Letra
nga limbo
KOHA DITORE, 24 MAJ 2013
Tregimi për tri grupe biznesesh dhe imazhin anti-biznesor
në vend
Ka kohë që jam munduar të bëj një shkrim për bizneset. Jo për ti marrë për
shembull të mirë meqë rrallëherë ata edhe prodhojnë lajme të mira, ndonëse më
duhet të them se të njëjtit kanë një mijë e një probleme nga më të çuditshmet e
më të padëgjuarat ndonjëherë, por për të shikuar përtej ndasive me e nga ta.
Sepse përderisa vazhdojmë ti shohim siç më dolën kohë më parë rezultatet e një
testi percepcionesh me një grup studentësh, pra përderisa i shohim bizneset si
mashtrues, fullirantë, të pandershëm e ku me ditë çfarë, nuk do të kemi
asnjëherë nisjen e duhur ekonomike drejt rimëkëmbjes. Nëse nuk do ta bëjë
biznesi, nuk ka kush ta bëjë; e së bashku me ta dhe gjithë ne do të mbesim në
këtë vorbull paradoksesh që na ngufasin çdo ditë.
Ka një problem esencial rreth e për bizneset. Fillimisht politikanët e
zgjedhur për ti bërë ligjet e bizneseve kanë probleme serioze me kuptimin e koncepteve
më bazike ekonomike dhe rrjedhimisht kanë probleme me ide minimalisht kreative
për të ngritur një ambient biznesor që stimulon rritjen. Po mendoj, çfarë mund
të presë një ndërmarrës nga një ligj-bërës që nuk bën se nuk bën dot dallimin
në mes të “dividentës” dhe “DVD-së”; e thënë mu kështu në një paraqitje
televizive. Së dyti, bizneset ballafaqohen me një percepcion bukur të madh
shoqëror, siç është edhe grupi simbolik testues i studentëve të pyetur muaj më
parë, të cilët nuk mund të parashohin një ndërmarrës kapitali si njeri të
hairit, i zoti, i mundit e me qëllime të mira; e shohin si të keq e me qëllime
të shëmtuara.
E këtu më duhet të bëjë përshkrimin e tri grupeve të bizneseve, për të
kuptuar ndoshta arsyen prapa një percepcioni të tillë. Natyrisht nuk dua të
defaktorizojë historinë e dhimbshme por tejet prezente në mendësinë e
kosovarëve që ndërlidhet ende me “fabrikat e shtetit” nga koha e para 90-tave;
si duket e kemi ende të vështirë të nisim tranzicionin në mendje, prandaj dhe
ky i tregut po na merr kohë. Sidoqoftë, unë argumentojë se Kosova ka tri grupe
biznesesh të cilat pak a shumë e ndërtojmë imazhin e tyre tek të tjerët, për të
mirë e për të keq.
Të parët janë bizneset që ekzistojnë sepse financojnë e financohen nga
zaptuesit politik të sistemit. Pra janë biznese që marrin paranë publike e
pasurojnë politikanët me shpëlarjen e një pjese të kësaj paraje publike. Historia
e tyre është pak a shumë e re. Të themeluar përafërsisht kur edhe ndodhin
ndërrimet politike në vend, të njëjtit zënë vendin e bizneseve para tyre që
gjithashtu ishin të lidhur e të rritur në treg nga një sistem paraprak
qeverisës. Rritja e tyre financiare është e shpejtë meqë koha për të marrë
paranë publike është e kufizuar. Në çdo vend tjetër normal të pakta janë rastet
e shembujt kur një biznes me pak vite ekzistencë shënon qarkullime rekorde në
vend; në Kosovë të pasurit e biznesit janë kryesisht pa shumë eksperiencë. Ka
një problem thelbësor që grupe si këto krijojnë. Ata jo vetëm se kanë ndërprerë
potencialisht një cikël biznesesh të nisura para tyre, jo vetëm se nuk lejojnë
krijimin e bizneseve të reja në kohë të tyre (meqë me fuqinë zaptuese që kanë
bëjnë nam), por se gjatë gjithë ekzistencës së tyre nuk kanë për qëllim
rritjen, funksionalizimin e qëndrueshmërinë e biznesit që zotërojnë, por vetëm
marrjen, shpëlarjen dhe ruajtjen e parasë dikur publike.
Në një cikël si ky, nderimi i sistemit politik në vend, pra ndërrimi i partisë
qeverisëse, bën edhe fundin e këtyre bizneseve. Në përkthim ekonomik i bie se
pas çdo ndërrimi qeverisës cikli biznesor fillon nga zeroja. E grupe si këto
janë shkaktarët kryesor të një imazhi anti-biznesor në Kosovë; imazh ky i dhënë
me plot të drejtë. Lyerja e monumentit “Newborn” në Prishtinë nga një
ndërmarrje anonime nga Skenderaji, e cila përndryshe bën edhe ndërtimtari,
autolarje, universitet e furnizim me letër tualeti, tregon se si krijohen
bizneset fantome vetëm se një apo parti tjetër ka rendin e qeverisjes. Për
gjithë kacavjerrësit e ndasive regjionale që me të lexuar rreshtin më lartë
mund të tërhiqen nga prodhimi i konflikteve regjionale vend e pa vend, them se
nuk ka as edhe një problem të vetëm pse një biznes është nga ky apo ai regjion
i Kosovës; problem ka kur ai merr një punë vetëm pse është i këtij apo atij
regjioni. Ndaj ndërmarrjeve konglomerat pa zyre si këto, vështirë se dikush
mund të ndërton imazh besimi e shpresë për rimëkëmbje.
Grupi i dytë i bizneseve përbëhet nga të dëshpëruarit. Ata janë ndërmarrës
që nuk kanë hise në tallin e parasë publike dhe si rrjedhojë kanë zgjedhur
ecjen solo. Në këtë ecje solo, pjesë ekzistenciale e tyre është shmangja nga
çdo obligim që potencialisht mund të kenë me shtetin. Si të dëshpëruar që janë
ata provojnë të gjejnë forma e mënyra nga më kreativet jo për të prodhuar ide e
produkte të reja, por për t’iu shmangur sistemit. I shmangen tatimeve, rregullave
të punës, pagës minimale, pushimit vjetor, atij të lindjes, pensioneve e
pothuajse çdo kërkese tjetër të vënë për ta. E meqenëse kreativiteti i tyre
kanalizohet drejt zgjidhjeve evazive, jo pse ata dëshirojnë kështu, por se
shmangja u jep përparësi konkurruese, të njëjtit nuk rriten, nuk zhvillohen e
nuk krijojnë vlerë; mbesin në stad të njëjtë për shumë kohë e vjet. Në rrethana
si këto pritjet eventuale për shpresë rrënohen me rrënimet e potencialeve për
rritjen e tyre. Të njëjtit duke
përsëritur sjelljet evazive nëpër kohë, krijojnë edhe një lloj të ri standardi
që eventualisht bëhet normë shoqërore. Kjo normë shoqërore e konceptualizon
botën e të bërit biznes tërësisht të ndarë nga qeverisja në vend. Biznese si
këto qeverinë e institucionet tjera relevante i shohin vetëm si barriera, heqja
e të cilave kërkon një formë haraçi; prandaj dhe korrupsioni. E në rrethana si
këto një sjellje evazive e shndërruar në një normë shoqërore prodhon një
korrupsion i cili poashtu shndërrohet më vonë në një normë e vlerë tjetër shoqërore.
Normat e tilla dikur bëhen barriera kryesore të zhvillimit të grupit të vetëm që
duhet zhvilluar: të ndershmit.
Të ndershmit, pra grupi i tretë, përbën bizneset më kreative të mundshme në
vend; fatkeqësisht të rralla sa i numëron me gishta të duarve. Janë biznese që
sillen mbarë, bëjnë drejtë, paguajnë taksa, krijojnë brend e imazh, mendojnë e
koekzistojnë me anomalitë më të mundshme në vend. Them se janë hiper-kreativ
meqë vetëm hiper-kreativiteti u mundëson bizneseve si këto mbijetesë në një
ambient që duhet shtyrë e konkurruar me biznese që bëjnë shpëlarjen e parasë
publike apo në rastin më të mirë prodhojnë evazion e korrupsion; gjithsesi të dyja
konkurrencë të padrejtë. Në një rast ideal biznese si këto do të duhej të ishin
baza e burimit të besueshmërisë kosovare, por meqë janë të paktë, e kjo “pakësi”
buron mu për shkak të hiper-kreativitetit të kërkuar, të njëjtit bëhen të
padukshëm dhe irrelevant në krijimin e
imazhit rreth bizneseve.
Prandaj dhe sot në Kosovë kur duhet të japim percepcion mbi biznese ne nuk
kujtojmë hiper-kreativët e rrallë, por kujtojmë ose financuesit e zaptuesit ose
shmangësit e korruptuesit. Pra vlerat mbi të cilat ne vlerësojmë bizneset
kosovare janë në thelb defektuoze dhe si të tilla ato pamundësojnë edhe
krijimin e një imazhi më të mirë rreth bizneseve por edhe ngritjen e
përgjegjësisë së ligj-bërësve që në raste të përmendjes së “DVD-së” në vend të
“dividentës” do të bënte nam komik nacional; assesi harresë.
No comments:
Post a Comment