Letra nga limbo
Koha Ditore, 7 Korrik 2013
Kur parodia dhe tragjedia
godasin një vend
Miku im Berat Th. shpesh më kujton një
anekdotë për një rast që mase mund të ketë ndodhur njëmend diku në Kosovë gjatë
zgjedhjeve lokale. Njëri nga pretenduesit për kryetarëllak komunal si duket
pyetet nga moderatorja për planprogramin e tij, nëse - dhe paramendimi i tillë
duket se e ka ngrohur pakëz atë - ai të zgjidhej kryetar komune. Pretenduesi,
pasi kishte dhënë shkarazi një qeshje në shenjë dëliri, e pasi kishte renditur
një nga një premtimet për rrugë, ura, shkolla, spitale, çerdhe, ujësjellës, kanalizim,
tatime, tregti, prodhim, industri, televizion, radio, internet e çdo shërbim
tjetër publik të mundshëm e të pamundshëm (përfshirë natyrshëm edhe zgjidhjen
për Veri, ani pse bëhej fjalë vetëm për kryetar komune e jo për “wolverine”),
pyetet sërish se ku do ti gjente fondet për realizimin e gjithë këtyre
projekteve, dorën në zemër, bukur impresive. Përgjigja e tij, ma thotë Berati,
ishte: “Fondet?... Fondet unë do ti gjej ku janë e ku s’janë!”.
-1-
Aspak më ndryshe nuk ishin premtimet, fjalët,
idetë e vlerat e promovuara nga një grup thumbuesish bukur kreativ, të
shpërfaqur publikisht së fundi si “Partia e Fortë”. Këta, për dallim nga
muhabeti i kryetarllëkut që megjithatë punën e fondeve versus projekteve
imagjinare e mendonte seriozisht, kishin çdo ide të thënë joseriozisht,
përfshirë edhe seriozitetin e paraqitjes joserioze me “sako e shorce”. Satira e
thumbimi i tyre ishte aq reversiv sa që në momente të dhëna njeriu e kishte
vështirë të kuptonte se e njëjta ishte veçse një shaka publike; gjithsesi
gjithmonë hiper-kreative. Për më tepër, dhe këtu qëndron ironia e gjithë
derexhesë kosovare, pjesa më e madhe e muhabetit të tyre ishte shumëherë më
serioze, shumëherë më e mundshme e shumëherë më natyrale se sa të bërat e të
pabërat e premtuara nga bukur disa politikanë e parti që mbajnë veten si
seriozë.
Satira e tyre, në të vërtetë, ishte shumë
herë më serioze se sa (për shembull) fjalimet e dhëna në Parlament se “...edhe
zogjtë me cicërimat e tyre po aprovojnë marrëveshjen me Serbi”; shumë herë
më serioze se sa muhabeti për “...suxhuk, ajvar, e pashteta”; shumë
herë më serioze se sa zbathja e “papuçeve” e tentim bërja e “...atij me
çarçaf të kuq që i therë demat” (për matador e kishte fjalën deputetja);
shumëherë më serioze se sa ekspozimi i fotove nudo, dëgjimit të këngëve e
leximit të gazetave gjatë diskutimit parlamentar; apo shumë herë më serioze
edhe se sa mosvotimi, mosfolja e mosbërja e asnjë çështje, asnjë fjale e asnjë
vepre gjatë gjithë këtyre viteve të parlamentarizmit (numri i deputetëve të
tillë “të pensionuar” është enorm).
Satira e tyre, në të vërtetë, ishte
(fatkeqësisht) edhe më serioze se sa “afera pronto” me gjithë “sjellje
pështjelljet”, “një dajë më ka mbetë keq” apo rëndësinë para
së gjithash “mos me hjekë keq në Bruksell” (kujdes, me ll jo
me l). Besoni ose jo, veprat e mendimet e tyre do të ishin më pak të dëmshme se
një pjesë bukur e madhe e sjelljeve që klasa jonë politike i bën në vend që sa
e sa vite. Fillo nga amnistia, tek faljet e aseve, te korrupsioni, hajnia,
haraçi e përfundo tek papërgjegjësia, injoranca e padituria – dhe ke një
pasqyrë të përafërt se kush në të vërtetë bën shaka tash e sa vite. Kam
përshtypjen se do të ngrihesha këtu përgjithmonë në numërim të gafave e
skandaleve naive, të turpshme e gjithsesi aspak satirike – në të vërtetë
tragjike për pasojat e vendit – të bëra nga politikanët tanë.
-2-
Problemi, megjithatë, me satirën në diçka kaq
serioze për vendin është gjasa e suksesit të saj e kështu reflektimi me një
situatë paradoksale kur një hajgare e momentit të shndërrohet në një komedi
nacionale, gjithsesi në fund tragjike; pra në një situatë ku “Partia e Fortë”
njëmend merr vota dhe me këtë disekuilibron çfarëdo ndryshimi potencial që do
të mund të ndodhte – nëse ka gjasa të ndodhë gjithsesi. Jashtë temës, këtë
ndryshim nuk e pres të ndodhë edhe bukur disa vite.
Kosova as që do të ishte vendi i parë, e
mesiguri as i fundit, që do të prodhonte një zmadhim kaq disproporcional të
shakasë rutinore në një ngjarje nacionale. Jo më larg se këtë verë, në Itali,
komediani Beppe Grillo – i cili kishte filluar idenë e politikës mu si komedi –
arriti të marrë plot 25.55% të votave nacionale dhe kështu të bëhet partia (jo
koalicioni) më e madhe në gjithë Italinë. Në të vërtetë, paroditë e tilla
partiake janë të zakonshme gjithandej: në Islandë, për shembull, “Partia më e
Mirë” kishte marrë 35% të votave për kryeqytet; në Poloni “Partia e Adhuruesve
të Birrave” ishte bërë parti parlamentare; në Angli e Australi, partitë
parodike marrin shpeshherë më shumë vota se sa disa parti të vogla që
megjithatë mbajnë veten si serioze.
Nuk kam as edhe një fije dyshimi se “Partia e
Fortë” do të merrte më tepër vota se partitë e kusurit e shoqatat tjera
çajtoresh e mashallash në Kosovë; siç edhe nuk kam asnjë fije dyshimi se vota e
dhënë në këtë parodi do të jetë e humbur aq sa edhe vota në plot e plot parti
të tjera, të mëdha e të vogla. Por mbi të gjitha, përtej shakasë e thumbimeve
gjeniale momentale, them se Kosova ka nevojë për diçka më ndryshe – shumë më
ndryshe.
-3-
Ka nevojë për diçka më ndryshe e shumë më
ndryshe sepse po shikuat e lexuat kronikat e lajmeve e raportimeve ditore mbi
“azilantët kosovarë”, e kuptoni seriozitetin e hallit tonë. E kuptoni përmasën
e shpërthimit të katastrofës ekonomike, sociale e politike në vend; katastrofë
kjo e nisur dhe e shkaktuar nga menaxhimi po aq komik e joserioz i partisë e
koalicionit në pushtet tash e pesë vite. Do të më duhet bukur kohë e gjatë për
të rehabilituar ndjenjën e ligësisë që marr sa herë që shikoj lajmet e ikjeve
njëjtë sikurse gjatë të 90-ve. Për më tepër, do të më duhet diçka shumë më
serioze e shumë më kredibile se sa arsyetimet e muhabetet paçavure të
“komikëve” tanë profesional (tashmë) politik, për të arsyetuar e
mbuluar një shpërthim kaq masiv.
Radhë të tëra të rinjsh kosovarë, të vendosur
turpshëm nëpër kampe gjembash, do të duhej të shërbenim mjaftueshëm që e gjithë
Qeveria, i madh e i vogël, kokulur por mjaft burrërisht të jepnin dorëheqje një
nga një. Përtej komfortit të veturave të tyre “3Z”, rahatimit të familjarëve e
akrabave, përtej darkave e drekave “me breshëri kallashësh”, është një Kosovë e
tërë që po ikën. Po ikin të gjithë!
Mijëra kosovarë vetëm në Hungari, Zoti e di
sa të tjerë nëpër shtete të tjera, e sa e sa “fatlumë” që megjithatë i kanë
ikur “kampingut” e s’janë të evidentuar – pa hesapuar grumbullin tjetër në
Kosovë që as ato tre mijë eurot e para nuk mund ti mbledhin për nisje – janë
pasqyra e vërtetë e “progresit të Kosovës”, e “Kosovës me rritjen më të madhe
ekonomike në Evropë”, e “Kosovës Evropiane” e “Kosovës së liberalizimit të
vizave”, e “prosperitetit e partneritetit me miq ndërkombëtarë” dhe e “tri
dëshirave të jetës sime”. Marre.
-4-
Neo-azilantët kosovarë janë produkt final i
një degradimi të skajshëm ekonomik në Kosovë që zgjidhë papunësinë me
universitete publike; zgjidhë sëmundjet me lëmoshë rrjetesh sociale; zgjidhë
parimin me linçim spiunësh; zgjidhë lirinë me zaptim rahjegjoksi; zgjidhë
meritën me rahatim dajësh; zgjidhë pasurimin me hajni e haraç - në fund amnesti
për të gjithë për të zgjidhur drejtësinë.
Neo-azilantët kosovarë janë produkt final të
një shakaje gjithëpopullore të të paditurve, naivëve e të mbrapshtëve që në
këto momente qeshin e çirren me hallet e kosovarëve, prej shakave absurde të
nisura për 1 Prill rreth Nobelit (e vërteta e lajmit) e deri tek muhabetet për
komuna të reja. Vranjevci, Zhegra, Hasi e Rogova, nuk janë hallet e kosovarëve;
nuk lëshojnë të rinjtë tanë Kosovën se nuk kanë komuna mjaftë - lëshojnë meqë
sot kanë të njëjtat probleme e halle e zymtësi të papunësisë, mjerimit e
skamjes siç i kishin pesë vite më parë; lëshojnë meqë si sot e pesë vite më
parë komikët tanë vazhdimisht bëjnë shaka mbi ta me muhabete komunash në vend
të punësimit, me stolisje bredhash në vend të perspektivës, me evropianizime
rrugësh në vend të rrugëtimit evropian.
Neo-azilantët kosovarë janë produkt final i
një situate të pashmangshme që nuk ka mundur të kamuflohet asnjëherë me
deklarata e rrafshime qejfesh, me numra e përqindje kafesh, me metra e miliona
asfaltesh, apo me ngjyrosje e emërtime rrugësh me shtete Evropiane. Asfallti
megjithatë as nuk hahet e as nuk shitet, përqindjet as nuk krijojnë e as nuk
ngopin, e pankartat e rrugëve të emërtuara “evropianisht” fshihen e shpërlahen
megjithatë pas një shiu – që në fund edhe bën një mini-vërshim.
Neo-azilantët kosovarë, njëjtë sikurse 20 e
sa vite më parë, janë tregues të rëndesës së vendit tonë; janë tregues të
regresit tonë – këta janë numrat e vërtetë të Kosovës. Ata janë tregues të
dështimit tonë shoqëror e të paaftësisë sonë për të bërë mbarë e hair e për ti
dhënë një herë e mirë udhë secili komik profesional e amator në Kosovë që guxon
e ka guxuar të bëj shaka poshtëruese me të gjithë ne. E nëse ne megjithatë ne
mbesim komfort me një gjendje të tillë, ndoshta edhe meritojmë një parodi
nacionale. Fikë për fikë, bile me muzikë – thonë.
No comments:
Post a Comment