Friday, 18 January 2013

HAJGARE, HAJGARE PLAKO GJITHANDEJ



Letra nga limbo
Lumir Abdixhiku

KOHA DITORE, 18 JANAR 2012

 Tregimi për burrat me maska, rezolutën me pallavra e përkrahjen me përralla


Nuk di çfarë ishte më qesharake këtë javë, një grup hajgare militantësh anti-institucionalë me kapacitete aktruese të një cirku provincial që kërcënonin me maska në kokë e lodra në dorë, apo një rezolutë e një grumbulli baletanësh politik në Serbi që duket se janë futur në një botë tjetër matriksi ku bashkëveprimi me palët tjera është thjeshtë inekzistent. Apo ndoshta trofeu tragjiko-komik duhet ti takoj euforisë folk-nacionaliste rreth Luginës së Preshevës që filloj në Beograd, rrodhi nëpër Prishtinë e u derdh në Tiranë; një valle kjo e nisur pa shumë mend por me shumë rrezik. Në këtë javë nuk po e përfshijë reagimin skandaloz të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë ndaj një kolumnisti të shquar kosovar, reagim ky në stilin alla-xhinghis-khan ku fëlliqësia e pendës nuk merret me argumentet e shtruara por me individin që i shtroj ato – e tmerrshme për kredibilitetin e shtetit shqiptar. Nuk po e përfshijë as edhe ndërrim-ndërrim-diskursin e AAK-së e cila pasi dogji veten marrëzisht u rikthye në opozitë (së paku deklarativisht) pa marrë asgjë; nesër mund të ndodhë ndërrim-ndërrim-ndërrim-diskursi për sa më befason diçka.

Këtë javë gjeta vetën të shokuar derisa shikoja në kutinë televizive disa burra me maska, armë gjuetie e trenerka me rrip. Për një moment nuk arrita të bëjë dot dallimin mes një skeçi komik të “Stupcave” apo një realiteti sa irritues aq edhe trishtues; diçka si nevoja e pashtershme e shqiptarëve për sjellje jashta-institucionale. Mu ashtu siç e kishte konsideruar miku im Gazi në Facebook, disa njerëz në dukje si “Ninxha-Breshkat” nën komandën e një karakteri pak a shumë komik me gjithë eksplozivitetin e tij në gjeste, kërkonte aprovimin e gjoja udhëheqësve të njësive tjera speciale (kujdes speciale) për diçka që as ata nuk kishin idenë se çfarë. Si duket një copë harte, ca lecka të zeza, disa çorape me vrima në kokë duket të kenë eksituar burrat që kanë humbur një dekadë të tërë sensi veprimesh. Nëse shqiptarët sot me dy shtete, me dy polici, me dy ushtri (një e gjysmë më saktësisht), e me dy qeveri kanë nevojë ende për grupe të armatosura para-institucionale, pra nëse shqiptarët 14 vjet pas çlirimit vazhdojnë të jenë në derexhe të strukturave ilegale e hajgare, mjerë puna për ta; do të na shkundin me zjarrfikës. Në gjithë këtë mesele, çfarë megjithatë arrita të kuptojë është se ky vend nuk ka më së paku fat; as komandantët e “Ninxha-Breshkave” nuk dinin shkrim-lexim. Nesër pas “çlirimit” eventual e montimit të sigurt në krye të shtetit, 15 vitet e para i kemi gjithsesi të humbura.

Skeçi i dytë komik në anën tjetër ishte vendimi i parlamentit serb që ti ofrohet me “gjenerozitet” vendit tonë autonomi substanciale në kuadër të Republikës së Serbisë, e brenda kësaj autonomie ti ofrohet Veriut të Kosovës një tjetër autonomi substanciale. Ky eksperiment më kujtoj ironizimin e shkëlqyeshëm të një viti më parë  të një kolumnisti beogradas (emrin e të cilit fatkeqësisht nuk arrij ta kujtoj dot) e i cili një logjikë të tillë e ekstrapolonte dhe më tutje. Pas autonomisë së Veriut në kuadër të autonimisë së Kosovës brenda Serbisë, ai përshkruante dhe lindjen e nevojës për një autonomie tjetër substanciale të shqiptarëve të pakënaqur në Veri, diçka si “Krahina autonome e shqiptarëve të Jugut të Veriut” në “Krahinën Autonome të Veriut” të “Krahinës Autonome të Kosovës” të “Republikës së Serbisë”.  Por ja që ndarja nuk vazhdonte me kaq meqë serbët e perëndimit të veriut kërkonin themelimin e “Krahinës autonome të Perëndimit të Jugut të Veriut” të Krahinës autonome të shqiptarëve të Jugut të Veriut” e cila është pjesë e “Krahinës autonome të Veriut” në kuadër të “Krahinës autonome të Kosovës” të “Republikës së Serbisë”.

Rezoluta e Parlamentit serb nuk është asgjë më shumë se një përgjigje antagonike ndaj pretendimeve të Brukselit se Beogradi megjithatë ka ndryshuar. Toleranca e pakuptimtë evropiane ndaj epsheve shfarosëse serbe është udhë që blenë kohë por rëndon zgjidhje. E vërteta e hidhur megjithatë është se evropianët njëjtë sikurse dhe serbët janë të interesuar mu për blerje kohe, për status-quo të problemeve në Ballkan e jo për zgjidhje. Krizat e shumta ekonomike-financiare, problemet e Londrës me Brukselin, ecja nëpër kufijtë të greminës financiare për anëtarët më të rëndësishëm të saj, e jostabiliteti i monedhës së përbashkët kanë vënë në rend të treqindtë fatin Ballkanik për BE-në. Amerikanët në anën tjetër vazhdojnë të distancohen nga mikromenaxhimi Ballkanik - përderisa e gjithë loja zhvillohet brenda mosndyrshimit të kufijve dhe mos krijimit të luftërave të reja gjithçka për ta është OK.

E në situatë si kjo ne praktikisht gjejmë veten të ulur përballë një pale dialoguese që kërkon nga ne të heqim dorë nga një pavarësi e pranuar tanimë nga shumica e shteteve të OKB-së, në këmbim të një autonomie substanciale – diçka që  as ata vetë nuk e presin nga ne, por ja që kanë kohë për hajgare. Në një situatë si kjo, problemi për ne buron nga a) joserioziteti i gjithë procesit, duke shkaktuar kështu humbjen e kohës; dhe b) mosrefuzimin e menjëhershëm të platformës nga diplomacia evropiane, duke lejuar kështu mbijetesën e ahmakizmit serb. Kosova për dallim nga BE-ja dhe Serbia nuk ka nevojë e luks për status-quo e pritje meqë nëse asgjë tjetër në këto 14 vitet e fundit Kosova duhet të ketë kuptuar më së miri se pas çdo status-quoje e pas çdo pritjeje ne kemi përfunduar në një situatë edhe më të rëndë se sa paraprakja. Pas ardhjes së çdo momentumi të ri ne kemi kuptuar se zgjidhja për Veriun ka mundur të jetë më e lehtë në momentumin paraprak; pra zgjidhja në 1999 ka qenë më e lehtë se sa në 2008, e zgjidhja në 2008 ka qenë edhe më e lehtë se sa në 2013. Nesër do të kuptojmë se zgjidhja në 2013 do të kishte qenë më e lehtë se sa në 2018. Prandaj, në relacion me një palë që të ofron më pak se çfarë ke sot, çdo bashkëveprim është i kotë, i pavlerë i papeshë; është thjeshtë humbje kohe. Prandaj ne duhet të reagojmë tash duke krijuar një pozicion të ri në Veri, pra ne duhet të krijojmë një gjendje të re faktike atje. Këtë mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë me shtrirjen e sovraniteti ligjor e policor atje pavarësisht kostos e politikës ndërkombëtare pro status-quosë.

E përderisa Veriu vazhdon të bëhet pjesë e propozimeve hajgare, një fushatë edhe më hajgare po bëhet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Të njëjtit sot gjinden mes një lufte folklorike që buron nga Beogradi, kalon nëpër Prishtinë e derdhet në Tiranë. Pretendimet hipokrite serbe për monumente të ndjeshme, të cilat sot mund ti gjesh gjithandej në vendbanimet serbe në Kosovë (monumente madje që trajtojnë shqiptarët dhe NATO-n si terroristë) nuk janë as më shumë e as më pak një provokim për trazira të reja. Në përgjigje të këtyre provokimeve nacionaliste të erës së nëntëdhjetave, Prishtina dhe Tirana filluan të japin përkrahje po aq nacionaliste sa Beogradi, të gjitha nën fishkëllimën e fjalimeve e kërcënimeve për luftë por pa e hespuar fare idenë se të njëjtit nuk munden të sigurojnë dot as kufijtë e vet të njohur mbarësisht (e lëre më më shumë). Në rast të eskalimit eventual të gjendjes në Luginë, përtej fuqive vetanake, shpresat e tyre të vetme do të mbeten “Ninxha-Breshkat” me skeçet e tyre komike apo dhe eventualisht marshet studentore me recitime patetike. Të harrojnë ndihmën ushtarake nga liderët e Kosovës dhe Shqipërisë; janë fjalë boshe.

Sidoqoftë, shqiptarët e Luginës sot kanë nevojë jo për nacionalizëm por për patriotizëm. Ata sot kanë nevojë për investime në shkolla, në spitale e në rrugë; investime që përmirësojnë standardin e jetesës e parandalojnë migrimin e tharjen e trevës. Këto investime nuk do të ndodhin asnjëherë nga Beogradi. Nëse Tirana e Prishtina duan të kenë sjellje patriarkale ndaj Luginës, atëherë të njëjtit duhet të fillojnë me pako financuese në të njëjtin stil sikurse Beogradi financon Veriun tonë. Për fjalë e romantizëm nacional ata kanë më së paku nevojë.

Në fund fare, them se nuk ka as edhe një dyshim se Lugina ka nevojë për zgjidhje. Por them gjithashtu se zgjidhja për Luginën është jo në Preshevë por mu në Veri. Po krijuam një situatë të re faktike në Veri atëherë reciprokimi me palën serbe për Luginë do të jetë fare i lehtë - ne do të japim aq sa marrim. Në situatën e tanishme ku ne nuk kontrollojmë as Veriun e as Luginën, çdo pazar e çdo nxitje e trazirave mbi baza folko-nacionaliste e fjalë të thata do të na lë me gishta në gojë e pa asnjërën.

No comments: