Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 SHKURT 2013
Një përmbledhje e ecjes sonë ekonomike
Provoj shpesh ti kujtoj pritjet që i
kishim unë dhe miqtë natën e 16 shkurtit, pesë vite më parë, kur një mik tjetër
i jetës po bënte atë që deri më tani për mua ishte dhe mbetet dasma me e mirë
në të cilën kisha marrë pjesë ndonjëherë. Nën euforinë, padurimin e dirthmërinë
e pritjeve të para pavarësisë, ndjenja e brendshme që gufonte mes nesh e
dasmorëve tjerë ishte diçka e papërshkrueshme – ishte një lloj preludi i një
feste të madhe që shihej se po vinte në horizont. Për mikun tim, kjo natë ishte
një fillim i ri mbi një lidhje të vjetër për një familje të re, diçka pak a
shumë njëjtë sikurse edhe fillimi i ri në Kosovën e vjetër për një Kosovë të re.
Pesë vite më pas miku im V, tani babë i një vajze si kukull e një djali si
rrush, bashkëshort i përkushtuar, mik i pashoq, vazhdon të bëjë punën e
përditshme të një kosovari të zakonshëm, në një vendpunim të zakonshëm, për tu
kthyer në një banesë të zakonshme e ndarë kohën me një familje të zakonshme. Ecja
e tij në këto pesë vite: brilante!
Larg prej brilantes ecja e shtetit që
lindi natën e njëjtë. Madje kur shoh mbi pritjet e para pesë viteve kuptoj dhe
naivitetin tim të çoroditur asokohe. Thënë të drejtën, të njëjtën ndjenjë po aq
naive kisha edhe në vitin 1999 kur tregimet përrallore të një Hong Kongu të dytë
në Kosovë përhapeshin gjithandej. Hong hiç, Kong edhe më pak, 14 vite pas
çlirimit e 5 pas pavarësisë vendi im ende nuk e ka gjetur rahatinë e
mjaftueshme të një komforti modest për një jetë të zakonshme. Kosova ende
mbetet larg të qenit një familje mesatarisht e zakonshme. Nëse asgjë tjetër
Kosova mbetet një familje e pazakontë, e zhytur në anarki, antiedukatë dhe hallakamë
të brendshme, ku të urtit gatuajnë, punojnë, fshinë e pastrojnë gjatë gjithë ditës
e të vështirët marrin tallin natën për të dhënë më pas talljen.
Kosova në pesë vite ka shtrembëruar
mjeshtërisht gjithë simpatinë ndërkombëtare, ka stagnuar në çdo integrim
evropian, ka prodhuar skandale mbi skandale e ka përfunduar me një status-quo
të ecjes ekonomike duke mos prekur as për së afërmi nevojat më bazike të
mirëqenies e kualitetit të jetesës kosovare. E sa për të mos mjaftuar kjo,
Kosova në këto vite ka dëshmuar edhe mungesën e plotë të reagueshmërisë
qytetare ndaj çdo marrie e çdo të zeze që mbinë sa andej e sa këndej. E kam
thënë dikur se guximi ndonjëherë e kapërcen një gjeneratë të tërë njerëzish; ata
thjesht ndihen të paobliguar për të mbrojtur një copë dinjiteti. Kjo gjeneratë
e sodit ka më së paku përgjegjësi e guxim për të bërë ndryshe. Fajtorë si të
akuzuar!
E në rrethana si këto, përtej montimeve
të flamurit, të himnit, fusnotës e deri tek montimi i Presidentes, pra në
rrethana kur sillen me ne si në kohë të Ali Bungut, mos dalja zot i vetës na
sjell në situata kur në kronikat e lajmeve kryesore, gjashtë-shtatë lajmet e
para ende janë rreth temave të sigurisë, Veriut, Serbisë e shtetësisë kosovare
– njëjtë sikurse pesë vite më parë. Shto kësaj edhe skandalet benhillo-hiçkokiane,
çirkuzet parlamentare, zaptimet, rrënimet, qeshjet, zgerdhirjet, padituritë,
hajnitë, krimet, mafitë e deri tek çoroditjet e përditshme dhe ke një fotografi
të përafërt të Kosovës në pak vite. Këtë fotografi definitivisht nuk e kishim
pritur më 17 Shkurt 2008.
***
Meqenëse e thërras vetën si ekonomist,
them se këtë përmbledhje do ta bëj vetëm për ekonomi. Kam përshtypjen se
bashkë-kolumnistët tjerë të kësaj gazete do ti prekin mjeshtërisht kujtimet e
jetës sonë politike e qytetarë në pesë vitet e shkuara. Kanë mjaft për të
thënë.
E sikur të peshoja ecjen tonë ekonomike
në gjysmë dekade, pra sikur ti ndaja pluset në njërën anë e minuset në tjetrën,
them se peshorja do të dukej pak a shumë kështu. Në anën e pluseve, integrimet
ekonomike në institucionet financiare ndërkombëtare, në rend të parë në Bankën
Botërore, Fondin Monetar e Bankën Evropiane janë padyshim ecjet më domethënëse
në këtë periudhë. E para sepse me anëtarësime të tilla neve na u hapën dyert
për potenciale përfituese goxha mbresëlënëse (tjetër muhabet se sa ditëm, sa
dimë e sa do të dimë ti shfrytëzojmë at), dhe e dyta, sepse për kohën e
anëtarësimit tonë në to, ishte esenciale pjesëmarrja jonë si shtet. Në terma
strikt ekonomik, pozitive gjatë kësaj kohe gjithashtu është edhe rritja e
buxhetit nëpër vite si dhe ulja e suficiteve buxhetore. Kujtoj se asokohe
Kosovës i tepronin në Ministrinë e Infrastrukturës nga 300 milionë në vit; në
kohë kur nevoja kishte më shumë se 300 milionë (prapë, tjetër muhabet që sot
kemi kaluar në ekstremin tjetër të shpenzimit). Ulja e tatimit në profit nga 20
në 10% po ashtu bën një hap që merr pluse, sic bën edhe heqja e disa
procedurave burokratike në regjistrimin dhe operimin e bizneseve; por me kaq
kam përshtypjen se përfundon ndonjë politikë e hajrit ekonomike në gjithë këto
vite.
Në anën tjetër të peshores, pra tek
minuset, rëndesa është alarmante. E para, të gjithë treguesit makroekonomikë kanë
shënuar o stagnim o rëndesë. Kur flas për treguesit makroekonomik e kam fjalën
për papunësinë, inflacionin dhe deficitin tregtar. Në këto pesë vite, papunësia
vazhdon të mbetet në kufijtë e rekordeve të ulëta, diku në 40-45% varësisht nga
percepcioni i bazuar në fakte e jo iluzione (se përndryshe na del më mirë se
Spanja). Inflacioni në anën tjetër ka shënuar rritje të vazhdueshme në kaq pak
kohë. Që nga shpallja e pavarësisë kosovarët kanë përjetuar rritje të çmimeve
në nivel prej plot 30%; pra çdokush me të ardhura konstante në këtë periudhë
është varfëruar për afërsisht një të tretën e pasurisë. Mjafton të krahasosh
çmimet e produkteve bazike për të parë qartazi ngecjen e rëndesën e vazhdueshme
mbi familjet kosovare. Kujtoj se në ditën e pavarësisë një bukë kushtonte 20
cent - sot kushton 35; një litër vaj kushtonte 1 euro, sot 1.80; një kilogram
sheqer kushtonte 50 cent, sot plot 85; një litër naftë kushtonte 80 cent sot
mbi 1.30; një kilogram mish kushtonte 4.50 cent, sot plot 6.20 cent; dhe së
fundi një kilovat energji elektrike kushtonte 4 cent, sot plot 6.5 cent. E
treta, deficiti tregtar ka vazhduar të rëndohet. Deri sa në ditën e pavarësisë
Kosova importonte diku rreth 1.9 miliardë euro, sot importon mbi 2.5 miliardë,
përderisa eksportet janë rrritur simbolikisht nga 200 në 300 milionë euro. Pra
në pesë vite ekzistencë ne kemi rritur varshmërinë ekonomike në produkte të
importuara për plot gjysmë miliardi në vjet – e ky ritëm është në vazhdim.
Tashti, nivelet dhe trendet e treguesve
makroekonomikë si papunësia, inflacioni e deficiti tregtarë janë vetëm pasoja të
një politikëbërje nëpër këto vite. Pra në numra si këto njeriu gjen dhe
vlerëson lehtësisht se sa adekuate, sa të efektshme dhe sa të mençura kanë qenë
politikat ekonomike në vend nëpër kohë. Nëse dikush mburret me stagnim të papunësisë,
inflacion 30%, e deficit tregtar në hiper-rritje, them se ka problem serioz me
konceptet më bazike dhe qëllimet më elementare të ekonomibërjes.
***
Arsyeja e parë dhe e vetmja se pse
Kosova nuk ka zgjidhur problemin e papunësisë, inflacionit e deficitit tregtar
në këto pesë vite është se Qeveritë e saja asnjëherë nuk kanë besuar në
sektorin privat. Të njëjtat sektorin privat e kanë parë vetëm si një lopë që
qet qumësht. Përderisa sektori privat shihet si burim i mbushjes së buxhetit,
korrupsionit e rrjedhimisht pasurimit të shpejtë politik në vend, nuk ka se si
dhe nuk mundet se si të prodhojë rezultate ekonomike; diçka si për shembull
krijimi i vendeve të reja të punës (së paku një vend për një ndërmarrje çdo
vit) dhe ulja e papunësisë në 20% në më pak se pesë vite, apo diçka si për
shembull krijimi i vlerës e produkteve dhe stagnim të çmimeve, apo dhe diçka si
zëvendësimi i importit me prodhim të brendshëm dhe kështu reduktimi i hendekut
tregtar.
E kjo lloj qasje na sjell tek
korrupsioni, sëmundja më prezente ekonomike në vend. Nëse asgjë tjetër në këto
vite korrupsioni ka shënuar rritjen më të madhe të parë ndonjëherë. Ndoshta për
shkak se krahasuar me pesë vite më parë Kosova ka në buxhetin e saj më tepër
para, apo ndoshta se ndërrimi i skenës politike në vend vazhdimisht kërkon edhe
pasurimin e tyre të shpejtë; gjithsesi për të dy arsyet përdhunimi kaq i egër i
parasë publike përveç se ka shkatërruar konkurrueshmërinë e brendshme (nëpërmjet
konkurrencës jo të drejtë) dhe kështu ka shkatërruar edhe sektorin privat e më
pas edhe ato tri problemet tona makroekonomike, përveç pra se ka bërë gjithë
këto korrupsioni ka dhënë edhe një sinjal tmerrues në imazhin e Kosovës botërisht.
Prandaj tani kur i mbushim pesë vite shtet, them se e kemi shumë të vështirë të
gjejmë vetëm një, kujdes jo dy, por vetëm një investitor me renome botërore në
Kosovë. E kemi katandisur aq keq imazhin tonë ekonomik sa që nga gjithë ajo
simpati, përkushtim e vëmendje që patëm në kohën e pavarësisë , konferencës së
donatorëve, imazhit mediatik e më gjërë, ne kemi mbetur me tituj gazetash
botërore që shohin vendin tonë si tmerrin e fundit evropian. Sa e dhimbshme.
E kur jemi tek menaxhimi ekonomik, them
se po aq të paaftë në këto vite kemi qenë edhe në menaxhimin e ndërmarrjeve
publike, pasurisë së fundit të patransformuar. E para, në vend të vlerësimit të
tyre ne kemi krijuar zhvlerësim. Nëse PTK është vlerësuar pesë vite më parë mbi
700 milionë, sot nuk i bën dot as 300. Nëse KEK pesë vite më parë ka tërhequr
investitorë evropian sot tërheqë disa amatorë indian. E dyta, në vend të pavarësimit
të tyre ne i kemi shndërruar këto ndërmarrje në vende “rahatimi të dajve që kanë
mbetur keq”. Mbipunësimi, pagat e lluksit e bonuset e paarsyeshme për militantë
partiak kanë treguar në miniaturë edhe derexhën e menaxhimit publik kosovar – që
përndryshe duhet ndërprerë sa më shpejtë. Menaxhimin buxhetor në stilin e
kontabilitetit të një trafike as që po e diskutoj; do të më duhej e gjithë
hapësira e kësaj gazete.
E kur jemi tek militantizmi partiak,
zaptimi institucional i elementeve ekonomike të Kosovës, i derivuar kryesisht
nga një zaptim politik gjithandej, nga edukimi, shëndetësia, policia, mediat,
gjykatat e deri tek agjencionet e bordet e pavarura, vazhdon të bllokojë çfarëdo
ecje ekonomike. Pra në vend se të kemi gjykata të pavarura që do të kishin një
lloj përgjigje refuzuese ndaj anomalive ekonomike, në vend se me po këto
gjykata ti garantojëm investitorët e huaj për siguri në vend të haraçit, në
vend se me këto gjykata të zvoglojmë koston e iniciativës private, ne kemi bërë
mu të kundërtën. Pse? Sepse përderisa prioritet mbetet rhatimi i vetës e
familjes, përderisa ky rahatim kërkon pare, përderisa këto pare vijnë nga
taksat, përderisa këto taksa vijnë nga sektori privat – është e pamundur të
krijohet punë, vlerë, stabilitet e prosperitet.
Në fund fare, në këto pesë vite ne
mbesin me një situatë ku politikanët tanë tallen me disa numra që nuk thonë
asgjë. Dicka për shembull si rritja ekonomike simbolike, që na qenka ma e mirë
në rajon, pa e kuptuar se rritja ekonomike nuk është zhvillim ekonomik – se ajo
mund të jetë rritje e pasurisë së një grupi të vogël individësh. Njëtrajtësisht
ne tallemi me mburrjet se gjithçka po shkon sipas një plani power-point
hajgare, se ecja jonë është lakmitare dhe se natyrisht, për gjithë këtë është
meritore angazhimi i Qeverisë. Madje po të shikosh me kujdes deklarimet e
vazhdueshme politike në vend e kupton se ma e rëndësishme për promovuesit e
tillë është theksimi se ata po punojnë se sa interpretimi real i gjendjes
ekonomike. Thonë se puna që shihet kallauz nuk do.
Në fund fare, them se Kosova ka nevojë
për një ndërrim radikal të paradigmës ekonomike. Në vend të talljes e marrjes
me glorifikime të paqena them se është e udhës të kuptohet fillimisht gjendja e
rëndë, e nga ku njeriu vazhdon me ecje e gjetje alternativash – përndryshe
është e kotë diskutimi në mungesë diagnoze. Këto ecje e alternativa nënkuptojnë
forcimin e gjykatave, ndaljen e egove korruptive, dënimin e keqbërësve,
trajtimin favorizues të vendorëve, lëvizjen me politika fiskale, shuarjen e
burokracisë, zhbërjen e strukturave zaptuese e dhënien e frymës. Pak a shumë
gjeniale, por ja që në pesë vite përpjekje ne ende jemi në vitin zero. E Kosova
përderisa vazhdon të mbesë në vitin zero e ka vështirë të gjejë qetësinë e me
këtë dhe rutininë e qetësisë familjare.
No comments:
Post a Comment