Friday, 28 September 2012

REGJISTRIMI DHE PAPUNËSIA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 SHTATOR 2012

Numrat e papunësisë të prezantuara nga të dhënat e regjistrimit konsiderojnë se Kosova ka 55.3% të popullsisë në moshën e punës, apo 627.363 individë si inaktiv. Një llogaritje kaq gjeneroze dhe një përjashtim kaq masiv i kosovarëve nga tregu i punës lehtëson dukshëm numrat e papunësisë, ndonëse të njëjtit vazhdojnë edhe me këtë llogaritje të jenë alarmant


Po shikoja me kujdes numrat e regjistrimit të popullsisë të bëra publike (online) vetëm dje në portalin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Një publikim prej 250 faqesh me të dhënat e detajizuara kryesore domosdo kërkon kohë e mund për studime substanciale. Për hulumtuesit kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për të prodhuar analiza nga më kreativet; gjithmonë duke besuar në kredibilitetit e të dhënave aty.

Nuk dua në këtë kohë të diskutojë për numrin e përgjithshëm të kosovarëve sot, as për faktin se ky 1,739,825 nuk përkonte me pritjet tona. Besoj se do të duhej kohë e skanim i metodologjisë, efikasitetit e në fund logjikës kalkuluse për të parë saktësinë e tij. Nuk dua as të diskutoj për shpërndarjen e  kosovarëve nëpër qytete meqë këtë do ta bëjnë gjithsesi partitë politike. Në mesin e shumë të dhënave ekonomike e familjare, ajo që shfaqë më tepër interesim për mua është mu treguesi i papunësisë; ai 44.8%. Një muaj më parë, në njërin prej shkrimeve të kësaj kolumne (Të papunët), nëpërmjet një para-llogaritje mjaft konzervative (gjithsesi amatore në relacion me mundin që kërkohet për të matur papunësinë) kisha përfunduar me një numër të papunësisë prej 42%; rezultat ky mjaft i përafërt me rezultatin final të regjistrimit.

Sipas të dhënave finale të regjistrimit, Kosova ka 1.135.463 banorë në grupmoshën 15-64 vjeçare. Banorët në këtë grupmoshë janë përdorur nga përpunuesit e të dhënave për të derivuar fuqinë aktive punëtore. Për hir të shpjegimit, fuqinë aktive punëtore e ndërtojnë të gjithë individët që janë duke kërkuar aktivisht punë; pra janë në kërkim të punës në momentin kur anketa është zhvilluar. Të gjithë ata që nuk janë duke kërkuar punë, në numrat e papunësisë përjashtohen si fuqi aktive. Padyshim se si në çdo vend tjetër, ka të tillë që gjuetinë për punë e kanë të përfunduar; amviset në mes tjerash. Ato thjeshtë nuk janë në kërkim të një vendi pune dhe si tilla ato nuk duhet dhe nuk mund të llogariten si fuqi punëtore. Studentët gjithashtu nuk mund të llogariten si fuqi punëtore për sa kohë që vijojnë studimet. Personat me aftësi të kufizuara, individët në shërbim ushtarak e gjithë të tjerët që thjeshtë nuk duan të punojnë përjashtohen nga fuqia aktive punëtore. Ata bëhen inaktiv.

Tashti, në llogaritjen e prezantuar nga Agjencia e Statistikave, del se nga 1.135.463 banorë në grupmoshën 15-64 vjeçare, mbi 55.3% e tyre, apo plot 627.363 individë janë inaktiv; përkundër 44.7% popullsi aktive, apo 508.100 banorë. Kjo për mua bën një habi enorme në pasqyrën e saktë të llogaritjes. Së pari, me të dhëna si këto Kosova do të ishte vend me një disbalancë të palogjikshme në mes të popullsisë aktive dhe asaj joaktive. Mesatarja e popullsisë joaktive në vendet e BE-së është jo më shumë se 28% e popullsisë në moshë pune; Kosova nuk mund të ketë dyfishin e saj. Së dyti, një zbërthim i këtij numri 627.363 na lë me plot 250.000 kosovarë të pakategorizuar, ose në rastin më të thjeshtë si popullsi joaktive (nëse të dhënat janë të sakta) por që do të pranonin vendin e punës (siç kategorizohen në rangimet e BE-së). Do të provoj të shpjegoj pse.

Nëse Kosova ka 627.363 popullsi joaktive (në grupmoshën 15-64 vjeçare), atëherë le të heqim inaktivët “e sigurt”. Së pari, sipas Agjencionit të Akreditimit në Kosovë, janë plot 70.000 studentë kosovarë. Natyrisht se heqja e plot 70.000 është lehtësim enorm për një normë më të ulët papunësie, por ja që sistemi ynë edukativ mundëson “studim e studentë të përjetshëm”. Gjithsesi se mosllogaritja e tyre në formulën e papunësisë nuk bën lehtësim në aspektin ekonomik. Për çdo kë me dije bazike ri-futja e tyre në tregun aktiv të punës (në momentin kur diplomojnë ose ndërpresin studimet) është e garantuar. Si e tillë ajo bën një barrë të re, një armatë të tërë të të papunësh. Së dyti, po besoj se përpunuesit e të dhënave të regjistrimit si inaktiv kanë llogaritur edhe gjithë fëmijët e moshës 15-17 vjeçare, të cilët, në probabilitetin më të madh janë pjesë e sistemit edukativ. Në grupmoshën 15-17 vjeçare, sipas të dhënave të regjistrimit, hynë plot 104.000 kosovarë.

Dhe së treti, e këtu më duhet të supozojë kalkulimin e Agjencisë (meqë të njëjtit nuk kanë prezantuar një gjë të tillë), le të themi se Kosova ka plot 200.000 individë që nuk duan të punojnë edhe po tu ofrohet puna. Them 200.000 mijë meqë një numër i tillë kënaq çdo llogaritje ultra-optimiste. Bazuar prapë në të dhënat e regjistrimit, Kosova ka plot 297.090 familje. E nëse supozojmë se dy nga tri familjet kanë nga një anëtarë që është në moshën 18-64 vjeçare, që nuk është student, nuk është nxënës, por thjeshtë nuk do vend pune, atëherë derivojmë këtë 200 mijësh. Thënë të drejtën, unë kam disi problem të pranoj me kaq lehtësi që në çdo tre familje, dy familje kanë nga një anëtarë të tillë. Sa janë në familjen tuaj që nuk duan punë? Është thjeshtë disproporcioanle me nivelin e edukimit, banimin urban e pritjet e kosovarëve për punë. Por pavarësisht kësaj, me një zbritje të tillë ne themi se nga 627.363 popullsi joaktive (të prezantuara nga Agjencia), të paktën 70.000 studentë, 104.000 nxënës dhe 200.000 të tjerë janë që nuk mund e nuk duan të kenë punë. Kjo bën një total prej 374.000 kosovarëve.

E diferenca prej 627.363 dhe 374.000, bën plot 253.000 kosovarë që konsiderohen nga të dhënat e regjistrimit si inaktiv; por që a) nuk do të thotë se nuk duan punë dhe b) nuk do të thotë se nuk duhet llogaritur si të papunë. Për të parën, ka një diferencë esenciale në mes inaktivëve që nuk duan punë dhe atyre që nuk kërkojnë punë por që duan punë. Këta të fundit mund të kyçen në tregun e punës qysh nesër dhe rrjedhimisht në aspektin e studimeve ekonomike mund të konsiderohen si një bombë masive e çrregullimit të numrave. Ata thjeshtë përkohësisht nuk janë duke kërkuar punë. Për të dytën, gjasat e huqjeve të qëllimshme nga analizat e regjistrimit (me qëllim të nxjerrjes së një numri më pak të dhimbshëm të papunësisë) në një Kosovë kaq anomalike, janë shumë reale. Në të dyja rastet, këta 250 mijë (pa studentë, pa nxënës e pa të tjerë që nuk duan punë) duhet të merren parasysh në çdo analizë ekonomike.

Për të gjetur numrin e të papunëve Agjencia për bazë merr popullsinë aktive prej 508.100 banorë, pra atë pjesën e mbetur pas heqjes së popullsisë inaktive. Prej këtyre, të punësuar sipas të dhënave të regjistrimit janë vetëm 280.454 kosovarë. Raporti 280.454/508.100 na jep normën e punësimit, që është 55.2%. Rrjedhimisht, norma e papunësisë, sipas të dhënave të regjistrimit, është 44.8%, apo thënë në numër 227.646 kosovarë. Por, po llogaritëm edhe këta 253.000, që janë jo aktiv, por që supozojmë se do të pranonim punë, atëherë është lehtësisht e pritshme se numrat e papunësisë mund të jenë më të lartë; por jo vetëm kaq.

Do të ishte absurde se të gjithë të punësuarit do të pranonin statusin e tyre të punës gjatë regjistrimit. Në një Kosovë me diskrepancë në relacione mes shtetit dhe qytetarëve, fshehja e argumenteve të punësimit është mase evidente (një normë kjo shoqërore e jona). Besoj se janë të shumta rastet kur individë të punësuar në informalitet nuk janë deklaruar nga frika e zbulimit të tyre. Ky numër duhet të jetë domosdo më i ulët se sa numri i anketave të bëra në Kosovë me biznese, për vet faktin se intervistomi familjar për dallim nga ai biznesor ka shumë më pak arsye të fshehjes. Por pavarësisht kësaj fshehja është e pritshme. Bazuar në të dhënat e Trustit pensional, mbi numrin e atyre që kanë paguar pensione, Kosova ka plot 250.000 të punësuar formal. Nëse regjistrimi thotë se kemi 280.000 të punësuar, i bie se vetëm 30.000 kosovarë në Kosovë janë të punësuar si informal; numër ky jashtëzakonisht i ulët për shkallën e percepcionin e informalitetit në Kosovë.

Kjo diskrepancë ka dy shpjegime. Së pari, të punësuarit informal në Kosovë janë llogaritur si të papunë, por bëjnë pjesë në popullsinë inaktive por që duan punë (pra në atë 253.0000); dhe kjo bën versionin që unë e besoj më lehtësisht. Së dyti, Kosova ka informalitet të ulët të punëtorëve, prandaj dallimi mes të dhënave të Trustit dhe të regjistrimit (prej vetëm 30.000) është real. Këtë version kam problem ta pranoj. Në rast të parë (dhe shumë më të besueshëm) numri i informalëve thjeshtëzohet me numrin e inaktivëve por që duan punë (gjithë atë 253 mijësh), por në këtë rast Kosova duhet të pranojë se ka një informalitet të punës prej plot 100% dhe se papunësia është në regjionin e 44%. Në rastin e dytë, Kosova ka informalitet të punës jashtëzakonsiht të ulët, por ka papunësi prej 60%. 

Në fund, dua të besoj se mosllogaritja e plot 253.000 kosovarëve është ekuivalente me informalët. Në një relacion të tillë logjik, papunësia prej 44% është konstatimi më real i mundshëm. Ky konstatim, i tillë si është, duhet të shërbejë si bazë e nisjes së politikave drejt sektorit privat, por jo si bazë e kontestimeve qeveritare çfarë i kemi parë deri më tani.

Thursday, 20 September 2012

PRIVATIZIM PA LIGJ



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 SHTATOR 2012


Procesi i privatizimit të PTK-së mund të ndërpritet qysh nesër, me një kërkesë të vetme në Gjykatën Kushtetuese. Kujtoj se e gjithë baza ligjore e privatizimit të PTK-së mbështetet nga Ligji i Buxhetit i vitit 2011, ligj ky tanimë i skaduar sipas Nenit 20 brenda tij


Kam përshtypjen se këto javë procesi i privatizimit të PTK-së, njëjtë sikurse vitin e kaluar, bëri kulminacionin e vëmendjes së kosovarëve. Në këtë kulminacion, polarizimi i qëndrimeve në mes të palëve mbetet po aq i theksuar sa një vit më parë. Në njërën anë është Qeveria e vendit e përkrahur së fundi nga përfaqësuesit e bizneseve e cila insiston në privatizimin e asetit, pavarësisht natyrës se si ky proces bëhet, pavarësisht kohës kur ndodh, e pavarësisht çmimit që marrim. Në anën tjetër është organizimi sindikal i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje që artikulojnë qëndrime jo vetëm kundër procesit të tanishëm por ndaj vet konceptit të privatizimit.

Në dy-tri javët e fundit jam munduar të ofroj një alternativë të tretë e që në thelb kundërshton privatizimin “alla-kosovar” për shkak se i njëjti nuk është mjet brenda një objektivi më madhor, por është thjeshtë një qëllim në vete. Në një ambient të brishtë e korruptiv, një aset i demoluar e i shkatërruar, i shitur tek blerësit pa para (për shkak të krizës ndërkombëtare) nuk është edhe një akt i mençur. Njëkohësisht, alternativa që u mundova ta ndërtoj nuk kundërshton idenë e privatizimit, pra e pranon atë si koncept efikas, produktiv e të qëndrueshëm. Thirrjet sindikaliste se ne nuk duhet të privatizojmë meqë “profiti” është mëkat e se investimet e huaja na thajnë shpresën, unë argumentova se na kthejnë në një kohë mjaft të trishtë, të një centralizmi pronësor, të një ngufatje prosperuese e të një proteksionizmi investiv.

Pavarësisht kësaj, alternativa që unë u mundova të artikulojë kërkon ndërprerjen imediate të procesit të tanishëm (meqë i njëjti është regresiv), rikonsolidimin e aseteve dhe ambientit përreth (meqë i njëjti sot është zhvlerësues), dhe në fund kërkon fillim e implementimit të mirëfilltë të procesit privatizues (meqë i njëjti është më produktiv) sikurse kanë bërë praktikat e vendeve të suksesshme. E në këto tri shtylla, unë argumentojë, duhet të ndërtohet dhe koncenzusi politik në vend; ai në mes të partive opozitare, me sindikata, përfaqësues të bizneseve e shoqërisë civile. Koncensuzi me Qeverinë them se është thjeshtë i pamundur, meqë e njëjta nuk ka dashur e nuk ka provuar asnjëherë të arrijë pajtueshmëri. Ajo në fund të fundit ka zgjedhur dhe metodat më teatrale të ikjes nga Parlamenti (siç ishte dhe rasti i kësaj jave), apo praktika absurde të ndërprerjeve në votim.

Më duhet gjithashtu të them se alternativa që kisha prezantuar kishte zgjuar një sërë reagimesh pro e kundër. Meqë gama e argumenteve të dhëna në favor e në kundërshtim të elementeve të ngritura është aq e gjerë, i mbetem borxh të gjithëve për një ripërmbledhje post-scriptum. Këtë javë, për hir të nevojës së koncensuzit nacional kundër privatizimit “alla-kosovar”, dua ti sjell gjithë spektrit politik, sindikal, biznesor e civil një argument të ri. Ky argument mund të bëjë dhe çelësin e ndërprerjes së procesit të tanishëm denigrues; fjalën e kam për bazën ligjore të privatizimit të PTK-së.

Për të rifreskuar memorien, më lejoni të bëj një xhiro rreth kornizës ligjore mbi privatizimin e aseve publike, siç është paraparë me dokumentet më të larta shtetërore. Fillimisht, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të gjitha ndërmarrjet publike në vend rregullohen me “Ligjin për Ndërmarrjet Publike” i nxjerrë me datë 13 qershor të vitit 2008. Në këtë ligj ekziston një nen që rregullon dhe çështjen e shitjes së aksioneve të ndërmarrjeve, pra çështjen e privatizimit të tyre. Neni 9, pika 1 thotë: “Aksionet në një NP Qendrore mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim me të cilin autorizohet një Komision Qeveritar për Privatizim për të vazhduar me tenderimin dhe shitjen e aksioneve, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi i Kosovës. Pas miratimit të këtij vendimi nga Qeveria dhe Kuvendi, Komisioni Qeveritar për Privatizim është i autorizuar të kryejë një tender dhe t’i shesë aksionet në fjalë.” Pra thënë shkurt e shqip, për të privatizuar një ndërmarrje, Qeveria duhet të nxjerrë një vendim (që autorizon një komision për të privatizuar) e ky vendim duhet më pas të votohet në Kuvend.

Për dallimnga korniza e paraparë ligjore, procesi i privatizimit të PTK-së në Kosovë zanafillën e ka tek një dokument që njihet si “Strategjia e Privatizimit të PTK-së”, i prezantuar në Parlamentin e Republikës në mes të vitit 2010, por që nuk kishte arritur asnjëherë të marrë mbështetjen parlamentare përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme politike e ndërkombëtare në votim. Strategjia ishte harruar plotësisht pas prishjes së koalicionit të atëhershëm PDK-LDK. Një vit më pas, më datë 9 mars të 2011-ës, Qeveria e Kosovës kishte nxjerrë një vendim me numër 02/03 që kërkonte privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. Me këtë vendim ajo kishte përmbushur kërkesën e parë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Kërkesa e dytë kishte të bënte me aprovimin e këtij vendimi nga Parlamenti i Republikës me një shumicë të thjeshtë.

Aprovimi megjithatë ishte pothuajse mision i pamundur për Qeverinë e re. Në vend të kësaj Kosova kishte përjetuar klandestinin e parë të një procesi hiper-serioz. Miratimi i vendimit ishte futur si pjesë e buxhetit të Kosovës për vitin 2011. Pra në vend se të bëhemi korrekt, të mençur e respektues ndaj pasurisë publike, në vend se të nxjerrim një ligj të veçantë për privatizim, ne kishim votuar si nën hije një nen për privatizim brenda një ligji që nuk ka lidhje me privatizim. Ishte neni i famshëm numër 4, si një rast paprecedent, që fuste besoni ose jo, privatizimin e asetit më të rëndësishëm kosovar si pjesë të një buxheti vjetor. Në njërën prej shkrimeve të kohës kisha ironizuar se pse nuk i fusin edhe ndryshimet kushtetuese në të njëjtin ligj; ishte absurde.

Sidoqoftë, me Nenin 4 në bord, plotësohej kresa e dytë e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike. Ky nen thoshte: “Vendimi i Qeverisë nr.02/03 i dt. 9 mars 2011, për Privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Sh.A., i cili i është bashkangjitur këtij Ligji si Aneks, konsiderohet i miratuar nga Kuvendi nga data e hyrjes së fuqi të këtij ligji. Ky miratim e plotëson kërkesën për miratim nga Kuvendi të përcaktuar me nenin 9.1 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.” Thënë shkurt e shqip, me një nen të klandestuar në buxhetin e vitit 2011, Parlamenti kishte përmbushur procedurën ligjore të paraparë me rregullativën e vendit. Me një përmbushje të tillë Qeveria kishte në xhep gjithë llogaritë e privatizimit të asetit.

Çfarë Qeveria megjithatë nuk kishte futur në hesap të saj, është Neni 20 i Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2011 dhe ky nen, unë argumentoj, bën gjithë procesin e tanishëm të privatizimit anti-ligjor e anti kushtetues. Si i tillë, çdo organizim politik, sindikal, biznesor e civil mund që nesër të ndërpresë procesin me një kërkesë të vetme në Gjykatën Kushtetuese. Them kështu meqë Neni 20, i Ligjit për Buxhetin e vitit 2011, ligj ky që ka hapur rrugën e privatizimit të PTK-së, thotë se: “I gjithë Buxheti i Republikës së Kosovës dhe alokimi i mjeteve të bëra në vitin fiskal 2011, automatikisht do të skadojnë në mesnatë të 31 dhjetorit 2011.” Pra thënë edhe një herë shkurt e shqip, Ligji i Buxhetit për vitin 2011, me gjithë elementet përbërës të tij, skadon në natën e fundit të vitit 2011. Neni 4, që jep mbështetje për privatizim, si pjese përbërëse e ligjit në fjalë, humbë po ashtu fuqinë e validitetin ligjor në natën e fundit të vitit 2011. Sot, mbështetja e Parlamentit thjeshtë është e skaduar.

Thënë të drejtën, atë çfarë qeveria nuk kishte arritur të kuptojë asnjëherë (ndoshta sepse nuk kishte hesapuar vonesat në privatizim) është se me aprovimin e marrë nëpërmjet Nenit 4, si pjesë të Ligjit për Buxhetin e vitit 2011, ajo i kishte siguruar vetes një derë që rrinte hapur jo më shumë se një vit. Vonesat e procesit të privatizimit të ndodhura gjatë vitit 2011 e kanë bërë këtë derë tërësisht të papërdorshme. Rinisja e privatizimit në vitin 2012, pra ky proces i sodit, nuk mund të thirret në asnjë ligj të vetëm valid. Kjo rinisje mund të thirret e mbështetet në një ligj të skaduar e pa efekt, siç edhe precizohet në Nenin 20. E mbështetja e privatizimit në një ligj pa efekt, unë argumentojë, përbën mungesën e plotë të bazës ligjore. Thënë këtë, procesi mund të rrëzohet lehtësisht nga Gjykata Kushtetuese sa herë që dikush do të provojë ta dërgojë atje.



Friday, 14 September 2012

TRADHTARËT E TË TRADHTUARIT



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 SHTATOR 2012
Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemajli, Mehmedi e qindra futbollistë tjerë që mburren se janë shqiptarë duhet të brengosen më së paku për linçimet e bëra. Ata nuk janë aspak tradhtarë, janë thjeshtë heronj të tradhtuar nga një sistem i korruptuar në mendje e xhep. I brengosur duhet të jetë megjithatë Duka, akuzat ndaj të cilit për korrupsion nuk bëhen nga fëmijë por nga superyje botërore. Ato në çdo vend normal do të duhej të zgjonin kureshtjen imediate të hetuesisë e prokurorisë

Më është thënë shumë herë se dy shqiptarë bëjnë tre mendime. Nëse asgjë tjetër saga e ballafaqimit në mes të kombëtares zvicerane e asaj shqiptare më vulosi këtë konstatim. Në një ndeshje futbolli të paprecedent për ne, e nga eksperienca ime si adhurues i flaktë futbolli edhe për kombet tjera, ndodhi që nga 28 futbollistë që prekën topin në 90 e ca minuta (14 andej e 14 këndej - me ndërrime), 82% të ishin shqiptarë. Në një rast të tillë, në një rrethanë normale, do të duhej së paku të tregoheshin vlerat e mirëfillta shqiptare, të një suksesi, miqësie, zotësie e më e rëndësishmja të një uniteti edhe kur vihemi përballë në një vend tjetër. Ne bëmë mu të kundërtën! Krijuam divergjenca ndjenjash, ushqyem urrejtjen, nxitëm klasifikime politike e linçuam njerëz. Në pak ditë shqiptarët u ndanë në tre; disa mbanin anën e Shqipërisë, disa për inat të linçimeve atë të Zvicrës, e të tjerë preferuan Kosovën duke aluduar në nevojën e pasjes së një kombëtare të veçantë.

Për habinë më të madhe, katrahurën e linçimeve e filloj ai i cili do të duhej të ishte unifikuesi i futbollistëve shqiptarë, kryetari i Federatës Shqiptare, z. Armando Duka; një i paditur e zhvatës i mundësisë së dhënë, një ngufatës i ecjes së futbollit shqiptar nëpër vite. I shtyrë pak nga ahmakizmi e pak nga paskrupulltësia që shoqërojnë njerëzit si ai, Duka i quajti besoni apo jo “tradhtarë” pesëshen shqiptare. Duka është po i njëjti njeri i cili u akuzua nga vet futbollistët në fjalë dhe nga familjarët e tyre për kushtëzimin e pjesëmarrjes në kombëtare me para për të. Habitem ende se si deklaratat e akuzat e lojtarëve shqiptarë nuk nxitën asnjë reagim tek Tirana zyrtare. Po të kishte pak rend gjygjësor në Shqipëri, deklaratat e tilla do të duhej të merreshin shumë seriozisht. Nuk është se këto të thëna janë nga njerëz të zakonshëm, por nga superyjet e futbollit botëror!

Deklaratat fyese si këto të Dukës, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por ndaj të gjithë mërgimtarëve shqiptarë, ndaj gjithë prindërve, motrave, vëllezërve e familjarëve të këtyre pesë e pesëqind çunave të tjerë që ndonëse me ngjyra tjera prapë në zemër mbesin kuq e zi, janë asgjë më shumë e asgjë më pak se deklarata nxitëse, përjashtuese e të urrejtjes ndërshqiptare. Janë deklarata të përdhosjes së djersës së çunave e të kontributit familjar për rritjen e tyre në rrethana aspak të lehta. Janë thjeshtë deklarata që mundohen të monopolizojnë patriotizmin pa të drejtë, e pa e kuptuar mirë se kontributi i pesë djemve tanë mbulon e shkel çdo kontribut të dhënë nga krerë e linçuesë të tjerë që sillen e pështillen për të mos bërë asgjë. Të tillat, edhe pse pa vend, çuditërisht morën flakë shpejtë edhe në Kosovë mes grupesh quasi-patriotësh, quasi-tifozësh e quasi-të diturish duke bërë kështu nisjen e çarjes brenda shqiptare pa pikë nevoje e pa pikë përfitimi. Për të mos mjaftuar linçimet e antihumane nga grupe si këto, edhe vet selektori italian i kombëtares sonë i hyri valles duke i trajtuar njëjtë, pra tradhtarë. Po sikur nesër të luajmë kundër Italisë, a e bën një ballafaqim i tillë De Biasin tradhtar për italianët?! Paradoks hesapi.    
         
Ta bëjmë të qartë! Futbollistët shqiptarë që luajtën për kombëtaren e Zvicrës nuk janë tradhtarë; madje larg prej tyre. Shqiptarët kanë ditur ti japin Zvicrës edhe deputetë që kanë zhvatur 200 mijë franga pa fije brenge, edhe hajna e kriminelë që kanë vjedhur e besa dhe vrarë atje, edhe matrapazë të tjerë që na e kanë nxirë fytyrën, por dhe kjo me POR të madhe, në mesin mijërave punëtorëve, burrave e grave të mirë e të mira, shqiptarët mbi të gjitha i kanë dhënë zviceranëve plot 5 futbollistë profesionistë që sot bëjnë thelbin e kombëtares së tyre e mburrjen nacionale. E vet kontributi i këtyre futbollistëve në përmirësimin e imazhit tonë në Evropë, tek një shtet mik i yni, i bën ata asgjë më shumë e asgjë më pak se heronj tanë!
Tashti, nëse pret dikush ti simpatizojmë kur luajnë kundër kombëtares sonë, e kanë gabim! Këtë nuk mund ta bëjmë dot. Ne relacion me kombëtaren të gjithë bëhen të vegjël, bëhen individë që vijnë e shkojnë; kombëtarja mbetet përgjithmonë. Prandaj dhe do të ishte natyrale që ne të përkrahim kombëtaren e jo individët. Megjithatë edhe në ballafaqimin tonë me ta, përkundër rivalitetit, pra jo tradhtisë e ku ta di unë çfarë tjetër mund të pjellë mendja e korruptuar, por thjeshtë rivalitetit, ne, si popull bujarë e si njerëz të civilizuar, do të duhej të tregojmë pak respekt për ta. Do të duhej të tregojmë respekt sepse janë të tanët e nëse asgjë tjetër të njëjtit janë ndjerë shumëherë më rëndë se ne, shumëherë më keq se ne.                     

Fatkeqësisht për gjithë fotografinë tonë, këta futbollistë treguan civilizim e respekt shumë më shumë për ne se sa ne treguam për ta. Shënimi i golit pa gëzim, bartja e simboleve kombëtare në trup, veshje e zemër, deklarimet plot mburrje për prejardhjen e tyre, rastet e përfolura se nga simpatia e madhe dhe nuk deshën të shënojnë gol, e mbi të gjitha deklaratat pas lojës se ndjenjë keqardhje për humbjen e Shqipërisë  (ani pse e shkaktuan vetë), janë shenja të një respekti të madh, jashtëzakonisht të madh. Edhe me më respekt është shkuarja e tyre pas lojës tek tifozët kuq e zi për të ndarë dhimbjen e nuk mbajnë inat për abuzimin e pranuar nga ta.

Në përgjigje ndaj kësaj, tifozët tanë i shanë, i fyen, i sulmuan me thirrje raciste e i gjuajtën me gur e shkopinj; madje i shanë e fyen edhe në takimin pas lojës kur pesëshja kishte shtrirë dorën e sportistëve profesional. Tifozët shkelën mbi pesë superyje shqiptarë për të shtruar bindjet e dikujt si Duka i korruptuar. Dhe sjelljet si këto do të duhej të nxisnit turp për këta tifozë; është turp për gjithë ne që kemi këso tifozë. Tifozë si këta nuk i bëjnë mirë as vendit, as vetes e as familjes e as kombit. Nwse me kaq lehtësi përdhosin një grumbull kontribuesish masiv në imazhin e shqiptarëve jashtë, paramendoni se çfarë janë tjetër të bëjnë ata. Dashuria e kontributi ndaj vendit tënd nuk bëhet domosdo me çirrje e thirrje e këngë.              

Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemajli, Mehmedi e qindra futbollistë tjerë që mburren se janë shqiptarë, që nuk ndërrojnë emër e mbiemër, nuk mohojnë gjakun por e theksojnë atë, bartin Shqipërinë e Kosovën dikush në këmbë, dikush në tatuazh e dikush në zemër, duhet të brengosen më së paku për këtë. Ata nuk janë aspak tradhtarë, janë thjeshtë heronj të tradhtuar nga një sistem i korruptuar në mendje e xhep. Ata e të tjerët duhet të dinë se në çdo situatë tjetër, në çdo ballafaqim tjetër, në çdo betejë të tyre tjetër, përveç betejës ndaj kombëtares sonë, do të kenë mbështetjen e shqiptarëve. Duhet ta dinë se na bëjnë krenar për çdo ditë të lumë, e do na bëjnë edhe më krenarë po shkuan si shqiptarë në Brazil 2014. Suksesi i tyre është dhe i yni si komb. Ata janë tanët!

Të brengosur e turpëruar megjithatë duhet të jenë zyrtarët e korruptuar të Federatës Shqiptare që i vihen pas lojtarëve të tillë vetëm pasi ti kenë refuzuar një herë pse ata nuk dhanë para, që i lënë në harresë qindra të tjerë që edhe sot sillen si të humbur,  vetëm për tu kthyer tek ta kur të arrijnë diku e kur të jetë më vonë, këtë herë jo për ti joshur, por për ti quajtur tradhtarë. Paradoksi megjithatë qëndron në faktin se linçuesit janë tradhtarët e vetëm në gjithë këtë amulli. Ata kanë tradhtuar shpresën tonë, unitetin tonë e potencialin tonë. Të brengosur e turpëruar duhet të jenë gjithë ata që i thonë vetes tifozë, e që nuk bëjnë dot dallimin e kontributit patriotik prej frustrimit nacionalist e racist. Të brengosur duhet të jemi të gjithë për një katandisje kaq të rëndë që lejuam ti bëjmë vetes, në një ngjarje që kishte çdo predispozitë të ishte promovuese e unifikuese për ne.

Në fund fare, është shumë e tmerrshme se si ngjarjet që do të duhej të kaloheshin në miqësi e mburrje se shqiptarët kanë arritur mjaft, na shndërrohen gjithnjë në përplasje e përçarje. Pas lojës së mbrëmshme disa shqiptarë të Kosovës u përçanë me shqiptarët që kishin zgjedhur Zvicrën, disa të tjerë me shqiptarët e Shqipërisë që i quan tradhtarë, këta fundit me të dytë; lëmsh hesapi. Në një ballafaqim shqiptarë, me lojtarë shqiptarë, publik shqiptarë, golashënues shqiptarë, humbin shqiptarët. Kaq dimë!



Friday, 7 September 2012

PSE, KUR DHE SI DUHET PRIVATIZUAR (2)


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 SHTATOR 2012

 Palët kundërshtuese të privatizimit “alla-kosovar” duhet të arrijnë koncenzus në tri çështje thelbësore: në ndërprerjen e procesit të tanishëm degradues, në domosdoshmërinë e pasjes së tregjeve konkurrenciale post-privatizuese dhe në gjetjen e kohës së përshtatshme për privatizim. Kundërshtimi i procesit të privatizimit si koncept ekonomik është i po aq destruktiv e ngufatës sa ky që tentohet të bëhet tani



Javën që shkoi u mundova të argumentojë se prona private është po aq e Kosovës sa ajo publikja, se dobia qe shoqëria merr nga iniciativa e biznesi privat janë po aq domethënëse e po aq esenciale sa diçka si publikja që presupozohet (teorikisht) të jetë e përbashkët e në asnjë rrethanë (realisht) nuk na shfaqet si e tillë. U mundova gjithashtu të argumentojë se kontributi buxhetor në formë taksash e dividentash nuk është kontributi i vetëm i subjekteve ekonomike; nëse asgjë tjetër biznesi privat i jep shoqërisë vende pune, paga, produkte e shërbime më të lira e më të mira dhe si i tillë përbën të përbashkëtën e vetme.

Rolin e gardianit të pronës private nuk e shfaq vetëm për shkak të besimeve libertariane ekonomike që në vete i mbaj me shumë mburrje, por për shkak të krucifikimit e mallkimit që grupe të ndryshme kosovare i bëjnë pronësisë private padrejtësisht. Nuk është e drejtë, nuk është korrekte, nuk është morale të propagandohet kaq rëndë e kaq keq për burimin e vetëm të ecjes gjigante të njerëzimit botërisht: biznesit privat. Natyrisht se ka të tillë që kanë alergji edhe ndaj pronës private e lirisë së të pasurit e të bërit. Madje ka dhe të tillë që kriposin besimin e tyre edhe me refuzim absurd ndaj investimeve të huaja duke shfaqë kështu një frikë patetike se “paratë po na ikin jashtë”. Një kombinim i tillë i anti-lirisë për pronësi dhe proteksionizmit investiv nuk jep as më shumë e as më pak se sa një vend centralist e të mbyllur, diçka që shqiptarët kanë pasur me bollëk në kohën e xhaxhit Enver.

Pavarësisht kësaj, përjashto përkrahësit marksistë që japin vrer e bëjnë gjueti histerike e panik morali ndaj poseduesve privat të mjeteve të prodhimit e shërbimit, nuk ka mendim serioz që mbështetë kundërshtinë e pronës private. Madje as edhe Keynes, që gabimisht përmendet si arsye nga kundërshtuesit e privatizimit kosovar, nuk ka përkrahur asnjëherë një gjë të tillë. Në vitin 1936, në librin e tij “Teoria gjenerale e punësimit, interesit dhe parasë”, në kapitullin e konkludimeve Keynes kishte identifikuar nevojën e pasjes së “investimeve socializuese” në mënyrë që kapitalizmi të funksionojnë mirëfilli. Shkollarët pasardhës të tij termin në fjalë e shpjegojnë (ama bash të gjithë) jo si nacionalizim të pronës, por si mundësi e pasjes së një roli stabilizues nga mjetet e shoqërisë, për shembull diçka si investimi i fondeve pensionale. Pra në asnjë rrethanë të vetme as edhe Keynes që nga Smithianët e Friedmanët shihet më i anuar në të majtë, nuk kishte parë nevojën e pasjes së aseteve publike.

Ta kemi të qartë, pasja e pronësisë publike nuk i bën ithtarët e saj marksistë siç propagandon qeveria jonë (e bën këtë për të dhënë goditje ultra të ulëta). Marksistë nuk janë vendet si Gjermania, Sllovenia apo Suedia që vazhdojnë të kenë asete me bollëk në pronësi publike, por, dhe kjo me një POR të madhe, kundërshtimi i pronës private dhe deklarimi se pronësia private nuk është në interes të shtetit është tipike vlerë e propagandë marksiste (dhe kjo ka rëndësi për artikulimin që po mundohem të bëj). Dikush dhe mund të argumentojë se nuk ka asgjë të keqe në besimin marksist, por unë them “le të pajtohemi që të mos pajtohemi”; kaq është vlefshmëria e kohës sime për tu marrë me të tillë. Ka dhe të tjerë që nuk besojnë në teori ekonomike e në gjetjen e zgjidhjes në besime të tilla, por unë them se të çmendur e të paditur nuk janë ata që me besime të tilla i kanë dhënë hov e zhvillim vendeve perëndimore. Të paktën 300 vjet shkencë ekonomike është kategori shumëherë më superiore ndaj intuitës individuale.

Pra nëse një pronë private qenka shtytës i zhvillimit, nëse një pronë private është e pranueshme teorikisht nga mendimtarët që kanë dhënë bazën e zhvillimit të vendeve perëndimore (për dallim nga besimet e koreano-veriorëve e disa copëza ferresh të ngjashme aty këtu), e nëse një pronë e private sjell dobi për shoqërinë për arsyet e artikuluara në pjesën e parë të këtij shkrimi (të botuar javën që shkoi), atëherë ne duhet të kemi një dozë bukur të mirë  pajtimi se prona private është interes i Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të heqim çdo paragjykim se e njëjta është shkaktare e varfërisë, degradimit ekonomik e papunësisë. Në fjalë të Adam Smith “Nuk është se ne marrim drekën tonë nga mirëdashja e kasapit, birrëtarit e furrtarit, por nga interesi i tyre vetanak’; e thënë ndryshe është interesi i tyre për profit që bën të mirën tonë. Privatja megjithatë është e Kosovës përderisa bën të mirën tonë.


“Privatizimi alla-kosovar” dhe koncenzuset e domosdoshme

Ka një defekt esencial në promovimin e privatizimit në Kosovë nga grupet qeveritare. I njëjti nuk është as më shumë e as më keq se një mutacion i definicionit bazik dhe i praktikave tepër të suksesshme privatizuese në vendet e zhvilluara. Por të gjesh argumentim për të kundërshtuar konceptin e privatizimit vetëm nisur nga mësimet e marra nga kjo qeveri është thjeshtë joseriozitet. Privatizimi “alla-kosovar” nuk është privatizim.

Ka të tillë që edhe mund të argumentojnë se privatizimi në vete është i destinuar për vetë-shkatërrim. Çudi se si të njëjtit nuk guxojnë ti hedhin sytë drejt privatizimit Thatcherian në Angli që përbën shembullin më tipik të një suksesi të tillë. Para viteve të 70-ta Anglia kishte në pronësi publike e nacionale ndërmarrjet e thëngjillit, hekurit, gazit, energjisë elektrike, furnizimit me ujë, hekurudhave, kompanive ajrore e telekomunikacionit. Thatcher i privatizoi të gjitha. Të thuash sot se veprimet e Anglisë ishin destruktive është thjeshtë ahmakizëm. Anglia e  sodit megjithatë flet për vete dhe për të tjerët si ne se si do të duhej të ishte privatizimi. Anglia e sodit është dëshmitare se si privatizimi nuk është i destinuar për vetë-shkatërrim; përkundrazi është bazë e hiper-zhvillimit. E nëse për dikë krahasimi me Anglinë është jo korrekt, ani pse parimi është parim pavarësisht vendit e madhësisë së vendit, hajde ti hedhim sy vendeve si Hong-Kongu, Singapori, Irlanda, Luksemburgu, Zvicra e Kanada që bëjnë disa nga top 10 e vendeve që kanë kryer procesin me sukses e që të paktën disa prej tyre janë dhe shtete të vogla. Hajde le të themi se as këto nuk përbëjnë një rast krahasues (përkundër universalitetit të parimit) meqë nuk janë vende tranzitore. Unë parapëlqej të marr shembull Estoninë e cila 10 vite më parë kishte adoptuar në plotni parimet e tregut të lirë e privatizimit, madje në intensitet më tepër se çdo vend i tranzicionit që kishte bërë ndonjëherë. Që nga atëherë rritja mesatare ekonomike ishte 6.3%, ndërkaq Estonia sot është një ndër vendet më me perspektivë në Evropë e reformat e saj në privatizim e liberalizëm janë shembuj të ekselencës.

Përkundër gjithë këtyre sukseseve të privatizimit si koncept e si praktikë e implementuar me plot sukses, privatizimi “alla-kosovar” është thjeshtë një perde që në vete mban emrin “privatizim” por që në esencë është hajni, keqpërdorim, zhvleftësim, rrjepje të pasurisë publike gjatë transferim në pronësi private. Si i tillë, pra si mutacion në vete, duhet të ndalohet e ndërpritet sa më shpejtë të jetë e mundur. Në të kundërtën, ne do të përfundojmë me falje e me investitorë që për qëllim nuk kanë qëndrimin afatgjatë por mjeljen sa më të shpejtë të çfarëdoje që ka mbetur në Kosovë. Dhe ndërprerja e privatizimit duhet të jetë koncenzusi i parë në mes të akterëve që nuk pajtohen me promovimin qeveritar.

Defekti i dytë i privatizimit “alla-kosovar” është se i njëjti bën kundërshtinë e elementit më bazik të konceptit të suksesshmërisë së pronës private: konkurrencës. Ta kemi të qartë, parakushti thelbësor i një suksesi të një vendi që mbështetet në sektorin privat është në ekzistencën e konkurrencës dhe shtyrjes mes subjekteve. Heqja e konkurrencës është gjymtim paralizues i konceptit libertarian; nga ku edhe derivon termi liberalizëm ekonomik, pra liri e të pasurit e bërit, rrjedhimisht konkurrencë. Pasja e konkurrencës është koncenzusi i dytë për të cilën vendi ka nevojë. Nuk ma do mendja se dikush potencialisht mund të ngre zë kundër-konkurrencës e të favorizojë monopole. Madje është vetëm Qeveria jonë që paradoksalisht bën një gjë të tillë.

Kujtojeni rastin e privatizimit të PTK-së, pas të cilit me strategjinë aktuale u garantohet operatorëve duopol për të paktën pesë vitet e ardhshme. Pra ne kemi një rast që qeveria në vend se të luftojë fuqitë e monopolit i nxitë ato. Ma thoni një element të vetëm të besimit libertarian që favorizon monopolin?! Apo kujtojeni edhe rastin e privatizimit të distribucionit nga ku derivon monopoli në furnizim të energjisë elektrike. Kam përshtypjen se kosovarët do të jenë të vetmit në Evropë që nuk do të kenë mundësinë e zgjedhjes së furnizuesit të energjisë elektrike, siç kanë le të themi britanezët në mes të “N-Power” e “British Gas”.

Defekti i tretë i privatizimit “alla-kosovar” është në kohën kur procesi po ndodh. Koha e tanishme i bën ndërmarrjet kosovare të duken aspak atraktive për investitorët e huaj dhe rrjedhimisht i bën më pak të kushtueshme. Them kështu meqë nëse ti ke degraduar një ndërmarrje për 13 vite, ke mbipunësuar e ngatërruar gjërat keq me korrupsion, është jo e udhës ta heqësh qafe atë si mbeturinë. E udhës do të ishte modifikimi i saj, pastrimi nga anomalitë, vlerësimi real, caktimi i një pragu minimal e më pas shitja (pra privatizimi). Dhe ky proces do të duhej të ishte koncenzusi i tretë i akterëve kosovarë. Koha e tanishme është edhe më rënduese për faktin që Kosova nuk është se ka siguruar një ambient atraktiv për investitorë në tërësi, për më tepër, sinjalet e prodhuara jashtë kanë qenë trishtuese.

Privatizimi si do të duhej

Në rast të një koncenzusi për ndërprerjen e procesit të tanishëm, domosdoshmërisë për konkurrencë dhe nevojën e gjetjes së kohës së duhur, them se kemi tri parime që duhet të definojnë edhe qasjen tonë ndaj aseteve publike. Në këto parime ne mund të gjejmë një zgjidhje adekuate që me të vërtetë do të ishte për të mirën e Kosovës. Le ta aplikojmë të njëjtën në rastin e privatizimit të PTK-së.

Hapi i parë që vendi duhet të vazhdojë të bëjë kurdoherë që gjënë kohën e përshtatshme për privatizim, është ndarja e Postës prej Telekomunikacionit. Posta, si institucion mbetet i paprivatizuar edhe sot e kësaj dite në Angli e SHBA. Po i përmend të njëjtat meqë ato bëjnë vendet tipike që unë e bashkëqytetarët e mi duhet ti marrim si objektiv të rrugëtimit tonë dhe njëkohësisht për faktin se ato në vete nuk njihen si vende të promovimit të pronës publike. Posta britaneze Royal Mail dhe USPS-i amerikan janë në shumicë shtetërore  meqë ato shihen si instrumente urë-lidhëse në mes të çdo qytetari. Parimi se ku ka shtëpi (qoftë edhe vetëm një në vendin më të izoluar të mundshëm) duhet të ketë ndërlidhje komunikuese (pra kuti postare) mund të sigurohet vetëm nën një pronësi jo-private meqë ajo nuk ka logjikë operuese të një ndërmarrje, pra profitin. Kosto e këtij rregullimi janë humbjet enorme që megjithatë për hir të lidhshmërisë mundin oportunen.

Telekomi në anën tjetër mund ti nënshtrohet tri parimeve të lartpërmendura: ndërprerjes, gjetjes së kohës më të përshtatshme e liberalizmit (konkurrencës). Madje, parimi i liberalizimit në tregun e telekomunikimit do të duhej të ishte më i rëndësishmi dhe me më së paku rezistencë. Paramendoni një sektor ku nuk operojnë vetëm dy por katër apo pese operatorë. Pse të mos e liberalizojmë këtë sektor? Pse të mos ti vëmë në konkurrencë këta dy operatorë të tanishëm edhe me dy apo tre të tjerë? Le ta thyejnë qafën në shtyrje e sipër për që duhet të na bëhet vonë. Çdo shtyrje në mes tyre është e mira jonë. Madje me një liberalizim të tillë ne dhe gjatë rrugës do të merrnim ca miliona kontribute, siç ishte rasti i licencimit të telefonisë së dytë. Një industri e zhvilluar e konkurruese e telekomunikacionit në Kosovë do të ishte përveç tjerash edhe ushqyes i drejtpërdrejtë i mijërave të punësuarve shtesë, i shërbimeve më të mira për qytetarët e bizneset kosovare e i inovacioneve teknologjike. Si duopol çfarë mendojmë ta kemi, coftë në pronësi publike apo private apo dhe kombinim i të dyjave (siç është sot), nuk përbën kurrfarë sektori zhvillimor.

Por nëse kemi koncenzus për konkurrencë dhe anti-monopol (si e mira më e mirë që mund i bëhet kosovarëve), atëherë nga këtu derivojmë situatën e një mosaftësie ekzistuese të një ndërmarrje publike në një treg të tillë . Në një treg konkurrencial të telekomunikacionit, pronësia publike me këto anomalitë e sodit, e besa edhe pa to,  nuk do të arrijë asnjëherë të jetë me efikase se operatorët privat. Një prej arsyeve pse nuk ndodh kështu është mu qëllimi i operuesve publik, pra mosndjekja e profitit por (në rastin më optimal) luajtja e rolit të një strehimoreje artificiale sociale, me të punësuar jo pse ka nevojë e logjikë biznesore por se duhet akomoduar për, besoni apo jo, “një interes të përbashkët”. E nëse duhet modifikuar një ndërmarrje publike duke e e zhveshur nga teprica e punëtorëve e duke e shndërruar në ndjekëse të pastër të profitit vetëm që të jetë e aftë për të konkurruar me privatët e rrjedhimisht e aftë për të mbijetuar, atëherë pse mos ta bëjmë private në rend të parë?!

Në një treg konkurrues, me qëllime të tilla e pa modifikimet e thëna, vlera e telekomit publik vetëm se do të degradohej. Prandaj, po të kishim pak mend e vullnet, pas ndaljes së procesit të tanishëm “alla-kosovar, pas rikuperimit e rimodelimit të telekomit publik, pas ngritjes së vlerës e caktimit të pragut minimal, pas gjetjes së kohës së përshtatshme dhe rrjedhimisht pas shitjes (e marrjes e parave të majme për këtë transaksion – të paktën dy-tre-fishin e asaj që flitet sot) ne do të vazhdonim menjëherë me prurje të reja, me operatorë të ri e rrjedhimisht me mjete të reja. Ky proces do të na sillte përfundimisht shumë më tepër të punësuar, e rrjedhimisht zhvillim të një sektori të pazhvilluar. Mbajtja e pronësisë publike në anën tjetër dhe ruajtja e vlerës në të njëjtën kohë do të jetë e mundur vetëm po sakrifikuam konkurrencën. E sakrifikimi i konkurrencës për diçka artificiale megjithatë nuk na del si e Kosovës.