Friday, 8 February 2013

KUR NJË DHE NJË BËJNË TRI



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 SHKURT 2013


Tregimi mbi antimatematikën e KEK-ut


Shpërthimi i pakënaqësisë qytetare dhe apolitike rreth faturimit nga KEK-u më dha disi një fije shprese se ky milet megjithatë ka ca doza reagueshmërie. Fatkeqësisht kjo dozë e reagimit shpërtheu vetëm kur u preken xhepat e tyre, duke treguar kështu percepcionin kosovar për taksat që paguajnë si para të humbura e jo para të tyre. Pra ne ende e shohim si tonën e si interes individual vetëm paranë që disponojmë në duart tona, por jo atë që e paguajmë në formë takse. Në të vërtetë nuk ka dëm më të madh e hajni më të madhe se sa keqpërdorimi i parasë publike që ndodh në vend tash e 14 vite, e për të cilin nuk gjetëm asnjëherë asnjë arsye që të ngremë zë. Sidoqoftë, në gjithë këtë amulli e reagueshmëri u bë shumë i qartë funksionimi i një sistemi antiqytetar që në esencë ka për qëllim marrjen e parave nga kosovarët gjithmonë nën tendencën tinëzare për ta mbajtur këtë marrje nën heshtje – pra me stilin është bërë çfarë është bërë, le të ecim tutje. E ja se nuk po ecim tutje; dele megjithatë nuk jemi.

Së paku nga reagimi publik dhe zyrtar i KEK-ut, gjithmonë për shkak të hiper-reagueshmërisë e jo se ata kuptuan gabimin, u bë e qartë se bëhej fjalë për një keqpërdorim matematikor të llogaritjes së shpenzimeve elektrike. Për këdo me dije bazike të çmimores së energjisë elektrike është e qartë se çfarëdo shpenzimi mbi 600 KW përllogaritet me një tarifë, pra me një çmim, më të lartë se sa çmimi nën këtë prag– kjo si dënim për mbikonsum. Pra ka një rangim për koston e energjisë elektrikë për kategori të ndryshme kilowat-ësh; pak a shumë njësoj sikurse përllogaritja progresive e taksave.

Nëse një familje, në një rast hipotetik, themi se konsumon çdo muaj nga 600 KW, i bie se e njëjta paguan tarifa me çmime normale pa u prekur nga rritjet për pjesën mbi 600 KW. Në terma financiar le të themi se për këto 600 KW energji të konsumuar, familja paguan diku rreth 40 euro faturë mujore. Por nëse KEK-u kësaj familje për muajin dhjetor i faturon zero KW të shpenzuar dhe rrjedhimisht zero euro kosto të faturës, ani pse e njëjta kishte shpenzuar 600 KW, pra nëse KEK-u 600-shin e shpenzuar në dhjetor ja faturon në janar (gjithsesi mbi shumën e shpenzuar edhe në janar) i bie se familja faturohet për 1200 KW, por se tani nuk paguan 80 euro (40 për çdo 600 KW), por paguan 40 euro për 600-shin e parë dhe, sipas çmimores energjetike, pothuajse dyfish për pjesën mbi 600 KW – si dënim për kalimin e pragut. Pra në vend se kjo familje të paguaj nga 40 euro në dy muaj (gjithsejtë 80 euro), ajo paguan tani 120 euro edhe pse në të dy muajt e dhënë e njëjta nuk kishte kaluar asnjëherë pragun. Pragu u kalua nga llogaritja e gabuar e KEK-ut.

Në terma pak a shumë si këto u dha edhe shpjegimi zyrtar, se muaji dhjetor ishte përllogaritur për tre javë, ndërkaq ai i janarit për pesë. Natyrisht se një përllogaritje e tillë është antiligjore dhe kundrejt çdo vendimi e urdhërese nga Rregullatori i Energjisë. Në fund të fundit tarifat dhe kufijtë e kilowat-ëve për muaj kanë pasur një arsye e një logjikë të shëndoshë kur janë vendosur si të tilla, andaj çdo ndryshim i tyre nënkupton edhe shkelje të qëllimshme nga faturuesit.

Ndonëse në çdo rrethanë normale do të duhej që mu Rregullatori i Energjisë të ngriste zërin për këtë hesapim të gabuar matematikor – sepse është i thirrur për të bërë një gjë të tillë, pa përmendur fare nevojën e reagueshmërisë nga Bordi i KEK-ut të cilët nuk janë aty për të bërë sehir e marrë pesëfishin e pagës mesatare në vend sa për të dëlirë dhëmbët nëpër mbledhje, them se qytetarët e Kosovës kanë çdo të drejtë të thirren në mospagesën e faturave për këtë muaj. Në çdo procesim gjygjësor të njëjtit e kanë të garantuar ri-llogaritjen adekuate dhe me këtë pagesën e tagrit adekuat. Thirrjet e KEK-ut se një llogaritje e tillë duhet harruar dhe se të njëjtat nuk do të përsëriten më, jo vetëm se janë joetike për një ndërmarrje normale por edhe fyese për trajtimin konsumator. Në çdo vend normal një ndërmarrje minimalisht normale do të bënte maksimalisht përpjekje për të përmirësuar imazhin e saj e jo të tregojë tendencë për të marrë para, heshtur e vazhduar. Por meqenëse aktet morale e vullnetare janë pak të pritshme në një shtet me kaq pak moral e kaq pak vullnet, them se kosovarët duhet ti drejtohen gjykatave për të parandaluar një plaçkë tipike nga faturuesit.

Nuk dua të hyjë fare në paradeklarimet e disave që këtë rritje të çmimeve e ndërlidhin me privatizimin e distribucionit. Mund ta lidhin edhe me zbarkimin në Hënë po u ndien më mirë, por pavarësisht një privatizimi regresiv, të dëmshëm e të turpshëm të distribucionit, faturat e reja kanë të bëjnë më së paku me të. Çmimet në fund të fundit nuk i cakton KEK-u, as Distribucioni por Rregullatori i Energjisë. Këto çmime nëse asgjë tjetër janë mu në faturat e dërguara tek secili. Problemi pra është mu tek përllogaritja e këtyre çmimeve. Shqetësuese megjithatë duhet të jetë lajmi i dhënë kohëve të fundit se instalimin e njehsorëve digjital e paguajnë taksapaguesit kosovar. Them kështu meqë do të ishte absolutisht absurde sikur me paratë e taksave publike të paguhen asetet e pronarëve privat. Për këtë po besoj në nisjen e ndonjë hetimi parlamentar.

E kur jemi tek njehsorët, do të ishte shumë e udhës të bëhet një hetim i ngjashëm si në Shqipëri kur u konstatua se ka diçka të tmerrshme me përllogaritjen e shpenzimeve nga njehsorët digjital, të cilët sipas përdoruesve llogarisin më shumë se çfarë analogët kanë bërë; njëjtë si tek ne. Nga natyra e llogaritjes së aparaturave teknologjike mund të kuptoj se është fare e lehtë kurdisja e një mbillogaritje. Pa dashur të lëshohem më tepër në konsipracione trishtuese si këto, por që kanë ndodhë jo më larg se në Shqipëri, duhet përmendur gjithashtu se faturimi më i rëndë i rrymës është bërë edhe për shkak të kohës së matjes së tarifave, që i njohim në termat “me të lirë” e “me të shtrenjtë”. Deri sa në orët analoge një gjë e tillë mund të fiksohej lehtësisht nga çdo qytetar me dije modeste mbi njehsorët (duke favorizuar lirimmin për kohët me konsum më të lartë dhe anasjelltas), tek këta digjital një gjë e tillë është e parapërcaktuar dhe e pandryshuar. Prandaj pak këtu e pak atje kanë bërë në fund një çoroditje të përgjithshme të faturave në vend.

Problemi i çmimeve të energjisë elektrike gjithsesi se do të vazhdojë në Kosovë. Mos të harrojmë se fyerjes së çmiomores i ka kontribuar edhe qeveria jonë e cila për shkak të ngushtësisë financiare, kishte vendosur të rrisë taksën në thëngjill për plot 1001%, duke i mbledhur kështu plot 26 milionë euro nga KEK-u. Këktë 26 milionësh më pas KEK-u e kishte transferuar tek konsumatorët nëpërm jet shtrenjtimit të energjisë elektrike për gati 10%.

Çfarë kosovarët megjithatë nuk e dinë, është fakti se në tri vitet e ardhshme vendi ynë do të detyrohet edhe më tutje të shtrenjtojë çmimet e energjisë elektrike. Kosova aktualisht ka dualsi tarifore varësisht prej llojit të konsumatorit. Pra janë bizneset në njërën anë që paguajnë tarifa më të shtrenjta, dhe janë familjet që paguajnë tarifa më të ulëta. Ky diversifikim natyrisht se është i padrejtë. Në fund të fundit energjia elektrike e shpenzuar si për biznesin si për qytetarin është e njëjtë. Nuk mundet një bukë të kushtojë më shtrenjtë për një biznesmen e më lirë për një shtëpiak; dhe kjo pavarësisht fuqisë blerëse të tyre. Nuk mundet një kilowat energji të kushtojë më shtrenjtë për një këpucëtar në hall e më lirë për një shtëpiak milioner. Prandaj në frymën e obligimeve evropiane, Kosova do të duhet të barazojë dy tarifat. Ky barazim është programuar të ndodhë në tri vite, duke i ulur për çdo vit nga 10% tarifat për bizneset e duke i rritur për aq përqind tarifat e konsumatorëve shtëpiak. Pra pas tre viteve energjia elektrike në Kosovë do të jetë për 30% më shtrenjtë se sa që është tani.

Një çmim i tillë gjithsesi se përbën një goditje të rëndë inflacioniste tek shporta e konsumatorit kosovar. Kujtoj se vetëm në tre-katër vitet e fundit janë mu kosovarët që kanë përjetuar një rritje të energjisë elektrike për plot 30%. Ndonëse çmimi i energjisë elektrike duhet të reflektojë në koston e prodhimit të saj, them se institucionet tona kanë mundësi të zbusin sadopak barrën e menjëhershme tek kosovarët. Një politikë zbutëse gjithsesi do të ishte heqja e TVSH-së në energji elektrike për konsum familjar.


No comments: