Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 JANAR 2013
Tregimi për fenomenin e keqpërtypjes së 1 miliardë eurove
çdo vit
Janë mbi 1 miliardë euro para publike që jepen çdo vit nëpërmjet procesit
të prokurimit publik në Kosovë. Ky 1 miliardësh përbën një të pestën e bruto
produktit vendor të Kosovës. E nëse praktika e korrupsionit si në rastin e
pasaportave ekstrapolohet në gjithë këtë shumë, pra nëse për çdo proces
tenderues kërkohen 10% të vlerës totale siç kërkonin këta të pasaportave (1.4
milionë tall për 14 milionë vlerë), i bie se çdo vit bizneset kosovare u
paguajnë vendimmarrësve mbi 100 milionë euro haraç e shpërblesë. Në pesë vite
kjo shumë bëhet gjysmë miliardë – para e pastër; por jo vetëm kaq.
Them jo vetëm kaq meqë në praktikat korruptive të Kosovës paraja publike e
dhënë nëpërmjet procesit të prokurimit publik mund të keqpërdorohet nëpër tre
filtra; që të trija ndajnë pak hise për keqpërdoruesit. Filtri i parë është ai
i pagesës së haraçit fiks prej 10%, haraç ky që paraqet koston neto për taksapaguesit.
Në mungesë të tij vlera totale e punëkryerjes do të ishte për aq më e ulët
(gjithmonë nën supozimin e një konkurrence fer e të drejtë). Filtri i dytë paraqet
jo vetëm pagesën e haraçit por edhe kontraktimin e një biznesi të lidhur
ngushtë me vendimmarrësit. Kosovarët këtu mbajnë dy kosto, koston e tarifës
fikse dhe koston e produkteve apo shërbimeve që dalin nga një biznes
jokompetent. Pra thënë ndryshe, punët e bëra nga një biznes më pak kompetent
dalin o më të shtrenjta o më të lodhëta se sa kur bëhen nga një biznes
kompetent; këtë kosto shtesë natyrisht se e paguajnë taksapaguesit. Ka dhe një
kosto makroekonomike nga lindja e konkurrencës jo fer të cilën do ta elaborojë
më vonë.
Filtri i tretë është ai pagesës së haraçit, dhënies së punës tek një biznes
korrekt, por më pas edhe nënkontraktimi i një biznesi të tretë i lidhur ngushtë
me grupet vendimmarrëse; pra vendimmarrësit shpërlajnë paranë duke kushtëzuar
biznesin korrekt fitues me nënkontraktimin e një biznesi tjetër që nuk bën
punë, nuk shton vlerë, por vetëm merr paranë. Kostoja e kosovarëve në këtë rast
është e trefishtë, kosto e tarifës fikse, kosto e produkteve apo shërbimeve dhe
kosto shtesë e një biznesi të rregullt që do të kompensojë pagesën e dy të
parëve. Pra në secilën formë e në secilin filtër, rrjeti keqpërdorës i parasë
publike kanalizon paranë nëpër rrugë të cilat i kultivojnë atyre fitime bukur
të shëndosha e jo të kufizura vetëm në tarifë e kosovarëve u japin kosto në
çmim e kualitet. Prandaj në këtë logjikë kostoja prej një të dhjetës së vlerës
tenderuese shumëfishohet.
***
Sistemi i krijuar që nga paslufta e i ushqyer deri më sot nga pothuajse të
gjithë, përbën një formë të sigurt financimi e pasurimi për grupe të ngushta
interesi. Ky sistem financon funksionimin partiak meqë janë mu këto biznese të
shpërblyera që renditen gjatë zgjedhjeve për të derdhur paratë e padeklaruara
të partive politike. I njëjti shërben edhe si sistem i pasurimit politik meqë
ngritja e shpejtë dhe e pashpjegueshme e kapitalit të politikanëve buron mu nga
një rrjet rëndë i korruptuar si ky. Në vitin 2012 në kuadër të Riinvest-it bëmë
analizën e sistemit të prokurimit publik. Të dhënat nga analiza tregojnë se
pjesa më e madhe e tenderëve u jepen një grupi shumë të kufizuar të
ndërmarrjeve. Kosova madje sot ka koncentrimin më të madh të shpenzimit të
parasë publike në gjithë rajonin. Modeli i tillë i korrupsionit njihet si
modeli i “dorës grabitëse” në të cilin qeveria (si institucion) zaptohet nga
bizneset e grupet tjera të interesit që financojnë partitë politike në baza të
rregullta, të cilat më pas nëpërmjet zaptimit të institucioneve mbajnë gjallë
bizneset; pra bëhet fjalë për krijimin e një lidhje biznes-parti-biznes.
Tenderomania është sistem bukur i konsoliduar, vështirë i diktuar dhe jashtëzakonisht
i qëndrueshëm përballë kapaciteteve hetuese të Kosovës. Kreativiteti (i
mbrapshtë) i sistemit të tillë u pa edhe nga skandali i pasaportave, ku pagesa
e haraçit për tender bëhet nëpërmjet dhënies së punëve tek bizneset që nuk kanë
as lidhjen më të vogël me natyrën e punës. Në Kosovë një biznes i licencuar për
ndërtim të rëndë mund të marrë lehtësisht tenderin e furnizimit me letra
tualeti, apo një biznes tjetër për qeramikë e beton mund të marrë lehtësisht
tenderin e pasaportave biometrike. E bëjnë këtë sa për të kanalizuar paranë
publike përfundimisht tek xhepat e vendimmarrësve. Ky kreativitet i kooperuesve
sot ka ndërtuar edhe një praktikë tanimë standarde të mbrapshtisë; të bëj një
shembull për këtë. Gjithmonë sipas raportit të 2012-ës, janë tanimë të
zakonshme rastet e tërheqjes së bizneseve fituese nga procesi i prokurimit, për
ti lënë rend bizneseve të renditura si
të dytat. Bëhet kështu meqë fituesi ndërton marrëveshje me përcjellësit që kanë
çmim më të lartë (shpeshherë edhe dy herë më të lartë) në këmbim të një pagese
për tërheqje, diçka si fitim neto pa fije pune; puna më e madhe është mbushja e
dosjes tenderuese, tërheqja dhe pagesa e një dënimi fiks – e gjitha kjo pa fije
konsekuence për herën tjetër. Në këtë bashkëpunim të mbrapshtë pjesëmarrës
domosdoshmërish janë edhe vendimmarrësit.
Sistemi në fjalë bëhet gjithashtu i qëndrueshëm e i konsoliduar meqë
përmban elementin e vetëselektimit. Është situata kur bizneset e rregullta
lodhen nga trajtimi jokorrekt dhe nuk tenderojnë më fare duke i lënë rrugë të
hapur e të lehtë gjithë keqpërdoruesve tjerë. Kujtoj se vetëm gjatë vitit 2012
numri i konkurrentëve ka shënuar rënie për plot 13% - dhe kjo bën një dëm për
vendin meqë çdo largim nga intensiteti i konkurrences së plotë kushton. E kur
jemi tek përqindjet, vetëm vitin e kaluar në Kosovë janë anuluar plot 35% të
tenderëve. Ka dy shpjegime prapa anulimeve të tilla. E para, dhe hiç e
zakonshmja, sepse fituesi është vërtetuar të jetë lidhur ngushtë me grupe të
interesit dhe i njëjti është larguar nga organet shqyrtuese. E dyta, edhe shumë
më e pritshmja, sepse fituesi është një biznes që nuk ka lidhje me
vendimmarrësit, apo në rastet më të rralla dhe nuk pranon të japë tall dhe si i
tillë eliminohet lehtësisht për teket edhe më të vogla, siç ishte njëri prej
rasteve i mos vulosjes së njërës prej 1000 faqeve të dosjes tenderuese (anipse
kishte vulosur i shkreti 999 të tjera). Në të dyja rastet ne kemi të bëjmë me
një sistem të sëmurë e defektuoz që keqprodhon një të tretën e produkteve. Në
një shembull hipotetik, çdo fabrikë, çdo mjek apo çdo ekip që defekton çdo të
tretën herë, do të përfundonte i falimentuar, i dështuar e i harruar.
***
Ky cikël vet-ushqyes e destruktiv i rrjedhës së parasë publike shkakton
kosto enorme për zhvillimin ekonomik të vendit. Jo pa qëllim në fillim të
shkrimit përmenda një të pestën e bruto produktit vendor. Bëra kështu meqë
paraja publike (fatkeqësisht) sot është faktori më domethënës i ecjes ekonomike
të Kosovës. Kjo sepse vendi ynë vazhdon të ketë, si asnjë vend tjetër në
regjion e më shumë, një sektor privat tërësisht të paaftë për të luajtur rolin
e gjeneratorit ekonomik. Rrjedhimisht ritmi i ecjes sonë zhvillimore varet
plotësisht nga vendimet e të korruptuarve; pra ne jemi në derexhe të tyre. Nëse
një euro e pranuar si taksë e një biznesi të rregullt, e cila në çdo rrethanë
tjetër do të investohej për makineri, vend pune apo lëndë të parë, pra për
vlerë të shtuar - pra nëse një euro e tillë kalon nëpër sistemin e tanishëm të
prokurimit publik efekti i saj përfundimtar është larg prej efektit të një
euroje të plotë. Fillimisht është pak cent më pak për pagat e qeverisë
megalomane, më pas është pak cent më pak për tallin prej 10%, e në fund
është pak cent më pak për pranimin e saj në këmbim të punës nga një biznes që
nuk është kompetent për të bërë punë por merr punë meqë bën pjesë në
ndërlidhjen biznes-parti-biznes. Këto pak këtu e pak aty në fund zhbëjnë të
gjithë euron fillestare. Pra një euro me efekt pothuajse të plotë në duar të
biznesit privat ka efekt pothuajse minimal pas filtrimit në sistemin e
korruptuar kosovar. Niveli i zhvillimit ekonomik kosovar sot variron varësisht
se në duar të kujt është ajo euro. Në rastin tonë ajo euro është më mirë të mos
mblidhej fare.
Në rrethana si këto ne kemi pranuar në vazhdimësi analiza ekonomike që kanë
theksuar se Kosova edhe pse mund të ketë rritje ekonomike prej 3 e 4% sot, apo
7-8% nesër, nuk do të thotë se mund të ketë edhe zhvillim ekonomik. Nën
menaxhimin korruptiv të parasë publike, vlera e re e shtuar sot është vlerë e
pasurisë së një grupi të ngushtë të njerëzve që nuk kanë për qëllim logjikën e
shëndoshë biznesore (pra investimin e rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja
të punës) por shfrytëzimin e kësaj dere keqpërdoruese për aq kohë sa munden,
për aq kohë sa zgjatë. Të njëjtit e kanë bukur të qartë se ndërrimi politik i
partisë në pushtet nënkupton edhe përfundimin e qejfit të tyre, ashtu siç këta
kishin përfunduar qejfin e paraprakëve.
Prandaj them se nëse ky vit do të duhej të niste me një hap të mbarë
atëherë lufta ndaj hajnisë, që tanimë është bërë edhe parakusht publik i BE-së,
do të duhej të merrte vëmendjen e politikanëve tanë. Jo më me tryeza hajgare,
assesi me këshilla e komisione sa për sy e faqe, por me ndërrim radikal të
vullnetit politik. Po mendoj, në një këshill kombëtar që lufton korrupsionin të
gjitha thirrjet për anti-hajni duhet të drejtohen jo prej njerëzve nga aty por
mu ndaj njerëzve aty. Janë mu ministrat, zëvendësministrat e zëvendëskryeministrat
që mbajnë përgjegjësi mbi burimin e vetëm të keqpërdorimit të parasë publike:
prokurimin publik. Arsyeja pse ne sot kemi korrupsion kaq enorm është mu për
shkak të tenderomanisë e cila krijohet e mbahet mu nga shtrofullat e
ministrave; aty ku shpërndahet paraja publike. Çdo thirrje tjetër është e
thatë. Në fund të fundit, hajninë nuk e shkaktojnë qytetarët që blejnë bukën e
mëngjesit në furrë, por pushtetarët që marrin taksat e furrës në mbrëmje.
No comments:
Post a Comment