Friday, 14 September 2012

TRADHTARËT E TË TRADHTUARIT



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 SHTATOR 2012
Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemajli, Mehmedi e qindra futbollistë tjerë që mburren se janë shqiptarë duhet të brengosen më së paku për linçimet e bëra. Ata nuk janë aspak tradhtarë, janë thjeshtë heronj të tradhtuar nga një sistem i korruptuar në mendje e xhep. I brengosur duhet të jetë megjithatë Duka, akuzat ndaj të cilit për korrupsion nuk bëhen nga fëmijë por nga superyje botërore. Ato në çdo vend normal do të duhej të zgjonin kureshtjen imediate të hetuesisë e prokurorisë

Më është thënë shumë herë se dy shqiptarë bëjnë tre mendime. Nëse asgjë tjetër saga e ballafaqimit në mes të kombëtares zvicerane e asaj shqiptare më vulosi këtë konstatim. Në një ndeshje futbolli të paprecedent për ne, e nga eksperienca ime si adhurues i flaktë futbolli edhe për kombet tjera, ndodhi që nga 28 futbollistë që prekën topin në 90 e ca minuta (14 andej e 14 këndej - me ndërrime), 82% të ishin shqiptarë. Në një rast të tillë, në një rrethanë normale, do të duhej së paku të tregoheshin vlerat e mirëfillta shqiptare, të një suksesi, miqësie, zotësie e më e rëndësishmja të një uniteti edhe kur vihemi përballë në një vend tjetër. Ne bëmë mu të kundërtën! Krijuam divergjenca ndjenjash, ushqyem urrejtjen, nxitëm klasifikime politike e linçuam njerëz. Në pak ditë shqiptarët u ndanë në tre; disa mbanin anën e Shqipërisë, disa për inat të linçimeve atë të Zvicrës, e të tjerë preferuan Kosovën duke aluduar në nevojën e pasjes së një kombëtare të veçantë.

Për habinë më të madhe, katrahurën e linçimeve e filloj ai i cili do të duhej të ishte unifikuesi i futbollistëve shqiptarë, kryetari i Federatës Shqiptare, z. Armando Duka; një i paditur e zhvatës i mundësisë së dhënë, një ngufatës i ecjes së futbollit shqiptar nëpër vite. I shtyrë pak nga ahmakizmi e pak nga paskrupulltësia që shoqërojnë njerëzit si ai, Duka i quajti besoni apo jo “tradhtarë” pesëshen shqiptare. Duka është po i njëjti njeri i cili u akuzua nga vet futbollistët në fjalë dhe nga familjarët e tyre për kushtëzimin e pjesëmarrjes në kombëtare me para për të. Habitem ende se si deklaratat e akuzat e lojtarëve shqiptarë nuk nxitën asnjë reagim tek Tirana zyrtare. Po të kishte pak rend gjygjësor në Shqipëri, deklaratat e tilla do të duhej të merreshin shumë seriozisht. Nuk është se këto të thëna janë nga njerëz të zakonshëm, por nga superyjet e futbollit botëror!

Deklaratat fyese si këto të Dukës, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por ndaj të gjithë mërgimtarëve shqiptarë, ndaj gjithë prindërve, motrave, vëllezërve e familjarëve të këtyre pesë e pesëqind çunave të tjerë që ndonëse me ngjyra tjera prapë në zemër mbesin kuq e zi, janë asgjë më shumë e asgjë më pak se deklarata nxitëse, përjashtuese e të urrejtjes ndërshqiptare. Janë deklarata të përdhosjes së djersës së çunave e të kontributit familjar për rritjen e tyre në rrethana aspak të lehta. Janë thjeshtë deklarata që mundohen të monopolizojnë patriotizmin pa të drejtë, e pa e kuptuar mirë se kontributi i pesë djemve tanë mbulon e shkel çdo kontribut të dhënë nga krerë e linçuesë të tjerë që sillen e pështillen për të mos bërë asgjë. Të tillat, edhe pse pa vend, çuditërisht morën flakë shpejtë edhe në Kosovë mes grupesh quasi-patriotësh, quasi-tifozësh e quasi-të diturish duke bërë kështu nisjen e çarjes brenda shqiptare pa pikë nevoje e pa pikë përfitimi. Për të mos mjaftuar linçimet e antihumane nga grupe si këto, edhe vet selektori italian i kombëtares sonë i hyri valles duke i trajtuar njëjtë, pra tradhtarë. Po sikur nesër të luajmë kundër Italisë, a e bën një ballafaqim i tillë De Biasin tradhtar për italianët?! Paradoks hesapi.    
         
Ta bëjmë të qartë! Futbollistët shqiptarë që luajtën për kombëtaren e Zvicrës nuk janë tradhtarë; madje larg prej tyre. Shqiptarët kanë ditur ti japin Zvicrës edhe deputetë që kanë zhvatur 200 mijë franga pa fije brenge, edhe hajna e kriminelë që kanë vjedhur e besa dhe vrarë atje, edhe matrapazë të tjerë që na e kanë nxirë fytyrën, por dhe kjo me POR të madhe, në mesin mijërave punëtorëve, burrave e grave të mirë e të mira, shqiptarët mbi të gjitha i kanë dhënë zviceranëve plot 5 futbollistë profesionistë që sot bëjnë thelbin e kombëtares së tyre e mburrjen nacionale. E vet kontributi i këtyre futbollistëve në përmirësimin e imazhit tonë në Evropë, tek një shtet mik i yni, i bën ata asgjë më shumë e asgjë më pak se heronj tanë!
Tashti, nëse pret dikush ti simpatizojmë kur luajnë kundër kombëtares sonë, e kanë gabim! Këtë nuk mund ta bëjmë dot. Ne relacion me kombëtaren të gjithë bëhen të vegjël, bëhen individë që vijnë e shkojnë; kombëtarja mbetet përgjithmonë. Prandaj dhe do të ishte natyrale që ne të përkrahim kombëtaren e jo individët. Megjithatë edhe në ballafaqimin tonë me ta, përkundër rivalitetit, pra jo tradhtisë e ku ta di unë çfarë tjetër mund të pjellë mendja e korruptuar, por thjeshtë rivalitetit, ne, si popull bujarë e si njerëz të civilizuar, do të duhej të tregojmë pak respekt për ta. Do të duhej të tregojmë respekt sepse janë të tanët e nëse asgjë tjetër të njëjtit janë ndjerë shumëherë më rëndë se ne, shumëherë më keq se ne.                     

Fatkeqësisht për gjithë fotografinë tonë, këta futbollistë treguan civilizim e respekt shumë më shumë për ne se sa ne treguam për ta. Shënimi i golit pa gëzim, bartja e simboleve kombëtare në trup, veshje e zemër, deklarimet plot mburrje për prejardhjen e tyre, rastet e përfolura se nga simpatia e madhe dhe nuk deshën të shënojnë gol, e mbi të gjitha deklaratat pas lojës se ndjenjë keqardhje për humbjen e Shqipërisë  (ani pse e shkaktuan vetë), janë shenja të një respekti të madh, jashtëzakonisht të madh. Edhe me më respekt është shkuarja e tyre pas lojës tek tifozët kuq e zi për të ndarë dhimbjen e nuk mbajnë inat për abuzimin e pranuar nga ta.

Në përgjigje ndaj kësaj, tifozët tanë i shanë, i fyen, i sulmuan me thirrje raciste e i gjuajtën me gur e shkopinj; madje i shanë e fyen edhe në takimin pas lojës kur pesëshja kishte shtrirë dorën e sportistëve profesional. Tifozët shkelën mbi pesë superyje shqiptarë për të shtruar bindjet e dikujt si Duka i korruptuar. Dhe sjelljet si këto do të duhej të nxisnit turp për këta tifozë; është turp për gjithë ne që kemi këso tifozë. Tifozë si këta nuk i bëjnë mirë as vendit, as vetes e as familjes e as kombit. Nwse me kaq lehtësi përdhosin një grumbull kontribuesish masiv në imazhin e shqiptarëve jashtë, paramendoni se çfarë janë tjetër të bëjnë ata. Dashuria e kontributi ndaj vendit tënd nuk bëhet domosdo me çirrje e thirrje e këngë.              

Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemajli, Mehmedi e qindra futbollistë tjerë që mburren se janë shqiptarë, që nuk ndërrojnë emër e mbiemër, nuk mohojnë gjakun por e theksojnë atë, bartin Shqipërinë e Kosovën dikush në këmbë, dikush në tatuazh e dikush në zemër, duhet të brengosen më së paku për këtë. Ata nuk janë aspak tradhtarë, janë thjeshtë heronj të tradhtuar nga një sistem i korruptuar në mendje e xhep. Ata e të tjerët duhet të dinë se në çdo situatë tjetër, në çdo ballafaqim tjetër, në çdo betejë të tyre tjetër, përveç betejës ndaj kombëtares sonë, do të kenë mbështetjen e shqiptarëve. Duhet ta dinë se na bëjnë krenar për çdo ditë të lumë, e do na bëjnë edhe më krenarë po shkuan si shqiptarë në Brazil 2014. Suksesi i tyre është dhe i yni si komb. Ata janë tanët!

Të brengosur e turpëruar megjithatë duhet të jenë zyrtarët e korruptuar të Federatës Shqiptare që i vihen pas lojtarëve të tillë vetëm pasi ti kenë refuzuar një herë pse ata nuk dhanë para, që i lënë në harresë qindra të tjerë që edhe sot sillen si të humbur,  vetëm për tu kthyer tek ta kur të arrijnë diku e kur të jetë më vonë, këtë herë jo për ti joshur, por për ti quajtur tradhtarë. Paradoksi megjithatë qëndron në faktin se linçuesit janë tradhtarët e vetëm në gjithë këtë amulli. Ata kanë tradhtuar shpresën tonë, unitetin tonë e potencialin tonë. Të brengosur e turpëruar duhet të jenë gjithë ata që i thonë vetes tifozë, e që nuk bëjnë dot dallimin e kontributit patriotik prej frustrimit nacionalist e racist. Të brengosur duhet të jemi të gjithë për një katandisje kaq të rëndë që lejuam ti bëjmë vetes, në një ngjarje që kishte çdo predispozitë të ishte promovuese e unifikuese për ne.

Në fund fare, është shumë e tmerrshme se si ngjarjet që do të duhej të kaloheshin në miqësi e mburrje se shqiptarët kanë arritur mjaft, na shndërrohen gjithnjë në përplasje e përçarje. Pas lojës së mbrëmshme disa shqiptarë të Kosovës u përçanë me shqiptarët që kishin zgjedhur Zvicrën, disa të tjerë me shqiptarët e Shqipërisë që i quan tradhtarë, këta fundit me të dytë; lëmsh hesapi. Në një ballafaqim shqiptarë, me lojtarë shqiptarë, publik shqiptarë, golashënues shqiptarë, humbin shqiptarët. Kaq dimë!



No comments: