Friday, 19 October 2012

NË RËNIE TË LIRË



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 TETOR 2012


Rrethimi institucional nga forcat speciale policore ishte akti i fundit i një blasfemie ndaj demokracisë, patriotizmit, e lirisë së të bërit. Fale Zotit që kemi kaq shumë sy ndërkombëtarë këtu se me mendje si këto Korea Veriore do të na dukej parajsë


Kur Felix Baumgartner po bënte rënien e ti të lirë nga stratosfera për një rekord të ri prej 4 minutave e 19 sekondave, dikush diku tha se rekordi megjithatë mbahet nga Kosova; rënie e lirë për plot 13 vite. E trishtë se si një tallje e tillë megjithatë ka kuptim në plotni; edhe më e trishtë se si ne mbesim spektatorë derisa gjithçka gjithkund na zhbëhet mu para syve. E sa më shumë provoj të bindë vetën se kjo rënie tanimë ka prekur fundin e se nuk ka ku të shkoj më rëndë e më keq e më mbrapshtë, del një forcë tjetër gravituese që na zhytë edhe më rëndë edhe më keq edhe më mbrapshtë. Na del diçka si një shtet policor, një plaçkitje privatizuese apo edhe një rezolutë e pakuptimtë dialoguese që bëjnë konsternacionin e evoluimit të një shoqërie në tërësi. Është një shoqëri e tanë që bie lirshëm e më lirshëm, keq e më keq, mbrapshtë e më mbrapshtë. Ajo bie mu para syve tanë e mu nga duart e soditësve që megjithatë ngrenë dolli me plot arrogancë e indiferencë.

Në këtë indiferencë e arrogancë të tyre njeriu kupton dhe sjelljen që ata tregojnë përballë problemeve më madhore të vendit; aq shumë indiferencë e arrogancë sa që në një pikë na del një ministër i cili si para derës së shtëpisë jep urdhër për ti larguar (për një minutë) mysafirët e paftuar; veçse dallimi është se shtëpia nuk është e ministrit e mysafirët e paftuar janë në të vërtetë deputetët e vendit, pra të zotët e shtëpisë. Largimin e deputetëve ministri e gjykoj si parandalim të veprave të tyre potenciale; pra ministri na bëhet nostradamus, din e parasheh çfarë do të ndodhë dhe për këtë vendos për dhunë. Ministri na bëhet dhe mbret, mbi-interpreton të drejtën e garantuar me ligj për qasje të lirë të deputetëve. E përfundon duke u bërë dhe diktator i vocërr kur në foltore kërcënon deputetë, kryekuvendarë e madje dhe presidentë se do ti arrestojë që të gjithë për ti mbrojtur institucionet. Pra thënë shkurt, ministri i policisë, me forcën policore, kërcënon me arrestimin e gjithë institucioneve për të mbrojtur institucionet. Ka një shpjegim racional në një thënie irracionale si kjo, e ky shpjegim thotë se ministri i policisë institucion sheh vetëm shefin e gjithçka rreth tij, e se rrjedhimisht çdo institucion tjetër që nuk është në krah e vijë të shefit për të është subjekt i arrestit e burgosjes; madje me një forcë më të madhe se sa keqinterpretuesit e urdhrit të tij kishin treguar. Ka një term për një mendësi të tillë, i thonë shtet policor.

Çfarë ministri irracionalisht kërkon është rrahja e deputetëve, ndalimi i lëvizjes së tyre, moslejimi i mendimit të lirë në Parlament e përfundimisht mbyllja e Parlamentit; diçka shumë e freskët për kosovarët. E për të mos mjaftuar kjo, ai vendosi dhe për futjen e forcave speciale policore brenda godinës së Kuvendit. Rrethimi institucional nga forcat speciale policore ishte akti i fundit i një blasfemie ndaj demokracisë, patriotizmit, e lirisë së të bërit. Nuk di çfarë potence ministri ka dashur të tregojë vet i dyzeti në Parlament, nuk kuptoj se si në një vend demokratik forcat speciale policore arrijnë të futen dhunshëm në një tempull a-policor, e nuk dua as të paramendojë se çfarë imazhi antidemokratik e paradiktatorial japim me veprime si këto. Madje ndërhyrjet policore në Parlament njeriu i gjen vetëm në Bell0rusi e Rusi, Venezuelë e Amerikë Jugore (gjatë aparteidit.  Do të ishte skenë e filmave apokaliptik sikur një ditë SWAT-i amerikan të qëndronte në Senat a Kongres për të mbrojtur institucionet nga senatorët apo kongresistët. Interesant se si kritikuesit gjoja anti-diktatorial na dalin me mish e me shpirt si imitatorë të lodhur paradiktatorial. Fale Zotit që kemi kaq shumë sy ndërkombëtarë këtu se me mendje si këto Korea Veriore do të na dukej parajsë.

Kuvendi ishte me fat megjithatë që pat një kryeparlamentar që mendonte ndryshe nga ministri, në të kundërtën seanca e djeshmit do të mbahej nën tingujt e prangave e nën tika-takat e çizmeve policore. Madje kryeparlamentari krahasoj rrethimin parlamentar me përvojën e viteve të 90-ta e për çdo kë me pak respekt e dinjitet, një kritikë kaq e fuqishme e kaq serioze për nivelin e burimit do të prodhonte pasoja. Sikur ky stil qeverisës të kishte një fije marre e një fije respekti për qytetarët e vet, Kuvendin e vet, deputetët e vet, një ministër i tillë do të merrte plaçkat në mbrëmje. Nuk dua të kërkoj përgjegjësi morale e dorëheqje; kjo është luks për një vend në rënie të lirë.

Thënë të drejtën, zanafilla e shtetit policor nuk është vetëm në një rrethim që të paktën shihet. Shteti thënë shkurt është kaherë i rrethuar e zaptuar. Tjetër çka që ne pranojmë tregtimin e dinjitetit me komfort e se në këtë komfort na zhvlerësohet jo vetëm demokracia por dhe pasuria shtetërore e dinjiteti individual. Kështu na u zhvlerësua e shkoj dhe Distribucioni i Kosovës ne një vendim që nuk zhbëhet më. Paramendoni, 290.000.00 euro qarkullim vjetor, 180.000.000 investime nga taksapaguesit kosovarë, 450.000 konsumatorë të përjetshëm, 21.000 km tel përçues, 7.000 trafo të tensionit të ulët, 37 objekte afariste, 33 trafo të tensionit të lartë, 22 hektarë tokë, 1 treg i përjetshëm e 0 konkurrencë u dhanë për veç 26.3 milionë euro. Deri më sot procesin në fjalë e kam llogaritur si falje të asetit, nga sot dua ta korrigjoj vetën; ky nuk është privatizim, as shitje, as falje, është thjeshtë plaçkitje.

Natyrisht që ka të tillë që të puthitur në njërën apo formën tjetër me diçka si ‘Targa Z’, xhama të zi, kostume gri e fellne 17-she e shohin një tregti të tillë si sukses historik të vendit, madje po i dëgjove gjatë shumë dikur dhe fiton simpati e dhimbshmëri për privatizuesit që disi i paskemi mashtruar, por për çdo kosovar tjetër një degradim kaq i hapur i pasurisë së vendit është mosrespekt ndaj durimit të tyre.

Se ky stil nuk tregon respekt jo vetëm ndaj të gjallëve, po as ndaj të vdekurve, të zhdukurve, të dhunuarve, të djegurve e të përndjekurve, tregon dhe miratimi i rezolutës së fundit për normalizim të marrëdhënieve me një vend që jo që ka relacion anormal ndaj teje, por tregon në vazhdimësi pretendime të sëmura të shfarosjes, nënshtrimit e mohimit të akteve gjenocidiale mbi ty pak vite më parë. Po të kishim pak respekt ndaj vetës e të tanëve asnjë relacion normalizues pa (të paktën) kërkimfalje nuk do të ndodhte. Siç e bëjmë ne, jo që Serbia nuk na kërkon falje, por kërkesën për afrim e bëjmë ne, thuajse ua kemi borxh. E kur nuk respektojmë vetën e të kaluarën tonë me çfarë sensi presim respektin nga dikush që të mirë të sheh vetëm si të vdekur?

Në fund fare, nuk mbaj mend që vendi të jetë katandisur kaq rëndë për një kohë të gjatë. Ka diçka që nuk shkon dot në gjithë këtë sjellje politike e shoqërore, ka diçka që na ngufatë. Ka një tension e një amulli për fatin politik e ekonomik të vendit, kulmimi i të cilave prodhon plot pasiguri. Në këtë pasiguri ne do të vazhdojmë me sjellje të çorientuara, e përderisa mbesim në rënie të lirë edhe me vendime e ecje të çorientuara. E sigurt përveç rënies megjithatë është vetëm vazhdimi i avazit destruktiv i cili nuk ka se si të mos shpërthejë dikur.




No comments: