Sunday, 30 June 2013

JETA PA BERISHËN, KOSOVA DHE RAMA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 QERSHOR 2013

Them se Berisha duhet të falënderohet për çfarëdo kontributi që ka dhënë në gjithë këto vite politikëbërje. Në fund të fundit ka qenë i zgjedhur e i përkrahur prej shumicës. Por Shqipëria tashmë ka zgjedhur një rrugë ndryshe, bindshëm pa Berishën. Prandaj Rama duhet të përkrahet siç përkrahet vendi; në fund të fundit është kryeministri i ri i shqiptarëve me vullnetin e po të njëjtës shumicë. Do të ishte e pakuptimtë trajtimi i tij ndryshe.


Këtë javë Shqipëria prodhoj ndoshta befasinë më të madhe elektorale shqiptare të bërë në shekullin e ri. Jo për fitoren e së majtës, e cila thënë të drejtën pas avazeve të fundit kamikaze të së djathtës veçse ishte natyrale, por për diferencën e fitores – për thellësinë e mundjes dhe deklasimit, them unë, turpërues. Nuk ma do mendja që i majtë apo i djathtë, i mesëm apo i papërcaktuar, të ketë menduar një raport 85-55 në çdo mendim pak racional parazgjedhor. E edhe më pak mund ta ketë menduar dikush zhvillimin ultra të hovshëm të LSI-së pas gjithë flirtimeve amorfe herë në njërën anë e herë në tjetrën. Të paktën këndej në Kosovë flirtimet e tilla mbulohen me vetëm një “xhol”; të dytën herë digjesh.

Por përtej gëzimeve e kërcimeve në taborin e majtë, përtej heshtjes e vdekjes në të djathtin, dhe gjithsesi përtej mërzisë së pakuptimtë në pjesën më të madhe të Kosovës, them se rezultati i zgjedhjeve të fundit prodhon tri akte vlerësuese, e të cilat do të provoj ti shtjelloj më poshtë.

-1-

Akti i parë ka të bëjë me vlerësimin e, tashmë kryeministër në ikje Sali Berisha; emri i të cilit do të lakohet për një kohë të gjatë - për të mirë kryesisht. Si i “Fundit i Mohikanëve” nga Ballkani, Berisha kishte fatin e talentin të mbijetonte (në kohë së paku) të gjithë sendorët e tjerë postkomunist përreth tij; Rugovën e Kosovës, Izetbegoviqin e Bosnjes, Tuxhmanin dhe Mjesiqin e Kroacisë, Millosheviqin e Serbisë e Gligorovin e Maqedonisë. Në të vërtetë, Berisha mbetet i vetmi politikan post-komunist në rajon që në vitin 2013 udhëhiqte me shtet; impresive.

Për të mirën të tij apo për të keqen e demokracisë, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka konstatimi se 23 vjet politikëbërje në potencialisht vendin më të vështirë për politikë është punë e madhe. Paramendoni gjithë energjinë, vullnetin, karizmin e optimizmin e treguar në gjithë këto vite, në humbje, fitore, kthime, rënie e përsëri kthime. Aftësia për të bërë Shqipërinë gjithsesi shumë më ndryshe se nga dita zero pas komunizmit, flet shumë për të dhe punën e tij. Integrimi në NATO, liberalizmi i vizave për BE, përmirësimi i standardit të jetesës së shqiptarëve bashkë me disa projekte të rëndësishme kapitale që i kanë dhënë Shqipërisë një ngjyrë tjetër, janë të gjitha procese të nisura apo të zhvilluara nën sovranitetin e tij - e të cilat duhet ti kreditohen qytetarëve, ekipit e vendit të udhëhequr mu nga ai. Meritor si i shpallur.

Njëtrajtëshit duhet ti kreditohen edhe të gjitha ato aferat e shumta korruptive që i shpërthenin në këmbë, nepotizmi në administratën publike, lidhjet me biznesmenë të dyshimtë, e njëmijë e një skandale tjera që vetëm po ju falen mund të harrohen. Raportet ndërkombëtare që vënë Shqipërinë edhe sot si vendin më mafioz e më korruptiv në Evropë nuk janë të shkruara sa për kot; ato në fund të fundit dëshmojnë mu paaftësinë apo pavullnetin e tij për ti zhbërë ato. Fajtor si i shpallur.

Nuk dua të bëjë verdiktin se cila anë peshon tjetrën, gjithsesi jo në këtë kohë të militantizmit e mbizotërimit të inercionit e euforisë në një anë, e dëshpërimit e pakënaqësisë në anën tjetër. Dua vetëm të them se shqiptarët në të dy anët e kufirit kanë për obligim të falënderojnë Berishën për gjithë mundin dhe punën e mirë të bërë në plot njëzet e sa vite. Pa të Shqipëria gjithsesi nuk do të ishte kjo që është tani. Njëtrajtësisht, shqiptarët militantë të së djathtës dhe çdo simpatizues inert i Berishës, duhet të kuptojë se asnjë politikan në demokraci nuk e ka udhëheqjen e përjetshme; përveçse nëse e sheh veten si mbret e ambientin rreth tij jodemokratik. Para e pas Berishës ka pasur e do të ketë liderë edhe më të mëdhenj botërorë që në shenjë e nderim të demokracisë kanë përmbyllur mandatet e tyre - madje edhe vullnetarisht. Kur George Washington kishte përfunduar mandatin e dytë (dhe të fundit) presidencial në Amerikë, përkrahja e pakontestuar ndaj ti kishte ngritur zëra që kërkonin edhe ndërrimin e Kushtetutës Amerikane për ti mundësuar presidentit të parë amerikan edhe mandatin e tretë. Ishte vet Washington që kishte insistuar ndryshe, “...nëse nuk e ka bërë Washington, nuk do ta bëjë asnjë tjetër pas meje...” kishte thënë atëherë. Nga Wilson tek Reagan, nga Clinton tek Obama, të gjithë burrështetas e liderë të mëdhenj, kanë pasur e do të kenë një kohë dhe vetëm një dritare për të bërë për vendin diçka; pas tyre do të vijnë të tjerë, po aq e më shumë të zot.

Berisha kam përshtypjen se në fund lakmoj më tepër se që i lejohet një lideri demokratik. Berisha kam përshtypjen se u rrethua nga njerëz që, njëjtë sikurse tek këta liderët e pashtershëm kosovarë, ua bëjnë rrafsh duke ua humbur percepcionin për gjithçka që ndodhë jashtë tyre. Do të duhet të kenë qenë punët me të vërtetë keq e rëndë në Shqipëri gjatë këtyre viteve të fundit nëse dy të tretat e shqiptarëve nuk flasin gjuhën e tij. Berisha kam përshtypjen se përfundoj jetën politike si humbës (i thellë) kur mund të dilte më ndryshe; gjithsesi bëri jetën politike si një kampion.

-2-

Akti i dytë ka të bëjë me fytyrën e re të primatit shqiptar, Edi Ramën. Një lider kontraverz, pa një model të promovuar ku me ditë sa, por me shumë vullnet e energji për të marrë stafetën e vazhduar garën. Zgjedhja e tij mund të mos jetë më e mira potencialisht, por është më e mira e mundshme sot në Shqipëri. Vazhdimi i avazit të së djathtës me Berishën në pafundësi do të tensiononte edhe më tepër ngërçin e fundit politik në vend por edhe brenda PD-së, e cila ka kohë që ka humbur kuptimin e fjalës së dytë “demokratike” në të. Alternativa me Metën do të ishte një film triler pa fund të qartë; ndërkaq eksperimentet me Kreshinikun “në lule” e Topin “e flakur” janë tepër insignifikante për tu marrë seriozisht. Rama mbetet përfundimi i vetëm natyral sot.

Ai duket se ka një konsolidim partiak të fuqishëm, gjithsesi po vazhdoj shumë edhe të rrezikshëm për të sjellë Shqipërinë e PS-në në gjendjen e njëjtë çfarë e solli fundi i Berishës vendin dhe partinë; duket sa ka një ekip të uritur për të dëshmuar veten, dhe duket se mbi të gjitha ka simpatinë e fuqive ndërkombëtare të cilat duan të shohin Shqipërinë të ecë më shpejtë drejt integrimit evropian. Në të vërtetë, fitorja solide e Ramës i jep atij çdo mundësi për të bërë mrekulli me Shqipërinë. Pengesat e bllokadat e pakuptimta pozitë-opozitë të dhëna në pafundësi gjatë katër viteve të fundit, do të jenë më të pakta. Mundësitë për të vendosur gjithë platformën populliste (gjithsesi për mua pak të realizueshme) të promovuar gjithandej i ka po aq të hapura. Rama në të vërtetë i ka të gjitha mundësitë që për dy mandate të bëjë Shqipërinë anëtare të plotë në BE. E mu për këtë arsye shqiptarët gjithandej (sidomos bashkë-kosovarët e mi të çmuar) duhet ta përkrahin atë pa rezerve. Sot ai është  kryeministër i shqiptarëve i zgjedhur me të njëjtën shumicë që kishte glorifikuar Berishën vite më parë; do të ishte e pakuptimtë trajtimi ndryshe, sidomos ende pa parë e provuar punën e tij të parë si kryeministër.

Rama meriton shansin e kërkuar në sa e sa vite. Për hir të dy të tretave të shqiptarëve që me entuziazmin më të madh dhanë votën e lirë, në një proces që filloj trishtueshëm me vrasje, por përfundoj me mrekulli; për hir të gjithë atyre njerëzve në Partinë Socialiste që janë shqiptarë e atdhedashës po aq sa të tjerët në partitë e tjera; për hir të gjitha problemeve që i ka Shqipëria sot e që do ti ketë edhe nesër, Rama meriton përkrahje në çdo sfidë të nisur nga ai.

-3-

Akti i tretë ka të bëjë me relacionin e ri që do të krijohet në mes të Ramës dhe Kosovës. Ndonjëherë provoj të kuptoj simpatinë e madhe të kosovarëve ndaj Berishës, e antipatinë (sado në rënie tashmë) ndaj Ramës. Nëse do të më duhej të jap domosdo ndonjë shpjegim logjik në një relacion fare jo-logjik të shqiptarëve të Kosovës me këta dy lider, do të jepja dy burime. I pari ka të bëjë me lidhjen tradicionale të Berishës me Kosovën, lidhje kjo që është krijuar vetëm falë kohëzgjatjes së tij në politikë, rrjedhimisht prezencës së tij në ekranet televizive të kosovarëve që në kohë të TVSH-së. Këndej Berisha mbahet mend si një figurë glorifikuese e përpjekjeve të Kosovës gjatë kohëve më të vështira; ndjenja si këto vështirë se harrohen. Burimi i dytë ka të bëjë më tepër me antipatinë e kosovarëve ndaj “socialistëve” e rrjedhimisht çdo lider në krye të tyre (Edi mund të ishte sot, nesër tjetri – kjo ka pak rëndësi), antipati e cila është ushqyer veçanërisht, (kjo për shqiptarët në Shqipëri mund të duket e çuditshme) gjatë kohës së Nanos. Gjuha, takimet, përkrahja e politkëbërja përballë Kosovës nga Nano ka prodhuar mallkimin kosovar ndaj socialistëve, rrjedhimisht glrofikimin e të djathtës.

Rama kam përshtypjen se përmirësimin e relacionit me Kosovë nuk e ka nisur mbarë; realisht gjithçka veçse mbarë. Lëvdatat e tij për njerëz që këtu njihen për krim të organizuar, haraç, shantazh e dëmtim rrënjësor të Kosovës kanë nxitur rezervime gjithandej. Në gjuhën e zgjedhjeve nga atje, aleanca e “rilindasëve” të Shqipërisë me “anti-rilindas” në Kosovë është e pakuptimtë. Shpjegimi i vetëm racional për mua është se Rama i shtyrë nga inferioriteti rreth Kosovës (jo për faj të tij) mund të ketë ndërtuar relacione informuese me kosovarë që e ushqejnë atë keq e mbrapshtë për preferencat këtu. e reja politike që herë-do-kurdo do të bëjnë të njëjtën “rilindje” të pashmangshme këndej kam përshtypjen se do të mbajnë mend këtë orientim të tij.

Në relacion me spektrin politik them se partitë si LDK e AAK kanë humbur një aleancë simbolike tek Berisha. Jo se do të prodhojë ndonjë efekt politik këndej them unë. Në të vërtetë përveçse këto parti jepnin çmime të pakuptimta e devalvuse “qytetar nderi” nga komunat e administruara nga ta për secilin udhëheqës e nën-udhëheqës politik të PD-së bëri apo nuk bëri gjë për komunat në fjalë, këto parti nuk kanë pasur as edhe një lidhej tjetër më substanciale me politikën në Shqipëri. PDK në anën tjetër fiton një aleat të ri tek Rama; ndonëse PDK për shkak të mazhorancës që ka këndej do të mund të bënte aleanca me secilin në Shqipëri. Në fund të fundit mitingjet, tunelet e përurimet e përbashkëta të liderëve të PDK-së e PD-së ishin po aq të shpeshta sa edhe takimet me Ramën.

Roli i Ramës për Kosovën megjithatë, mund të orientohet në ekonomi. Nuk pretendoj ti jap këshilla kryeministrit në bërje Rama për politikën në Shqipëri; besoj se ka rreth vetes koka të mençura rreth tij, por them se janë disa projekte esenciale që ndërlidhen me Kosovën e që me vullnet politik në të dy anët mund të bëjnë mrekulli. Rama në mandatin/mandatet e tij, nëse bash dëshiron ose bash ka nevojë të dëshmojë përafrimin me kosovarët, mund ti japë zgjidhje problemit energjetik të Kosovës me Shqipëri, i cili për asnjë arsye logjike nuk është zhbërë tash e 14 vite. Është e pakuptimtë se si Berisha në asnjë rrethanë nuk arriti të ndërtojë linjen e interkoneksionit mes të dy vendeve për ti dhënë përparësi krahasuese të papara deri më tani për shqiptarët gjatë dy stinëve ekstreme kur të dy vendet kanë teprica respektive. Rama në mandatin/mandatet e tij mund të fillojë edhe projektimin e parë të hekurudhës Shqipëri-Kosovë që do të bënte kështu boshtin shqiptar fuqi të pakontestueshme rajonale në tregtimin e mallrave e të mirave. Rama në mandatin/mandatet e tij mund të zhbëjë një herë e përgjithmonë bllokimet turpëruese të patateve, verës së kuqe, rrushit e miellit që viheshin gjithandej nga ministra të qeverisë së fundit. Për më tepër, Rama mund të iniciojë edhe procedura unifikuese legjislative tregtare, sidomos në fushën e të bërit biznes e sidomos në sjelljen e investimeve kosovare në Shqipëri që janë pashpjegueshëm inekzistente. Kosova në fund të fundit ka nevojë për Shqipërinë, aq sa ka nevojë edhe Shqipëria për Kosovën. Si dy tregje të vogla e për më tepër në fund të fundit evropian, nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç se unifikimi e shfrytëzimi i përparësive krahasuese.

Qeveria e Ramës mund të nisë një faqe të re të këtyre relacioneve. Alternativ, Rama mund të injorojë Kosovën, të mos e bëj hesap atë, e të nderojë siç ka nderuar në të kaluarën njerëzit më të papëlqyer nga kosovarët me dhënie të çelësave e titujve po aq devalvues. Rrugë e gjatë përpara.


No comments: