Monday, 29 July 2013

MËSIMET E RRUGËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 KORRIK 2013

Nevojat ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet qeverisës.


Në gjithë vrullin e debateve politike, me apo pa inat, me apo pa fakte, me apo pa dije, një fotografi bëhet disi gjithnjë më e qartë. Kjo fotografi tregon se Kosova nën menaxhimin e kësaj qeverie (dhe paraardhëses së saj) nuk ka pasur asnjëherë as më të voglin haber për udhëheqje ekonomike. Në të vërtetë, përveç aty këtu ca militantëve partiakë e përkrahësve ultras të saj, njeriu gjen sot vështirë një mendim të pavarur e përkrahës ndaj politikave të deritanishme ekonomike. Sikur mos të ishin ato konferencat e fundvidtit vetëlavdëruese (gjithsesi të bajatshme), ato flirtimet e asociacioneve e sindikatave të çastit (gjithsesi irrituese), apo edhe deklaratat e pazareve zëvendësministrore (gjithsesi pakurrizore), i cekët dhe i zbehtë do të dukej vlerësimi pozitiv i jashtëm për e ndaj Qeverisë; në të vërtetë as që do të kishte vlerësim të tillë.

Qeverisë, thënë të drejtën, i duhen më së paku deklaratat e sodit se “ka punë shumë po nuk ka punëtorë”, apo ato të djeshmit se “jemi vendi më i pakorruptuar në botë”. Qeverisë i duhen më së paku deklaratat e mendimet që ngjallin keqardhje e gërditje nga mendja e shëndoshë. Kosovarët megjithatë nuk janë aq të çmendur sa të jetojnë nga trajtimet e tilla. Në të vërtetë, ishin mu mendimet e trajtimet si këto të dhëna nga qeveritë e para 2007-ës, kryesisht nga njerëz që sot çuditërisht ringjiten vrullshëm në politikë, që i kishin dhënë komfortin fitues mu kësaj qeverie. Të njëjtit sot ribëjnë gabimet që kishin rrënuar të parët.

Pavarësisht kësaj, përtej grithjeve irrituese, mbështetjeve përulëse e rrahje-shpindjeve për kusur, ato pak mendje të ditura në këtë Qeveri e dinë fare mirë se diçka nuk shkon mbarë në vend. Përtej investimeve publike të bollshme, përtej stabilitetit në borxh të jashtëm, e përtej reformave procedurale në të bërit biznes, Kosova megjithatë nuk po arrin se nuk po arrin të rimëkëmbet ekonomikisht. Papunësia vazhdon të mbetet e njëjtë, rritja ekonomike larg prej të planifikuarës (edhe më larg prej të dëshirueshmes), investimet e investitorët e huaj aspak e asnjëherë serioz, hendeku tregtar në rritje më të thellë, normat e interesit të ngurtësuara në sa kohë, e mbi të gjitha krizat sociale veçse shpërthyen në azil-kërkim. Të njëjtit e dinë se diçka megjithatë nuk po shkon mbarë; paj... të paktën shpresoj sinqerisht që e dinë.

Pse nuk shkon mbarë? Sepse përderisa të njëjtit – përtej korrupsionit, hajnisë, haraçit, evazionit, shantazhit e në fund amnistisë – kanë koncentruar gjithë energjinë ekonomike në rrugë, falje të aseteve, e disa reforma regjistruese për bizneset, nevojat e ekonomike kanë evoluar shumë më ndryshe. Rrugët megjithatë nuk shërbyen bizneset e vendit për këmbim, sepse ata nuk kishin çfarë të këmbenin (përkundrazi shërbyen të huajat); faljet e aseteve nuk sollën investitorë sepse nuk kishin ku të investonin (përkundrazi sollën tyxharë të pazareve orientale); e reformat në regjistrim shpejtuan rritjen e bizneseve sepse ata kishin halle të tjera. Pra në dell të nënvlerësimit mbi nevojat reale të bizneseve, Qeveria jonë është marrë me zgjidhjen e problemeve tërësisht irelevante. E do ti duhej vetëm një vështrim në vlerësimet ekonomike të sektorit privat për të kuptuar cilat janë problemet e vërteta të tyre. Do të duhej vetëm një shikim i shkurtë në listën e barrierave për të kuptuar se rrugët (e infrastruktura), transformimi i aseteve, apo dhe procedurat e hapje-mbylljes, nuk janë asnjëra – as për së afërmi – barriera kryesore për të bërit biznes. Në vend të tyre janë evazioni, informaliteti, korrupsioni, hajnia, gjygjësori dhe përfundimisht kostot e kapitalit (apo normat e interesit). As rrugët, as faljet e as procedurat regjistruese nuk trajtojnë as për së afërmi çështjet si këto. E përderisa nuk trajtojnë çështje si këto, bizneset tona nuk krijojnë punë. E përderisa bizneset tona nuk krijojnë punë, kosovarët tanë kërkojnë azil. E përderisa kosovarët tanë kërkojnë azil, të kota e të panevojshme deklaratat e rrahje-shpindjeve.

***

Përderisa për procedurat e parëndësishme në thelb e efekt, por të super-fryera në praktikë, kam shkruar shumë, e për faljet e aseteve edhe më shumë – gjithsesi gjithmonë kot së koti; këtë herë dua të shkruaj shkurt për superstradën e dytë, atë drejt Shkupit. Kjo sepse e njëjta, sikur të ndodhë ashtu siç po na thuhet, do të ngurtësojë të njëjtat probleme ekonomike që i kemi sot; e ngurtësimi i këtyre probleme për një kohë të gjatë është sinqerisht rëndesë e pakuptueshme, e padurueshme dhe e panevojshme për kosovarët.

Nëse rruga për Shkup ndërtohet siç na thuhet sot, katër-pesë vite nga sot, siç ka ndodhur në këto katër-pesë vitet e shkuara, ne ende do të diskutojmë se si rritja prej 2-3-apo-4% është “rritja më e madhe në rajon”; se si “rrugët janë më të mirat në rajon”; e se si “Kosova është hambari më i madh i prodhimit në rajon”. Në të njëjtën kohë të papunët tanë do të rriten, bizneset do të thahen e kosovarët do të ikin në azil-kërkim; edhe më shumë. Gjithsesi normat e interesit do të mbesin prapë të njëjta, hendeku tregtar do të bëhet edhe më i thellë, e investime të jashtme do të ketë edhe më pak.

Nëse Kosova ka një përvojë ekonomike që duhet ta ketë mësuar në këto vitet e fundit, atëherë ajo përvojë thotë se koncentrimi i të gjitha investimeve kapitale në një projekt të vetëm nuk jep se nuk jep zgjidhje për nevojat ekonomike tona; rrugët megjithatë janë lehtësues të rritjes por jo burime të rritjes. E burimet e rritjes për Kosovën nuk janë as asetet e privatizuara, as minierat e pashfrytëzuara e as guroret e tjera të mitizuara - janë vetëm bizneset tona dhe iniciativat ndërmarrëse të kosovarëve që mund të krijojnë mjaftueshëm vende të reja pune sa për të krijuar vlerë ne vend; nga ku më pas prekim rritjen ekonomike, investimet e jashtme e në fund hendekun tregtar.

***

Nevojat ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet. Ndonëse nuk kam dyshime se politikat drejt rrugës së Shkupit janë të pritura nga motive korruptive, siç ishin këto për Vërmicë, dua të mendoj për pakëz se një supozim i tillë është i pasaktë; se orientimi në rrugën për Shkup bëhet për motive – hë për hë të panjohura në teori – ekonomike, pra “alla kosovare”. Ta themi se këta tanët dinë diçka më shumë se secili vend e secili shtet e secili mendimtar ekonomik tjetër i djathtë, i majtë, i qendrës apo i “të gjitha nga pak”. Ta shtrojmë kështu problemin, se rruga për Shkup duhet të bëhet, pavarësisht kostos.

Në një skenar të tillë, përtej lëvizjeve më të shpejta turistike në vikendet e qendrave të “shoppingut” në Shkup, përtej lëvizjeve shëndetësore në spitalet private atje, korsia e djathtë e rrugës sonë do të jetë relativisht e thatë. Korsia e majtë, megjithatë, do të ketë një ritëm shumë më ndryshe. Nga mielli, tek çimentoja, nga zalli, tek armatura, e nga ushqimi e deri tek frutat e freskëta; të gjitha do të kenë destinacion Kosovën, këtë herë me rritëm shumë më të shpejtë. Maqedonia përndryshe është importuesi ynë i dyti, pas Serbisë.

Pra në esence, koncentrimi në një rrugë të vetme pa ngritjen e paralele të fuqisë vendore përtej një pamje të bukur të një rruge miliardëshe, aq sa do të na kushtojë, do të sjellë me vete edhe një ritëm disproporcional në krijimin e vlerës në Kosovë. Pa këtë vlerë ne nuk do të kemi zgjidhje as për papunësinë, as për investimet, as për hendekun tregtarë e as për azilin.

Por ta mendojmë më ndryshe investimin në rrugë. Të pajtohemi se rruga për Shkup na duhet, dhe për këtë shpreh bindjen e plotë se na duhet, madje jo vetëm për Shkup, por edhe për çdo qytet e qytezë tjetër në e jashtë Kosovës. Pra ta marrim si të qenë nevojën për rrugën e Shkupit. Për një moment të vetëm të harrojmë se ka korrupsion e hajni në Kosovë dhe se çmimi një miliardësh i saj është çmim me hak. Në një situatë të tillë nuk ka asgjë që na thotë se duhet bërë rrugën për vetëm tre vite; dhe njëkohësisht duhet sakrifikuar çdo ecje tonën tjetër. Pse nuk e bëjmë për gjashtë?

Nëse shëndetësia është biznes, e nëse në shëndetësi kosovarët japin plot 70 milionë euro në Maqedoni, pse të mos zhvillojmë sektorin privat në shëndetësinë kosovare duke marrë një çerek nga paratë e planifikuara për rrugën trevjeçare (e të kursyera nga rruga gjashtëvjeçare) dhe kështu të krijojmë një treg që mesatarisht në pesë gjashtë vite nga sot jo vetëm se do ti mbledhë këto 70 milionët e derdhura jashtë (çdo vit), por edhe do të gjenerojë shërbime më kualitative e më humane për kosovarët e tjerë.

Nëse prodhimi është biznes, e nëse në prodhim të huaj kosovarët shpenzojnë miliarda euro në vit, pse të mos ndajmë një çerek nga paratë e planifikuara për rrugën tre vjeçare për krijimin e politikave pro biznesit në vend – diçka si për shembull zvogëlimi i riskut me luftë kundër hajnisë, korrupsionit, evazionit, informalitetit e anti-gjyqësisë. Pse nuk bëjmë gjykata me gjithë ato para për të zhbërë secilën anomali të konkurrencës së padrejtë? Kështu, në pesë gjashtë vite zhvillim, ne do të shfrytëzojmë rrugën për Shkup për eksport, jo import.

Nëse krijimi i fuqisë punëtore është biznes, e nëse për punëtorë kemi nevojë, pse me çerekun tjetër të rrugës nuk ndërtojmë paralelisht institucione e programe aftësuese në vend që në fund japin punëtorë që dinë të krijojnë e jo të diplomuar që mësojnë përmendësh? Nëse krijimi i kapitali financiar është biznes, e nëse për biznes kemi nevojë, pse me çerekun tjetër të rrugës nuk ndërtojmë paralelisht alternativa financiare në vend? Pse nuk i bëjmë në pesë gjashtë vite të gjitha njëtrajtësisht? Pse duhet sakrifikuar gjithë energjinë e gjithë potencialin në një projekt të vetëm? A nuk mësuam mjaftë?



No comments: