Sunday, 30 June 2013

JETA PA BERISHËN, KOSOVA DHE RAMA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 QERSHOR 2013

Them se Berisha duhet të falënderohet për çfarëdo kontributi që ka dhënë në gjithë këto vite politikëbërje. Në fund të fundit ka qenë i zgjedhur e i përkrahur prej shumicës. Por Shqipëria tashmë ka zgjedhur një rrugë ndryshe, bindshëm pa Berishën. Prandaj Rama duhet të përkrahet siç përkrahet vendi; në fund të fundit është kryeministri i ri i shqiptarëve me vullnetin e po të njëjtës shumicë. Do të ishte e pakuptimtë trajtimi i tij ndryshe.


Këtë javë Shqipëria prodhoj ndoshta befasinë më të madhe elektorale shqiptare të bërë në shekullin e ri. Jo për fitoren e së majtës, e cila thënë të drejtën pas avazeve të fundit kamikaze të së djathtës veçse ishte natyrale, por për diferencën e fitores – për thellësinë e mundjes dhe deklasimit, them unë, turpërues. Nuk ma do mendja që i majtë apo i djathtë, i mesëm apo i papërcaktuar, të ketë menduar një raport 85-55 në çdo mendim pak racional parazgjedhor. E edhe më pak mund ta ketë menduar dikush zhvillimin ultra të hovshëm të LSI-së pas gjithë flirtimeve amorfe herë në njërën anë e herë në tjetrën. Të paktën këndej në Kosovë flirtimet e tilla mbulohen me vetëm një “xhol”; të dytën herë digjesh.

Por përtej gëzimeve e kërcimeve në taborin e majtë, përtej heshtjes e vdekjes në të djathtin, dhe gjithsesi përtej mërzisë së pakuptimtë në pjesën më të madhe të Kosovës, them se rezultati i zgjedhjeve të fundit prodhon tri akte vlerësuese, e të cilat do të provoj ti shtjelloj më poshtë.

-1-

Akti i parë ka të bëjë me vlerësimin e, tashmë kryeministër në ikje Sali Berisha; emri i të cilit do të lakohet për një kohë të gjatë - për të mirë kryesisht. Si i “Fundit i Mohikanëve” nga Ballkani, Berisha kishte fatin e talentin të mbijetonte (në kohë së paku) të gjithë sendorët e tjerë postkomunist përreth tij; Rugovën e Kosovës, Izetbegoviqin e Bosnjes, Tuxhmanin dhe Mjesiqin e Kroacisë, Millosheviqin e Serbisë e Gligorovin e Maqedonisë. Në të vërtetë, Berisha mbetet i vetmi politikan post-komunist në rajon që në vitin 2013 udhëhiqte me shtet; impresive.

Për të mirën të tij apo për të keqen e demokracisë, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka konstatimi se 23 vjet politikëbërje në potencialisht vendin më të vështirë për politikë është punë e madhe. Paramendoni gjithë energjinë, vullnetin, karizmin e optimizmin e treguar në gjithë këto vite, në humbje, fitore, kthime, rënie e përsëri kthime. Aftësia për të bërë Shqipërinë gjithsesi shumë më ndryshe se nga dita zero pas komunizmit, flet shumë për të dhe punën e tij. Integrimi në NATO, liberalizmi i vizave për BE, përmirësimi i standardit të jetesës së shqiptarëve bashkë me disa projekte të rëndësishme kapitale që i kanë dhënë Shqipërisë një ngjyrë tjetër, janë të gjitha procese të nisura apo të zhvilluara nën sovranitetin e tij - e të cilat duhet ti kreditohen qytetarëve, ekipit e vendit të udhëhequr mu nga ai. Meritor si i shpallur.

Njëtrajtëshit duhet ti kreditohen edhe të gjitha ato aferat e shumta korruptive që i shpërthenin në këmbë, nepotizmi në administratën publike, lidhjet me biznesmenë të dyshimtë, e njëmijë e një skandale tjera që vetëm po ju falen mund të harrohen. Raportet ndërkombëtare që vënë Shqipërinë edhe sot si vendin më mafioz e më korruptiv në Evropë nuk janë të shkruara sa për kot; ato në fund të fundit dëshmojnë mu paaftësinë apo pavullnetin e tij për ti zhbërë ato. Fajtor si i shpallur.

Nuk dua të bëjë verdiktin se cila anë peshon tjetrën, gjithsesi jo në këtë kohë të militantizmit e mbizotërimit të inercionit e euforisë në një anë, e dëshpërimit e pakënaqësisë në anën tjetër. Dua vetëm të them se shqiptarët në të dy anët e kufirit kanë për obligim të falënderojnë Berishën për gjithë mundin dhe punën e mirë të bërë në plot njëzet e sa vite. Pa të Shqipëria gjithsesi nuk do të ishte kjo që është tani. Njëtrajtësisht, shqiptarët militantë të së djathtës dhe çdo simpatizues inert i Berishës, duhet të kuptojë se asnjë politikan në demokraci nuk e ka udhëheqjen e përjetshme; përveçse nëse e sheh veten si mbret e ambientin rreth tij jodemokratik. Para e pas Berishës ka pasur e do të ketë liderë edhe më të mëdhenj botërorë që në shenjë e nderim të demokracisë kanë përmbyllur mandatet e tyre - madje edhe vullnetarisht. Kur George Washington kishte përfunduar mandatin e dytë (dhe të fundit) presidencial në Amerikë, përkrahja e pakontestuar ndaj ti kishte ngritur zëra që kërkonin edhe ndërrimin e Kushtetutës Amerikane për ti mundësuar presidentit të parë amerikan edhe mandatin e tretë. Ishte vet Washington që kishte insistuar ndryshe, “...nëse nuk e ka bërë Washington, nuk do ta bëjë asnjë tjetër pas meje...” kishte thënë atëherë. Nga Wilson tek Reagan, nga Clinton tek Obama, të gjithë burrështetas e liderë të mëdhenj, kanë pasur e do të kenë një kohë dhe vetëm një dritare për të bërë për vendin diçka; pas tyre do të vijnë të tjerë, po aq e më shumë të zot.

Berisha kam përshtypjen se në fund lakmoj më tepër se që i lejohet një lideri demokratik. Berisha kam përshtypjen se u rrethua nga njerëz që, njëjtë sikurse tek këta liderët e pashtershëm kosovarë, ua bëjnë rrafsh duke ua humbur percepcionin për gjithçka që ndodhë jashtë tyre. Do të duhet të kenë qenë punët me të vërtetë keq e rëndë në Shqipëri gjatë këtyre viteve të fundit nëse dy të tretat e shqiptarëve nuk flasin gjuhën e tij. Berisha kam përshtypjen se përfundoj jetën politike si humbës (i thellë) kur mund të dilte më ndryshe; gjithsesi bëri jetën politike si një kampion.

-2-

Akti i dytë ka të bëjë me fytyrën e re të primatit shqiptar, Edi Ramën. Një lider kontraverz, pa një model të promovuar ku me ditë sa, por me shumë vullnet e energji për të marrë stafetën e vazhduar garën. Zgjedhja e tij mund të mos jetë më e mira potencialisht, por është më e mira e mundshme sot në Shqipëri. Vazhdimi i avazit të së djathtës me Berishën në pafundësi do të tensiononte edhe më tepër ngërçin e fundit politik në vend por edhe brenda PD-së, e cila ka kohë që ka humbur kuptimin e fjalës së dytë “demokratike” në të. Alternativa me Metën do të ishte një film triler pa fund të qartë; ndërkaq eksperimentet me Kreshinikun “në lule” e Topin “e flakur” janë tepër insignifikante për tu marrë seriozisht. Rama mbetet përfundimi i vetëm natyral sot.

Ai duket se ka një konsolidim partiak të fuqishëm, gjithsesi po vazhdoj shumë edhe të rrezikshëm për të sjellë Shqipërinë e PS-në në gjendjen e njëjtë çfarë e solli fundi i Berishës vendin dhe partinë; duket sa ka një ekip të uritur për të dëshmuar veten, dhe duket se mbi të gjitha ka simpatinë e fuqive ndërkombëtare të cilat duan të shohin Shqipërinë të ecë më shpejtë drejt integrimit evropian. Në të vërtetë, fitorja solide e Ramës i jep atij çdo mundësi për të bërë mrekulli me Shqipërinë. Pengesat e bllokadat e pakuptimta pozitë-opozitë të dhëna në pafundësi gjatë katër viteve të fundit, do të jenë më të pakta. Mundësitë për të vendosur gjithë platformën populliste (gjithsesi për mua pak të realizueshme) të promovuar gjithandej i ka po aq të hapura. Rama në të vërtetë i ka të gjitha mundësitë që për dy mandate të bëjë Shqipërinë anëtare të plotë në BE. E mu për këtë arsye shqiptarët gjithandej (sidomos bashkë-kosovarët e mi të çmuar) duhet ta përkrahin atë pa rezerve. Sot ai është  kryeministër i shqiptarëve i zgjedhur me të njëjtën shumicë që kishte glorifikuar Berishën vite më parë; do të ishte e pakuptimtë trajtimi ndryshe, sidomos ende pa parë e provuar punën e tij të parë si kryeministër.

Rama meriton shansin e kërkuar në sa e sa vite. Për hir të dy të tretave të shqiptarëve që me entuziazmin më të madh dhanë votën e lirë, në një proces që filloj trishtueshëm me vrasje, por përfundoj me mrekulli; për hir të gjithë atyre njerëzve në Partinë Socialiste që janë shqiptarë e atdhedashës po aq sa të tjerët në partitë e tjera; për hir të gjitha problemeve që i ka Shqipëria sot e që do ti ketë edhe nesër, Rama meriton përkrahje në çdo sfidë të nisur nga ai.

-3-

Akti i tretë ka të bëjë me relacionin e ri që do të krijohet në mes të Ramës dhe Kosovës. Ndonjëherë provoj të kuptoj simpatinë e madhe të kosovarëve ndaj Berishës, e antipatinë (sado në rënie tashmë) ndaj Ramës. Nëse do të më duhej të jap domosdo ndonjë shpjegim logjik në një relacion fare jo-logjik të shqiptarëve të Kosovës me këta dy lider, do të jepja dy burime. I pari ka të bëjë me lidhjen tradicionale të Berishës me Kosovën, lidhje kjo që është krijuar vetëm falë kohëzgjatjes së tij në politikë, rrjedhimisht prezencës së tij në ekranet televizive të kosovarëve që në kohë të TVSH-së. Këndej Berisha mbahet mend si një figurë glorifikuese e përpjekjeve të Kosovës gjatë kohëve më të vështira; ndjenja si këto vështirë se harrohen. Burimi i dytë ka të bëjë më tepër me antipatinë e kosovarëve ndaj “socialistëve” e rrjedhimisht çdo lider në krye të tyre (Edi mund të ishte sot, nesër tjetri – kjo ka pak rëndësi), antipati e cila është ushqyer veçanërisht, (kjo për shqiptarët në Shqipëri mund të duket e çuditshme) gjatë kohës së Nanos. Gjuha, takimet, përkrahja e politkëbërja përballë Kosovës nga Nano ka prodhuar mallkimin kosovar ndaj socialistëve, rrjedhimisht glrofikimin e të djathtës.

Rama kam përshtypjen se përmirësimin e relacionit me Kosovë nuk e ka nisur mbarë; realisht gjithçka veçse mbarë. Lëvdatat e tij për njerëz që këtu njihen për krim të organizuar, haraç, shantazh e dëmtim rrënjësor të Kosovës kanë nxitur rezervime gjithandej. Në gjuhën e zgjedhjeve nga atje, aleanca e “rilindasëve” të Shqipërisë me “anti-rilindas” në Kosovë është e pakuptimtë. Shpjegimi i vetëm racional për mua është se Rama i shtyrë nga inferioriteti rreth Kosovës (jo për faj të tij) mund të ketë ndërtuar relacione informuese me kosovarë që e ushqejnë atë keq e mbrapshtë për preferencat këtu. e reja politike që herë-do-kurdo do të bëjnë të njëjtën “rilindje” të pashmangshme këndej kam përshtypjen se do të mbajnë mend këtë orientim të tij.

Në relacion me spektrin politik them se partitë si LDK e AAK kanë humbur një aleancë simbolike tek Berisha. Jo se do të prodhojë ndonjë efekt politik këndej them unë. Në të vërtetë përveçse këto parti jepnin çmime të pakuptimta e devalvuse “qytetar nderi” nga komunat e administruara nga ta për secilin udhëheqës e nën-udhëheqës politik të PD-së bëri apo nuk bëri gjë për komunat në fjalë, këto parti nuk kanë pasur as edhe një lidhej tjetër më substanciale me politikën në Shqipëri. PDK në anën tjetër fiton një aleat të ri tek Rama; ndonëse PDK për shkak të mazhorancës që ka këndej do të mund të bënte aleanca me secilin në Shqipëri. Në fund të fundit mitingjet, tunelet e përurimet e përbashkëta të liderëve të PDK-së e PD-së ishin po aq të shpeshta sa edhe takimet me Ramën.

Roli i Ramës për Kosovën megjithatë, mund të orientohet në ekonomi. Nuk pretendoj ti jap këshilla kryeministrit në bërje Rama për politikën në Shqipëri; besoj se ka rreth vetes koka të mençura rreth tij, por them se janë disa projekte esenciale që ndërlidhen me Kosovën e që me vullnet politik në të dy anët mund të bëjnë mrekulli. Rama në mandatin/mandatet e tij, nëse bash dëshiron ose bash ka nevojë të dëshmojë përafrimin me kosovarët, mund ti japë zgjidhje problemit energjetik të Kosovës me Shqipëri, i cili për asnjë arsye logjike nuk është zhbërë tash e 14 vite. Është e pakuptimtë se si Berisha në asnjë rrethanë nuk arriti të ndërtojë linjen e interkoneksionit mes të dy vendeve për ti dhënë përparësi krahasuese të papara deri më tani për shqiptarët gjatë dy stinëve ekstreme kur të dy vendet kanë teprica respektive. Rama në mandatin/mandatet e tij mund të fillojë edhe projektimin e parë të hekurudhës Shqipëri-Kosovë që do të bënte kështu boshtin shqiptar fuqi të pakontestueshme rajonale në tregtimin e mallrave e të mirave. Rama në mandatin/mandatet e tij mund të zhbëjë një herë e përgjithmonë bllokimet turpëruese të patateve, verës së kuqe, rrushit e miellit që viheshin gjithandej nga ministra të qeverisë së fundit. Për më tepër, Rama mund të iniciojë edhe procedura unifikuese legjislative tregtare, sidomos në fushën e të bërit biznes e sidomos në sjelljen e investimeve kosovare në Shqipëri që janë pashpjegueshëm inekzistente. Kosova në fund të fundit ka nevojë për Shqipërinë, aq sa ka nevojë edhe Shqipëria për Kosovën. Si dy tregje të vogla e për më tepër në fund të fundit evropian, nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç se unifikimi e shfrytëzimi i përparësive krahasuese.

Qeveria e Ramës mund të nisë një faqe të re të këtyre relacioneve. Alternativ, Rama mund të injorojë Kosovën, të mos e bëj hesap atë, e të nderojë siç ka nderuar në të kaluarën njerëzit më të papëlqyer nga kosovarët me dhënie të çelësave e titujve po aq devalvues. Rrugë e gjatë përpara.


Monday, 24 June 2013

NGJYRAT E NJË SHTETI GJYSMË-AUTORITAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 QERSHOR 2013

Bjellorusia, Turkmenistani, Azerbajxhani,  Kazakistani e Taxhikistani  janë pesë vende që rangohen nën Kosovën e të cilat konsiderohen nga Freedom House si vende autoritare; Kosova konsiderohet vend gjysmë-autoritar. Në fjalë të tjera vendi ynë është sa gjysma e vendit të “diktatorit të fundit Evropian” Lukashenko që nderon Hitlerin; sa gjysma e vendit të Niyazovit që ndërron emërtimet e muajve me emrat e familjarëve; apo sa gjysma e vendit të Aluyevit që vrasësit bën hero nacional. Sa afër rrënimit jemi. Sa keq.


-1-

Juan Linz është sociolog gjerman i bërë i njohur botërisht për teoritë e tij mbi totalitarizmin dhe autoritarizmin. Në vitin 1964 ai kishte shpjeguar që secili regjim që përmbush katër tipare specifike mund të konsiderohej si regjim autoritar. Tipari i parë kishte të bënte me pluralizmin politik të kufizuar dhe të papërgjegjshëm; thënë ndryshe me kufizimet politike mbi institucionet, gjykatat dhe grupet e tjera të supozuara si të pavarura në një vend. Tipari i dytë kishte të bënte me krijimin e bazës së ligjshmërisë - ligjshmëri kjo që mbështetej në emocione e arsyetime se regjimi dhe autoriteti ultim janë të domosdoshme për të mundur e zhbërë dukuritë negative në vend. Tipari i tretë nënkuptonte përdorimin e taktikave represive kundër kundërshtarëve të regjimit me qëllim të parandalimit të çfarëdo energjie anti-regjim (këtë ta mbani mend më shumë). Tipari i fundit nënkuptonte dashakeqësinë e fuqisë ekzekutive në relacion me të tjerët.

-2-

Freedom House është padiskutueshëm organizata më e njohur dhe më kredibile sot në botë. Ajo zhvillon e publikon hulumtime në fushën e demokracisë, lirisë politike dhe të drejtave të njeriut në baza të përvitshme. E themeluar në vitin 1941 nga zonja e parë asokohe Eleanor Roosevelt, sot ky institucion përveç se financohet dhe mbështetet nga qeveria e SHBA-ve, bën edhe burimin më të përhapur mbarësisht për hulumtues, gazetarë e qeveri. Njëherë madje ish-Presidenti amerikan Bill Clinton e kishte cilësuar Freedom House si “zërin e tolerancës për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”. Ai madje kishte konsideruar se njerëzit nëpër botë jetojnë më mirë mu për shkak të punës së këtij institucioni. Thënë ndryshe, gjetjet dhe konstatimet e Freedom House kanë orientuar e orientojnë në vazhdimësi politikën e SHBA-ve dhe aleatëve të saj drejt ndërtimit të demokracisë e lirisë nëpër vendet tjera. Serioziteti dhe kredibiliteti i konstatimeve të tilla nuk është kontestuar e dyshuar asnjëherë nga ta e akterë të tjerë kërkimorë mbarësisht.

Natyrisht se këtë nuk kanë se si ta dinë ata që punën e Freedom House besoni ose jo këtë javë e konsideruan “punë kafesh”; janë ministrat tanë se kush tjetër. Si ta dinë të mjerët kur nuk kanë haber për asgjë që kalon kodrën e Veternikut, tymtarët e Obiliqit e liqenin e Badovcit. Përtej poltikëbërjes nëpër kafe e muhabeteve nëpër kaçuba “më tha të thash”, e tëra çfarë mund të prodhojë diapazoni i tyre i vockël është trajtimi i Freedom House si llafazan kafenesh. Si ta dinë të shkretët kur në jetën e begatinë e tyre (të vockël gjithsesi) akademike e politike nuk kanë lexuar, shkruar e punuar me, asnjë shkronjë të treguesve të Freedom House apo çfarëdo treguesi tjetër për që ju bëhet vonë. Si ta dinë ata.

-3-

Freedom House çdo vit nxjerr raportin vjetor “Liria nëpër Botë”, raport ky që vlerëson nivelin e demokracive në plot 195 shtete. Këtë javë të njëjtit publikuan gjetjet e tyre për këtë vit. Pjesë e analizës së publikuar ishin edhe zhvillimet politike dhe ekonomike në ish vendet e tranzicionit, ku bënte pjesë edhe Kosova. E gjersa po trajtohej niveli i korrupsionit në këtë prezantim, u tha se nga 28 vende të tranzicionit, 25 kishin shënuar përparim e stagnim, tri shtete kishin shënuar regres. Kosova, sipas raportit në fjalë, bënte pjesë në këtë treshen regresive. Çfarë dëshpërimi – as ta mbajmë hajninë në nivel të njëjtë nuk qenkemi të zot. Jo se pritej më ndryshe thënë të drejtën. Shteti ynë ka kohë që është shthurur e nuk arrin të japë një fije shprese se mund të  kthejë gjërat mbarë. Nuk di se çfarë ka mbetur e çfarë do të mbes pasi të kenë gdhendur çdo potencial të tij. Sinqerisht nuk mbaj mend të ketë pasur Kosova papërgjegjshmëri më të lartë se sot; sikur nuk i bëhet vonë askujt për qeverisje.

Sado e dhimbshme që dukej trendi i korrupsionit, kishte një gjë tjetër që vinte nga kjo organizatë e që dëshpëronte edhe më shumë. Përtej rangimeve në korrupsion, media e shoqëri civile, Freedom House kishte ranguar edhe nivelin e demokracisë nëpër regjimet e këtyre 28 vendeve të tranzicionit. Qeverisja e Kosovës në këtë rangim, besoni ose jo, konsiderohej si gjysëm-autoritative; duke qëndruar pas qeverisjes tranzicionale në Shqipëri e Bosnjë, qeverisjes gjysmë demokratike në Serbi e Kroaci e shumë larg qeverisjes demokratike në Slloveni e Hungari. Kosova madje ishte i vetmi vend në Ballkan që bënte pjesën mes shteteve të Euro-Azisë. Ajo ishte vendosur në një kategori me Armeninë e Kyrgystanin si dy vende tjera që konsideroheshin si gjysmë-autoritare. Prapa Kosovës kishte vetëm një qeverisje më të rëndë, ajo autoritative.


-4-

Aleksandër Lukashenko, presidenti i Bjellorusisë ka mbi 20 vite që udhëheq vendin e tij në formën më bizare të mundshme duke shkelur çdo normë e çdo rregull të dinjitetit e trajtimit human. Bjellorusia përndryshe ishte trajtuar e trajtohet nga Bashkimi Evropian e çdo diplomat perëndimor si “diktatura e fundit në zemër të Evropës”. Në vitin 2005 Lukashenko kishte lavdëruar hiç tjetër veçse Adolf Hitler. Saparmurat Niyazov, kishte udhëhequr Turkmenistanin nga viti 1990 deri në vitin 2006 (deri në vdekjen e tij). Mediat botërore e kishin konsideruar Niyazov-in si liderin më totalitar e më represiv nëpër botë. Obsesioni e çmenduria prej diktatori kishin shtyrë madje atë të ndërronte emrat e muajve të vitit me emrat e familjarëve të tij apo ngjarjeve rreth tij. Janarin e kishte emëruar sipas emrit të tij, prillin me emrin e të ëmës, ndërkaq shtatorin me titullin e një libri të tij. Ilham Aliyev, presidenti i tanishëm i Azerbajxhanit që nga viti 2006, djali i ish presidentit të Azerbajxhanit Heydar Aliyev (1993-2003), konsiderohet sot nga The Independnet, BBC, Daily Telegraph e Daily Mail (ndër të tjerash) si abuzues e diktator i paskrupullt. Në një rast vite më parë, pasi kishte bindur Hungarinë për ekstradimin e një vrasësi të dënuar me burgim të përjetshëm me premtimin se i njëjti do të vuante dënimin në Azerbajxhan, e kishte shpallur atë hero kombëtar duke i siguruar pension të përjetshëm e trajtim të veçantë deri në vdekje. Nursultan Nazarbayev president i Kazakistanit dhe Emomalii Rahmon president i Taxhikistanit, përshkruhen sot si diktatorë e individë abuziv të të drejtave e lirive të njeriut. Ky i fundit madje mbahet përgjegjës për vdekjen e 100 mijë taxhikëve.  

Bjellorusia, Turkmenistani, Azerbajxhani,  Kazakistani e Taxhikistani  janë pesë vende që rangohen nën Kosovën e të cilat konsiderohen nga Freedom House si vende autoritare. Kujtoj se Kosova konsiderohet vend gjysmë-autoritar. Në fjalë të tjera vendi ynë është sa gjysma e vendit të “diktatorit të fundit Evropian” që nderon Hitlerin; sa gjysma e vendit të Niyazovit që ndërron emërtimet e muajve me emrat e familjarëve; apo sa gjysma e vendit të Aluyevit që vrasësit bën hero nacional. Sa afër rrënimit jemi. Sa keq.

-5-

Se Kosova është vend gjysmë-autoritar, për këtë pakkush mund të argumentojë ndryshe. Tetë kryetarë komunash nën hetime e të dënuar, të dënuar të tjerë e të arratisur në pikë të ditës (nën ndihmën e regjimit gjithsesi); gjykatës që ju pritet kravata nga super-politikanë, dënimi i të cilëve më pas cilësohet si tendencë për njollosje a ku ta di unë; shefa të shefave që ndjekin prokurorët nga Kuvendi, e djem të shefave që rrahin policë – vetëm për të suspenduar policin e për të harruar rrahësit; të korruptuar e hajna që i qeshin skandaleve vetëm se janë në politikë e mospërgjegjësi totale edhe kur vjedhjet bëhen publike; zaptime politike në institucione edukative, shëndetësore, agjenci të pavarura, borde, ndërmarrje publike, polici e shërbime sekrete; rahatime të familjarëve, akrabave, miqve e militantëve; dhënie tenderësh akrabave të politikanëve; sistem paralel kriminal i informimit që mbanë peng strukturat e sigurisë; persekutim gjygjësor ndaj gazetarëve, e përshpejtim rastesh politike  vetëm kur para-politka do ashtu; të gjitha këto bëjnë fotografinë e vendit tonë gjysmë-autoritar.

Kujtoni të gjitha skandalet në këto 4-5 vitet e fundit, kujtoni të gjitha trajtimet politike ndaj këtyre skandaleve, kujtoni kontrollin e pamëshirshëm e anti-demokratik të ushtruar nga para-politika në Kuvend, kujtoni përgjimet, kujtoni votat e vjedhura, kujtoni votimin 140%, kujtoni faljen e aseteve drejt fondeve të panjohura, kujtoni deklarimet e pasurisë e pasuritë e padeklaruara, kujtoni zaptimet, tenderët, aferat,ikjet e përqeshjet;  kujtoni të gjitha dhe keni vetëm një grimcë të realitetit të bërë publik gjysmë-autoritar. Kosova nuk ka pasur asnjëherë që nga përfundimi i luftës qeverisje më të rëndë e më degjeneruese; të paktën gjysmë-autoritar e gjysmë-paradiktatorial nuk jemi konsideruar asnjëherë më parë.

-6-

Kosova madje tregoj tipare tipike gjysmë-autoritare në trajtimin e problemit të ambasadorit Peci këtë javë. Për t’iu kthyer tiparit të tretë të Juan Linz-it, pra “përdorimi i taktikave represive kundër kundërshtarëve të regjimit me qëllim të parandalimit të çfarëdo energjie anti-regjim”, deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe qëndrimet e një makinerie të tërë mediash nën kontrollin e autoritativëve, treguan mu këtë javë se ku jemi, çfarë janë në gjendje të bëjnë, e se sa rrezik është të jetosh në Kosovë për secilin që guxon ti kundërvihet regjimit gjysmë autoritar. Jo për ti bërë favor ambasadorit, apo secilit tjetër që flirton me regjime gjysmë-autoritare – ndoshta edhe meritojnë djegien – por trajtimi i një “fishkëlluesi” me linçim nuk shitet dhe nuk bën të shitet.

Pas dorëheqjes së ambasadorit Peci për shkak të kritikës së marrë nga kryeministri se ka kërkuar normalizim vetëm pas njohjes reciproke (të paktën ashtu u tha nga ai), erdh një reagim inatçor, fëmijëror e papërmbajtjesor nga Ministria e Punëve të Jashtme, që nën gjuhën standarde tanimë të keqbërësve kosovar si sistem imunitar përdor linçimin publik dhe lidhjet me shërbimin serb të palës tjetër. Fjalori i “gatimeve në kuzhina serbe”, “tendencës për njollosje”, e kotësirave si këto, ka marrë fund kaherë. Linçimi publik i njerëzve dhe trajtimi si spiunë sa herë që mendojnë ndryshe prej pushtetit, zaptuesve e gjithë propagandës së tyre, megjithatë tregon më së miri edhe derexhenë në të cilën u ra ky vend; në fund të fundit janë mu këto aryse pse na trajtojnë organizatat prestigjioze si vend “gjysmë-autoritarian.

-7-

Deklarata e MPJ-së ishte aq absurde sa që përmbajtja e saj i jepte të drejtë në çdo rrethanë ambasadorit. Në fjalë e gjuhë të popullit, deklarata tregonte tendencën për të gjetur “qime në ve”. Paramendoni, MPJ akuzon ambasadorin e vet pse ka folur në gjuhën e vendit ku është caktuar si ambasador, pra serbisht, e jo shqip – e në bazë të kësaj e trajton atë si spiunë e si jokompetent. Në logjikën e njëjtë SHBA-të kaherë është dashur të tërheqin ambasadoren amerikane në Prishtinë e cila ka kohë e kohë që mundohet të thotë fjalë shqip; e njëtrajtësisht Kosova është dashur të shkarkojë gjithë ambasadorët e saj në Ameërikë, Angli, Gjermani, Zvicër Francë, e çdo kund tjetër që flasin anglisht, gjermanisht, frëngjisht e jo shqip. MPJ si institucion diplomatik, sikur të mos zaptohej nga gjysmë-analfabetë e gjysmë-aturitativë; (kombimin fatal përndryshe) do të duhej të dinte se është mu punë diplomatësh komunikimi në gjuhë të huaj, se gjuha serbe është gjuhë kushtetuese e Kosovës, e se në shekullin 21 nuk është krim të flasësh serbisht. Për më tepër gjuha e një diplomatit të cilësuar vetëm muaj më parë nga kryeministri i vendit si “ambasadori më i mirë që ka Kosova” nuk bën arsyen për ta cilësuar atë si spiun vetëm se refuzon të ndjekë politikën e parapolitikën.

Linçimi i tillë dhe tendenca nga një organizatë quasi-moderne si MPJ që të ngjallë turbo-folkun tek militantët e pakët që në vend të trurit në raste të tilla vendosin refleksin quasi-nacionalist, dëshmon më së miri edhe nivelin e dëshpërimit, nivelin e edukimit, nivelin e trajtimit dhe në fund stilin e sharmin qeverisës që kanë politikanët tanë. Në këso forme ata trajtojnë e do të trajtojnë çdo tendencë që i kundërvihet regjimit.  Mësimi për të gjithë, megjithatë, është se njëtrajtësisht do të digjeni – të gjithë. Asnjë sistem autoritar, gjysmë-autoritar apo çerek-autoritar nuk do ti mbijetojë bazamentit linçues e denigrues që ndërton vet; është thjeshtë vetëshkatërrues.


abdixhiku@facebook.com

Friday, 21 June 2013

KOHË EDHE MË TË ÇUDITSHME

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 MAJ 2013

Tregimi për Skënderbeun e të mbarët në një anë dhe parainstitucionet e ekstremistët në anën tjetër


Kohë më parë po e përshkruaja defektin politik, zaptues e korruptiv të Kosovës nëpërmjet një kolumne të titulluar “Kohë të çuditshme”. Ka vetëm një gjë që bën gafat e të korruptuarve më dytësore në opinionin publik, dhe rrjedhimisht kohën “e çuditshme” në “edhe më të çuditshme”. Janë këta deputetë të çastit që fyejnë e denigrojnë figura kombëtare shqiptare të cilat kanë mbajtur gjallë praktikisht çdo ndjenjë të idealit shqiptar e lirisë shqiptare (edhe të vet fyesit) tash e pesëqind vjet. Këta deputetë besoni ose jo flasin shqip, mendojnë shqip, por punojnë anti-ship; ata megjithatë mbahen majmë nga taksapaguesit shqiptarë që sot janë në derexhe të durojnë secilin kacabu jofalenderues e denigrues që manipulon me integritetin njerëzor të të gjithë vendit.

Deputeti i parëndësishëm që konteston e fyen rolin e Skënderbeut, përtej që shfaqë gërditshëm urrejtjen ndaj identitetit shqiptar e ndaj gjithë historisë shqiptare, tregon në të vërtetë edhe intencën e tij ultime të cilën nuk e ka shfaqur deri më tani meqë nuk ka guxuar të bëj një gjë të tillë. Si pretendues i një “zbulimi” naiv, i njëjti tregon se çfarë është në gjendje të bëj për shqiptarët; ai do ti zhbënte ata të gjithë po të kishte mundësi – heronjtë, historinë, flamurin, gjuhën, të gjitha. Prandaj i njëjti kërkon ndërrim të historisë, devalvim të heronjve e zhbërje të simboleve. As që dua të diskutojë rreth argumentimit naiv të lidhshmërisë e dallimeve në mes kombit e etnive dhe heroizmit kombëtar. Janë pretendime tepër naive për tu marrë seriozisht (sidomos lidhshmëria se nuk ka pasur kombe atëherë prandaj s’ka heronj kombëtar – kjo kalon edhe naivitetin e ndërtimit të fakteve me një apo dy video në YouTube). Por them se deputeti naiv fyen jo vetëm Skënderbeun, por fyen çdo mysliman e jomysliman prej Marin Barletit, Sami Frashërit, Hoxhë Hasan Tahsinit, Mulla Haxhi Zekës, At Gjergj Fishtës, Mic Sokolit, Ismajl Bej Qemajlit, Isë Boletinit, Luigj Gurakuqit, Azem Galicës, Shaban Polluzhës, e deri tek Ibrahim Rugova e Adem Jashari - që të gjithë u inspiruan, besuan, shkruan e luftuan për e nga Skënderbeu; hoxhallarë, priftërinj, shkrimtarë e luftëtarë të gjithë kanë lartësuar Skënderbeun! Fyesit fyejnë gjithë heronjtë e dëshmorët nëpër histori; fyejnë gjithë ata që duke shkrirë gjak e djersë ju mundësuan lirinë e të drejtën për shprehje të lirë edhe fyesve të tillë. Këta fyes nuk janë besimtarë - janë vetëm shpërndarës të urrejtjes e jofalenderues të pavlerë. Natyrisht se këtyre deputetëve aksidentalë vetëm populli (pa dallim feje) me votë e me mend do tu tregojë vendin e peshën; shumë shpejtë edhe atë. Por deri atëherë në do të duhet ti paguajmë (edhe majmë atë bile) me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Por përtej këtij aksidenti që merr vëmendjen e publikut vetëm pse jemi në Kosovë, e në Kosovë gjithçka, ama bash gjithçka mund të ndodhë, pra përtej anomalive si këto, më duhet të flasë qartazi për një fotografi pak më të gjerë që doli në pah ditët e fundit pasi predikues të rrezikshëm e deputetë naivë fituan  edhe ndaj fenomeneve të kamizhoizmit e të shefave të shefave.

Pjesa e parë e kësaj fotografie mu shfaq këtë të marte në emisionin Rubikon të KTV-së kur disa hoxhallarë me mrekulli, mençuri e urtësi – ashtu siç e do rendi e mbarësia e ashtu siç edhe jemi mësuar ti dëgjojmë prej që mbajmë veten mend – treguan për koekzistencën e identitetit kombëtar e fetar ndër shqiptarët nëpër vite. Këta hoxhallarë fillimisht i dhanë Kosovës shpresë dhe bindje se ka një forcë serioze të shumicës islame që do ti sjellë gjërat në vend. Por përtej saj, ata treguan qartësisht se ka një strukturë të rrezikshme brenda institucioneve religjioze që punon në reaksion të tyre dhe se kjo forcë është shtyrë e mbjellë çuditërisht edhe nga strukturat e tanishme udhëheqëse religjioze në vend. Gjithsesi, dalja dhe fuqizimi i njerëzve si ta u ndalon hovin gjithë naivëve që klasifikojnë si anti-islam (se nuk dinë e nuk duan ndryshe) secilin që mendon ndryshe nga dikush që i flet dy-tri fjalë arabisht. Në fund të fundit edhe këta (e të tjerët që mendojnë si ta) janë po aq të thirrur (e me paraqitjen e tyre kuptova se edhe më shumë) për interpretim religjioz. Prandaj institucionet përfaqësuese të popullit e të shumicës duhet të bëjnë aleanca me njerëz mu si këta për ti zhbërë të gjitha defektet e çastit e nxitësit e urrejtjes në Kosovë. Shkrimi i kësaj jave nga ish-kryeministri britanik Toni Blair, i botuar edhe në “Koha Ditore” dëshmon më së miri për natyrën e njerëzve të tillë të mbarë, të cilët janë shumicë absolute por nuk arrijnë të organizohen.

Pjesa e dytë e kësaj fotografie ka të bëjë me burimin e problemeve si këto. Kosova në 14 vitet e fundit, e veçanërisht në këto 5-6 vitet e pavarësisë, nuk ka arritur të mbulojë asnjëherë vrimat e varfërisë, papunësisë e skamjes. Këto vrima megjithatë janë mbushur nga sekte e organizata financiarisht të fuqishme të cilat të papenguara nga politikanë të korruptuar e të zënë më hajni, kanë mbjellë programe që njeriu nuk i gjen as edhe në vendet më të errëta sot nëpër botë. Kështu ka ndodhur në disa vende të pas luftës e të varfra. E përderisa ne do të kemi të papunë çdo të dytin e në skamje çdo të tretin, përderisa kemi politika e para-politika që stimulojnë ekzistencën e çdo anomalie të mundshme në vend, atëherë kosovarët do të ballafaqohen me fenomene të tilla për një kohë të mirë.

Pjesa e tretë e kësaj fotografie ka të bëjë me shfrytëzimin e anomalive si këto nga një strukturë tjetër mirë e organizuar, para-qeveria. Kjo strukturë duke vënë në funksion media nën kontroll të vetin arrin të nisë cikle reaksionesh për çështje kaq personale sikurse besimi. Kështu ata arrijnë të shpërqendrojnë vëmendjen nga probleme qenësore për Kosovën. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ekstremistë e deputet naiv nuk ekzistojnë; janë dhe meritojnë trajtim të njëjtë me apo pa vëmendjen e dhënë nga media para-institucionale. Problemi është se diskutimet si këto bëhen vetëm atëherë kur para-institucionet duan kështu. Përveç kësaj, lëvizjet e tilla ekstreme do të shërbejnë si kartë e zgjatjes së jetës së strukturave para-institucionale për një kohë bukur të gjatë. Do të jenë vet këto struktura që do të paraqesin veten si garantues të stabilitetit e sigurisë, ani pse në rend të parë janë mu këto struktura që nëpërmjet legjitimitetit institucional kanë krijuar kushte e vazhdojnë të krijojnë kushte për ekzistencën e ekstremistëve.

Pjesa e katërt e kësaj fotografie ka të bëjë më mungesën absolute të guximit në mes të një grumbulli të madh akademikësh, politikanësh e aktivistësh për tu marrë me çështje kaq thelbësore për shtetin e vendin. Të njëjtit janë në gjendje të flasin e shkruajnë për çështje nga më të parëndësishmet, por nuk flasin se nuk flasin kur i rrezikohet identiteti kombëtar e fetar. Të tillët si këta që bëjnë në rend llogaritjet e votave e përkrahjes na duhen më së paku. Kudos për gjithë të tjerët që sot mbrojnë njëzëri identitetin tonë kombëtar e religjioz; nga politikanët e rrallë, aktivistët e rrallë e deri tek hoxhallarët si ata të Rubikonit.
                                                   



Friday, 7 June 2013

SUPERPOLITIKANËT

Letra nga limbo
KOHA DITORE 7 QERSHOR 2013

Një përballje e dhimbshme kosovare me ecjen madhështore anti-korrupsion të sllovenëve e kroatëve


Dy vjet burg e 37.000 euro gjobë është dënimi i dhënë nga gjykata sllovene për ish-kryeministrin slloven Janez Jansha. Jansha bëhet ish-kryeministri i dytë në Ballkan që dënohet për afera korruptive pas kroatit Ivo Sanader, e i cili  vetëm një vit më parë u dënua me plot 10 vite burg. Slloveni u dënua për aferën “Patria”, një kompani kjo finlandeze e cila kishte marrë një kontratë prej 278 milion eurove (pak a shumë sa PTK-ja jonë e falur). Në këmbim të kontratës ‘Patria’ kishte dhënë ryshfet rreth 2 milion euro për kryeministrin e atëhershëm Jansha e dy zyrtarë të tjerë slloven. Shpërthimi i skandalit kishte bërë që kontrata të mos fuqizohej asnjëherë.

Me të dëgjuar lajmin më erdhën dy mendime. I pari, se sllovenët paskan një normë ‘simbolike’ të korrupsionit e haraçit prej vetëm 1%. Në Kosovë, gjithmonë sipas skandalit të pasaportave, nën 10% as që të bëjnë hesap. Të tanët për një kontratë 14 milionëshe të pasaportave kanë fshirë po aq para sa sllovenët për 278 milionë. Për 278 milionë tek ne duhet pritur disa vite deri sa të kuptojmë tallin nga falja e PTK-së. Në të vërtetë, duke i lejuar vetës luksin e mendimeve se e keqja minimale megjithatë mund të pranohet (sa për ilustrim e assesi për të bërë standard) them se sikur në vend të kishim korrupsion prej vetëm 1% jo nga viti 1999 e këndej, por vetëm në 5-6 vitet e fundit, Kosova do të ishte krejt ndryshe; në të vërtetë do të ishte shumë më ndryshe, për disa miliarda euro më ndryshe.

Mendimi i dytë ishte më serioz. Dënimet për Jansha e Sanader kanë një simbolikë tjetër; ato tregojnë pjekurinë e sllovenëve përkatësisht kroatëve përballë nevojës për shtetbërje. Në të vërtetë dënimet që nuk kursejnë as edhe figurat më të larta shtetërore dëshmojnë se sa shumë e duan të njëjtit shtetin e vendin dhe sa larg janë të gatshëm të shkojnë ata për të. Nuk mund as ta bëj me mend se kjo gjeneratë e sodit, e politikanëve, e gjyqtarëve,  e mendimtarëve, e analistëve e në fund edhe e votuesve, mund të ndërtojë një sistem të vlerave e përgjegjësisë sa sllovenët e kroatët; madje jo për të kërkuar përgjegjësi prej kryeministrit, por as prej një ministri të rëndomtë.

Kosova që për dallim nga sllovenët e kroatët vlerësohet të ketë nivelin e korrupsionit shumëfish më të përhapur, në këto pesë e sa vite shtetndërtim nuk ka arritur të gjejë, dënojë e mbajë fajtor as edhe një ministër të vetëm. Kosova e ranguar në vendin e 105 në indeksin e korrupsionit nga Transparancy International për dallim nga Sllovenia  në vendin e 37-të e Kroacia në të 62-in, nuk ka arritur se nuk ka arritur të zhvillojë një proces të vetëm serioz gjyqësor as atëherë kur skandalet si këto të pasaportave marrin gjithë kabinetin e ministrit e gjithë ministrinë. Në të vërtetë, skandalet e ministrave në Kosovë shpërthejnë edhe pa filluar të njëjtit punën. E në vend të mbajtjes përgjegjës për dëm ndaj vendit ne i shpërblejmë me më tepër fuqi e me më tepër mundësi për të vazhduar avazin e njëjtë. Sikur “CV-ja” politike në vend duhet domosdo të ketë përvojën e skandalit; në të kundërtën nuk je i denjë.

E kur jemi tek ministrat, politikanët, korrupsioni e hajnia – e rrjedhimisht ndërlidhshmëria natyrale e tyre, nuk di se a ka ndonjë proces e rast më të kompletuar për të bërë si shembull se sa procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve tanë. Paramendoni habinë tonë në format që të njëjtit i vetë-deklarojnë vullnetarisht. Hamendemi, trishtohemi e prapë pajtohemi me to por megjithatë bëhet fjalë për vlera që politikanët tanë vullnetarisht i tregojnë si të dhëna. Tash paramendoni pjesën tjetër të pasurisë që nuk duan ta deklarojnë, e që bën pjesën ende të pashpërlarë të pasurisë. Në të vërtetët mos e paramendoni fare; është e rëndë. Është po aq e rëndë sa edhe vet tendenca naive e politikanëve të njëjtë që nëpërmjet vetëdeklarimit të pasurisë të legjitimojnë atë. Besoj i keni dëgjuar tashmë deklaratat sa herë të njëjtit gjenden para akuzave për korrupsion, se “pasuria ime është e pastër” meqë të njëjtit aq na e paskan deklaruar atë në një agjenci. Prej kur deklarimi qenka legjitimim i pasurisë?

Nuk ka as edhe një gjë të keqe që të kemi njerëz të pasur në politikë. Madje, thënë të drejtën, “jemi ku jemi dhe pse jemi çfarë jemi, i kemi punët si i kemi” jo pse kishim të pasur në këto vite, por se nuk kishim të tillë. Pra nuk ka asgjë të keqe nga të qenit i pasur – u pasurofshin në mendje e në xhep të gjithë; por ka shumë të keqe nëse ky pasurim vjen nga politika, mundi e djersa e taksapaguesve kosovarë. Ka shumë të keqe nëse në katër vite nga një fukara i lodhtë bëhesh milioner duke bërë asgjë tjetër veçse politikë. Ka tri shpjegime po ndodhi kështu: një, ke punuar në stilin Jansha-Sanader dhe kalon për aq sa kalon deri sa të zëvendësohemi nga një gjeneratë guximtare e më atdhedashëse se sa ne; dy, ke shpenzuar kohën e paguar për të qenë në shërbim të qytetarëve për punë e biznes tëndin, prandaj shteti askund e ti në miliona; dhe tre, gjatë gjithë kohës sa ke qenë në politikë ke bërë punë të pashoq, ke shkrirë mendje e djersë sa s’bëhet më, dhe rastësisht ke fituar loto – prandaj dhe milionat. Loto nuk mbaj mend të ketë fituar ndonjë.

Në të vërtetë ka edhe një grup tjetër të politikanëve që i bëjnë nga katër e pesë punë në të njëjtën kohë, pothuajse të gjitha si punë primare. Janë këta super-politikanë. E dini si kanë kohë për këto punë? Sepse nuk bëjnë punë të shtetit për çfarë edhe janë të thirrur. Sikur të njëjtit të kishin shtetin prioritet jo në njëzet e katër orë të dedikimit të tyre, siç e do nevoja nisur nga halli i këtij vendi të shkretë, por në “vetëm” tetë orë pune të orarit të rregullt, shteti i tyre e i imi e i juaji do të ishte shumë më ndryshe. Vetëm në Kosovë puna në udhëheqje të shtetit (prej deputetit e deri tek ministrat) është punë sekondare. E tmerrshme edhe për alternativat politike që i kemi; sa për të na këputur këmbët e shpresat se janë të gjithë të njëjtë.

Në një situatë të tillë kur fqinjët tanë në Ballkan ecin shpejtë, shumë më shpejtë se ne, në kohë kur një gjeneratë e tërë humbë shansin për një jetë më të denjë, më të drejtë e më të shëndoshë, e tëra çfarë mund të bëjmë është të kërkojmë vetëm njerëz të mirë. Më nuk ka rëndësi a është i zoti, më i duhuri e më i dituri; rëndësi ka vetëm të jetë njeri i mirë e të mos jetë hajn. Në stadin e tanishëm as këta njerëz të mirë nuk arrijmë të i gjejmë.

Nuk do ti gjejmë përderisa nuk riprodhojmë rrugët që dërgojnë në sheshin “Gezi” në Turqi, atje ku dinjiteti qytetar ka një vijë të kuqe të shënuar përreth që nuk guxon ta kalojë as edhe dikush si diktatori në bërje Erdogan. Përderisa nuk bëjmë të njëjtat rrugë në Kosovë pasuria e deklaruar nga ta do të vazhdojë të na habisë edhe më shumë. Me energjinë e lodhtë që kemi këta tanët as hesap nuk do na bëjnë më.