Letra
nga limbo
KOHA DITORE, 14 MAJ 2013
Tregimi për Skënderbeun e të mbarët në një anë dhe
parainstitucionet e ekstremistët në anën tjetër
Kohë më parë po e
përshkruaja defektin politik, zaptues e korruptiv të Kosovës nëpërmjet një
kolumne të titulluar “Kohë të çuditshme”. Ka vetëm një gjë që bën gafat e të
korruptuarve më dytësore në opinionin publik, dhe rrjedhimisht kohën “e çuditshme”
në “edhe më të çuditshme”. Janë këta deputetë të çastit që fyejnë e denigrojnë
figura kombëtare shqiptare të cilat kanë mbajtur gjallë praktikisht çdo ndjenjë
të idealit shqiptar e lirisë shqiptare (edhe të vet fyesit) tash e pesëqind
vjet. Këta deputetë besoni ose jo flasin shqip, mendojnë shqip, por punojnë
anti-ship; ata megjithatë mbahen majmë nga taksapaguesit shqiptarë që sot janë
në derexhe të durojnë secilin kacabu jofalenderues e denigrues që manipulon me
integritetin njerëzor të të gjithë vendit.
Deputeti i
parëndësishëm që konteston e fyen rolin e Skënderbeut, përtej që shfaqë gërditshëm
urrejtjen ndaj identitetit shqiptar e ndaj gjithë historisë shqiptare, tregon në
të vërtetë edhe intencën e tij ultime të cilën nuk e ka shfaqur deri më tani
meqë nuk ka guxuar të bëj një gjë të tillë. Si pretendues i një “zbulimi” naiv,
i njëjti tregon se çfarë është në gjendje të bëj për shqiptarët; ai do ti zhbënte
ata të gjithë po të kishte mundësi – heronjtë, historinë, flamurin, gjuhën, të
gjitha. Prandaj i njëjti kërkon ndërrim të historisë, devalvim të heronjve e
zhbërje të simboleve. As që dua të diskutojë rreth argumentimit naiv të lidhshmërisë
e dallimeve në mes kombit e etnive dhe heroizmit kombëtar. Janë pretendime
tepër naive për tu marrë seriozisht (sidomos lidhshmëria se nuk ka pasur kombe
atëherë prandaj s’ka heronj kombëtar – kjo kalon edhe naivitetin e ndërtimit të
fakteve me një apo dy video në YouTube). Por them se deputeti naiv fyen jo
vetëm Skënderbeun, por fyen çdo mysliman e jomysliman
prej Marin Barletit, Sami Frashërit, Hoxhë Hasan Tahsinit, Mulla Haxhi Zekës,
At Gjergj Fishtës, Mic Sokolit, Ismajl Bej Qemajlit, Isë Boletinit, Luigj
Gurakuqit, Azem Galicës, Shaban Polluzhës, e deri tek Ibrahim Rugova e Adem
Jashari - që të gjithë u inspiruan, besuan, shkruan e luftuan për e nga Skënderbeu;
hoxhallarë, priftërinj, shkrimtarë e luftëtarë të gjithë kanë lartësuar
Skënderbeun! Fyesit fyejnë gjithë heronjtë e dëshmorët nëpër histori; fyejnë
gjithë ata që duke shkrirë gjak e djersë ju mundësuan lirinë e të drejtën për
shprehje të lirë edhe fyesve të tillë. Këta fyes nuk janë besimtarë - janë
vetëm shpërndarës të urrejtjes e jofalenderues të pavlerë. Natyrisht se këtyre
deputetëve aksidentalë vetëm populli (pa dallim feje) me votë e me mend do tu
tregojë vendin e peshën; shumë shpejtë edhe atë. Por deri atëherë në do të
duhet ti paguajmë (edhe majmë atë bile) me paratë e taksapaguesve kosovarë.
Por përtej këtij aksidenti që
merr vëmendjen e publikut vetëm pse jemi në Kosovë, e në Kosovë gjithçka, ama
bash gjithçka mund të ndodhë, pra përtej anomalive si këto, më duhet të flasë
qartazi për një fotografi pak më të gjerë që doli në pah ditët e fundit pasi
predikues të rrezikshëm e deputetë naivë fituan edhe ndaj fenomeneve të kamizhoizmit e të
shefave të shefave.
Pjesa e parë e kësaj fotografie
mu shfaq këtë të marte në emisionin Rubikon të KTV-së kur disa hoxhallarë me
mrekulli, mençuri e urtësi – ashtu siç e do rendi e mbarësia e ashtu siç edhe
jemi mësuar ti dëgjojmë prej që mbajmë veten mend – treguan për koekzistencën e
identitetit kombëtar e fetar ndër shqiptarët nëpër vite. Këta hoxhallarë
fillimisht i dhanë Kosovës shpresë dhe bindje se ka një forcë serioze të
shumicës islame që do ti sjellë gjërat në vend. Por përtej saj, ata treguan
qartësisht se ka një strukturë të rrezikshme brenda institucioneve religjioze që
punon në reaksion të tyre dhe se kjo forcë është shtyrë e mbjellë çuditërisht edhe
nga strukturat e tanishme udhëheqëse religjioze në vend. Gjithsesi, dalja dhe
fuqizimi i njerëzve si ta u ndalon hovin gjithë naivëve që klasifikojnë si
anti-islam (se nuk dinë e nuk duan ndryshe) secilin që mendon ndryshe nga
dikush që i flet dy-tri fjalë arabisht. Në fund të fundit edhe këta (e të
tjerët që mendojnë si ta) janë po aq të thirrur (e me paraqitjen e tyre kuptova
se edhe më shumë) për interpretim religjioz. Prandaj institucionet përfaqësuese
të popullit e të shumicës duhet të bëjnë aleanca me njerëz mu si këta për ti
zhbërë të gjitha defektet e çastit e nxitësit e urrejtjes në Kosovë. Shkrimi i
kësaj jave nga ish-kryeministri britanik Toni Blair, i botuar edhe në “Koha
Ditore” dëshmon më së miri për natyrën e njerëzve të tillë të mbarë, të cilët
janë shumicë absolute por nuk arrijnë të organizohen.
Pjesa e dytë e kësaj fotografie
ka të bëjë me burimin e problemeve si këto. Kosova në 14 vitet e fundit, e veçanërisht
në këto 5-6 vitet e pavarësisë, nuk ka arritur të mbulojë asnjëherë vrimat e
varfërisë, papunësisë e skamjes. Këto vrima megjithatë janë mbushur nga sekte e
organizata financiarisht të fuqishme të cilat të papenguara nga politikanë të
korruptuar e të zënë më hajni, kanë mbjellë programe që njeriu nuk i gjen as
edhe në vendet më të errëta sot nëpër botë. Kështu ka ndodhur në disa vende të
pas luftës e të varfra. E përderisa ne do të kemi të papunë çdo të dytin e në
skamje çdo të tretin, përderisa kemi politika e para-politika që stimulojnë
ekzistencën e çdo anomalie të mundshme në vend, atëherë kosovarët do të
ballafaqohen me fenomene të tilla për një kohë të mirë.
Pjesa e tretë e kësaj fotografie
ka të bëjë me shfrytëzimin e anomalive si këto nga një strukturë tjetër mirë e
organizuar, para-qeveria. Kjo strukturë duke vënë në funksion media nën
kontroll të vetin arrin të nisë cikle reaksionesh për çështje kaq personale
sikurse besimi. Kështu ata arrijnë të shpërqendrojnë vëmendjen nga probleme
qenësore për Kosovën. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ekstremistë e deputet
naiv nuk ekzistojnë; janë dhe meritojnë trajtim të njëjtë me apo pa vëmendjen e
dhënë nga media para-institucionale. Problemi është se diskutimet si këto bëhen
vetëm atëherë kur para-institucionet duan kështu. Përveç kësaj, lëvizjet e
tilla ekstreme do të shërbejnë si kartë e zgjatjes së jetës së strukturave
para-institucionale për një kohë bukur të gjatë. Do të jenë vet këto struktura
që do të paraqesin veten si garantues të stabilitetit e sigurisë, ani pse në
rend të parë janë mu këto struktura që nëpërmjet legjitimitetit institucional
kanë krijuar kushte e vazhdojnë të krijojnë kushte për ekzistencën e
ekstremistëve.
Pjesa e katërt e kësaj fotografie
ka të bëjë më mungesën absolute të guximit në mes të një grumbulli të madh
akademikësh, politikanësh e aktivistësh për tu marrë me çështje kaq thelbësore
për shtetin e vendin. Të njëjtit janë në gjendje të flasin e shkruajnë për
çështje nga më të parëndësishmet, por nuk flasin se nuk flasin kur i rrezikohet
identiteti kombëtar e fetar. Të tillët si këta që bëjnë në rend llogaritjet e
votave e përkrahjes na duhen më së paku. Kudos për gjithë të tjerët që sot
mbrojnë njëzëri identitetin tonë kombëtar e religjioz; nga politikanët e
rrallë, aktivistët e rrallë e deri tek hoxhallarët si ata të Rubikonit.
No comments:
Post a Comment