Thursday, 20 September 2012

PRIVATIZIM PA LIGJ



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 SHTATOR 2012


Procesi i privatizimit të PTK-së mund të ndërpritet qysh nesër, me një kërkesë të vetme në Gjykatën Kushtetuese. Kujtoj se e gjithë baza ligjore e privatizimit të PTK-së mbështetet nga Ligji i Buxhetit i vitit 2011, ligj ky tanimë i skaduar sipas Nenit 20 brenda tij


Kam përshtypjen se këto javë procesi i privatizimit të PTK-së, njëjtë sikurse vitin e kaluar, bëri kulminacionin e vëmendjes së kosovarëve. Në këtë kulminacion, polarizimi i qëndrimeve në mes të palëve mbetet po aq i theksuar sa një vit më parë. Në njërën anë është Qeveria e vendit e përkrahur së fundi nga përfaqësuesit e bizneseve e cila insiston në privatizimin e asetit, pavarësisht natyrës se si ky proces bëhet, pavarësisht kohës kur ndodh, e pavarësisht çmimit që marrim. Në anën tjetër është organizimi sindikal i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje që artikulojnë qëndrime jo vetëm kundër procesit të tanishëm por ndaj vet konceptit të privatizimit.

Në dy-tri javët e fundit jam munduar të ofroj një alternativë të tretë e që në thelb kundërshton privatizimin “alla-kosovar” për shkak se i njëjti nuk është mjet brenda një objektivi më madhor, por është thjeshtë një qëllim në vete. Në një ambient të brishtë e korruptiv, një aset i demoluar e i shkatërruar, i shitur tek blerësit pa para (për shkak të krizës ndërkombëtare) nuk është edhe një akt i mençur. Njëkohësisht, alternativa që u mundova ta ndërtoj nuk kundërshton idenë e privatizimit, pra e pranon atë si koncept efikas, produktiv e të qëndrueshëm. Thirrjet sindikaliste se ne nuk duhet të privatizojmë meqë “profiti” është mëkat e se investimet e huaja na thajnë shpresën, unë argumentova se na kthejnë në një kohë mjaft të trishtë, të një centralizmi pronësor, të një ngufatje prosperuese e të një proteksionizmi investiv.

Pavarësisht kësaj, alternativa që unë u mundova të artikulojë kërkon ndërprerjen imediate të procesit të tanishëm (meqë i njëjti është regresiv), rikonsolidimin e aseteve dhe ambientit përreth (meqë i njëjti sot është zhvlerësues), dhe në fund kërkon fillim e implementimit të mirëfilltë të procesit privatizues (meqë i njëjti është më produktiv) sikurse kanë bërë praktikat e vendeve të suksesshme. E në këto tri shtylla, unë argumentojë, duhet të ndërtohet dhe koncenzusi politik në vend; ai në mes të partive opozitare, me sindikata, përfaqësues të bizneseve e shoqërisë civile. Koncensuzi me Qeverinë them se është thjeshtë i pamundur, meqë e njëjta nuk ka dashur e nuk ka provuar asnjëherë të arrijë pajtueshmëri. Ajo në fund të fundit ka zgjedhur dhe metodat më teatrale të ikjes nga Parlamenti (siç ishte dhe rasti i kësaj jave), apo praktika absurde të ndërprerjeve në votim.

Më duhet gjithashtu të them se alternativa që kisha prezantuar kishte zgjuar një sërë reagimesh pro e kundër. Meqë gama e argumenteve të dhëna në favor e në kundërshtim të elementeve të ngritura është aq e gjerë, i mbetem borxh të gjithëve për një ripërmbledhje post-scriptum. Këtë javë, për hir të nevojës së koncensuzit nacional kundër privatizimit “alla-kosovar”, dua ti sjell gjithë spektrit politik, sindikal, biznesor e civil një argument të ri. Ky argument mund të bëjë dhe çelësin e ndërprerjes së procesit të tanishëm denigrues; fjalën e kam për bazën ligjore të privatizimit të PTK-së.

Për të rifreskuar memorien, më lejoni të bëj një xhiro rreth kornizës ligjore mbi privatizimin e aseve publike, siç është paraparë me dokumentet më të larta shtetërore. Fillimisht, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të gjitha ndërmarrjet publike në vend rregullohen me “Ligjin për Ndërmarrjet Publike” i nxjerrë me datë 13 qershor të vitit 2008. Në këtë ligj ekziston një nen që rregullon dhe çështjen e shitjes së aksioneve të ndërmarrjeve, pra çështjen e privatizimit të tyre. Neni 9, pika 1 thotë: “Aksionet në një NP Qendrore mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim me të cilin autorizohet një Komision Qeveritar për Privatizim për të vazhduar me tenderimin dhe shitjen e aksioneve, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi i Kosovës. Pas miratimit të këtij vendimi nga Qeveria dhe Kuvendi, Komisioni Qeveritar për Privatizim është i autorizuar të kryejë një tender dhe t’i shesë aksionet në fjalë.” Pra thënë shkurt e shqip, për të privatizuar një ndërmarrje, Qeveria duhet të nxjerrë një vendim (që autorizon një komision për të privatizuar) e ky vendim duhet më pas të votohet në Kuvend.

Për dallimnga korniza e paraparë ligjore, procesi i privatizimit të PTK-së në Kosovë zanafillën e ka tek një dokument që njihet si “Strategjia e Privatizimit të PTK-së”, i prezantuar në Parlamentin e Republikës në mes të vitit 2010, por që nuk kishte arritur asnjëherë të marrë mbështetjen parlamentare përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme politike e ndërkombëtare në votim. Strategjia ishte harruar plotësisht pas prishjes së koalicionit të atëhershëm PDK-LDK. Një vit më pas, më datë 9 mars të 2011-ës, Qeveria e Kosovës kishte nxjerrë një vendim me numër 02/03 që kërkonte privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. Me këtë vendim ajo kishte përmbushur kërkesën e parë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Kërkesa e dytë kishte të bënte me aprovimin e këtij vendimi nga Parlamenti i Republikës me një shumicë të thjeshtë.

Aprovimi megjithatë ishte pothuajse mision i pamundur për Qeverinë e re. Në vend të kësaj Kosova kishte përjetuar klandestinin e parë të një procesi hiper-serioz. Miratimi i vendimit ishte futur si pjesë e buxhetit të Kosovës për vitin 2011. Pra në vend se të bëhemi korrekt, të mençur e respektues ndaj pasurisë publike, në vend se të nxjerrim një ligj të veçantë për privatizim, ne kishim votuar si nën hije një nen për privatizim brenda një ligji që nuk ka lidhje me privatizim. Ishte neni i famshëm numër 4, si një rast paprecedent, që fuste besoni ose jo, privatizimin e asetit më të rëndësishëm kosovar si pjesë të një buxheti vjetor. Në njërën prej shkrimeve të kohës kisha ironizuar se pse nuk i fusin edhe ndryshimet kushtetuese në të njëjtin ligj; ishte absurde.

Sidoqoftë, me Nenin 4 në bord, plotësohej kresa e dytë e Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike. Ky nen thoshte: “Vendimi i Qeverisë nr.02/03 i dt. 9 mars 2011, për Privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Sh.A., i cili i është bashkangjitur këtij Ligji si Aneks, konsiderohet i miratuar nga Kuvendi nga data e hyrjes së fuqi të këtij ligji. Ky miratim e plotëson kërkesën për miratim nga Kuvendi të përcaktuar me nenin 9.1 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.” Thënë shkurt e shqip, me një nen të klandestuar në buxhetin e vitit 2011, Parlamenti kishte përmbushur procedurën ligjore të paraparë me rregullativën e vendit. Me një përmbushje të tillë Qeveria kishte në xhep gjithë llogaritë e privatizimit të asetit.

Çfarë Qeveria megjithatë nuk kishte futur në hesap të saj, është Neni 20 i Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2011 dhe ky nen, unë argumentoj, bën gjithë procesin e tanishëm të privatizimit anti-ligjor e anti kushtetues. Si i tillë, çdo organizim politik, sindikal, biznesor e civil mund që nesër të ndërpresë procesin me një kërkesë të vetme në Gjykatën Kushtetuese. Them kështu meqë Neni 20, i Ligjit për Buxhetin e vitit 2011, ligj ky që ka hapur rrugën e privatizimit të PTK-së, thotë se: “I gjithë Buxheti i Republikës së Kosovës dhe alokimi i mjeteve të bëra në vitin fiskal 2011, automatikisht do të skadojnë në mesnatë të 31 dhjetorit 2011.” Pra thënë edhe një herë shkurt e shqip, Ligji i Buxhetit për vitin 2011, me gjithë elementet përbërës të tij, skadon në natën e fundit të vitit 2011. Neni 4, që jep mbështetje për privatizim, si pjese përbërëse e ligjit në fjalë, humbë po ashtu fuqinë e validitetin ligjor në natën e fundit të vitit 2011. Sot, mbështetja e Parlamentit thjeshtë është e skaduar.

Thënë të drejtën, atë çfarë qeveria nuk kishte arritur të kuptojë asnjëherë (ndoshta sepse nuk kishte hesapuar vonesat në privatizim) është se me aprovimin e marrë nëpërmjet Nenit 4, si pjesë të Ligjit për Buxhetin e vitit 2011, ajo i kishte siguruar vetes një derë që rrinte hapur jo më shumë se një vit. Vonesat e procesit të privatizimit të ndodhura gjatë vitit 2011 e kanë bërë këtë derë tërësisht të papërdorshme. Rinisja e privatizimit në vitin 2012, pra ky proces i sodit, nuk mund të thirret në asnjë ligj të vetëm valid. Kjo rinisje mund të thirret e mbështetet në një ligj të skaduar e pa efekt, siç edhe precizohet në Nenin 20. E mbështetja e privatizimit në një ligj pa efekt, unë argumentojë, përbën mungesën e plotë të bazës ligjore. Thënë këtë, procesi mund të rrëzohet lehtësisht nga Gjykata Kushtetuese sa herë që dikush do të provojë ta dërgojë atje.



No comments: