Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 SHTATOR 2012
Numrat e papunësisë të prezantuara nga të dhënat e regjistrimit
konsiderojnë se Kosova ka 55.3% të popullsisë në moshën e punës, apo 627.363
individë si inaktiv. Një llogaritje kaq gjeneroze dhe një përjashtim kaq masiv i
kosovarëve nga tregu i punës lehtëson dukshëm numrat e papunësisë, ndonëse të
njëjtit vazhdojnë edhe me këtë llogaritje të jenë alarmant
Po shikoja me kujdes numrat e
regjistrimit të popullsisë të bëra publike (online) vetëm dje në portalin e
Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Një publikim prej 250 faqesh me të dhënat
e detajizuara kryesore domosdo kërkon kohë e mund për studime substanciale. Për
hulumtuesit kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për të prodhuar analiza
nga më kreativet; gjithmonë duke besuar në kredibilitetit e të dhënave aty.
Nuk dua në këtë kohë të diskutojë për
numrin e përgjithshëm të kosovarëve sot, as për faktin se ky 1,739,825 nuk përkonte me pritjet tona. Besoj se do të duhej kohë e skanim i
metodologjisë, efikasitetit e në fund logjikës kalkuluse për të parë saktësinë
e tij. Nuk dua as të diskutoj për shpërndarjen e kosovarëve nëpër qytete meqë këtë do ta bëjnë
gjithsesi partitë politike. Në mesin e shumë të dhënave ekonomike e familjare, ajo
që shfaqë më tepër interesim për mua është mu treguesi i papunësisë; ai 44.8%. Një
muaj më parë, në njërin prej shkrimeve të kësaj kolumne (Të papunët), nëpërmjet
një para-llogaritje mjaft konzervative (gjithsesi amatore në relacion me mundin
që kërkohet për të matur papunësinë) kisha përfunduar me një numër të
papunësisë prej 42%; rezultat ky mjaft i përafërt me rezultatin final të
regjistrimit.
Sipas të dhënave finale të
regjistrimit, Kosova ka 1.135.463 banorë në grupmoshën 15-64 vjeçare. Banorët në
këtë grupmoshë janë përdorur nga përpunuesit e të dhënave për të derivuar
fuqinë aktive punëtore. Për hir të shpjegimit, fuqinë aktive punëtore e
ndërtojnë të gjithë individët që janë duke kërkuar aktivisht punë; pra janë në
kërkim të punës në momentin kur anketa është zhvilluar. Të gjithë ata që nuk
janë duke kërkuar punë, në numrat e papunësisë përjashtohen si fuqi aktive. Padyshim
se si në çdo vend tjetër, ka të tillë që gjuetinë për punë e kanë të
përfunduar; amviset në mes tjerash. Ato thjeshtë nuk janë në kërkim të një
vendi pune dhe si tilla ato nuk duhet dhe nuk mund të llogariten si fuqi
punëtore. Studentët gjithashtu nuk mund të llogariten si fuqi punëtore për sa
kohë që vijojnë studimet. Personat me aftësi të kufizuara, individët në shërbim
ushtarak e gjithë të tjerët që thjeshtë nuk duan të punojnë përjashtohen nga
fuqia aktive punëtore. Ata bëhen inaktiv.
Tashti, në llogaritjen e prezantuar
nga Agjencia e Statistikave, del se nga 1.135.463 banorë në grupmoshën 15-64
vjeçare, mbi 55.3% e tyre, apo plot 627.363 individë janë inaktiv; përkundër
44.7% popullsi aktive, apo 508.100 banorë. Kjo për mua bën një habi enorme në
pasqyrën e saktë të llogaritjes. Së pari, me të dhëna si këto Kosova do të
ishte vend me një disbalancë të palogjikshme në mes të popullsisë aktive dhe
asaj joaktive. Mesatarja e popullsisë joaktive në vendet e BE-së është jo më
shumë se 28% e popullsisë në moshë pune; Kosova nuk mund të ketë dyfishin e
saj. Së dyti, një zbërthim i këtij numri 627.363 na lë me plot 250.000 kosovarë
të pakategorizuar, ose në rastin më të thjeshtë si popullsi joaktive (nëse të
dhënat janë të sakta) por që do të pranonin vendin e punës (siç kategorizohen në
rangimet e BE-së). Do të provoj të shpjegoj pse.
Nëse Kosova ka 627.363 popullsi
joaktive (në grupmoshën 15-64 vjeçare), atëherë le të heqim inaktivët “e sigurt”.
Së pari, sipas Agjencionit të Akreditimit në Kosovë, janë plot 70.000 studentë
kosovarë. Natyrisht se heqja e plot 70.000 është lehtësim enorm për një normë më
të ulët papunësie, por ja që sistemi ynë edukativ mundëson “studim e studentë të
përjetshëm”. Gjithsesi se mosllogaritja e tyre në formulën e papunësisë nuk bën
lehtësim në aspektin ekonomik. Për çdo kë me dije bazike ri-futja e tyre në
tregun aktiv të punës (në momentin kur diplomojnë ose ndërpresin studimet) është
e garantuar. Si e tillë ajo bën një barrë të re, një armatë të tërë të të
papunësh. Së dyti, po besoj se përpunuesit e të dhënave të regjistrimit si
inaktiv kanë llogaritur edhe gjithë fëmijët e moshës 15-17 vjeçare, të cilët, në
probabilitetin më të madh janë pjesë e sistemit edukativ. Në grupmoshën 15-17 vjeçare,
sipas të dhënave të regjistrimit, hynë plot 104.000 kosovarë.
Dhe së treti, e këtu më duhet të
supozojë kalkulimin e Agjencisë (meqë të njëjtit nuk kanë prezantuar një gjë të
tillë), le të themi se Kosova ka plot 200.000 individë që nuk duan të punojnë
edhe po tu ofrohet puna. Them 200.000 mijë meqë një numër i tillë kënaq çdo
llogaritje ultra-optimiste. Bazuar prapë në të dhënat e regjistrimit, Kosova ka
plot 297.090 familje. E nëse supozojmë se dy nga tri familjet kanë nga një anëtarë
që është në moshën 18-64 vjeçare, që nuk është student, nuk është nxënës, por
thjeshtë nuk do vend pune, atëherë derivojmë këtë 200 mijësh. Thënë të drejtën,
unë kam disi problem të pranoj me kaq lehtësi që në çdo tre familje, dy familje
kanë nga një anëtarë të tillë. Sa janë në familjen tuaj që nuk duan punë? Është
thjeshtë disproporcioanle me nivelin e edukimit, banimin urban e pritjet e
kosovarëve për punë. Por pavarësisht kësaj, me një zbritje të tillë ne themi se
nga 627.363 popullsi joaktive (të prezantuara nga Agjencia), të paktën 70.000
studentë, 104.000 nxënës dhe 200.000 të tjerë janë që nuk mund e nuk duan të
kenë punë. Kjo bën një total prej 374.000 kosovarëve.
E diferenca prej 627.363 dhe 374.000,
bën plot 253.000 kosovarë që konsiderohen nga të dhënat e regjistrimit si
inaktiv; por që a) nuk do të thotë se nuk duan punë dhe b) nuk do të thotë se
nuk duhet llogaritur si të papunë. Për të parën, ka një diferencë esenciale në
mes inaktivëve që nuk duan punë dhe atyre që nuk kërkojnë punë por që duan punë.
Këta të fundit mund të kyçen në tregun e punës qysh nesër dhe rrjedhimisht në
aspektin e studimeve ekonomike mund të konsiderohen si një bombë masive e çrregullimit
të numrave. Ata thjeshtë përkohësisht nuk janë duke kërkuar punë. Për të dytën,
gjasat e huqjeve të qëllimshme nga analizat e regjistrimit (me qëllim të
nxjerrjes së një numri më pak të dhimbshëm të papunësisë) në një Kosovë kaq
anomalike, janë shumë reale. Në të dyja rastet, këta 250 mijë (pa studentë, pa
nxënës e pa të tjerë që nuk duan punë) duhet të merren parasysh në çdo analizë
ekonomike.
Për të gjetur numrin e të papunëve Agjencia
për bazë merr popullsinë aktive prej 508.100 banorë, pra atë pjesën e mbetur
pas heqjes së popullsisë inaktive. Prej këtyre, të punësuar sipas të dhënave të
regjistrimit janë vetëm 280.454 kosovarë. Raporti 280.454/508.100 na jep normën
e punësimit, që është 55.2%. Rrjedhimisht, norma e papunësisë, sipas të dhënave
të regjistrimit, është 44.8%, apo thënë në numër 227.646 kosovarë. Por, po
llogaritëm edhe këta 253.000, që janë jo aktiv, por që supozojmë se do të
pranonim punë, atëherë është lehtësisht e pritshme se numrat e papunësisë mund
të jenë më të lartë; por jo vetëm kaq.
Do të ishte absurde se të gjithë të
punësuarit do të pranonin statusin e tyre të punës gjatë regjistrimit. Në një
Kosovë me diskrepancë në relacione mes shtetit dhe qytetarëve, fshehja e
argumenteve të punësimit është mase evidente (një normë kjo shoqërore e jona). Besoj
se janë të shumta rastet kur individë të punësuar në informalitet nuk janë
deklaruar nga frika e zbulimit të tyre. Ky numër duhet të jetë domosdo më i ulët
se sa numri i anketave të bëra në Kosovë me biznese, për vet faktin se
intervistomi familjar për dallim nga ai biznesor ka shumë më pak arsye të
fshehjes. Por pavarësisht kësaj fshehja është e pritshme. Bazuar në të dhënat e
Trustit pensional, mbi numrin e atyre që kanë paguar pensione, Kosova ka plot
250.000 të punësuar formal. Nëse regjistrimi thotë se kemi 280.000 të punësuar,
i bie se vetëm 30.000 kosovarë në Kosovë janë të punësuar si informal; numër ky
jashtëzakonisht i ulët për shkallën e percepcionin e informalitetit në Kosovë.
Kjo diskrepancë ka dy shpjegime. Së
pari, të punësuarit informal në Kosovë janë llogaritur si të papunë, por bëjnë
pjesë në popullsinë inaktive por që duan punë (pra në atë 253.0000); dhe kjo
bën versionin që unë e besoj më lehtësisht. Së dyti, Kosova ka informalitet të
ulët të punëtorëve, prandaj dallimi mes të dhënave të Trustit dhe të
regjistrimit (prej vetëm 30.000) është real. Këtë version kam problem ta
pranoj. Në rast të parë (dhe shumë më të besueshëm) numri i informalëve
thjeshtëzohet me numrin e inaktivëve por që duan punë (gjithë atë 253 mijësh),
por në këtë rast Kosova duhet të pranojë se ka një informalitet të punës prej
plot 100% dhe se papunësia është në regjionin e 44%. Në rastin e dytë, Kosova
ka informalitet të punës jashtëzakonsiht të ulët, por ka papunësi prej
60%.
Në fund, dua të besoj se
mosllogaritja e plot 253.000 kosovarëve është ekuivalente me informalët. Në një
relacion të tillë logjik, papunësia prej 44% është konstatimi më real i
mundshëm. Ky konstatim, i tillë si është, duhet të shërbejë si bazë e nisjes së
politikave drejt sektorit privat, por jo si bazë e kontestimeve qeveritare
çfarë i kemi parë deri më tani.
No comments:
Post a Comment