Friday, 7 June 2013

SUPERPOLITIKANËT

Letra nga limbo
KOHA DITORE 7 QERSHOR 2013

Një përballje e dhimbshme kosovare me ecjen madhështore anti-korrupsion të sllovenëve e kroatëve


Dy vjet burg e 37.000 euro gjobë është dënimi i dhënë nga gjykata sllovene për ish-kryeministrin slloven Janez Jansha. Jansha bëhet ish-kryeministri i dytë në Ballkan që dënohet për afera korruptive pas kroatit Ivo Sanader, e i cili  vetëm një vit më parë u dënua me plot 10 vite burg. Slloveni u dënua për aferën “Patria”, një kompani kjo finlandeze e cila kishte marrë një kontratë prej 278 milion eurove (pak a shumë sa PTK-ja jonë e falur). Në këmbim të kontratës ‘Patria’ kishte dhënë ryshfet rreth 2 milion euro për kryeministrin e atëhershëm Jansha e dy zyrtarë të tjerë slloven. Shpërthimi i skandalit kishte bërë që kontrata të mos fuqizohej asnjëherë.

Me të dëgjuar lajmin më erdhën dy mendime. I pari, se sllovenët paskan një normë ‘simbolike’ të korrupsionit e haraçit prej vetëm 1%. Në Kosovë, gjithmonë sipas skandalit të pasaportave, nën 10% as që të bëjnë hesap. Të tanët për një kontratë 14 milionëshe të pasaportave kanë fshirë po aq para sa sllovenët për 278 milionë. Për 278 milionë tek ne duhet pritur disa vite deri sa të kuptojmë tallin nga falja e PTK-së. Në të vërtetë, duke i lejuar vetës luksin e mendimeve se e keqja minimale megjithatë mund të pranohet (sa për ilustrim e assesi për të bërë standard) them se sikur në vend të kishim korrupsion prej vetëm 1% jo nga viti 1999 e këndej, por vetëm në 5-6 vitet e fundit, Kosova do të ishte krejt ndryshe; në të vërtetë do të ishte shumë më ndryshe, për disa miliarda euro më ndryshe.

Mendimi i dytë ishte më serioz. Dënimet për Jansha e Sanader kanë një simbolikë tjetër; ato tregojnë pjekurinë e sllovenëve përkatësisht kroatëve përballë nevojës për shtetbërje. Në të vërtetë dënimet që nuk kursejnë as edhe figurat më të larta shtetërore dëshmojnë se sa shumë e duan të njëjtit shtetin e vendin dhe sa larg janë të gatshëm të shkojnë ata për të. Nuk mund as ta bëj me mend se kjo gjeneratë e sodit, e politikanëve, e gjyqtarëve,  e mendimtarëve, e analistëve e në fund edhe e votuesve, mund të ndërtojë një sistem të vlerave e përgjegjësisë sa sllovenët e kroatët; madje jo për të kërkuar përgjegjësi prej kryeministrit, por as prej një ministri të rëndomtë.

Kosova që për dallim nga sllovenët e kroatët vlerësohet të ketë nivelin e korrupsionit shumëfish më të përhapur, në këto pesë e sa vite shtetndërtim nuk ka arritur të gjejë, dënojë e mbajë fajtor as edhe një ministër të vetëm. Kosova e ranguar në vendin e 105 në indeksin e korrupsionit nga Transparancy International për dallim nga Sllovenia  në vendin e 37-të e Kroacia në të 62-in, nuk ka arritur se nuk ka arritur të zhvillojë një proces të vetëm serioz gjyqësor as atëherë kur skandalet si këto të pasaportave marrin gjithë kabinetin e ministrit e gjithë ministrinë. Në të vërtetë, skandalet e ministrave në Kosovë shpërthejnë edhe pa filluar të njëjtit punën. E në vend të mbajtjes përgjegjës për dëm ndaj vendit ne i shpërblejmë me më tepër fuqi e me më tepër mundësi për të vazhduar avazin e njëjtë. Sikur “CV-ja” politike në vend duhet domosdo të ketë përvojën e skandalit; në të kundërtën nuk je i denjë.

E kur jemi tek ministrat, politikanët, korrupsioni e hajnia – e rrjedhimisht ndërlidhshmëria natyrale e tyre, nuk di se a ka ndonjë proces e rast më të kompletuar për të bërë si shembull se sa procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve tanë. Paramendoni habinë tonë në format që të njëjtit i vetë-deklarojnë vullnetarisht. Hamendemi, trishtohemi e prapë pajtohemi me to por megjithatë bëhet fjalë për vlera që politikanët tanë vullnetarisht i tregojnë si të dhëna. Tash paramendoni pjesën tjetër të pasurisë që nuk duan ta deklarojnë, e që bën pjesën ende të pashpërlarë të pasurisë. Në të vërtetët mos e paramendoni fare; është e rëndë. Është po aq e rëndë sa edhe vet tendenca naive e politikanëve të njëjtë që nëpërmjet vetëdeklarimit të pasurisë të legjitimojnë atë. Besoj i keni dëgjuar tashmë deklaratat sa herë të njëjtit gjenden para akuzave për korrupsion, se “pasuria ime është e pastër” meqë të njëjtit aq na e paskan deklaruar atë në një agjenci. Prej kur deklarimi qenka legjitimim i pasurisë?

Nuk ka as edhe një gjë të keqe që të kemi njerëz të pasur në politikë. Madje, thënë të drejtën, “jemi ku jemi dhe pse jemi çfarë jemi, i kemi punët si i kemi” jo pse kishim të pasur në këto vite, por se nuk kishim të tillë. Pra nuk ka asgjë të keqe nga të qenit i pasur – u pasurofshin në mendje e në xhep të gjithë; por ka shumë të keqe nëse ky pasurim vjen nga politika, mundi e djersa e taksapaguesve kosovarë. Ka shumë të keqe nëse në katër vite nga një fukara i lodhtë bëhesh milioner duke bërë asgjë tjetër veçse politikë. Ka tri shpjegime po ndodhi kështu: një, ke punuar në stilin Jansha-Sanader dhe kalon për aq sa kalon deri sa të zëvendësohemi nga një gjeneratë guximtare e më atdhedashëse se sa ne; dy, ke shpenzuar kohën e paguar për të qenë në shërbim të qytetarëve për punë e biznes tëndin, prandaj shteti askund e ti në miliona; dhe tre, gjatë gjithë kohës sa ke qenë në politikë ke bërë punë të pashoq, ke shkrirë mendje e djersë sa s’bëhet më, dhe rastësisht ke fituar loto – prandaj dhe milionat. Loto nuk mbaj mend të ketë fituar ndonjë.

Në të vërtetë ka edhe një grup tjetër të politikanëve që i bëjnë nga katër e pesë punë në të njëjtën kohë, pothuajse të gjitha si punë primare. Janë këta super-politikanë. E dini si kanë kohë për këto punë? Sepse nuk bëjnë punë të shtetit për çfarë edhe janë të thirrur. Sikur të njëjtit të kishin shtetin prioritet jo në njëzet e katër orë të dedikimit të tyre, siç e do nevoja nisur nga halli i këtij vendi të shkretë, por në “vetëm” tetë orë pune të orarit të rregullt, shteti i tyre e i imi e i juaji do të ishte shumë më ndryshe. Vetëm në Kosovë puna në udhëheqje të shtetit (prej deputetit e deri tek ministrat) është punë sekondare. E tmerrshme edhe për alternativat politike që i kemi; sa për të na këputur këmbët e shpresat se janë të gjithë të njëjtë.

Në një situatë të tillë kur fqinjët tanë në Ballkan ecin shpejtë, shumë më shpejtë se ne, në kohë kur një gjeneratë e tërë humbë shansin për një jetë më të denjë, më të drejtë e më të shëndoshë, e tëra çfarë mund të bëjmë është të kërkojmë vetëm njerëz të mirë. Më nuk ka rëndësi a është i zoti, më i duhuri e më i dituri; rëndësi ka vetëm të jetë njeri i mirë e të mos jetë hajn. Në stadin e tanishëm as këta njerëz të mirë nuk arrijmë të i gjejmë.

Nuk do ti gjejmë përderisa nuk riprodhojmë rrugët që dërgojnë në sheshin “Gezi” në Turqi, atje ku dinjiteti qytetar ka një vijë të kuqe të shënuar përreth që nuk guxon ta kalojë as edhe dikush si diktatori në bërje Erdogan. Përderisa nuk bëjmë të njëjtat rrugë në Kosovë pasuria e deklaruar nga ta do të vazhdojë të na habisë edhe më shumë. Me energjinë e lodhtë që kemi këta tanët as hesap nuk do na bëjnë më.



No comments: