më kreative që kanë e për të përfunduar në falje të evazionit. E pakuptimtë!

-4-

Harroni kriminelët ordinerë, biznesmenët e padrejtë apo edhe individët tjerë që në këto vite i janë shmangur padrejtësisht obligimeve tatimore. Merreni një politikan kosovar të pasluftës i cili në 24 orët e ditës së tij, 23 i ka kaluar në mendime se si mund të shndërrojë paranë publike në të tijen; 1 orë në qebaptoret rreth zyrës. Për çdo kënd tjetër, përveç militantëve tipik të valleve e gulçimave të mitingjeve, politikanë të tillë kemi gjithandej, pa dallim regjional, të bindjeve apo kohës së veprimit (e nga votimi i partive kuptohet se janë edhe pa dallim partiak).

Paramendoni të njëjtin që pas keqpërdorimit e zotimit të parasë publike, ka hallin e shpëlarjes së parasë. Deri më sot i njëjti nuk ka mundur ti deklarojë ato, jo për shkak të origjinës, por për shkak të kërcënimeve për mosdeklarim me kohë të obligimeve tatimore e rrjedhimisht dënimeve sipas Kodit Penal për evazion fiskal. Thënë ndryshe një politikan i cili ka para të gatshme (të padeklaruara) apo pasuri tjetër (jo në emrin e tij) nuk ka mundur asnjëherë ti deklarojë ato sepse i njëjti do të mbahej përgjegjës për dy vepra, për evazion dhe origjinë. E përderisa origjina e parasë së padeklaruar është punë e lehtë kriminelësh ordinerë; të paktën kështu është provuar edhe në vendet me mekanizmat më të zhvilluar detektues, evazioni ka qenë thjeshtë i pashpjegueshëm për ta. Në fund të fundit mund të dëshmosh se nga i ke marrë një milion euro të gatshme pesë vite më parë, por në asnjë rrethanë nuk mund të dëshmosh e rrjedhimisht të lirohesh se pse nuk ke paguar tatim në kohën që i ke marrë ato (prandaj dhe ndjekja e dënimi për evazion).

Për t’iu kthyer edhe një herë tregimit të Al Capones, halli i keqbërësve nuk është shuma që humbin sot si tatim nëse detektohen apo shfaqen (siç argumentonin me naivitet disa deputet në “Rubikon” këtë javë), por dënimi nga mospagesa e tij me kohë. Pra Al Capone me qejf do të paguante borxhin e tatimit në këmbim të burgut (pas detektimit të parave të pashpëlara) siç do të bëjnë tash e tutje të gjithë kriminelët tanë. Natyrisht e tëra se çfarë duhet të bëjnë të tanët është thirrje në rezistencë, në emër të veriorëve, bindjeve politike apo moralit – kjo ka pak rëndësi. Në të vërtetë për dikë që kanoset me burgim të gjatë, pranimi se ka vepruar konform thirrjeve për rezistencë të serbëve të veriut është kafshatë e lehtë; mos vallë pret dikush burrëri e faqebardhësi nga vjedhësit e kriminelët e tillë?

-5-

Prandaj, politikanë të pandershëm, hajna e kriminelë të tjerë, që në një formë apo tjetrën sot keni në dispozicion pasuri të pashpëlarë, dilni, shfaquni, deklaroni të tërën dhe thirruni në rezistencë. Thirruni në rezistencë me arsyetimin se nuk keni qenë të kënaqur se si kjo qeveri ka shpenzuar paranë, thirruni në rezistencë për shkak të korrupsionit në Qeveri prandaj edhe evazioni juaj; e nëse nuk i bindin këto, thirruni në rezistencën e veriorëve për motive etnike - thirruni në gjithçka që ju shpëton nga burgu e fundi "alkaponian". Nga sot të gjithë jeni të gjithë falur!




No comments: