Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 KORRIK 2013
Nevojat ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë.
Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë
i vetmi prioritet qeverisës.
Në gjithë
vrullin e debateve politike, me apo pa inat, me apo pa fakte, me apo pa dije,
një fotografi bëhet disi gjithnjë më e qartë. Kjo fotografi tregon se Kosova
nën menaxhimin e kësaj qeverie (dhe paraardhëses së saj) nuk ka pasur asnjëherë
as më të voglin haber për udhëheqje ekonomike. Në të vërtetë, përveç aty këtu
ca militantëve partiakë e përkrahësve ultras të saj, njeriu gjen sot vështirë
një mendim të pavarur e përkrahës ndaj politikave të deritanishme ekonomike.
Sikur mos të ishin ato konferencat e fundvidtit vetëlavdëruese (gjithsesi të
bajatshme), ato flirtimet e asociacioneve e sindikatave të çastit (gjithsesi
irrituese), apo edhe deklaratat e pazareve zëvendësministrore (gjithsesi
pakurrizore), i cekët dhe i zbehtë do të dukej vlerësimi pozitiv i jashtëm për
e ndaj Qeverisë; në të vërtetë as që do të kishte vlerësim të tillë.
Qeverisë, thënë
të drejtën, i duhen më së paku deklaratat e sodit se “ka punë shumë po nuk ka punëtorë”, apo ato të djeshmit se “jemi vendi më i pakorruptuar në botë”. Qeverisë
i duhen më së paku deklaratat e mendimet që ngjallin keqardhje e gërditje nga
mendja e shëndoshë. Kosovarët megjithatë nuk janë aq të çmendur sa të jetojnë
nga trajtimet e tilla. Në të vërtetë, ishin mu mendimet e trajtimet si këto të
dhëna nga qeveritë e para 2007-ës, kryesisht nga njerëz që sot çuditërisht
ringjiten vrullshëm në politikë, që i kishin dhënë komfortin fitues mu kësaj
qeverie. Të njëjtit sot ribëjnë gabimet që kishin rrënuar të parët.
Pavarësisht
kësaj, përtej grithjeve irrituese, mbështetjeve përulëse e rrahje-shpindjeve për
kusur, ato pak mendje të ditura në këtë Qeveri e dinë fare mirë se diçka nuk
shkon mbarë në vend. Përtej investimeve publike të bollshme, përtej
stabilitetit në borxh të jashtëm, e përtej reformave procedurale në të bërit
biznes, Kosova megjithatë nuk po arrin se nuk po arrin të rimëkëmbet
ekonomikisht. Papunësia vazhdon të mbetet e njëjtë, rritja ekonomike larg prej
të planifikuarës (edhe më larg prej të dëshirueshmes), investimet e
investitorët e huaj aspak e asnjëherë serioz, hendeku tregtar në rritje më të
thellë, normat e interesit të ngurtësuara në sa kohë, e mbi të gjitha krizat
sociale veçse shpërthyen në azil-kërkim. Të njëjtit e dinë se diçka megjithatë
nuk po shkon mbarë; paj... të paktën shpresoj sinqerisht që e dinë.
Pse nuk shkon
mbarë? Sepse përderisa të njëjtit – përtej korrupsionit, hajnisë, haraçit,
evazionit, shantazhit e në fund amnistisë – kanë koncentruar gjithë energjinë
ekonomike në rrugë, falje të aseteve, e disa reforma regjistruese për bizneset,
nevojat e ekonomike kanë evoluar shumë më ndryshe. Rrugët megjithatë nuk
shërbyen bizneset e vendit për këmbim, sepse ata nuk kishin çfarë të këmbenin
(përkundrazi shërbyen të huajat); faljet e aseteve nuk sollën investitorë sepse
nuk kishin ku të investonin (përkundrazi sollën tyxharë të pazareve orientale);
e reformat në regjistrim shpejtuan rritjen e bizneseve sepse ata kishin halle të
tjera. Pra në dell të nënvlerësimit mbi nevojat reale të bizneseve, Qeveria
jonë është marrë me zgjidhjen e problemeve tërësisht irelevante. E do ti duhej
vetëm një vështrim në vlerësimet ekonomike të sektorit privat për të kuptuar
cilat janë problemet e vërteta të tyre. Do të duhej vetëm një shikim i shkurtë
në listën e barrierave për të kuptuar se rrugët (e infrastruktura),
transformimi i aseteve, apo dhe procedurat e hapje-mbylljes, nuk janë asnjëra –
as për së afërmi – barriera kryesore për të bërit biznes. Në vend të tyre janë
evazioni, informaliteti, korrupsioni, hajnia, gjygjësori dhe përfundimisht kostot
e kapitalit (apo normat e interesit). As rrugët, as faljet e as procedurat
regjistruese nuk trajtojnë as për së afërmi çështjet si këto. E përderisa nuk
trajtojnë çështje si këto, bizneset tona nuk krijojnë punë. E përderisa
bizneset tona nuk krijojnë punë, kosovarët tanë kërkojnë azil. E përderisa
kosovarët tanë kërkojnë azil, të kota e të panevojshme deklaratat e
rrahje-shpindjeve.
***
Përderisa
për procedurat e parëndësishme në thelb e efekt, por të super-fryera në
praktikë, kam shkruar shumë, e për faljet e aseteve edhe më shumë – gjithsesi
gjithmonë kot së koti; këtë herë dua të shkruaj shkurt për superstradën e dytë,
atë drejt Shkupit. Kjo sepse e njëjta, sikur të ndodhë ashtu siç po na thuhet,
do të ngurtësojë të njëjtat probleme ekonomike që i kemi sot; e ngurtësimi i
këtyre probleme për një kohë të gjatë është sinqerisht rëndesë e pakuptueshme,
e padurueshme dhe e panevojshme për kosovarët.
Nëse rruga
për Shkup ndërtohet siç na thuhet sot, katër-pesë vite nga sot, siç ka ndodhur
në këto katër-pesë vitet e shkuara, ne ende do të diskutojmë se si rritja prej
2-3-apo-4% është “rritja më e madhe në rajon”; se si “rrugët janë më të mirat
në rajon”; e se si “Kosova është hambari më i madh i prodhimit në rajon”. Në të
njëjtën kohë të papunët tanë do të rriten, bizneset do të thahen e kosovarët do
të ikin në azil-kërkim; edhe më shumë. Gjithsesi normat e interesit do të
mbesin prapë të njëjta, hendeku tregtar do të bëhet edhe më i thellë, e investime
të jashtme do të ketë edhe më pak.
Nëse Kosova
ka një përvojë ekonomike që duhet ta ketë mësuar në këto vitet e fundit, atëherë
ajo përvojë thotë se koncentrimi i të gjitha investimeve kapitale në një
projekt të vetëm nuk jep se nuk jep zgjidhje për nevojat ekonomike tona; rrugët
megjithatë janë lehtësues të rritjes por jo burime të rritjes. E burimet e
rritjes për Kosovën nuk janë as asetet e privatizuara, as minierat e
pashfrytëzuara e as guroret e tjera të mitizuara - janë vetëm bizneset tona dhe
iniciativat ndërmarrëse të kosovarëve që mund të krijojnë mjaftueshëm vende të
reja pune sa për të krijuar vlerë ne vend; nga ku më pas prekim rritjen
ekonomike, investimet e jashtme e në fund hendekun tregtar.
***
Nevojat
ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë
atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet. Ndonëse
nuk kam dyshime se politikat drejt rrugës së Shkupit janë të pritura nga motive
korruptive, siç ishin këto për Vërmicë, dua të mendoj për pakëz se një supozim
i tillë është i pasaktë; se orientimi në rrugën për Shkup bëhet për motive – hë
për hë të panjohura në teori – ekonomike, pra “alla kosovare”. Ta themi se këta
tanët dinë diçka më shumë se secili vend e secili shtet e secili mendimtar
ekonomik tjetër i djathtë, i majtë, i qendrës apo i “të gjitha nga pak”. Ta
shtrojmë kështu problemin, se rruga për Shkup duhet të bëhet, pavarësisht
kostos.
Në një
skenar të tillë, përtej lëvizjeve më të shpejta turistike në vikendet e
qendrave të “shoppingut” në Shkup, përtej lëvizjeve shëndetësore në spitalet
private atje, korsia e djathtë e rrugës sonë do të jetë relativisht e thatë.
Korsia e majtë, megjithatë, do të ketë një ritëm shumë më ndryshe. Nga mielli,
tek çimentoja, nga zalli, tek armatura, e nga ushqimi e deri tek frutat e
freskëta; të gjitha do të kenë destinacion Kosovën, këtë herë me rritëm shumë më
të shpejtë. Maqedonia përndryshe është importuesi ynë i dyti, pas Serbisë.
Pra në
esence, koncentrimi në një rrugë të vetme pa ngritjen e paralele të fuqisë
vendore përtej një pamje të bukur të një rruge miliardëshe, aq sa do të na
kushtojë, do të sjellë me vete edhe një ritëm disproporcional në krijimin e
vlerës në Kosovë. Pa këtë vlerë ne nuk do të kemi zgjidhje as për papunësinë,
as për investimet, as për hendekun tregtarë e as për azilin.
Por ta
mendojmë më ndryshe investimin në rrugë. Të pajtohemi se rruga për Shkup na
duhet, dhe për këtë shpreh bindjen e plotë se na duhet, madje jo vetëm për
Shkup, por edhe për çdo qytet e qytezë tjetër në e jashtë Kosovës. Pra ta
marrim si të qenë nevojën për rrugën e Shkupit. Për një moment të vetëm të
harrojmë se ka korrupsion e hajni në Kosovë dhe se çmimi një miliardësh i saj
është çmim me hak. Në një situatë të tillë nuk ka asgjë që na thotë se duhet
bërë rrugën për vetëm tre vite; dhe njëkohësisht duhet sakrifikuar çdo ecje
tonën tjetër. Pse nuk e bëjmë për gjashtë?
Nëse
shëndetësia është biznes, e nëse në shëndetësi kosovarët japin plot 70 milionë
euro në Maqedoni, pse të mos zhvillojmë sektorin privat në shëndetësinë
kosovare duke marrë një çerek nga paratë e planifikuara për rrugën trevjeçare
(e të kursyera nga rruga gjashtëvjeçare) dhe kështu të krijojmë një treg që
mesatarisht në pesë gjashtë vite nga sot jo vetëm se do ti mbledhë këto 70
milionët e derdhura jashtë (çdo vit), por edhe do të gjenerojë shërbime më
kualitative e më humane për kosovarët e tjerë.
Nëse
prodhimi është biznes, e nëse në prodhim të huaj kosovarët shpenzojnë miliarda
euro në vit, pse të mos ndajmë një çerek nga paratë e planifikuara për rrugën
tre vjeçare për krijimin e politikave pro biznesit në vend – diçka si për
shembull zvogëlimi i riskut me luftë kundër hajnisë, korrupsionit, evazionit,
informalitetit e anti-gjyqësisë. Pse nuk bëjmë gjykata me gjithë ato para për
të zhbërë secilën anomali të konkurrencës së padrejtë? Kështu, në pesë gjashtë
vite zhvillim, ne do të shfrytëzojmë rrugën për Shkup për eksport, jo import.
Nëse krijimi
i fuqisë punëtore është biznes, e nëse për punëtorë kemi nevojë, pse me çerekun
tjetër të rrugës nuk ndërtojmë paralelisht institucione e programe aftësuese në
vend që në fund japin punëtorë që dinë të krijojnë e jo të diplomuar që mësojnë
përmendësh? Nëse krijimi i kapitali financiar është biznes, e nëse për biznes kemi
nevojë, pse me çerekun tjetër të rrugës nuk ndërtojmë paralelisht alternativa
financiare në vend? Pse nuk i bëjmë në pesë gjashtë vite të gjitha njëtrajtësisht?
Pse duhet sakrifikuar gjithë energjinë e gjithë potencialin në një projekt të
vetëm? A nuk mësuam mjaftë?