Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 SHKURT 2013
Ka vetëm një emër dhe vetëm një përshkrim për diçka që ka territor të
vetin, pika mbledhëse të veta, kontribuues e përfitues të vetin, vendimmarrës
të vetin – në terma financiarë i thonë buxhet
Ka bukur ca kohë që kur flitet për
themelimin e një Fondi Zhvillimor për Veriun. Të gjendur nën hallakamën e Luginës
duket se lamë pas me apo pa qëllim njërin ndër elementet më thelbësore të
pas-shpalljes së pavarësisë: hapjen ose jo të Pakos së Ahtisaarit. Këtë javë do
të provoj që shkurtimisht por në formë gjysmake gjithsesi, të jap mendimin tim
mbi Fondin e proklamuar për Veriun. Them në formë gjysmake meqë baza e
informacioneve mbi Fondin vazhdon të jetë jopublike prandaj çfarëdo percepcioni
që ndërtohet për të buron vetëm nga deklaratat e pjesëmarrësve në bisedime e jo
nga ndonjë dokument i shkruar që do të shërbente si bazë e interpretimeve
analitike. Dhe ndoshta mu ky mospublikim tregon në një farë forme edhe natyrën
jo fort të mirë të marrëveshjes për të dyja palët; në të kundërtën pse të mos
bëhet publike.
Janë dy deklarata, nga të dyja palët,
pra Prishtina dhe Beogradi, të cilat na japin natyrën dhe nomenklaturën e përafërt
të Fondit. Pritshëm, siç edhe ka ndodhur me çdo marrëveshje të deritanishme në
Bruksel, të dy deklaratat janë në kundërshti me njëra tjetrën. Është Beogradi në
njërën anë që thotë se “paratë e
mbledhura në Pikat 1 dhe 31 nuk do të shkojnë në Buxhetin e Kosovës; nëse
ndodhë një gjë e tillë Beogradi do të zhvlerësojë të gjitha marrëveshjet e
arritura deri më tani” (Ivica Dacic) dhe në anën tjetër është Prishtina që
thotë se “të gjitha të ardhurat nga
doganat, akcizat dhe TVSH-ja në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të
Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e shtetit, në ndërkohë përfaqësuesi i
BE-së në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale
në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pikat 1 dhe 31” (Hashim Thaçi).
Në fakt, kundërshtia qenësore në këto
dy interpretime nuk qëndron në burimin apo përfundimin e të hyrave, por vetëm në
ekzistencën apo jo të një pike transaksioni, siç është Buxheti i Kosovës. Pra të
dyja palët pajtohen se burimi i të hyrave janë Pikat kufitare 1 dhe 31 dhe të
dyja palët pajtohen se paratë do të përfundojnë në Fond. Gjithashtu, të dyja
palët pajtohen se Fondi do të menaxhohet nga një Bord i pavarur tre anëtarësh
dhe se mjetet e Fondit do të përdoren vetëm për një zonë të caktuar
gjeografike. Në parime koncensuale si këto, do të provoj që nëpërmjet katër
pikave të derivoj përfundimisht edhe natyrën e Fondit.
Së pari, Fondi i krijuar ka dy pika
kufitare që mbledhin të hyra ekskluzivisht për të. Paratë e mbledhura në Veri
kanë vetëm një kanal të parapërcaktuar financiar: nga kufiri në Fond. Pikat
veriore nuk kontribuojnë askund tjetër përveçse në Fond siç edhe nuk kontribuojnë
pikat tjera doganore të Kosovës askund tjetër përveçse në Buxhet; pra ka një
lidhje të pastër dhe ekskluzive në mes të pikave 1 e 31 me Fondin. Në këtë
frymë them se nga kalojnë, si kalojnë e kur kalojnë paratë është më pak e
rëndësishme. E rëndësishme është të kuptohet se elementi i parë qenësor i
marrëveshjes në fjalë është se Fondi ka pikat e veta doganore.
Së dyti, Fondi përveçse ushqehet nga këto
pika doganore, ushqehet edhe nga të gjitha aktivitetet ekonomike të zhvilluara
në një rajon të caktuar gjeografik, pra Veriun. Thënë ndryshe aktivitetet
ekonomike të zhvilluara në këtë pjesë nuk mund të kontribuojnë financiarisht në
asnjë grumbullim tjetër financiar përveçse në Fond. Ky dedikim përbën elementin
e dytë qenësor të Fondit, faktin se i njëjti përveç se ka pikat doganore të
veta, ka edhe një territor të vetin gjeografik.
Së treti, Fondi ka kontribuuesit dhe
përfituesit e vet: banorët e Veriut. Ka kontribuuesit e vet meqë këta banorë
nuk paguajnë taksa e obligime tjera fiskale, ndaj asnjë grumbullimi financiar
përveç Fondit dhe ka përfituesit e vet meqë asnjë mjet i Fondit nuk mund të
shpenzohet diku tjetër përveçse tek kontribuuesit e saj. Pritshëm se paratë e
mbledhura në Veri e të derdhura në Fond nuk mund të shfrytëzohen le të themi
për ndërtimin e një shkolle apo rruge në anën tjetër të Kosovës, në Han të
Elezit; siç shfrytëzohen sot paratë e mbledhura në Han të Elezit për të
ndërtuar një rrugë në Pejë. Të hyrat e grumbulluara, gjithsesi me tarifat
doganore e tatimore të Kosovës, mund të përdoren vetëm për një njësi të
parapërcaktuar përfituesish. Ekzistenca e kontribuuesve dhe përfituesve
ekskluziv përbën elementin e tretë qenësor të marrëveshjes. Pra Fondi përveç se
ka pikat e veta doganore, territorin e vet ka edhe kontribuuesit e përfituesit
e vet.
Së katërti, Fondi ka edhe menaxhuesit e
vet. Nuk është Parlamenti i Kosovës si në çdo rast tjetër financiar në Kosovë,
por është një Bord tre anëtarësh me të drejta ekskluzive dhe të pakontestuara
vendimmarrëse. Për fatin e parave të mbledhura nga një Fond me pika të veta
doganore, me territor të vetin, kontribuues e përfitues të vetin, mund të
vendosë një trup i veçantë menaxhues. Kjo natyrisht se bën elementin katërt qenësor të marrëveshjes.
Marrë parasysh këtë, është e qartë se Fondi
për Veriun ka përmasa më të vogla se sa Buxheti i Kosovës, ka trup vendimmarrës
më simbolik se sa Parlamenti i Kosovës, ka territor më të vogël se sa pjesa
tjetër e Kosovës, ka pika doganore në numër më të vogël se sa pjesa tjetër e
Kosovës, ka kontribuues e përfitues më të pakët se sa pjesa tjetër e Kosovës –
pra në esencë është shumë më i vogël se gjithçka tjetër e Kosovës. Pavarësisht
kësaj Fondi definitivisht ka pika të pavarura e të veta doganore, ka territor të
pavarur e të vetin taksues, ka vendimmarrës të pavarur e të vetin menaxhues dhe
ka gjithashtu kontribuues, përfitues e llogari financiare të pavarura e të veta.
Për çdo kë me dije bazike financiare, deri
më tani do të ishte e qartë se ka vetëm një emër dhe vetëm një përshkrim për
diçka që ka territor të vetin, pika mbledhëse të veta, kontribuues e përfitues
të vetin, vendimmarrës të vetin – në terma financiarë i thonë buxhet. Rrjedha e
parasë nëpër një kanal të tillë është çelës i veçantë buxhetor. Prandaj them se
Fondi për Veriun është as më shumë e as më pak se sa një buxhet paralel,
gjithsesi më vogël por gjithsesi edhe i pavarur nga Buxheti i Republikës së
Kosovës; dhe mu ky fakt bën koston më enorme nga një marrëveshje e tillë.
Fakti se paratë kalojnë nëpër thesar,
nuk zhbën as për një moment pasjen e pavarësisë territoriale, menaxhuese,
përfituese, kontribuuese apo kufitare të Fondit. Kalimi nëpër thesar mund të
bëhet sa për të evidentuar e regjistruar paratë, por për fatin dhe destinimin e
një euroje të mbledhë nga Fondi e për Fondin nuk mund të vendoset as për së
afërmi siç vendoset për një euro tjetër të mbledhë në Kosovë. Në fund të fundit
a nuk duket kështu autonomia financiare: evidentim por pa ndikim?
Përderisa Parlamenti i Kosovës, si
institucion i vetëm kushtetues i autorizuar nga qytetarët për të menaxhuar
paranë e mbledhur në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht se a bëhet fjalë
për paranë e mbledhur në Lindje, Perëndim, Jug apo Veri, pra përderisa
Parlamenti i Kosovës shndërrohet në spektatorë i evidentimit të parasë veriore
nëpër thesar por jo dhe i Zot i saj, atëherë them se ne kemi të bëjmë me një
paralelizëm financiar që shërben si bazë e një autonomie financiare për Veriun.
Përderisa qytetarët e një pjese gjeografike të Kosovës kontribuojnë e përfitojnë
ndaras në një e nga një Fond, atëherë them se kemi të bëjmë me një paralelizëm
financiar për Veriun. Përderisa një territor i caktuar i Kosovës krijon e
grumbull të hyra ndaras dhe vetëm për veti, atëherë them se kemi të bëjmë me një
paralelizëm financiar për Veriun.
E një paralelizmi i tillë financiar përbën
në esencë një situatë antikushtetuese, antiligjore dhe përtej çfarëdo
parashikimi brenda Pakos së Ahtisaarit. Së pari, them se është antikushtetuese e
antiligjore meqë Kushtetuta e Kosovës dhe disa ligje suksesive që rregullojnë
aspektet financiare, doganore e buxhetore në Kosovë, përfshirë edhe vet Kodin
Doganor të Kosovës nënkuptojnë trajtimin e njëjtë të çdo euroje të Kosovës. Kur
them njëjtë e mendoj mbledhjen, grumbullimin dhe shpenzimin. Pra çdo euro
mblidhet nga Dogana, grumbullohet në Buxhet dhe shpenzohet nga Parlamenti.
Mosbërja e njërës nga të tria, për gjitha arsyet e dhëna më lartë, nënkupton
harnim të implementimit obligues ligjor e kushtetues.
Kalimi nëpër thesar sa për sy e faqe,
pra sa për evidentim pa ndikim, nuk përmbush asnjëherë kërkesat si këto. Së
dyti, them se është përtej parashikimit brenda Pakos meqë në gjithë 24,349
fjalët e Pakos nuk gjendet as edhe një e vetme që definon trajtimin buxhetor të
dyfishtë për çfarëdo komune apo për çfarëdo rajoni të Kosovës. Përkundrazi, kujtoj
se Aneksi 3 i Pakos së Ahtisaarit, që merret me decentralizimin, saktësisht
Neni 8, që merret me financat lokale, në Pikën 2 thotë se “komunat nuk do të
vënë apo mbledhin tarifa doganore, tatime në të ardhura të personave fizikë dhe
juridikë, TVSh-në dhe detyrimet e akcizës, tatime në kapital, përveç tatimit në
pronën e paluajtshme që gjendet brenda komunës apo tarifa të tjera ekuivalente
me detyrimet dhe tatimet e tilla”. Për efektet e gjeneroziteti tonë përtej
hapjes së Pakos, pra për konsekuencat e hapjes së Pakos nuk do të flasë fare.
Besoj se është thënë mjaft e do të thuhet mjaft në lidhje me të.
Në fund fare, për të dhënë një
alternativë sa për të qetësuar zërat që kapen për mungesë alternativash, them
se nuk ka as edhe një të metë nga koncentrimi i mjeteve financiare në një
regjion të caktuar gjeografik. Në ekonomi kësaj i thonë zhvillim i balancuar
rajonal; madje kosovarët sot do të ishin shumë familjar me konceptin e tillë përderisa
i njëjti ekzekutohet qe sa vite në regjionin e Drenicës. Por nëse zhvillimi i
balancuar rajonal bëhet nëpërmjet krijimit të paralelizmit financiar e buxhetor
them se efektet e tij bëhen realisht antizhvillim. Kosova mund të krijoj një
Fond për Veriun por pa lidhur pikat doganore, të hyrat, aktivitetet ekonomike, përfituesit e kontribuuesit ekskluzivisht
me Fondin, pra pa i dhënë të njëjtit eksluzivitet në të gjitha të hyrat nga
disa pika doganore apo nga një regjion i dhënë ekonomik. Fondi për Veriun joparalel
mund të financohet edhe nga Jugu i Kosovës, Perëndimi apo Lindja nëpërmjet
caktimit të një shume financiare e cila më pas plotësohet nga kontirbimet
buxhetore me vendim Parlamenti; njëjtë sikurse është le të themi ndërtimi i autostradës
kur dihet kostoja e përgjithshme por burimet e kësaj kostoje nuk janë të
lidhura specifikisht me ndonjë burim apo lloj takse. Pikat veriore nuk janë domosdoshmërish
të një regjioni të caktuar, ato janë të gjithë Kosovës. Prandaj do të ishte
absurde që nën intencën e integrimit të një pjese gjeografike të krijojmë veçim.
Po trajtuam ndaras një pjesë të Kosovës nuk është se po krijojmë proces
integrues; përkundrazi ne po japim bazën e parë të një ndarje autonomike. E kjo
më së paku është integrim.
abdixhiku@facebook.com
No comments:
Post a Comment