Sunday, 28 October 2012

PTK, KY TREGIM I BUKUR (1)



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 TETOR 2012


Çfarë kanë të përbashkët numrat: 3349, 649, 1200, 317 milionë, 7 milionë e 1?



I pari, tremijë e treqind e dyzet e nëntë (3.349) është numri i punëtorëve aty. I dyti, gjashtëqind e dyzet e nëntë (649) është numri i të pranuarve në punë vetëm brenda vitit 2009. I treti, njëmijë e dyqind euro (1.200) është paga mesatare e një punëtori. I katërti, treqind e shtatëmbëdhjetë milionë euro (317.000.000) është kontributi i asetit në buxhetin e Kosovës në vetëm pesë vitet e fundit. I pesti, shtatë milionë euro (7.000.000) është vlera e parave të shpërndara si paga në vend të dividentës në vitin 2010. Dhe i fundit, një (1) është ndërmarrja më profitabile në vend, Post-Telekomi i Kosovës (PTK).

Në numra si këto njeriu gjen sa elemente shpresëdhënëse aq edhe dekurajuese. Për shembull, sa herë që flitet për vlerën e privatizimit të PTK-së, fitimi prej 317 milionëve (në vetëm pesë vite) do të duhej të shërbente si shpresëdhënës e si paratregues se sa nuk bën të shitet aseti. Për dallim nga kjo, numrat e tjerë, si ato të të punësuarve plot, pagave të majme, luksit e bonuseve, do të duhej të shërbejnë si burim i alergjisë ndaj shalimit të paturpshëm që politika e turpshme kosovare i ka bërë aseteve publike nëpër vite.

Ky shalim fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Kur mediat tona bënë publike emrin e kryeshefit të ri ekzekutiv në PTK, një nip i deputetit Azem Syla, e para e mendjes më erdh treni i uzurpimit institucional nga një qeveri që kontrollon gjithçka e që sillet pa fije respekti ndaj pasurisë publike. Në të vërtetë, ndërmarrjet publike vetëm se thirren si publike; nëse asgjë tjetër ato janë kaherë të privatizuara e pronë private e njerëzve më të fuqishëm të politikës kosovare. Caktimet e stilit ‘alla-leme-xhema’ nuk i paragjykoj për lidhjet familjare, por paragjykimin për dikë që ende nuk ka treguar veten (quajeni këtë paragjykim timin joprofesional ose si të doni)  e bëj nga relacionet e principeve. Një i ri pa kualifikim minimalisht adekuat akademik e eksperiencal është caktuar për CEO në një ndërmarrje që në pesë vitet e fundit ka bërë qarkullim gati 1 miliardësh. Nuk ndodh askund në botë. Relacione si këto mund të prodhohen vetëm në Kosovë e në Kosovë dhe do të vdesin. E bashkë me vdekjen e tyre fatkeqësisht do të vdesin dhe shumë copa të pasurisë publike të cilat vazhdojnë të përdhunohen nga individualistë amorfë në kurriz të më të varfërve evropianë.


317 milionë euro fitim për 5 vite

Si subjekt i privatizimit, PTK shpesh është vënë nën thjerrëzën e një makinerie dezinformatash të prodhuara në vazhdimësi. Këto dezinformata kanë synuar të zhvlerësojnë fillimisht asetin, të zhvlerësojnë ardhmërinë e tij, e të zhvlerësojnë në fund kontributin financiar nga procesi i privatizimit; pra ta bëjnë asetin të duket si i pavlerë. Këtë zhvlerësim këto zëra e kanë filluar duke e bërë PTK-në të duket si një aset që është në rënie drastike, një aset që shkatërrimin e ka të destinuar e një aset që herët a vonë dhe do të mbesë pa treg. Prandaj në logjikën e zhvlerësuesve, sa më shpejt të shitet aq më mirë për ne.

Për të parë potencialin real të asetit ju referova raporteve financiare të bëra publike në ueb-faqen zyrtare. Për të mos humbur në kohë, vendosa ti krahasoj të dhënat nga viti 2007 e tutje; të paktën kjo periudhë pesë vjeçare është mjaftuese për të kuptuar e gjykuar a) kualitetin e asetit dhe b) kualitetin e qeverisjes politike që kemi dhe sot. Duhet thënë se raportet çuditërisht nuk ishin vënë në kontekst kohor, pra njeriu nuk gjente dot një raport që krahason vitet në mes veti. Kjo kam përshtypjen bëhet për të mbuluar trendin e ecjen, meqë është po ai trend e është po ajo ecje që tregojnë një storie e fotografi jo aq mbresëlënëse.

Pavarësisht zërave zhvlerësues, e vërteta e vetme megjithatë është se PTK vetëm në 5 vitet e fundit ka realizuar fitim prej plot 317 milionë eurove; fitim ky i derdhur në buxhetin e Kosovës qoftë nëpërmjet dividentës qoftë nëpërmjet tatimit në fitim. E për gjithë kë me ndjenjë pesimiste e zhvlerësuese për asetin në të ardhmen, lajmi i keq për ta është se fitimet e PTK-së që nga viti 2010-të kanë shënuar rritje prej 10% çdo vit. PTK nuk është aset në rënie të vazhdueshme. Përkundrazi është një aset që ka potenciale dhe më të mëdha se sa vlera e tanishme; prandaj sa më shpejt të shitet aq më keq për ne.

Madje po shikuam me vëmendje trendin e fitimit dhe atë të hyrave të PTK-së, është kristal e qartë se kemi një relacion ‘U-shaped’; pra një performancë mbresëlënëse në vitin 2007, një rënie drastike në vitet 2009-2010 dhe një ringjallje impresive në vitet 2011-2012. Ne dje mund të ishim në fundit e trendit ‘U’, por nesër lehtësisht mund të jemi në pjesën ngritëse.


Për shembull, në vitin 2007 PTK ka realizuar 191 milionë euro të ardhura, rrjedhimisht plot 97 milionë euro kontribut në formë të dividentës e tatimit. Kjo performancë zhbëhet disi në vitin vijues, pra vitin 2008, kryesisht për shkak të futjes së telefonisë së dytë Ipko. Në këtë vit, të hyrat bien për 19 milionë euro gjersa fitimi jo më shumë se 17 milionë. Rënia në fitim në vitin 2008 bëhet vetëm për shkak të rënies së të ardhurave (e jo rritjes së shpenzimeve). E përmendi këtë meqë kjo ka rëndësi për të kuptuar rënien e fitimit në vitet tjera, ku shkak i rënies në fitim nuk është vetëm zvogëlimi i të ardhurave vjetore, por rritja e pakuptimshme e shpenzimeve, kryesisht në paga.


700 të punësuar të rinj për 1 vit

Rënia drastike e fitimit të PTK-së fillon në vitin 2009. Këtu buron dhe  deformimi kryesor i asetit i cili thënë të drejtën deri atëherë po barte deformime ashtu kështu përtej normales. Mbipunësimi, nepotizmi e korrupsioni nuk kishin filluar e nuk ishin zbuluar që nga viti 2009 e tutje, por që nga paslufta. Pavarësisht kësaj, 2009-ta është viti kur ndodh paradoksi i hiper-punësimit në kohë të rënies në të ardhura. Në vitin 2009, PTK me plot 2500 të punësuar, shënon të ardhura në vlerë prej 157 milionë eurove, 15 milionë euro më pak se sa viti paraprak; 34 më pak se sa viti 2007. Në një trend të tillë aseti po humbiste çdo vit nga 10% të të ardhurave. Përkundër kësaj rënie, çfarë PTK megjithatë bën është një rritje e paparashikueshme, e pakuptueshme, dhe e paarsyeshme e të punësuarve. Vetëm gjatë vitit 2009 punësohen, besoni ose jo, plot 700 punëtorë të rinj; duke rritur kështu numrin e punëtorëve nga 2500 në 3200. Me një normë të tillë, i bie se PTK realisht ka punësuar çdo ditë nga dy punëtorë të rinj. Si rezultat i një politike të tillë, këta 700 të punësuar të rinj i kushtojnë asetit dhe kështu gjithë Kosovës plot 16 milionë euro shtesë. Në vend se këto para të përfundojnë në buxhetin e shtetit, ato përfundojnë si paga (madje të majme) të të mbipunësuarve kryesisht politik e partiak. E në numra si këto, në vitin 2009 PTK kontribuon në buxhet me vetëm 49 milionë euro nga 80 sa kishte kontribuar një vit më parë e 97 dy vite më parë. Në më pak se dy vite, PTK përgjysmon kontributin në buxhet të shtetit.

Viti 2009 është viti kur PTK shihet si vend i rehatimit të familjarëve të politikanëve kosovarë, pra është vit i migrimit e zaptimit politik drejt PTK-së e kështu ndërtimit të një sistemi militant e votues të qëndrueshëm për disa vite. Është vit kur qeverisja e sodit merr kontrollin mbi asetet nacionale dhe i shpërdorë ato për të rehatuar bazën e saj militante. Rritja e të punësuarve në norma kaq drastike është rast i padëgjuar në ndonjë vend tjetër. Thënë të drejtën, do të ishte fare e lehtë identifikimi i shumicës së të punësuarve në këtë kohë sikur një menaxhim i përgjegjshëm do të kishte vullnetin e bërjes publike herë do kur do të listës së të punësuarve të rinj. Do të habiteshim të gjithë për shkallën e nepotizmit aty.

Mbipunësimi vazhdon edhe në vitin 2010, duke rritur kështu numrin e punëtorëve të gjithmbarshëm në plot 3384 vetë. Në dy vite qeverisje, klasa politike e sodit kishte rehatuar plot 900 individë vetëm në PTK.  Rehatimi i bazës në trupa publik është praktikë tanimë e konsoliduar në Kosovë dhe ky rheatim domosdo ka një kosto financiare për shoqërinë. Çdo pagë e tyre ishte më pak para në buxhet të shtetit; pa përfshirë këtu mëditjet, udhëtimet e shpenzimet tjera operacionale për staf shtesë.

No comments: