Letra nga
limbo
KOHA DITORE, 21 QERSHOR 2013
Bjellorusia,
Turkmenistani, Azerbajxhani, Kazakistani
e Taxhikistani janë pesë vende që
rangohen nën Kosovën e të cilat konsiderohen nga Freedom House si vende
autoritare; Kosova konsiderohet vend gjysmë-autoritar. Në fjalë të tjera vendi
ynë është sa gjysma e vendit të “diktatorit të fundit Evropian” Lukashenko që
nderon Hitlerin; sa gjysma e vendit të Niyazovit që ndërron emërtimet e muajve
me emrat e familjarëve; apo sa gjysma e vendit të Aluyevit që vrasësit bën hero
nacional. Sa afër rrënimit jemi. Sa keq.
-1-
Juan Linz është sociolog
gjerman i bërë i njohur botërisht për teoritë e tij mbi totalitarizmin dhe
autoritarizmin. Në vitin 1964 ai kishte shpjeguar që secili regjim që përmbush
katër tipare specifike mund të konsiderohej si regjim autoritar. Tipari i parë
kishte të bënte me pluralizmin politik të kufizuar dhe të papërgjegjshëm; thënë
ndryshe me kufizimet politike mbi institucionet, gjykatat dhe grupet e tjera të
supozuara si të pavarura në një vend. Tipari i dytë kishte të bënte me krijimin
e bazës së ligjshmërisë - ligjshmëri kjo që mbështetej në emocione e arsyetime
se regjimi dhe autoriteti ultim janë të domosdoshme për të mundur e zhbërë
dukuritë negative në vend. Tipari i tretë nënkuptonte përdorimin e taktikave
represive kundër kundërshtarëve të regjimit me qëllim të parandalimit të çfarëdo
energjie anti-regjim (këtë ta mbani mend më shumë). Tipari i fundit nënkuptonte
dashakeqësinë e fuqisë ekzekutive në relacion me të tjerët.
-2-
Freedom House është padiskutueshëm
organizata më e njohur dhe më kredibile sot në botë. Ajo zhvillon e publikon
hulumtime në fushën e demokracisë, lirisë politike dhe të drejtave të njeriut
në baza të përvitshme. E themeluar në vitin 1941 nga zonja e parë asokohe
Eleanor Roosevelt, sot ky institucion përveç se financohet dhe mbështetet nga qeveria
e SHBA-ve, bën edhe burimin më të përhapur mbarësisht për hulumtues, gazetarë e
qeveri. Njëherë madje ish-Presidenti amerikan Bill Clinton e kishte cilësuar
Freedom House si “zërin e tolerancës për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”. Ai madje
kishte konsideruar se njerëzit nëpër botë jetojnë më mirë mu për shkak të punës
së këtij institucioni. Thënë ndryshe, gjetjet dhe konstatimet e Freedom House
kanë orientuar e orientojnë në vazhdimësi politikën e SHBA-ve dhe aleatëve të
saj drejt ndërtimit të demokracisë e lirisë nëpër vendet tjera. Serioziteti dhe
kredibiliteti i konstatimeve të tilla nuk është kontestuar e dyshuar asnjëherë nga
ta e akterë të tjerë kërkimorë mbarësisht.
Natyrisht se këtë nuk kanë se
si ta dinë ata që punën e Freedom House besoni ose jo këtë javë e konsideruan
“punë kafesh”; janë ministrat tanë se kush tjetër. Si ta dinë të mjerët kur nuk
kanë haber për asgjë që kalon kodrën e Veternikut, tymtarët e Obiliqit e
liqenin e Badovcit. Përtej poltikëbërjes nëpër kafe e muhabeteve nëpër kaçuba
“më tha të thash”, e tëra çfarë mund të prodhojë diapazoni i tyre i vockël
është trajtimi i Freedom House si llafazan kafenesh. Si ta dinë të shkretët kur
në jetën e begatinë e tyre (të vockël gjithsesi) akademike e politike nuk kanë
lexuar, shkruar e punuar me, asnjë shkronjë të treguesve të Freedom House apo
çfarëdo treguesi tjetër për që ju bëhet vonë. Si ta dinë ata.
-3-
Freedom House çdo vit nxjerr raportin
vjetor “Liria nëpër Botë”, raport ky që vlerëson nivelin e demokracive në plot
195 shtete. Këtë javë të njëjtit publikuan gjetjet e tyre për këtë vit. Pjesë e
analizës së publikuar ishin edhe zhvillimet politike dhe ekonomike në ish
vendet e tranzicionit, ku bënte pjesë edhe Kosova. E gjersa po trajtohej niveli
i korrupsionit në këtë prezantim, u tha se nga 28 vende të tranzicionit, 25
kishin shënuar përparim e stagnim, tri shtete kishin shënuar regres. Kosova,
sipas raportit në fjalë, bënte pjesë në këtë treshen regresive. Çfarë dëshpërimi
– as ta mbajmë hajninë në nivel të njëjtë nuk qenkemi të zot. Jo se pritej më
ndryshe thënë të drejtën. Shteti ynë ka kohë që është shthurur e nuk arrin të
japë një fije shprese se mund të kthejë
gjërat mbarë. Nuk di se çfarë ka mbetur e çfarë do të mbes pasi të kenë
gdhendur çdo potencial të tij. Sinqerisht nuk mbaj mend të ketë pasur Kosova
papërgjegjshmëri më të lartë se sot; sikur nuk i bëhet vonë askujt për
qeverisje.
Sado e dhimbshme që dukej trendi
i korrupsionit, kishte një gjë tjetër që vinte nga kjo organizatë e që dëshpëronte
edhe më shumë. Përtej rangimeve në korrupsion, media e shoqëri civile, Freedom
House kishte ranguar edhe nivelin e demokracisë nëpër regjimet e këtyre 28
vendeve të tranzicionit. Qeverisja e Kosovës në këtë rangim, besoni ose jo,
konsiderohej si gjysëm-autoritative; duke qëndruar pas qeverisjes tranzicionale
në Shqipëri e Bosnjë, qeverisjes gjysmë demokratike në Serbi e Kroaci e shumë
larg qeverisjes demokratike në Slloveni e Hungari. Kosova madje ishte i vetmi
vend në Ballkan që bënte pjesën mes shteteve të Euro-Azisë. Ajo ishte vendosur
në një kategori me Armeninë e Kyrgystanin si dy vende tjera që konsideroheshin
si gjysmë-autoritare. Prapa Kosovës kishte vetëm një qeverisje më të rëndë, ajo
autoritative.
-4-
Aleksandër Lukashenko,
presidenti i Bjellorusisë ka mbi 20 vite që udhëheq vendin e tij në formën më
bizare të mundshme duke shkelur çdo normë e çdo rregull të dinjitetit e
trajtimit human. Bjellorusia përndryshe ishte trajtuar e trajtohet nga Bashkimi
Evropian e çdo diplomat perëndimor si “diktatura e fundit në zemër të Evropës”.
Në vitin 2005 Lukashenko kishte lavdëruar hiç tjetër veçse Adolf Hitler. Saparmurat
Niyazov, kishte udhëhequr Turkmenistanin nga viti 1990 deri në vitin 2006 (deri
në vdekjen e tij). Mediat botërore e kishin konsideruar Niyazov-in si liderin
më totalitar e më represiv nëpër botë. Obsesioni e çmenduria prej diktatori
kishin shtyrë madje atë të ndërronte emrat e muajve të vitit me emrat e
familjarëve të tij apo ngjarjeve rreth tij. Janarin e kishte emëruar sipas
emrit të tij, prillin me emrin e të ëmës, ndërkaq shtatorin me titullin e një
libri të tij. Ilham Aliyev, presidenti i tanishëm i Azerbajxhanit që nga viti
2006, djali i ish presidentit të Azerbajxhanit Heydar Aliyev (1993-2003), konsiderohet
sot nga The Independnet, BBC, Daily Telegraph e Daily Mail (ndër të tjerash) si
abuzues e diktator i paskrupullt. Në një rast vite më parë, pasi kishte bindur
Hungarinë për ekstradimin e një vrasësi të dënuar me burgim të përjetshëm me
premtimin se i njëjti do të vuante dënimin në Azerbajxhan, e kishte shpallur atë
hero kombëtar duke i siguruar pension të përjetshëm e trajtim të veçantë deri
në vdekje. Nursultan Nazarbayev president i Kazakistanit dhe Emomalii Rahmon
president i Taxhikistanit, përshkruhen sot si diktatorë e individë abuziv të të
drejtave e lirive të njeriut. Ky i fundit madje mbahet përgjegjës për vdekjen e
100 mijë taxhikëve.
Bjellorusia, Turkmenistani,
Azerbajxhani, Kazakistani e Taxhikistani janë pesë vende që rangohen nën Kosovën e të
cilat konsiderohen nga Freedom House si vende autoritare. Kujtoj se Kosova
konsiderohet vend gjysmë-autoritar. Në fjalë të tjera vendi ynë është sa gjysma
e vendit të “diktatorit të fundit Evropian” që nderon Hitlerin; sa gjysma e
vendit të Niyazovit që ndërron emërtimet e muajve me emrat e familjarëve; apo
sa gjysma e vendit të Aluyevit që vrasësit bën hero nacional. Sa afër rrënimit
jemi. Sa keq.
-5-
Se Kosova është vend
gjysmë-autoritar, për këtë pakkush mund të argumentojë ndryshe. Tetë kryetarë
komunash nën hetime e të dënuar, të dënuar të tjerë e të arratisur në pikë të
ditës (nën ndihmën e regjimit gjithsesi); gjykatës që ju pritet kravata nga
super-politikanë, dënimi i të cilëve më pas cilësohet si tendencë për njollosje
a ku ta di unë; shefa të shefave që ndjekin prokurorët nga Kuvendi, e djem të
shefave që rrahin policë – vetëm për të suspenduar policin e për të harruar
rrahësit; të korruptuar e hajna që i qeshin skandaleve vetëm se janë në
politikë e mospërgjegjësi totale edhe kur vjedhjet bëhen publike; zaptime
politike në institucione edukative, shëndetësore, agjenci të pavarura, borde,
ndërmarrje publike, polici e shërbime sekrete; rahatime të familjarëve, akrabave,
miqve e militantëve; dhënie tenderësh akrabave të politikanëve; sistem paralel
kriminal i informimit që mbanë peng strukturat e sigurisë; persekutim gjygjësor
ndaj gazetarëve, e përshpejtim rastesh politike
vetëm kur para-politka do ashtu; të gjitha këto bëjnë fotografinë e
vendit tonë gjysmë-autoritar.
Kujtoni të gjitha skandalet në
këto 4-5 vitet e fundit, kujtoni të gjitha trajtimet politike ndaj këtyre skandaleve,
kujtoni kontrollin e pamëshirshëm e anti-demokratik të ushtruar nga
para-politika në Kuvend, kujtoni përgjimet, kujtoni votat e vjedhura, kujtoni
votimin 140%, kujtoni faljen e aseteve drejt fondeve të panjohura, kujtoni
deklarimet e pasurisë e pasuritë e padeklaruara, kujtoni zaptimet, tenderët,
aferat,ikjet e përqeshjet; kujtoni të
gjitha dhe keni vetëm një grimcë të realitetit të bërë publik gjysmë-autoritar.
Kosova nuk ka pasur asnjëherë që nga përfundimi i luftës qeverisje më të rëndë
e më degjeneruese; të paktën gjysmë-autoritar e gjysmë-paradiktatorial nuk jemi
konsideruar asnjëherë më parë.
-6-
Kosova madje tregoj tipare
tipike gjysmë-autoritare në trajtimin e problemit të ambasadorit Peci këtë
javë. Për t’iu kthyer tiparit të tretë të Juan Linz-it, pra “përdorimi i
taktikave represive kundër kundërshtarëve të regjimit me qëllim të parandalimit
të çfarëdo energjie anti-regjim”, deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme
dhe qëndrimet e një makinerie të tërë mediash nën kontrollin e autoritativëve,
treguan mu këtë javë se ku jemi, çfarë janë në gjendje të bëjnë, e se sa rrezik
është të jetosh në Kosovë për secilin që guxon ti kundërvihet regjimit gjysmë
autoritar. Jo për ti bërë favor ambasadorit, apo secilit tjetër që flirton me
regjime gjysmë-autoritare – ndoshta edhe meritojnë djegien – por trajtimi i një
“fishkëlluesi” me linçim nuk shitet dhe nuk bën të shitet.
Pas dorëheqjes së ambasadorit
Peci për shkak të kritikës së marrë nga kryeministri se ka kërkuar normalizim
vetëm pas njohjes reciproke (të paktën ashtu u tha nga ai), erdh një reagim
inatçor, fëmijëror e papërmbajtjesor nga Ministria e Punëve të Jashtme, që nën
gjuhën standarde tanimë të keqbërësve kosovar si sistem imunitar përdor
linçimin publik dhe lidhjet me shërbimin serb të palës tjetër. Fjalori i
“gatimeve në kuzhina serbe”, “tendencës për njollosje”, e kotësirave si këto,
ka marrë fund kaherë. Linçimi publik i njerëzve dhe trajtimi si spiunë sa herë
që mendojnë ndryshe prej pushtetit, zaptuesve e gjithë propagandës së tyre, megjithatë
tregon më së miri edhe derexhenë në të cilën u ra ky vend; në fund të fundit janë
mu këto aryse pse na trajtojnë organizatat prestigjioze si vend
“gjysmë-autoritarian.
-7-
Deklarata e MPJ-së ishte aq
absurde sa që përmbajtja e saj i jepte të drejtë në çdo rrethanë ambasadorit.
Në fjalë e gjuhë të popullit, deklarata tregonte tendencën për të gjetur “qime
në ve”. Paramendoni, MPJ akuzon ambasadorin e vet pse ka folur në gjuhën e vendit
ku është caktuar si ambasador, pra serbisht, e jo shqip – e në bazë të kësaj e
trajton atë si spiunë e si jokompetent. Në logjikën e njëjtë SHBA-të kaherë
është dashur të tërheqin ambasadoren amerikane në Prishtinë e cila ka kohë e
kohë që mundohet të thotë fjalë shqip; e njëtrajtësisht Kosova është dashur të
shkarkojë gjithë ambasadorët e saj në Ameërikë, Angli, Gjermani, Zvicër Francë,
e çdo kund tjetër që flasin anglisht, gjermanisht, frëngjisht e jo shqip. MPJ
si institucion diplomatik, sikur të mos zaptohej nga gjysmë-analfabetë e
gjysmë-aturitativë; (kombimin fatal përndryshe) do të duhej të dinte se është
mu punë diplomatësh komunikimi në gjuhë të huaj, se gjuha serbe është gjuhë
kushtetuese e Kosovës, e se në shekullin 21 nuk është krim të flasësh serbisht.
Për më tepër gjuha e një diplomatit të cilësuar vetëm muaj më parë nga
kryeministri i vendit si “ambasadori më i mirë që ka Kosova” nuk bën arsyen për
ta cilësuar atë si spiun vetëm se refuzon të ndjekë politikën e parapolitikën.
Linçimi i tillë dhe tendenca
nga një organizatë quasi-moderne si MPJ që të ngjallë turbo-folkun tek
militantët e pakët që në vend të trurit në raste të tilla vendosin refleksin
quasi-nacionalist, dëshmon më së miri edhe nivelin e dëshpërimit, nivelin e edukimit,
nivelin e trajtimit dhe në fund stilin e sharmin qeverisës që kanë politikanët
tanë. Në këso forme ata trajtojnë e do të trajtojnë çdo tendencë që i
kundërvihet regjimit. Mësimi për të
gjithë, megjithatë, është se njëtrajtësisht do të digjeni – të gjithë. Asnjë
sistem autoritar, gjysmë-autoritar apo çerek-autoritar nuk do ti mbijetojë
bazamentit linçues e denigrues që ndërton vet; është thjeshtë vetëshkatërrues.
abdixhiku@facebook.com
No comments:
Post a Comment