Friday 25 January 2013

FOLKNACIONALIZMI




Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 JANAR 2013


Ajo që nisi si një gjest i shëmtuar i qeverisë beogradase, përfundoi si një akt responsiv vandal në Kosovë, edhe më i rëndë edhe më i mbrapshtë edhe më i keq se vetë shëmtimi. Antiheronj impulsivë me testosteron në vend të trurit edhe këtë herë e hëngrën karremin duke e bërë kështu Kosovën të duket në stad e nivel të njëjtë me Serbinë paralel-millosheviqiane

Ka diku rreth dy-tre muaj që kur liderë nga Prishtina e Tirana nën cingëlimat e xhamadanit vija-vija çirreshin e shkumonin për Vilajetin e Shkupit. Retorika folknacionaliste pa fije fuqie të merr në qafë. Thonë se “qeni që leh nuk han”, e përderisa të tanët lehin, të tjerët hanë. Në mëngjesin e 20 janarit forca xhandarmërie në një operacion sa të shpejtë, aq edhe frikësues u palosën politikanëve shqiptarë xhamadanin me vija e me të dhe muhabetin vilajetian. Këta të fundit kishin kohë që u jepnin përkrahje folknacionaliste banorëve të Luginës – por vetëm aq. Ata as që  kishin vizituar ndonjëherë shqiptarët atje.        

Nuk dua as të konsideroj si njerëzore veprimin serb, e aq më pak krahasimin e luftëtarëve shqiptarë me “terroristë” sidomos kur një vlerësim i tillë vjen nga dikush që ende mban në xhep fotografinë e kasapit të fundit evropian. Slloba i Vogël mund të ketë bërë një veprim antishqiptar sa për të akomoduar adrenalinën nacionaliste serbe në shpërthim atje e që në esencë bën dhe bazën e militantëve të partisë së tij. Por çfarë megjithatë u bë esenciale për shqiptarë në kohën e pas rrëzimit ishte reagimi ndërkombëtar, i cili ani pse deri para rrënimit e kishte trajtuar çështjen e lapidarit si çështje të brendshme të Serbisë, menjëherë pas aktit rrënues e kishte dënuar rëndë kthimin serb në erën e 90-ve. Pas OSBE-së, karvanit reagues iu kishin bashkuar Ambasada britanike dhe amerikane në Beograd; të tria këto institucione që historikisht kanë bërë ndërrime qenësore në Ballkan.     

Por ja që ajo që nisi si një gjest i shëmtuar i qeverisë beogradase, përfundoi si një akt responsiv vandal në Kosovë, edhe më i rëndë, edhe më i mbrapshtë, edhe më i keq se vetë shëmtimi. Antiheronj impulsivë me testosteron në vend të trurit edhe këtë herë njëjtë sikurse në marsin e 2004-ës e hëngrën karremin duke e bërë kështu Kosovën të duket në stad e nivel të njëjtë me Serbinë paralel-millosheviqiane. Në ditën e dytë pas rrënimit të lapidarit, idiotë, banditë, hajvanë e huliganë po rrënonin gjithandej gurë varri. Veprat e tilla antihumane morën menjëherë fokusin ndërkombëtar duke i dhënë përkundër të gjitha gjasave Serbisë të drejtë në aktet antiluginë.         

Sado që u munduam të shfajësohemi duke fajësuar të tjerë, edhe pse thënë të drejtën në Kosovë çdo shërbim edhe mund të sillet si në bahçe të babës e të bëjë çfarë të dojë, them se nuk më befason asnjë akt i tillë anarkik – njoh e shoh plot të tillë që shkumojnë folknacionalizëm, meqë janë ushqyer e mbajtur mu me folknacionalizëm. Prandaj në vend të gjetjes së fajtorëve tjerë, në vend të bërjes paranoikë, në vend të sjelljes si të shenjtë, le të pranojmë se ne fatkeqësisht kemi qyqarë të tillë brenda shtëpisë sonë dhe le t’i gjejmë ata për të mos na marrë më kurrë kështu në qafë.

***

Grupe tifozësh me moshë pak përtej pubertetit, të mbështjellë me shalle rreth gojës e me “bakla” në dorë, bënin brohoritjet ritmike “duam armë – duam armë”. Nëse ju duken pamje si këto shumë të freskëta, më lejoni t’ju kthej kujtimet pak në rrugët e Beogradit në fillimin e viteve të 90-ta, kur njëjtë sikurse në Prishtinën e 2013-ës edhe atëherë (veçse 20-25 vjet më parë) ultratifozë të “Varrëmihësve” e “Delijave” nga “Partizani” respektivisht “Crvena Zvezda” bartnin pishtarin e folknacionalizmit serb madje, besoni ose jo, nën ritmet e njëjta brohoritëse. Armët e kërkuara u dhanë atëherë. Në njëzet e ca vjetët vijues u bë e famshme ajo shprehja “Srbija ko’ Nokia” (shqip: Serbia si Nokia) – Serbia njëjtë sikurse modelet e Nokias bëhej më e vogël. Përtej nevojës për t’ua rikujtuar tifozëve tanë se mbështjellja e fytyrës me shall nuk u shton burrërinë e nuk i bën më shumë seriozë, se çoroditja para Teatrit Kombëtar në Prishtinë për t’i mbrojtur shqiptarët 86 kilometra larg në Preshevë nuk kryen fort punë, e në fund të fundit për t’ua rikujtuar atyre se 12-13 vjet më parë si Plisa të kryeqytetit ne megjithatë merreshim me sport e jo me punë shtetesh, përtej gjithë kësaj nevoje, pamjet e tilla në shpjegimin më të thjeshtë nuk janë asgjë tjetër veçse derivat i keq i një politike të dhimbshme, të mbrapshtë e të rrezikshme – gjithsesi pa impotencë – që zhvillohet qe sa vjet në gjithë trevat shqiptare. Ky derivat ka një emër, i thonë folknacionalizëm.



E keqja e folknacionalizmit qëndron në faktin se ai është një mobilizim nacionalist pa potencë. Pra është më tepër një çirrje e pasuar me pranim shuplakash, degradim, përdhosje e përfundim në nivel të modeleve të Nokias. E meqenëse në përbërje është i thatë, folknacionalizmi nuk merret seriozisht nga askush. Pra nuk është një thirrje serioze e një shteti serioz kur i njëjti do t’i mbrojë interesat e veta në regjion e më gjerë, nuk është një qëndrim politik që detyron palën tjetër të rikonsiderojë hapat e planifikuar, e nuk është as qëndrim që vë në lëvizje fokusin ndërkombëtar. E tëra çfarë folknacionalizmi futë në lëvizje janë masat me një mijë e një probleme që shfryjnë mllefin e tyre për probleme krejt tjera në çështje tjera. Për këtë arsye lëvizja folknacionaliste e shqiptarëve në rajon nuk u mor asnjëherë seriozisht as nga Beogradi, as nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo është thjesht një lëvizje që në rast të funksionalizimit të gjithëmbarshëm u bën dëm vetëm promovuesve të saj.         

Për fatin tonë të keq, politikanët shqiptarë ka kohë që patriotizmin e kanë shndërruar në betejë për vota, në mjet për t’i mbuluar pisllëqet korruptive, nepotike e degraduese – e kanë shndërruar në folknacionalizëm. Të njëjtit, përderisa ngrenë njërën dorë në emër të kombit e vilajeteve, me tjetrën bëjnë pazaret e degradimit të tij. Si dy vende me më së shumti hajni e korrupsion në Evropë, me më së shumti nepotizëm e militantizëm në Evropë, me më së shumti mafi e krim në Evropë, me më së shumti papunësi e varfëri në Evropë, Kosova dhe Shqipëria kanë më së paku të drejtë të thirren si shtete me ndjenja patriotike. Nëse asgjë tjetër vjedhja e krimi në njërën anë e xhamadani në anën tjetër nuk shkojnë mirë hiç. Kur shkojnë, shkojnë sa për të nxitur këngë e valle anarkike që ujisin adrenalinën e njerëzve në kërkim dëshpërues për t’i harruar të gjitha të zezat e politikanëve të njëjtë.               

Politikanët tanë në vend të mbjelljes së vendeve të punës, sundimit të ligjit, investimeve të reja, zhbërjes së varfërisë, kujdesit social, kujdesit shëndetësor, arsimimit, rrugëve, hekurudhave, prodhimit, teknologjisë, integrimit evropian e deri tek përparimet kulturore e sportive, kanë vendosur të mbjellin valle, brohoritje dhe thirrje për vilajete. Politikanët e njëjtë kanë arritur me shumë sukses të minimizojnë nevojat më bazike të shqiptarëve në folklorizëm. Sot është fare lehtë të ngresh në këmbë një shqiptar me pak tinguj të xhamadanit, por do të duhet një vinç për të ngritur zërin e tij (se në këmbë as që bëhet fjalë) kundër antivlerave shtetërore; diçka për shembull si korrupsioni.       

***

Thyerja e gurëve të varreve është shembulli tipik i produktit folknacionalist. Një gjest i tillë përveç se nuk bën pjesë në traditën tonë, përveç se në rend të parë është antihuman dhe përveç se tregon se sa trima janë disa shqiptarë që merren me të vdekur e jo të gjallë, ai çon ujë drejt e në mullirin e provokuesve nga Beogradi të cilët sot janë duke i fërkuar duart nga gëzimi. Njëjtë sikur në marsin e 2004-ës grupe individësh sado të vogla në numër, por të mëdhenj në sherr dhanë çdo shkas e çdo arsye që bashkësia ndërkombëtare të aprovojë paaftësinë tonë jo vetëm për të mbajtur shtet, për të treguar tolerancë apo dhe kulturë, por gjithsesi paaftësinë tonë për të integruar veriun. Akte si këto i japin çdo të drejtë Serbisë të thirret në nevojën e saj për të qenë sa më prezent atje e më shumë; e në kohë të bisedimeve për veriun arsyetime si këto për ta nuk mund të kenë arritur më mirë e më fort. Hera e fundit që ne treguam një vandalizëm të tillë na kushtoi me Pako të Ahtisaarit, eksterritorialitet brenda saj e ngurtësim të çështjes së veriut. Këtë herë mund të na kushtojë edhe më shumë.               

Ndonëse bashkëndiej me shumicën shqiptare se gjestet e tilla nuk mund të gjeneralizojnë një shtet e një vend të tërë, apo edhe në raste më konspirative se ato mund të jenë kryer dhe nga shërbime antikosovare, nuk mund të mos shpreh indinjatën ndaj paaftësisë sonë shoqërore e sidomos politike për t’i parandaluar edhe grupet më minoritare që dekompozojnë mundin e hakun e shumicës; për këtë bëhemi fajtorë të gjithë. Toleranca e të gjithëve u pa edhe në Viti kur njerëz që pak vjet më parë kishin bërë aktin më patriotik për këtë vend – kapjen e pushkës për bërjen e shtetit - tmerrësisht papritur u shndërruan në vegla të shkumës folknacionaliste duke zhbërë shtetin e duke rrënuar edhe një monument që kishte të bënte më së paku me devijimin serb. Nëse asgjë tjetër ishte një monument edhe me emra shqiptarësh që kishin dhënë jetën kundër fashizmit, një force trishtuese antinjerëzore. Jam i bindur se me pak vaj në zjarr e po të mos mblidhnim mend pak nga marsi i 2004-ës, akte të tilla do të ishin të zakonshme edhe në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren, Gjilan e Ferizaj – të gjitha nën frymën anarkike antiinstitucionale.

 Dhe kjo frymë anarkike antiinstitucionale bën mu brengën time. Nuk do të kishte as edhe një fije kundërshtimi për përgjigje institucionale drejt fobisë së qeverisë serbe ndaj shqiptarëve në Luginë. Për shembull, ndërhyrja policore në Luginë, në një univers paralel ku politikanët shqiptarë veprojnë me shumë mend, do të ishte paraprirë qysh në shfaqjen e kërcënimit me heqje të barrikadave në veri që janë bërë mal me bar e deri tek rikujtimi se edhe në Kosovë ka lapidarë që jo se nuk kujtojnë të vdekurit, porse fyejnë popujt tjerë – siç është rasti i lapidarit në Gorazhdec të Pejës, ku NATO-ja dhe shqiptarët konsiderohen si terroristë; prandaj në raste të tilla heqja e njërit do të nënkuptonte reciprokim shtetëror (nëse duam të reciprokojmë gjithsesi).

Por për të dhënë përgjigje institucionale në vend të vandalizmave anarkikë, shqiptarët duhet të kenë një shtet. Një shtet jo që mbjell folknacionalizëm, por që u paraprin proceseve. Një shtet që nuk i mbushë shqiptarët e Luginës me fjalë boshe, gjithsesi për t’i lënë vetë posa të shfaqen xhandarët, por që u jep rrugë, shkolla, ujë, spitale, mirëqenie e siguri. Prandaj kur në ditë paqeje kritikojmë për hajni, korrupsion, familjarizim, degradim, ahmaki, kamishoizëm, xhigavje, sjellje-pështjellje, zhvlerësim, tenderomani, antigjygje, pakurrizoizëm, parainstitucionalizëm e zaptim, nuk e bëjmë se po humbim pak para këtu e pak aty, pak mund këndej e pak andej. E bëjmë, sepse po na humbin ditët, mundësitë e potencialet për të bërë një shtet. Një shtet që nuk ia palosin xhamadanit të njëjtit që dje e vranë, masakruan e dëbuan e sa herë që kanë qejf, por një shtet që zhvillohet ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht aq sa për të prodhuar mirëqenie e aq sa për të ofruar siguri për shqiptarët e vet. Një shtet që kur flet megjithatë zgjon respekt e dinjitet.

No comments: