Letra
nga limbo
KOHA DITORE, 3 MAJ 2013
E
bërë dhe e zhbërë në katër akte
Vetëm një vit më
parë Agjencia e Statistikave e Kosovës bazuar në të dhënat e regjistrimit
kishte llogaritur me shumë gjenerozitet mbi 55.3% të popullsisë së moshës së
punës si jo aktive. Shprehur në numër të banorëve i binte plot 620.o00
kosovarë. Një vit më pas i njëjti institutcion llogaritë si joaktivë plot 63.2%
të popullsisë në moshë të punës, apo plot 720.000 kosovarë, apo gati 10% më
shumë se një vit më parë. E kuptuat tani pse këtë vit 10% “më pak papunësi”? Më
lejoni të provoj një shëtitje në katër akte për të bërë fillimisht e zhbërë më
pas propagandën e vazhdueshme qeveritare e cila përndryshe në mungesë të politikave që bëjnë
ndryshim rrënjësor u është drejtuar fabrikimit të numrave. Nëse nuk do të mund
të ndryshojnë përditshmërinë kosovare, atë të numrave do ta bëjnë pa i fije
brenge.
Akti
i parë: Antianaliza
Lajmi fillonte kështu:
“ASK konstaton se në krahasim me vitin e
kaluar Kosova ka ulur papunësinë për 10.2%”. Shokuese? Gjithsesi. Hajgare? Aspak.
Nuk ishte 1 Prilli, ishte 1 Maji. Nuk paragjykoj zakonisht, por ja që publikimi
i numrave të papunësisë një ditë para shënimit të vet ditës së papunësisë, përndryshe
problemit më kronik të Kosovës që prej Kosova mbanë në mend veten, kishte një
kleçkë. Kleçka fshihej diku në faqen e Agjencisë së Statistikave e cila kishte
publikuar një dokument prej hiç më shumë se katër faqeve. Paramendoni, anketa mbi papunësinë, pra mbi
problemin më të madh të vendit, ishte ilustruar në vetëm katër faqe dhe besoni
ose jo, dy prej tyre ishin kopertina. Kjo sa për të ma vulosur ndoshta ndjenjën
për nevojën e ngutisë e daljes me numra para ditës së punëtorit kur gjithkush gjëkund
do të fliste për papunësi.
E në dokumentin prej
katër faqeve, dy prej të cilave ishin pra kopertina, ndodheshin tri tabela. Në
mes e rreth tabelave ndodheshin edhe 251 fjalë përshkruese, diçka më pak se sa
lexuat deri më tani. Këto 251 fjalë, në tri tabela e katër faqe; dy prej të
cilave ishin pra kopertina, kishin dhënë dy konstatime aspak bindëse, gjithsesi
skandaloze. I pari ishte ai që lexuat në fillim, pra që papunësia brenda një
viti ka rënë për 10%. I dyti thoshte diçka kështu: “Në mesin e atyre që janë ekonomikisht aktivë, 35.1 % janë të
papunësuar. Kjo është shkalla zyrtare e papunësisë...” – më duhet të pranoj
se korrigjova dy detaje në këtë citat, përndryshe kishte dy gabime drejtshkrimore
e më erdh turp ta citoja me gabime. Etikën e shkeljes së standardit të citatit
po e marrë si barrë për veti. Kjo ka pak rëndësi, rëndësi ka pjesa e dytë të
fjalisë, theksi se kjo është “zyrtare”. Pra tash e tutje sikur na thuhet mos u
lodhni më fare me diskutime e numra tjerë, mos ju referoni asnjë numri tjetër, asnjë
studimi tjetër, asnjë logjike tjetër, mos ju referoni madje as studimit të viti
të kaluar i cili është po ashtu “zyrtar” i cili në të vërtetë nuk ishte anketë
si puna e kësaj të tanishmes por ishte regjistrim i plotë e që thoshte se
papunësia ishte 45%. Pra harroni të gjitha, kjo është definitivja, e fundit, e
përsosura, e duhura. Kjo jep atë 35% e famshëm të cilët zyrtarët qeveritarë e
thonë me tahminin e frekuentimit të kafeve tash e rrafsh pesë vjet; taman për
qejf të tyre.
Profecia ishte
përmbushur. Shprehjeve e bindjeve deklarative tani u ishin vënë edhe numrat,
madje numra “zyrtarë”. Kosova, kosovarë të dashur, tani kishte papunësi prej
vetëm 35% dhe nesër çdo qeveritar, militant e nëpunës partiak mund të mburrej e
flejë i qetë, meqë u ishin dashur vetëm një vit për të zhbërë papunësinë për
10%. Për këtë madje mund të jenë edhe kandidat serioz (besa të pakonkurrencë)
për çmimin “Nobel për Ekonomi”. Mjeshtëria e tyre e padëgjuar ndonjëherë në
ndonjë rast e në ndonjë vend tjetër, duhet të reprodukohet për ti dhënë fund
vuajtjeve të botës. Zbutjen prej 10% natyrisht nuk e thoshte regjistrimi, as
raportet ndërkombëtare, as rrjedha, as mundësia e hiç se hiç logjika, por një
anketë me 18.000 kosovarë e prezantuar në 251 fjalë, tri tabela, katër faqe,
natyrisht dy prej të cilave ishin kopertina.
Akti
i dytë: Antilogjika
Nuk më habitë
prezantimi prej katër faqeve. Në një takim diskutues publik vitin që shkoi
kisha kuptuar se Agjencia për të trajtuar çështjen e papunësisë kishte vetëm 2
punëtorë në zyret e saja. Paramendoni i gjithë departamenti që do të duhej të
jepte numrat e papunësisë, e prej këtu edhe bazën për zgjidhjet eventuale të
papunësisë – problemit kryesor në vend, kishte më pak njerëz që potencialisht
do të angazhoja për një plan biznesi të një ideje modeste në Kosovë.
Por në frymën
propaganduese të stilit koreanoverior, e cila madje u shfaq brishtësish edhe në
kronikën e lajmeve qendrore të RTK-së, ku lajm i parë ishte ulja e papunësisë për
10% në Kosovë e lajm i dytë për rritje drastike të papunësisë në Eurozonë, pra
përtej logjikës “lum na e mjerë bota për veti”, publikimet e qëndrimet e tilla
tregojnë me perfekcionizmin më të madh mu defektet (pra anti-perfekcionizmin) e
një sistemi të zaptuar politikisht. Ky sistem duke vënë gjithçka në dorë, çdo
institucion, agjencion e trup publik në vend, në pamundësi për të prodhuar
efekte të prekshme e të matshme, vendosë të mos matë por të prekë e fabrikojë
numrat. Ky sistem në nevojë dëshpëruese për të mbuluar defektet e veta prodhon çfarëdo
që bën punë; përfshirë edhe antilogjikën. E antilogjika, e dalë nga fabrikimi,
i cili përndryshe do të duhej të shihej si vepër penale, po të mos kishte
lidhje me një temë kaq serioze do të bënte një komedi të shkëlqyeshme.
A ka më antilogjike se sa zhbërja e papunësisë për 10% brenda një viti?! Ta bëjmë të qartë, papunësia është zhbërë për “10 pikë të përqindjes” – këtë do ta kuptojnë qartë ndjekësit e matematikës dhe çdokush me pak përvojë hulumtuese. Pra është zvogëluar nga 45.1% në 35.1%, por këto “10 pikë të përqindjes” janë plot “22 përqind” (10% në 45% është 22%). Nuk ka vend në botë, nuk ka komunitet në botë, nuk ka rast në botë, nuk ka shembull në botë, që ka arritur të zvogëlojë papunësinë brenda një viti as për “10% pikë të përqindjes” e as për “22 përqind”. Asnjëri; asnjëherë! As kur kanë zbuluar naftë, as kur kanë zbuluar makinë me avull, e as kur kanë bërë Facebook. Kina që në 20 vitet e fundit ka pasur mesatarisht rritje ekonomike prej mbi 10% në vit, nuk ka arritur asnjëherë, në asnjë vit, me asnjë gjasë të ketë ulje të papunësisë për më tepër se 1% në vit; kujdes as 1% ulje, jo 10%.
A ka më antilogjike se sa zhbërja e papunësisë për 10% brenda një viti?! Ta bëjmë të qartë, papunësia është zhbërë për “10 pikë të përqindjes” – këtë do ta kuptojnë qartë ndjekësit e matematikës dhe çdokush me pak përvojë hulumtuese. Pra është zvogëluar nga 45.1% në 35.1%, por këto “10 pikë të përqindjes” janë plot “22 përqind” (10% në 45% është 22%). Nuk ka vend në botë, nuk ka komunitet në botë, nuk ka rast në botë, nuk ka shembull në botë, që ka arritur të zvogëlojë papunësinë brenda një viti as për “10% pikë të përqindjes” e as për “22 përqind”. Asnjëri; asnjëherë! As kur kanë zbuluar naftë, as kur kanë zbuluar makinë me avull, e as kur kanë bërë Facebook. Kina që në 20 vitet e fundit ka pasur mesatarisht rritje ekonomike prej mbi 10% në vit, nuk ka arritur asnjëherë, në asnjë vit, me asnjë gjasë të ketë ulje të papunësisë për më tepër se 1% në vit; kujdes as 1% ulje, jo 10%.
Logjika thotë se nëse
ti ke me vete një rezultat të një ankete të ndërtuar mbi një mostër të
parasupozuar si përfaqësuese, i cili rezultat është në kundërshti me një
regjistrim, pra një anketë tjetër jo mostër, por vet popullacionin, dhe nëse ky
rezultat për më tepër nuk bën se nuk bën një fije të vetme logjike, e udhës, e
mençur, e pritur dhe e duhur do të ishte konsiderimi i anketës si dështim. Ka
vetëm një rast e një gjasë të ndodhë e kundërta, pra mosanulimi, kur me qëllim
e me direktivë tentohet propaganda – rrjedhimisht antilogjika.
Akti
i tretë: Antimatematika
Kosova në vitin e
“rekordit” botëror të uljes së papunësisë për 10% në vit, kishte rënie rekorde
të eksporteve për 18.4% (sipas Doganave), rënie të investimeve për 54.1% (sipas
BQK-së), e rritje ekonomike për vetëm 2.7% (sipas FMN-së). Për më tepër gjatë
po të njëjtit vit sipas regjistrave formal ishin krijuar vetëm 6.000 vende të
reja të punës; as 25% e vendeve të nevojshme të reja që duhet të krijohen për të
mbajtur në punë stadin e njëjtë. Për ta ulur papunësinë për 10% Kosova jo vetëm
që do të duhej të kishte dhjetëfishim të eksporteve, dhjetëfishim të
investimeve e dhjetëfishim të rritjes ekonomike, por do të duhej të krijonte
vetëm në një vit 100.000 vende të reja të punës. Pra përveç 25.000 vende të reja
të punës që duhen për ta mbajtur normën e papunësisë në nivel të njëjtë çdo vit,
neve na duhen edhe plot 70.000 vende të
reja të punës për ta sjellë atë në 35%. Me sa palë mend mundet dikush të besojë
se Kosova vitin që shkoi i ka krijuar plot 100.000 vende të reja të punës?!
Agjencia në po të njëjtin
raport thotë se këtë vit llogariten të jenë plot 63.2% njerëz joaktivë e në moshën
15-64 vjeçare. Kosova përndryshe në moshën e punës 15-64 vjeçare i ka 1.135.463
banorë. I bie se joaktivë, pra studentë, nxënës, amvise dhe gjithkush tjetër që
nuk dëshiron vend pune por që është i aftë për punë, janë hiç më pak se 720.000
njerëz. Kujtoj se Kosova i ka 70.000 studentë dhe 90.000 nxënës në moshë 15-18 vjeçare.
Çfarë tu bëjmë 560.000 të mbetur? Të gjitha amvise? Nga dy për familje? Taman
puna!
Për të kuptuar
mashtrimin në llogaritje e tëra çfarë duhet parë e krahasuar është përqindjen e
popullsinë joaktive të llogaritur një vit më parë nga i njëjti institucion dhe përqindjen
e llogaritur sivjet. Po sipas ASK-së, bazuar në të dhënat e regjistrimit,
Kosova i kishte 55.3% popullsi joaktive. Këtë vit pothuajse 10% më shumë, plot
63.2%. E kuptuat tani prej nga vjen 10% i papunësisë? Vjen jo nga krijimi i
vendeve të punës por nga rritja e përqindjes joaktive dhe kështu fshirja me një
hesap e të papunëve nga tregu i punës. Me matematikë të tillë kanë mundur të
dalin edhe me 2% papunësi, vetëm po ti konsideronin 98% të papunëve si joaktivë.
Madje edhe numri
prej 55.3% për çdo kënd me dije bazike është tejet i zmadhuar, i palogjikshëm
dhe po aq propagandues; 63.2% është krim statistikor. Me popullsi joaktive prej
55.3% në Kosovë llogariteshin të ishin jashtë forcës punëtore plot 620.000 mijë kosovarë; me 63.2% si
popullsi joaktive të supozuar një vit më pas llogariten 720.000 kosovarë; plot
100.o00 më shumë, saktësisht sa për të përfunduar në 35.1%.
Akti
i katërt: Antinobeli
Pra papunësia nuk
është zvogëluar se janë krijuar vende të reja të punës, por se disa shërbyes
civil, kryesisht militantë partiak, në një dokument me tri tabela, 251 fjalë e
katër faqe, dy prej të cilave ishin pra kopertina, kanë vendosur ti
konsiderojnë plot 100.000 kosovarë si joaktiv, apo si të papunë që nuk duan
punë. Me një laps e një shënim të vetëm ata kishin fshirë nga tregu aktiv i
punës plot 100.000 kosovarë. Këta 100.000 nuk janë punësuar sipas ASK-së, as
nuk kanë vdekur, as nuk kanë migruar, janë ende në Kosovë por si me shkop
magjik kanë ndërruar mendje dhe këtë vit nuk janë të interesuar më për punë. E dëgjoni?
– ata nuk duan më punë! E për këtë nuk ka Nobel.
Sikur llogaritja e
papunësisë do të bëhej me shtimin e vendeve të reja të punës, rezultatet e
dhëna do të kishin pamje të njëjtë si një vit më parë. Po shikuam të dhënat e
ATK-së (Administratës Tatimore të Kosovës) apo të Trustit Pensional, do të
kuptojmë se shtimi këtë vit i të punësuarve respektivisht kontribuuesve të rinj
nuk është më i madh se 6.000. Këta 94.000 të tjerë nuk janë krijuar nga sektori
informal në të kundërtën do të duhej të kishim informalitet plot 1560%
(realisht nuk e kemi më shumë se 100%). Pra nëse ASK me të vërtetë ka guxim të
rishfaqet edhe një herë në publik, të na thotë me numra se sa vende të reja të
puëns janë shtuar vitim që lamë pas. Nëse janë shtuar aq pak sa për të mos bërë
ndryshim atëherë me cfarë logjike zvogëlohet papunësia për 10% e numri i
vendeve të punës mbetet i njejtë? Ku janë punësuar këta? “Në Kinë, Kazak-h-stan
e Gj-u-rmani” te “Baci”?
Dalja me numra të njëjtë
si të një viti më parë do të ishte “gabimi” i dytë me radhë i të zaptuarve;
“gabimi” i parë ishte prodhimi i papunësisë prej 45% gjatë regjistrimit. Më
duhet të them se përkundër gjithë diskutimeve pro e kundër procesit të
regjistrimit, manipulimi i numrave ka qenë thjeshtë i pamundur mu për shkak të
prezencës enorme të institucioneve statistikore. E përderisa të dhënat e
papunësisë nga regjistrimi nuk mund të ndërroheshin, këto të një ankete (të
bërë domosdo me shumë defekte) mund të ndërrohen lehtë; madje nuk ka nevojë për
shumë mund, e tëra çfarë duhet të bëjnë është rritja e supozimit rreth
inaktivëve prej 55% në 63%.
Për gjithë të tjerët
me pak sens e pak vullnet për të bërë mbarë e mirë, numrat e fabrikuar nuk do
të kenë asnjëherë kredibilitetin as të të dhënave të mëhershme, diçka si
regjistrimi (i cili përndryshe gjithmonë është më kredibil se sa anketa), as të
logjikës (e cila përndryshe gjithmonë është më kredibile se sa tahmini) as të
diskutimit serioz (i cili përndryshe gjithmonë është më kredibil se sa
propaganda). Kjo sepse gërvishtjet e mëdha kërkojnë mbulime të mëdha, aq të mëdha
sa që e zhbëjnë vetën.
Gjithsesi ky vetëm është
fillimi i fabrikimeve. Kur ndërrimet nuk ndodhin, krizat shpeshtohen, rëniet
janë standarde, shfaqja është e tëra në dispozicion veç të propagandës. Me
zaptimet aq të shpeshta në aq shumë institucione që do të duhej të ishin
gardianë të pavarur të gabimeve e sukseseve qeveritare, prezantimet si këto do
të jenë të zakonshme. Kredibiliteti i tyre mund të bjerë, dhe do të bjerë, por
intensiteti i tyre është e do të mbetet aty për një kohë të gjatë. Ne kemi dy
zgjidhje: e para, të besojmë pallavrat, e mu si koreanoveriorët të ndërtojmë
bindjet tona që nuk kanë as lidhjen më të vogël me realitet; e dyta ti marrim
para përgjegjësisë gjithë ata që provojnë
e do të provojnë që me fabrikime e falsifikime të na marrin për të marrë.
No comments:
Post a Comment