Friday, 12 October 2012

0-POZITA



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 TETOR 2012

Tregimi mbi sjelljen e çakorduar opozitare


Se Kosova ka energji politike, kjo nuk ka dyshim. Të paktën mosmundësia e asnjë kryeministri kosovar për të çuar mandatin deri në fund tregon mjaft. Në trende si këto e në raste kur qeverisja derivon nga, citoj deklaratën e Komisionit Evropian: vjedhja industriale e votave, fund i citatit, pritjet për jostabilitet, zgjedhje të parakohshme e ndryshime eventuale janë më se reale. Në rrethana si këto çdo forcë opozitare synon optimalizimin e kohës për të rritur e konsoliduar radhët e veta, e në rast se një hap i tillë rezulton të jetë i pamundur atëherë ajo synon një unifikimin opozitar. Alternativa ndaj kësaj është vazhdimi i politikës në opozitë.

Duke shikuar qeverisjen e dy viteve të fundit, pak kush do të prognozonte se mu momenti kur pozita do të arrinte fundin e paevitueshëm të dobësimit parlamentar përfaqëson dhe momentin kur opozita do të shënonte të njëjtën gjë; pra të dobësohej njëtrajtësisht. Të paktën shikuar në retrospektivë, dy vite jetë opozitare nuk kanë shërbyer asnjëherë si mundësi e thyerjes së barrierave vështirë të thyeshme ndër-opozitare e për të ofruar kështu një alternativë solide ndaj keqqeverisjes. Praktikisht të gjithë në opozitë kanë nevojë për njëri tjetrin, të gjithë bëjnë thirrje për njëri tjetrin, por paradoksalisht të gjithë përfundojnë larg njëri tjetrit. E me një cikël të tillë, pozita me gjithë problemet e brendshme që ka mund ti sigurojë vetës kohë e luks për rikonsolidim.

Ndërrim-diskursi

Mu atëherë kur gjërat dukeshin se po zënë vend, kur pozita për herë të parë në këtë mandat nuk qëndronte dot në këmbë nga nokdauni i marrë (kryesisht) nga dora e vet, kur një mocion i përkrahur mbarësisht po merrte hov e kur procesi denigrues dukej se po mbaronte mbarë, partia e tretë opozitare AAK (ose thënë më mirë një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të saj) bëjnë një ndërrim në qëndrim sa radikal aq dhe të pritshëm. Them radikal meqë ende pa mbaruar java nga përkrahja dhe nënshkrimi i mocionit kundër formës së privatizimit deklaruan se do ta abstenojnë atë. Them aspak befasues meqë një pritje reale për koalicion të ri mes tyre e PDK-së do të nënkuptonte dhe bashkë-pozicionim në çështjen e privatizimit. Pra në një shpjegim të thjeshtë, kur PDK çalonte dukshëm nga mungesa e përkrahjes brendapartiake nga figurat më të votuara në parti (të cilat përndryshe sot sulmohen pa të drejtë pse mbajnë qëndrim të drejtë), disa deputetë të AAK-së vendosin të bëjnë rrolin e xhokerit për ti zëvendësuar ata.

Në të vërtetë ndërrim-diskursi i AAK-së u paraqit me një lloj finese, ndonëse e njëjta është disi dhe ofenduese për një intelegjencë mesatare në Kosovë. Sikurse në arsyetimin për futje në koalicion me logjikën se për të ndalë “djallin” duhesh të “ndash shtratin me të” edhe në rastin e privatizimit argumenti i dhënë ishte i thatë. U tha se partia ani pse ishte pajtuar fillimisht për mocion, ani pse ishte deklaruar fillimisht pro tij, po kërkonte një koncenzus në mes të palëve tanimë me dy ekstreme.

Kam përshtypjen se janë djersitur mjaft brenda AAK-së për të gjetur arsyetimin e duhur dhe minimalisht bindës përpara opinionit, për të dalë kështu me një pozicion si “as-as”, pra as me njërin e as me tjetrin, por ja që arsyetimi i dhënë çalon e nuk kënaq as pragun minimal të arsyeshmërisë. Së pari, është e habitshme se si në më pak se një javë mocioni i përkrahur e parashtruar nga ta bëhet dhe qëndrim ekstrem. Do të ketë ndodhur diçka në mes për të ri-orientuar tërësisht politikën e tyre ekonomike. Nëse nuk ka ndodhur asgjë, çfarë kredibilitetit mund të ketë dikush që nuk ka qëndrim parimor për çështjen më madhore ekonomike në vend? Nëse ka ndodhur diçka, çfarë kredibilitetit mund të ketë dikush që ndërron qëndrim brenda javës për çështjen më madhore ekonomike në vend? Së dyti, është i papranueshëm arsyetimi “lame” i dhënë nga AAK se mocioni kërkonte bojkotin e idesë së privatizimit në tërësi dhe si i tillë për ta është i papranueshëm. Në të vërtetë mocioni ishte as më shumë e as më pak se sa pauzim i privatizimit; assesi bojkoti i tij. Në fjalë të tjera mocioni kërkonte një periudhë konsoliduese e planifikuese para vazhdimit të procesit, por asnjëherë ndalimin e përjetshëm të tij. Së treti, qëndrimi “as-as” i AAK-së është më së paku qëndrim asnjanës. Në të vërtetë, një qëndrim e votim i tillë ka output të vetëm: procedimin e qëndrimit të pozitës; rrjedhimisht vazhdimin e zhvlerësimit me privatizim “alla-kosovar”. Abstenimi i AAK-së në esencë ishte votë për pozitën.

Pavarësisht se a do të votohej apo jo mocioni edhe me votë të AAK-së, them se flirti politik para-koalicionar në kurriz të privatizimit ka dy kosto. E para, zhvlerësimi i aseteve nuk kompensohet me asnjë qeverisje të mirë që mund të vijë në të në të ardhmen, pra është hesap i rëndë për vendin; dhe e dyta, nëse asgjë tjetër Kosova ka nevojë për qeverisje, qeveri, e pretendues kryeqeverisës kredibil, pra individë e grupe njerëzish parimorë e jo amorfë. Madje është jashtëzakonisht frikësues amorfiteti politik ende pa zotuar fuqi; paramendoni koston eventuale të amorfitetit me fuqi qeverisëse. Të mos keqkuptohem, nuk dua as për së afërmi të notojë veprimet apo preferencat e AAK-së rreth koalicionit të ri; kanë drejtë të bëjnë çfarë të duan. Dua të notojë vetëm ndërrim-diskursin në më pak se një javë dhe rrjedhimisht efektin që ky ndërrim i bën jo vetëm procesit më të rëndësishëm ekonomik në vend por edhe qasjes dhe fuqisë opozitare të Kosovës.

Thirr ti, thirr unë, bashkë asnjëri

Se opozita si tërësi ka potencë zero vërehet edhe nga një paradoks thirrjesh që bëhen e janë bërë nga opozita në vazhdimësi, por që prodhojnë gjithçka tjetër veçse bashkëpunim opozitar. Së pari, Lëvizja VETËVENDOSJE ka kohë që mund të konsiderohet si e vet-përjashtuar nga një unifikim opozitar për shkak të qëndrimeve shpeshherë diametrikisht të kundërta me spektrin e gjerë politik. Prej përjashtimit të shtetësisë mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, tek metodat joinstitucionale në politikëbërje, tek kundërshitmi i privatizimit si qasje ekonomike e deri tek opozita lokale e bërë ndaj LDK-së, them se kanë lënë pak vend, në mos fare, për një afrim të tyre. Në fund të fundit energjia opozitare e VETËVENDOSJES ndaj LDK-së pothuajse me intensitet të njëjtë si ndaj PDK-së ka mbyllë çdo derë (nëse ka pasur ndonjë të hapur) për bashkim me ta. Pra unifikimi i tyre është pothuajse i pamundur jo pse ka pasur VETËVENDOSJE apo LDK të drejtë, por se të dy anijet kanë ankoruar në porte të ndryshme. E meqë jemi këtu, më duhet të them se një afrim eventual i tyre  (sado që është mision i pamundur) do të ishte fitore e garantuar opozitare kurdoherë që do të mbaheshin zgjedhjet.

Së dyti, thirrja për unifikim, e nisur fillimisht nga AAK pothuajse dy vite më parë, kishte marrë gjithçka veçse përgjigje afirmative. Një pritje disa vjeçare kam përshtypjen se ka qenë më se e destinuar për tu ndërprerë herë do kurdo. Prej perspektivës së AAK-së rënia si parti e tretë opozitare si dhe trendi rënës vazhdues do të duhej të kishte një ndërprerje. Alternativa e mosndërprerjes është degradimi nën pragun minimal eventualisht në rastin më të mirë shpëtimi nga baza militante në Dukagjin; por gjithsesi përfundimi pa ndonjë fuqi të konsiderueshme elektorale. Prandaj në çdo rrethanë normale humbja e votuesve në llogari të partive opozitare tjera nuk është dhe një matematikë fort e mençur; sidomos jo kur asnjëri nuk do të bashkohet me ty e hiç se hiç kur liderin e partisë e ke të amortizuar politikisht. Zgjedhja e tyre për tu bërë bashkë në koalicionin e ardhshëm me PDK-në është realisht përfundimi i vetëm “efiçent” për ta, por jo për grupin. Në terma ekonomik, në perspektivën e “teorisë së lojërave”, një situatë e tillë nuk është fare “nash-equilibrium” pra nuk është situatë optimale për grupin por është një ekuilibër klasik vetiak, pa efiçencë Pareto. Megjithatë, duhet thënë se inkuadrimi i tyre në koalicion ka rrezik shumë të lartë të përfundojë me fund të partisë njëjtë sikurse në rastin e AKR-së në koalicionin e fundit. Djegia politike në një konstalacion pa fuqi është absolutisht e pritshme. Ka ndodhë me parti të tjera e do të ndodhë me AAK-në po shërbeu si patericë.

Së treti, thirrja e LDK-së për unifikim të së djathtës është thirrje që do të përfundojë pa ndonjë efekt serioz e signifikant në skenën politike, pra pa gjasë për të përmbysur ndonjë rezultat. Fillimisht kjo thirrje është më pak joshëse për AAK-në e cila pothuajse ka nxjerrë nga nënmënga letrën e postit të kryeministrit (të ofruar nga PDK); asnjë ofertë tjetër nuk ka gjasë ta mund atë. Më pas thirrja për unifikim të së djathtës është po ashtu vetëpërjashtuese për grupin e dytë opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje. Kështu oferta e së djathtës mbetet vetëm në tavolinën e dy partive të mbetura që me gjithë respektin për njerëzit aty kanë gjasën e një topi bore në ferr për të nxitë entuziasmin e votuesve të para një dekade; atë çfarë synon të ngjallë LDK.

E para LDD është më pak se një parti serioze. Ajo ka elektoral që s’mund të bëj kurrfarë ndërrimi e për më tepër bashkimi i saj jep përshtypjen e reformës regresive në LDK. Në fund të fundit reforma nuk nënkupton kthimin e njerëzve të para një dekade por nënkupton gjetjen e fituesve të rinj. Në vende demokratike e në procese serioze është shumë normale që partiakët të mos jenë aty përjetësisht. Në vendet demokratike e në proceset serioze edhe fituesit të tipit Bill Clinton e Tony Blair largohen po bënë një dekadë. Prandaj nuk arrij të kuptoj logjikën e gjithmbarshme të partiakëve kosovarë që lidhin fatin e partisë me themeluesit ose kontribuuesit më të vjetër në parti. Partia po nuk u ushqye me fytyra të reja, ide të reja, fryma të reja, në kurriz e zëvendësim të të vjetrave (jo në bashkëpunim por thjeshtë zëvendësim) nuk bëhet dot parti.

E dyta, AKR është një parti në zhbërje me anëtarët kyç të saj që tashmë janë pothuajse me një këmbë në PDK dhe për më tepër e njëjta është pa ndonjë potencial entuziazmues elektoral. AKR është gjithashtu parti që ka treguar amorfitet të skajshëm në qëndrime e politikëbërje dhe thënë të drejtën mundësinë e bashkimit me LDK mund ta shohë vetëm si mundësi ricikluese të imazhit jashtëzakonisht të dëmtuar nga mandati i fundit. Kjo i hyn më së paku në punë LDK-së në synimin ringjallës të votave.

Nuk do të flas fare për thirrjen e bërë ndaj një liste me katër-pesë vetë të diskredituar në afera korruptive e mafioze, sidomos kur e njëjta listë është në proces hetues e skandaloz (madje dhe të dënuar ndërkombëtarisht). E pakuptimtë për mua kjo lojë “ruleti-rus” nga LDK-ja  që nuk ka se si të mos i shpërthejë e kështu zhbëjë çdo gjë që kanë ndërtuar në pak vite.

Pra thënë shkurt, në një konstalacion të tillë ku LDK kërkon humbësit e vjetër e jo fituesit e rinj, është pak e pritshme se unifikimi do të bëj shtim neto të votave; ka shumë gjasa reale se unifikimi anti-reformues të largojë votuesit e LDK-së që kanë votuar me shpresë për reforma.

Në fund fare, kur përmenda në fillim rezultatin paradoksal, e kisha mendjen tek tri thirrje nga tri grupe opozitare por që asnjëra nuk prodhon bashkim. E para AAK me thirrjen para-dyvjeçare me LDK-në por tanimë të skaduar, e dyta thirrja e VETËVENDOSJE-s për unifikim por paraprakisht me vizion ndryshe, dhe e treta thirrja e LDK-së për bashkim të së djathtës por paraprakisht pa potencë. Në rrethana si këto, kur gjithë opozita bën thirrje e askush nuk bashkohet besoj se vend meritor zë shprehja e fundit urbane, diçka si: “thirr ti, thirr unë, bashkë asnjëri”. Në rrethana si këto fitues i vetëm mbetet PDK dhe kryeministri i vendit i cili pa heqjen e barrierave brenda-opozitare ka luks enorm që të konsolidojë veten fillimisht brenda partisë e më pas dhe në skenën politike. E heqja e barrierave ndër-opozitare kam përshtypjen se është akt që kërkon shumë sakrificë, sakrificë që nuk e gjen sot tek opozita. Paradoksalisht unifikimi opozitar është më i vështirë se sa fitimi i zgjedhjeve nga një opozitë e bashkuar.



No comments: