Friday, 22 February 2013

SHTET I DALË DORE



Letra nga limbo
Koha Ditore, 22 Shkurt 2013


Për gjithë ata në pritje të mrekullisë për të parë Kosovën më ndryshe, dua të bëj diçka tërësisht të qartë. Nëse mendojmë se ka ndonjë grup heronjsh të fshehur diku e që një ditë do të na vijnë në shpëtim, e kemi gabim. Kjo, ne, forcat tona, është e tëra. Përtej neve nuk ka asgjë tjetër të fshehur diku. Jemi vetëm ne, dhe ne po dëshpërojmë me të madhe


I padurueshëm është bërë ritmi i ballafaqimeve me skandale gjithandej Kosovës. I padurueshëm është bërë edhe trajtimi i skandaleve nga bërësit e tyre. I durueshëm është vetëm pranimi i tyre. Kosovarët si duket më nuk ndjenjë asnjë lidhje me shtetin e tyre prandaj nuk u bëhet vonë se çfarë ndodhë, si ndodhë e kur ndodhë në këtë shtet – nuk është më punë e tyre. E në gjithë këtë hallakamë është disi e vështirë të përpish mllefin e të vazhdosh tutje pa u dukur si një ankues melankolik e nihilist i padobishëm që di vetëm të shoh zi e të shkruaj errtë. Dikur edhe ankesat e kritikat më me vend kalojnë në tinguj të bezdisshëm, sidomos kur në to (siç edhe më thotë shpesh dikush shumë i afërt për mua) nuk ka fare shpresë. Në një pozicion të tillë gjeta edhe veten pak ditë më parë gjersa po ndaja mendimet mes miqve të mi, të cilët megjithatë kishin vendosur të më lejonin me plot gjenerozitet një shëtitje “free-range” të eksplozivitetit tim.

Kam përshtypjen se po mos të ishin aty këtu ndonjë lajm e ndonjë e bërë normale, diçka si parada simpatike e forcave ushtarake të Kosovës apo dhe ngjyrosja kreative e Newborn-it, zor se do të mund të bënim më dallimin mes së mirës e së keqes. Kam përshtypjen se të ngopur nga skandalet e gufuara në pambarim, ‘e mirë’ tanimë na duket më pak e keqja se sa e keqja, gjithsesi të gjitha mbesin të këqija. Të shfaqura sa për ta stopuar shkurtimisht ecjen tonë trishtuese, pra sa për të na dhënë një mini-nuancë të pamjeve siç duhej të ishin e jo siç janë, e para - parada, më ngjalli krenarinë e parë në shumë kohë për një shtet që fatkeqësisht ka “dalë dore kaherë”. Ani pse në numër modest, ani pse pa ndonjë fuqi serioze, ani pse me përzierje edhe të shërbimeve të zakonshme publike, defilimi i forcave të Kosovës tregoj se kur ka vullnet gjërat mund të bëhen thjeshtë shkëlqyeshëm.

E shkëlqyeshme ishte edhe ideja për të ngjyrosur Newborn-in me 98 flamujt e shteteve që kanë njohur Kosovën në këto pak vite. Për mendimin tim kjo ishte ideja më kreative, më origjinale e gjithsesi më nderuese e shpërfaqur në këtë 5 vjetor. Ajo tejkalonte e hiper-tejkalonte improvizimin e këngëve e valleve gulçuese, kacavjerrës së flamujve nëpër udhëkryqe, e ‘shllajfet’ brutale të çmendurisë anarkike sa herë që bëhemi një grumbull njerëzish në një festë. Natyrisht se një tejkalim i tillë nuk mund të vinte nga Qeveria, siç edhe nuk do të vinte parada po të mos ishin mbikëqyrës, trajnues e kontribuues forcat e NATO-s, por vinte nga një organizimi qytetar i nisur thjeshtë nëpërmjet rrjeteve sociale (edhe pse arsyetimi i nisjes dhe muhabeti i të drejtave autoriale ishte një biser në vete). Në të kundërtën, Kosova do të shihte një molerim “alla-puçfarnicë” me mistri, kazmë e kaci e për të cilën nuk kishte dëgjuar askush përtej Veternikut – e gjithë kjo ide kreative e ndonjë “zyrtari të lartë për dëlirje-lyerje”, dajë i rehatuar që kishte mbetur njëherë keq.

Por ja që euforia e festës zgjati shumë pak, e shpirja nga pirja festive na kthen prapë tek një shtet që vazhdon rënien e ti në greminën më antidemokratike që ka Evropa sot: drejt e në zaptim. Në njërën anë pak ditë pas festës na dalin kopjet e Udai e Qusai Huseinit, që si djem të shefave që janë rrahin e dhunojnë policët e uniformuar, kolegët e atyre parakaluesve simpatik në paradë. Një situatë si kjo, që përndryshe kishte marrë vëmendjen e publikut shumë rastësisht, tregon se sa i zaptuar është shteti. Fillimisht sepse zaptuesit mund të bëjnë çfarë të duan e më pas sepse për të bëmat e tyre mund të mos marrë vesh askush asnjëherë. Zaptuesit kosovarë ndjehen të lirë të trajtojnë gjithçka që shohin e prekin si pronë në “bahçen e babës”. Kujtoj se janë mu zaptuesit që mund ti përzënë prokurorët, mund ti ndjekin gjykatësit, e mund ti rrahin policët. E kur dikush ngre zërin për një trajtim minimalisht qytetar e minimalisht demokratitk, zaptuesit u bëjnë me gisht nga institucionet e pavarura, të cilat për ndryshe ndiqen e rrihen nga të njëjtit; të pavarur se jo mahi.

E për të kuptuar më mirë fuqinë e zaptuesve duhet të shikoni nga një vendim i fundit i Kushtetutës, që jo vetëm se zhbën një vendim tanimë të konfirmuar, rikonfirmuar e stërkonfirmuar, por me verdiktin e saj përkundër çdo gjase hap dyert e paranojave e sjelljeve konspirative që mund të kenë ngjarë në çdo vendim të saj – përfshirë edhe ato me deklarimin paradoksal se çfarë do populli në rastin e Presidentes. Përshkrimin më të mirë rreth vendimit të Kushtetueses e dha një mik i imi në Facebook: “U ngut Xhabiri me ikë...” ironizonte ai. Thënë të drejtën me librezën e partisë, mu si në vakt të shokut Tito e xhaxhit Enver, partiakët janë shtet mbi shtet; janë vet shtet! Problemi me këta të sodit është se po shtohen në numër.

E në rrethana si këto kur miqtë tanë evropianë na rikujtojnë se për të marrë diçka shumë bazike si lëvizja e lirë, gjithsesi të fundit se për të parafundit jemi me vjet drite larg, duhet zhbërë fillimisht zaptuesit e duhet hequr dorë nga trajtimi i shtetit si pronë e zaptuar. Prandaj jo faj nuk ka Brukseli – edhe pse të njëjtit nuk kanë mbetur kujt pa i dhënë të drejtë lëvizje – prej katundeve të Banja Llukës, ‘selaçka llepotave të Kragujevcit”, “puçfarnicave të Titogradit” e deri te”kaftanat e Gjevgjelisë” – por faj kemi ne që kemi zaptues e sharlatanë më të zi e më të mbrapshtë se gjithë rajoni.

Në fund fare, për gjithë ata në pritje të mrekullisë për të parë Kosovën më ndryshe, dua të bëj diçka tërësisht të qartë. Nëse mendojmë se ka ndonjë grup heronjsh të fshehur diku e që një ditë do të na vijnë në shpëtim, e kemi gabim. Kjo, ne, forcat tona, është e tëra. Përtej neve nuk ka asgjë tjetër të fshehur diku. Jemi vetëm ne, dhe ne po dëshpërojmë me të madhe! Kosova nuk vuan sepse i ka të paditurit e të pangopurit në qafë, Kosova vuan sepse na ka ne që kemi lejuar të paditurit e të pangopurit ti hipin në qafë. E nëse presim që të paditurit e të pangopurit të ngopen nga hipja në qafë, jemi të mallkuar për tu plakur në pritje.

No comments: