Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 JANAR 2013
Në
vitin 2013 papunësia do të vazhdojë të mbetet në stadin e njëjtë, fuqia blerëse
do të bjerë dhe më shumë, hendeku tregtar do të thellohet më tepër, e
konkurrueshmëria e bizneseve tona do të rëndohet më keq. Do ta kemi kështu deri
sa të kuptojmë se ne thjeshtë jemi në një udhë të mbrapshtë e vazhdimi i kësaj udhe
nuk ka se si të prodhojë prosperitet
Derisa po shkruaja shkrimin festiv tashmë
të vitit që shkoi, fillova të bëj një shfletim të të gjitha kolumneve që kisha
shkruar në 2012-ën. U ndala tek e para, e shkruar më 6 Janar 2012, në të cilën
po bëja, mu siç provoj të bëj tani, një parashikim ekonomik të vitit. Asokohe
kisha shkruar kështu: “Për Kosovën këtë
vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Do të na zvogëlohen remitancat, investimet e
huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore
të zhvillimit ekonomik kosovar. Me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të
akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës. Për më tepër,
këtë vit do të mbështetemi edhe një herë në shpenzime qeveritare si alternativë
e vetme e rritjes ekonomike. Në parametra si këto vendet e punës do të
stagnojnë dhe më shumë, por jo dhe korrupsioni”.
Po i shkruaja këto fjalë në kohë kur
qeveritarë e pro-qeveritarë, ministra e zëvendësministra, militantë e analistë-militantë,
me dokumente quasi-planifikuese e prezantime power-point që i quanin strategji,
promovonin të kundërtën: rritje të eksportit, ulje të deficitit tregtar,
mbështetje për sektorin privat, rritje ekonomike prej 5-7%, rritje të
investimeve të huaja e ulje të papunësisë. Do të doja sinqerisht që
parashikimet e mia të ishin të gabuara, por ja që një vit më pas fatkeqësisht ato
dalin të sakta.
E para, rritja ekonomike nuk ishte 5.4%
siç parashikonte Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, e hiç se hiç 7% siç
ëndërronte Plani Bullgar, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit,ajo
ishte afër 4%; saktësisht 3.9% (burimi: BQK, FMN dhe Ministria e Financave). E
dyta, importet nuk u ulën, eksportet nuk u rritën e hendeku tregtar nuk u
tkurr, siç pretendonin konferencat ministrore të kohës, por fatkeqësisht siç
edhe kisha shkruar në fillimvit ndodhi e kundërta; importet u rritën për gati
3%, eksportet ranë për gati 19% e deficiti tregtar u rrit nga 2.07 në 2.22
miliardë euro brenda një viti të vetëm (burimi: Doganat e Kosovës, Agjencia e
Statistikave dhe BQK). E treta, investimet e huaja nuk u rritën si trumbetonin pothuajse
të gjithë, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit ato ranë për besoni
ose jo plot 54% (burimi: BQK). Thënë të drejtën këtë rënie kaq drastike nuk e
kisha menduar asnjëherë. E katërta, siç kisha shkruar një vit më parë “me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë
futen në tregun e punë” papunësia nuk doli të ishte 30% siç pretendonin qeveritarët
hajgare që e llogarisnin atë nga intensiteti i frekuentimit të kafiterive, por
plot 45%, numër ky i njëjtë me vitet paraprake (burimi Agjencia e
Statistikave). E pesta, remitancat nuk u rritën për 10%, siç parashikonin
projeksionet qeveritare, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit, ato
ranë për 1% (burimi: BQK).
Në shkrimin e parë të vitit që shkoj, sa
për të simbolizuar nivelin e hajnisë në vend, kisha shkruar edhe për vendimin e
Mercedesit për të mos hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Qeverinë e Kosovës për
shkak të aferave korruptive. Një vit më pas nuk di nga t’ia filloj. Një vit më
pas jo vetëm që u ranguam njëjtë nga Transparency International por ende pa
filluar java e vitit të ri mirë, gazeta numër një amerikane New York Times kishte
bërë një shkrim mozamakeq të zi për Kosovën. Ky shkrim e përshkruante vendin
tonë si një oazë të gangsterëve korruptive që zhvasin e rrjepin çfarëdo që ju
del para. Nën titullin: “Kosova nuk arrin të shkund imazhin e perëndimit të
egër në mes të investitorëve” qëndronte përshkrimi më i hidhur, por gjithsesi
real, i situatës ekonomiko-korruptive në Kosovë; përshkrimi “perëndimi i egër”
gjithsesi se do të na djegë për një kohë të gjatë.
E njëjtë sikurse një vit më parë,
institucionet tona vazhdojnë ta kenë të humbur lidhshmërinë me realitetin
ekonomik të vendit. Disa vendosin ti kontestojnë numrat zyrtarë, të tjerët i
kontestojnë raportet ndërkombëtare, e pak nga ta dhe preferojnë heshtjen. E siç
e do rutina qeveritare tanimë, parashikimet zyrtare parashohin prapë rritje
ekonomike prej 5.5%, rritje të eksporteve, rënie të importeve, ulje të
deficitit tregtar, ulje të papunësisë, rritje të investimeve të huaja e
prosperitet të gjithëmbarshëm ekonomik. Thënë të drejtën parashikimet tona
zyrtare, që nuk kanë dalë asnjëherë të sakta në pesë vitet e fundit, janë më
tepër lista dëshirash se sa komponente domethënëse. Kjo sepse asnjëri prej
objektivave nuk përcillet me politika, mjete e aktivitete që ndërlidhen me
njëra tjetrën; pra që kanë një rrjedhë minimalisht logjike.
Them kështu meqë dallimi mes një liste
dëshirash dhe një liste objektivash është në përshkrimin e rrugës që ti
planifikosh të bësh. E para, kur parasheh rritje ekonomike prej 5.5% është e
udhës të parashikosh fillimisht orientime buxhetore që stimulojnë sektorin privat
e jo të parashikosh buxhet që mbështetet tërësisht në import. E dyta, kur
parasheh ulje të papunësisë apo dhe tkurrje të hendekut tregtar është e udhës të
parashikosh krijimin e pakove fiskale që ulin barrën tatimore, pakove kreditore
që ulin normat e interesit, pakove stimuluese që rrisin e promovojnë prodhimin
vendor apo pakove gjygjësore që krijojnë ligjshmërinë e mbrojnë konkurrencën
fer. E treta, kur parasheh rritje të investimeve të huaja është e udhës të
reagosh para se skandalet të marrin faqet e gazetave botërore, të monitorosh
prokurimin publik, të reduktosh burokracinë, të dënosh keqpërdoruesit e të
ndërtosh imazhin e një vendi të sigurt. Qëndrimi indiferent ndaj skandaleve
korruptive, mosdhënia e përgjegjësisë e stimulimi i krimit me struktura para-institucionale
nuk ka se si të sjell hair.
E për të bërë një bazë të shkrimit të
ardhshëm, atij të një viti nga sot, logjika ekonomike më thotë se së pari, Kosova
nuk do të mund të ketë as këtë vit rritje ekonomike më të madhe se 3.5%, rritje
kjo që nuk do të përkthehet në zhvillim ekonomik gjithmonë për shkak të modelit
tonë zhvillimor që mbështetet kryesisht në shpenzimin e parasë publike por jo në
sektorin privat. E me 25% të GDP-së të dhënë nëpërmjet një prokurimi publik të
korruptuar as rritja modeste prej 3.5% nuk do të përkthehet në zhvillim
ekonomik; e njëjta do të kornizohet vetëm si rritje e pasurisë së një grupi të lidhur
ngushtë me shpenzuesit e parasë publike. Së dyti, në vitin 2013 them se deficit
tregtar do të vazhdojë të thellohet meqë eksportet tona do të bien më tutje nga
një vit edhe më i rëndë evropian që po humbë potencë në konsum njëtrajtësisht
sa humbin edhe prodhuesit tanë potencë në prodhim nga anomalitë e brendshme. Në
mungesë të prodhimit vendor ne do të mbështetemi edhe më tutje në importe të
cilat me veti do të marrin mbi 2.6 miliardë euro në vit. Së treti, me ritmin e
skandaleve të deritanishme e me intensitetin e lodhur të reagueshmërisë sonë ndaj
tyre, investimet e huaja do të goditen edhe më shumë. Përjashto ndonjë privatizim
aty-këtu të bërë nga ndonjë tyxhar oriental që sheh Kosovën vetëm si mundësi zhvatjeje
të shpejtë, as edhe një emër serioz nuk do të prekë Kosovën.
E në parametra si këto, papunësia do të
vazhdojë të mbetet në stadin e njëjtë, fuqia blerëse do të bjerë dhe më shumë,
e konkurrueshmëria e bizneseve tona do të rëndohet dhe më keq – për të prodhuar
kështu një bazë edhe më të rëndë për vitin vijues; njëjtë siç kanë bërë këta
paraprakët për vitin që lamë pas. Do ta kemi kështu deri sa të kuptojmë se ne
thjeshtë jemi në një udhë të mbrapshtë e vazhdimi i kësaj udhe nuk ka se si të
prodhojë prosperitet. Vetëm ndërrimi radikal i paradigmës ekonomike që mbështetet
në inciativën private, prodhimin e brendshëm, ambientin ligjore e vullnetin
pozitiv politik mund të japë shpresa për një rimëkëmbje të mirëfilltë. Por ja që
në përgjigje të problemeve si këto në vend të pranimit e reflektimit, ne do të
dëgjojmë prapë konferenca përmbyllëse me plot lavde e korre gazmore që
kontenstojnë numrat, promovojnë përrallat e dhunojnë kohën.
No comments:
Post a Comment