Friday, 31 May 2013

KOHË TË ÇUDITSHME

Letra nga limbo
KOHA DITORE 31 MAJ 2013

Kur futbolli, flamuri, kombi e rajoni ngatërrojnë udhë


Kohë të çuditshme janë këto. Në njërën anë një përfaqësues i qeverisë serbe në Prishtinë reciton vargjet më denigruese për kosovarët, duke ju premtuar atyre ri-kthim, ri-pushtim e ri-shfarosje; i quan pakicë në jug të shtetit të tij. E për këtë, besoni ose jo, merr duartrokitje nga një sallë të paditurish që nën dritat e ethet e rutinës së protokollit zyrtar që duket se i trembë disi, vënë trurin në pushim. Në anën tjetër, një Ministër i Punëve të jashtme deklaron me mburrje diku në Evropë se nuk ka çështje shqiptare në agjendë të Prishtinës; thuajse është turp e çnderim marrja me shqiptarë. Dhe e bën këtë në një Evropë që këtë javë eko-nte nga krenaria e dominimit gjerman në finalen angleze; aq shumë eko-nte sa që britanezët këtu ndërtuan dy tri fakte bukur sarkastikë, njëri prej të cilëve thoshte se “sonte gjermanët do të humbin në Wembley; gjithsesi”.

Një rresht diçka si ky thënë të drejtën, ishte plotësisht i saktë; në fund të fundit njëri nga dy ekipet gjermane do të humbiste – po çka se tjetri do të fitonte. Në të vërtetë mohimi e pohimi i suksesit përkatësisht dështimit gjerman, i vënë si thënie jo për të thumbuar gjermanët por për të rishfaqur më bukur dominancën e tyre edhe në futboll (se në ekonomi e diplomaci as që bëhet fjalë më), më kujtoj një mohim e pohim tjetër, për një popull tjetër e të vënë në kontekst tjetër. Më kujtoj mohimin e pohimin e popullit tim të vënë jo për të shfaqur një sukses të rrallë (se për dominancë as që bëhet fjalë), por për të vënë kontradiktat e ekstremit tjetër të duartrokistëve tru-pushues e ministrit në tendencë shpëlarje nga çnderimi. Edhe një sukses i vogël i shqiptarëve, diçka si për shembull shqiptari i parë që bëhet kampion futbolli në Evropë, kishte ngjallë luftë turbo-folklori shqiptar këtë javë.

***

Në vijën e parë të kësaj lufte ishin mendime ekstremiste që nga naiviteti nuk kuptojnë dhe shumë plotësueshmërinë e madhështisë së kombit nëpërmjet sukseseve individuale. Ky ekstrem që nuk bën se nuk bën dot dallimin në mes të patriotizmit e nacionalizmit turbo-folk, mbrojnë dy argumente nga i njëjti këndvështrim. Argumenti i parë ka të bëjë me, siç e shohin të njëjtit, tradhtinë ndaj vendit po zgjodhe punën për një vend tjetër. Ndonëse nuk dua as të mendoj për riargumentimin e dallimit në mes të dashurisë për kombëtare kundrejt respektit për një individ me prejardhje nga i njëjti komb, gjithmonë duke shtyrë e përkrahë padiskutim të parën – por pa e përlyer këtë të dytin – nuk kam se si të mos merrem me tradhtinë dhe gjithë shtjellimet folklorike të turbo-folkloristëve rreth tradhtisë.

Këto shtjellime pak a shumë mund të përmblidhen me një citat në murin tim të Facebook-ut, gjithsesi citat i keqkuptuar nga promovuesi emocional i tij, që rreshtonte fjalët e Fan Nolit se njeriu mund të zgjedhë fenë por jo edhe kombësinë tjetër pa vënë emrin “tradhtar”, ku tjetër veçse në ballë. Tashti, pa diskutuar ironinë nga fjalët e Nolit i cili vet në vitin 1930 kishte marrë shtetësinë amerikane, për të rrojtur e vdekur atje, pa e theksuar pjesën e mbetur të fjalëve të tij që edhe ndryshojnë gjithë kuptimin e rreshtit, e që thonë “...dhe të luftojë të tijën”, pra pa hesapuar nevojën për të luftuar tëndin për tu konsideruar tradhtar, them se kontributdhënia në një shtet tjetër prej tëndit nuk është se nuk është tradhti; nuk ka qenë asnjëherë. Madje mendjet më të ndritura të shqiptarëve gjatë gjithë historisë nëse asgjë tjetër kanë dhënë kontribut mu për shtete tjera; siç kishte dhënë kontribut edhe ky goditës topi rekord-bërës.

Argumenti i dytë është më i komplikuar meqë përfshinë simbolikën. E simbolika din shpeshherë të devijojë. Jo sepse nuk duhet respektuar atë; ndjej keqardhje për gjithë ata që nuk kuptojnë historinë, sakrificën, mundin e vullnetin e dhënë edhe për diçka të thjeshtë (por madhështore) si simboli. Por se devijimet e diskutimeve rreth simbolikës dinë shpeshherë të jenë agjitive; siç është edhe rasti me flamurin e Kosovës – subjekt i tradhtisë e tradhtarëve nga heronjtë turbo-folkë. Për të bërë një ndërlidhje me argumentin e parë rreth tradhtisë, logjika e ekstrapolimit më thotë se nëse kontributi në shtetin “Z”, përderisa je me kombësi “A” është tradhti, atëherë edhe kontributi në Kosovë përderisa nuk është pjesë e shtetit “A” është tradhti. Në të vërtetë të gjithë kosovarët janë tradhtarë.

E në frymë si kjo, përdorimi i flamurit që simbolizon një ndasi nga shteti “A” është në vete akt i shëmtuar – thonë turbo-folkloristët. Ka vetëm një fjalë që në gjithë këtë fjali më ngjall pajtueshmëri, dhe një fjalë tjetër në fjalinë paraprake që më komplementin këtë: flamuri i shëmtuar. Në të vërtetë nuk ka e nuk do të ketë, ma do mendja, flamur më të shëmtuar se të Kosovës. Ngjyrat, kombinimi, mesazhi, përfaqësimi, tradita, historia, preferencat e kosovarëve e çka do tjetër, nuk gjejnë as edhe një grimë vend në këtë flamur. Pa e hesapuar faktin se mundësi për të bërë flamur nga e para nuk gjënë njeriu shpesh; paramendoni me çfarë kemi shpërblyer këtë mundësi. Por ama, i shëmtuar edhe nëse është, ai është flamur i Kosovës, i Republikës së Kosovës. Ai përfaqëson mundin e mësuesve, mjekëve, policëve, gazetarëve, studentëve, luftëtarëve e ideologëve të Kosovës nëpër vite. Është prodhim i gjithë kësaj sakrifice i përfunduar nga preferencat e gjeneratës sonë.

A janë këto preferenca të duhura? Mund të mos jenë dhe ka gjasa të mos jenë – shpresoj të mos jenë e lutem të mos jenë. Por ama këto janë preferenca të konfirmuara me vullnet demokratik e të lirë të kosovarëve në vitin 2008, nëpërmjet institucioneve të lira, me vota të lira. Si të tilla ato bëhen të shenjta dhe prandaj valëvitja e flamurit të Kosovës pavarësisht pamjes është valëvitje në respekt për Kosovën. E Kosova është shqiptare më shumë se gjithçka tjetër. Nuk ka anti-kombësi, anti-shqiptari e tradhti në Kosovë e simbolikën e Kosovës. Kosova madje vetvetiu nuk është krijesë zhvillimi i së cilës dekurajon ose zhbën fuqizimin shqiptarë qoftë deri në bashkim. Përkundrazi, zhvillimi i Kosovës e lehtëson atë. Rrjedhimisht promovimi i Kosovës është edhe promovim shqiptarë.

***

Por ja që refuzimin e vënë në relacion me flamurin e Kosovës e ushqejnë çdo ditë  forca radikale që them se sërish nuk kuptojnë se nuk kuptojnë dallimin në mes të nacionalizmit e patriotizmit. Të njëjtat do të bëjnë çmos për të përçmuar (pa konsistencë gjithsesi) simbolikën e Kosovës duke kërkuar fuqizimin e institucioneve që kanë sjellë të njëjtat simbolika meqë në këtë trend janë të futur në sa kohë. Në kundërpeshë të këtyre forcave janë folkloristët pushtetarë që gjithsesi bëjnë çdo të zezë ndaj kombit e shteteve, por se thirren në pashallëqe kur duhet rrymuar elektrizim nacional (të tjerët janë as andej e as këndej, prandaj dhe nuk po i marrë këtu seriozisht). Të njëjtit nuancojnë me intensitetin e kontributit për vend duke pranuar sakrificën e një pjese të këtij kontributi për një përfitim personal; për ta nuk bën dallim.

Ky tregtim vlerash dikur na sjell në situata paaftësie për të bërë dinjitet në shtet, siç ishte edhe rasti i samitit rajonal të planifikuar për këtë fundjavë. Ky samit flet aq shumë për rajonin, për turbo-folkun e për sabotuesit tjerë saqë po të duhej të bëhej një dokumentarë pasqyrues i realitetit ballkanik, pjesë e së cilit janë edhe shqiptarët e ndarë tresh, e tëra çfarë duhet bërë është vetëm pasqyrimi i këtij samiti.

Së pari, Samiti i Ohrit përfaqëson tregimin prapa paditurisë së palës kosovare e cila negocion, nënshkruan marrëveshje dhe sakrifikon për të marrë mos-bllokim në nisma rajonale. Dhe mu atëherë kur ngushëllon veten se ndoshta dhe nuk janë aq të paditur sa të sakrifikojnë e të mos marrin asgjë prapa, ndodhë mu ajo e papritura. Kosova me kërkesë të Serbisë dhe partnerëve të saj boshnjakë e rumunë nuk ftohet nga Maqedonia në takim; pra bllokohet. Është aq paradoksale që në kohë të marrëveshjes për mosbllokim të bllokohesh. Nuk dua të flas për qëllimet e synimet e Serbisë. Do të jenë të njëjta ndaj Kosovës përherë. Vetëm aventuristët me tru në pushim si ata duartrokitësit e ofertës për pakicë, mund të harrojnë potencialet destruktive të Serbisë. Habitem me sa joseriozitet kemi lejuar të merren me ne dhe habitem se pse sakrifikojmë gjithnjë e sa herë pa marrë asgjë prapa.

Së dyti, Samiti i Ohrit përfaqëson edhe standardet e dyfishta të Bashkimit Evropian, i cili nuk ngre se nuk ngre dot zë të fuqishëm e të qartë kundrejt synimeve kaq të padenja të Serbisë. Paramendoni një sjellje të shqiptarëve kudo nëpër rajon kaq anti-fqinjësore dhe reagimet eventuale nga Brukseli. A nuk kishin reaguar të njëjtit për disa mitingje folklorike të pashallëqeve nga komikët e politikës sonë? Ngrenë zë për një komedi fëmijësh, por lëshojnë deklarata “twiter-i” për sabotim.

Së treti, Samiti i Ohrit përfaqëson edhe unitetin e shqiptarëve në Ballkan, po aq sa edhe ndasinë e tyre. Derisa tërheqja e Shqipërisë erdhi dikur, më mirë vonë se kurrë – ndonëse dorën në zemër për dy-tre ditë inati më mbyste nga një mos tërheqje e nuk di pse pritën kaq gjatë; reagimi i partisë shqiptare në pushtet  në Maqedoni ishte aq i turpshëm sa që ndjeva keqardhje për shqiptarët atje. Jo që BDI nuk reagoj mjaftueshëm për të zhbërë një vendim aspak befasues nga Maqedonia aspak miqësore, por u arsyetua se vendimi ishte kompetencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuajse kjo ministri nuk është pjesë e qeverisë në të cilën ata bëjnë pjesë. Pas tërheqjes së vendeve tjera në solidaritet për Kosovën, humbësit më të mëdhenjtë mbetën mu ata – të vetmit që nuk bënë asgjë.

Së katërti, Samiti i Ohrit na jep një sinjal të miqve dhe jo-miqve në rajon. Qëndrimi i hapur i kroatëve përkundër sabotimit maqedon e boshnjak (këtë serb po e marr si të qenë) u tregon shqiptarëve se nga duhet ti kenë politikat strategjike e aleancat politike. Në një shtet me pak dinjitet politikat e tilla sabotuese nuk do të kaloheshin vetëm në heshtje e satisfakcion nga mundja e tyre me autogol. Kemi mjaftë politika ekonomike e tregtare në dispozicion me të cilat mund të lidhim një herë e mirë sjelljen dinjitoze të fqinjëve jo-miq ndaj nesh; sidomos ndaj Maqedonisë e Bosnjës. Them ti përdorim. Mund të jemi të lodhur, të mundur e të zaptuar nga çdo e zezë politike në vend, por nuk jemi për tu poshtëruar nga secili shtet në rajon.


No comments: