Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 SHTATOR 2012
Palët kundërshtuese të privatizimit “alla-kosovar” duhet të arrijnë koncenzus
në tri çështje thelbësore: në ndërprerjen e procesit të tanishëm degradues, në domosdoshmërinë
e pasjes së tregjeve konkurrenciale post-privatizuese dhe në gjetjen e kohës së
përshtatshme për privatizim. Kundërshtimi i procesit të privatizimit si koncept
ekonomik është i po aq destruktiv e ngufatës sa ky që tentohet të bëhet tani
Javën që shkoi u mundova të argumentojë
se prona private është po aq e Kosovës sa ajo publikja, se dobia qe shoqëria
merr nga iniciativa e biznesi privat janë po aq domethënëse e po aq esenciale
sa diçka si publikja që presupozohet (teorikisht) të jetë e përbashkët e në
asnjë rrethanë (realisht) nuk na shfaqet si e tillë. U mundova gjithashtu të
argumentojë se kontributi buxhetor në formë taksash e dividentash nuk është
kontributi i vetëm i subjekteve ekonomike; nëse asgjë tjetër biznesi privat i
jep shoqërisë vende pune, paga, produkte e shërbime më të lira e më të mira dhe
si i tillë përbën të përbashkëtën e vetme.
Rolin e gardianit të pronës private nuk
e shfaq vetëm për shkak të besimeve libertariane ekonomike që në vete i mbaj me
shumë mburrje, por për shkak të krucifikimit e mallkimit që grupe të ndryshme
kosovare i bëjnë pronësisë private padrejtësisht. Nuk është e drejtë, nuk është
korrekte, nuk është morale të propagandohet kaq rëndë e kaq keq për burimin e
vetëm të ecjes gjigante të njerëzimit botërisht: biznesit privat. Natyrisht se
ka të tillë që kanë alergji edhe ndaj pronës private e lirisë së të pasurit e të
bërit. Madje ka dhe të tillë që kriposin besimin e tyre edhe me refuzim absurd ndaj
investimeve të huaja duke shfaqë kështu një frikë patetike se “paratë po na
ikin jashtë”. Një kombinim i tillë i anti-lirisë për pronësi dhe
proteksionizmit investiv nuk jep as më shumë e as më pak se sa një vend
centralist e të mbyllur, diçka që shqiptarët kanë pasur me bollëk në kohën e
xhaxhit Enver.
Pavarësisht kësaj, përjashto përkrahësit
marksistë që japin vrer e bëjnë gjueti histerike e panik morali ndaj poseduesve
privat të mjeteve të prodhimit e shërbimit, nuk ka mendim serioz që mbështetë
kundërshtinë e pronës private. Madje as edhe Keynes, që gabimisht përmendet si
arsye nga kundërshtuesit e privatizimit kosovar, nuk ka përkrahur asnjëherë një
gjë të tillë. Në vitin 1936, në librin e tij “Teoria gjenerale e punësimit,
interesit dhe parasë”, në kapitullin e konkludimeve Keynes kishte identifikuar
nevojën e pasjes së “investimeve socializuese” në mënyrë që kapitalizmi të
funksionojnë mirëfilli. Shkollarët pasardhës të tij termin në fjalë e
shpjegojnë (ama bash të gjithë) jo si nacionalizim të pronës, por si mundësi e
pasjes së një roli stabilizues nga mjetet e shoqërisë, për shembull diçka si
investimi i fondeve pensionale. Pra në asnjë rrethanë të vetme as edhe Keynes
që nga Smithianët e Friedmanët shihet më i anuar në të majtë, nuk kishte parë
nevojën e pasjes së aseteve publike.
Ta kemi të qartë, pasja e pronësisë
publike nuk i bën ithtarët e saj marksistë siç propagandon qeveria jonë (e bën
këtë për të dhënë goditje ultra të ulëta). Marksistë nuk janë vendet si
Gjermania, Sllovenia apo Suedia që vazhdojnë të kenë asete me bollëk në pronësi
publike, por, dhe kjo me një POR të madhe, kundërshtimi i pronës private dhe
deklarimi se pronësia private nuk është në interes të shtetit është tipike vlerë
e propagandë marksiste (dhe kjo ka rëndësi për artikulimin që po mundohem të bëj).
Dikush dhe mund të argumentojë se nuk ka asgjë të keqe në besimin marksist, por
unë them “le të pajtohemi që të mos pajtohemi”; kaq është vlefshmëria e kohës
sime për tu marrë me të tillë. Ka dhe të tjerë që nuk besojnë në teori
ekonomike e në gjetjen e zgjidhjes në besime të tilla, por unë them se të
çmendur e të paditur nuk janë ata që me besime të tilla i kanë dhënë hov e
zhvillim vendeve perëndimore. Të paktën 300 vjet shkencë ekonomike është
kategori shumëherë më superiore ndaj intuitës individuale.
Pra nëse një pronë private qenka
shtytës i zhvillimit, nëse një pronë private është e pranueshme teorikisht nga
mendimtarët që kanë dhënë bazën e zhvillimit të vendeve perëndimore (për dallim
nga besimet e koreano-veriorëve e disa copëza ferresh të ngjashme aty këtu), e
nëse një pronë e private sjell dobi për shoqërinë për arsyet e artikuluara në
pjesën e parë të këtij shkrimi (të botuar javën që shkoi), atëherë ne duhet të
kemi një dozë bukur të mirë pajtimi se
prona private është interes i Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të heqim çdo
paragjykim se e njëjta është shkaktare e varfërisë, degradimit ekonomik e papunësisë.
Në fjalë të Adam Smith “Nuk është se ne marrim drekën tonë nga mirëdashja e
kasapit, birrëtarit e furrtarit, por nga interesi i tyre vetanak’; e thënë
ndryshe është interesi i tyre për profit që bën të mirën tonë. Privatja
megjithatë është e Kosovës përderisa bën të mirën tonë.
“Privatizimi alla-kosovar” dhe koncenzuset e domosdoshme
Ka një defekt esencial në promovimin e
privatizimit në Kosovë nga grupet qeveritare. I njëjti nuk është as më shumë e
as më keq se një mutacion i definicionit bazik dhe i praktikave tepër të
suksesshme privatizuese në vendet e zhvilluara. Por të gjesh argumentim për të
kundërshtuar konceptin e privatizimit vetëm nisur nga mësimet e marra nga kjo
qeveri është thjeshtë joseriozitet. Privatizimi “alla-kosovar” nuk është
privatizim.
Ka të tillë që edhe mund të
argumentojnë se privatizimi në vete është i destinuar për vetë-shkatërrim. Çudi
se si të njëjtit nuk guxojnë ti hedhin sytë drejt privatizimit Thatcherian në
Angli që përbën shembullin më tipik të një suksesi të tillë. Para viteve të
70-ta Anglia kishte në pronësi publike e nacionale ndërmarrjet e thëngjillit,
hekurit, gazit, energjisë elektrike, furnizimit me ujë, hekurudhave, kompanive
ajrore e telekomunikacionit. Thatcher i privatizoi të gjitha. Të thuash sot se
veprimet e Anglisë ishin destruktive është thjeshtë ahmakizëm. Anglia e sodit megjithatë flet për vete dhe për të
tjerët si ne se si do të duhej të ishte privatizimi. Anglia e sodit është
dëshmitare se si privatizimi nuk është i destinuar për vetë-shkatërrim;
përkundrazi është bazë e hiper-zhvillimit. E nëse për dikë krahasimi me Anglinë
është jo korrekt, ani pse parimi është parim pavarësisht vendit e madhësisë së
vendit, hajde ti hedhim sy vendeve si Hong-Kongu, Singapori, Irlanda,
Luksemburgu, Zvicra e Kanada që bëjnë disa nga top 10 e vendeve që kanë kryer
procesin me sukses e që të paktën disa prej tyre janë dhe shtete të vogla.
Hajde le të themi se as këto nuk përbëjnë një rast krahasues (përkundër universalitetit
të parimit) meqë nuk janë vende tranzitore. Unë parapëlqej të marr shembull
Estoninë e cila 10 vite më parë kishte adoptuar në plotni parimet e tregut të
lirë e privatizimit, madje në intensitet më tepër se çdo vend i tranzicionit që
kishte bërë ndonjëherë. Që nga atëherë rritja mesatare ekonomike ishte 6.3%,
ndërkaq Estonia sot është një ndër vendet më me perspektivë në Evropë e
reformat e saj në privatizim e liberalizëm janë shembuj të ekselencës.
Përkundër gjithë këtyre sukseseve të
privatizimit si koncept e si praktikë e implementuar me plot sukses, privatizimi
“alla-kosovar” është thjeshtë një perde që në vete mban emrin “privatizim” por
që në esencë është hajni, keqpërdorim, zhvleftësim, rrjepje të pasurisë publike
gjatë transferim në pronësi private. Si i tillë, pra si mutacion në vete, duhet
të ndalohet e ndërpritet sa më shpejtë të jetë e mundur. Në të kundërtën, ne do
të përfundojmë me falje e me investitorë që për qëllim nuk kanë qëndrimin
afatgjatë por mjeljen sa më të shpejtë të çfarëdoje që ka mbetur në Kosovë. Dhe
ndërprerja e privatizimit duhet të jetë koncenzusi i parë në mes të akterëve që
nuk pajtohen me promovimin qeveritar.
Defekti i dytë i privatizimit
“alla-kosovar” është se i njëjti bën kundërshtinë e elementit më bazik të
konceptit të suksesshmërisë së pronës private: konkurrencës. Ta kemi të qartë,
parakushti thelbësor i një suksesi të një vendi që mbështetet në sektorin
privat është në ekzistencën e konkurrencës dhe shtyrjes mes subjekteve. Heqja e
konkurrencës është gjymtim paralizues i konceptit libertarian; nga ku edhe
derivon termi liberalizëm ekonomik, pra liri e të pasurit e bërit, rrjedhimisht
konkurrencë. Pasja e konkurrencës është koncenzusi i dytë për të cilën vendi ka
nevojë. Nuk ma do mendja se dikush potencialisht mund të ngre zë kundër-konkurrencës
e të favorizojë monopole. Madje është vetëm Qeveria jonë që paradoksalisht bën
një gjë të tillë.
Kujtojeni rastin e privatizimit të
PTK-së, pas të cilit me strategjinë aktuale u garantohet operatorëve duopol për
të paktën pesë vitet e ardhshme. Pra ne kemi një rast që qeveria në vend se të
luftojë fuqitë e monopolit i nxitë ato. Ma thoni një element të vetëm të
besimit libertarian që favorizon monopolin?! Apo kujtojeni edhe rastin e
privatizimit të distribucionit nga ku derivon monopoli në furnizim të energjisë
elektrike. Kam përshtypjen se kosovarët do të jenë të vetmit në Evropë që nuk
do të kenë mundësinë e zgjedhjes së furnizuesit të energjisë elektrike, siç kanë
le të themi britanezët në mes të “N-Power” e “British Gas”.
Defekti i tretë i privatizimit
“alla-kosovar” është në kohën kur procesi po ndodh. Koha e tanishme i bën
ndërmarrjet kosovare të duken aspak atraktive për investitorët e huaj dhe
rrjedhimisht i bën më pak të kushtueshme. Them kështu meqë nëse ti ke degraduar
një ndërmarrje për 13 vite, ke mbipunësuar e ngatërruar gjërat keq me
korrupsion, është jo e udhës ta heqësh qafe atë si mbeturinë. E udhës do të
ishte modifikimi i saj, pastrimi nga anomalitë, vlerësimi real, caktimi i një
pragu minimal e më pas shitja (pra privatizimi). Dhe ky proces do të duhej të
ishte koncenzusi i tretë i akterëve kosovarë. Koha e tanishme është edhe më rënduese
për faktin që Kosova nuk është se ka siguruar një ambient atraktiv për
investitorë në tërësi, për më tepër, sinjalet e prodhuara jashtë kanë qenë
trishtuese.
Privatizimi si do të duhej
Në rast të një koncenzusi për
ndërprerjen e procesit të tanishëm, domosdoshmërisë për konkurrencë dhe nevojën
e gjetjes së kohës së duhur, them se kemi tri parime që duhet të definojnë edhe
qasjen tonë ndaj aseteve publike. Në këto parime ne mund të gjejmë një zgjidhje
adekuate që me të vërtetë do të ishte për të mirën e Kosovës. Le ta aplikojmë të
njëjtën në rastin e privatizimit të PTK-së.
Hapi i parë që vendi duhet të vazhdojë
të bëjë kurdoherë që gjënë kohën e përshtatshme për privatizim, është ndarja e
Postës prej Telekomunikacionit. Posta, si institucion mbetet i paprivatizuar
edhe sot e kësaj dite në Angli e SHBA. Po i përmend të njëjtat meqë ato bëjnë
vendet tipike që unë e bashkëqytetarët e mi duhet ti marrim si objektiv të rrugëtimit
tonë dhe njëkohësisht për faktin se ato në vete nuk njihen si vende të
promovimit të pronës publike. Posta britaneze Royal Mail dhe USPS-i amerikan
janë në shumicë shtetërore meqë ato shihen
si instrumente urë-lidhëse në mes të çdo qytetari. Parimi se ku ka shtëpi
(qoftë edhe vetëm një në vendin më të izoluar të mundshëm) duhet të ketë
ndërlidhje komunikuese (pra kuti postare) mund të sigurohet vetëm nën një
pronësi jo-private meqë ajo nuk ka logjikë operuese të një ndërmarrje, pra profitin.
Kosto e këtij rregullimi janë humbjet enorme që megjithatë për hir të lidhshmërisë
mundin oportunen.
Telekomi në anën tjetër mund ti
nënshtrohet tri parimeve të lartpërmendura: ndërprerjes, gjetjes së kohës më të
përshtatshme e liberalizmit (konkurrencës). Madje, parimi i liberalizimit në
tregun e telekomunikimit do të duhej të ishte më i rëndësishmi dhe me më së
paku rezistencë. Paramendoni një sektor ku nuk operojnë vetëm dy por katër apo
pese operatorë. Pse të mos e liberalizojmë këtë sektor? Pse të mos ti vëmë në
konkurrencë këta dy operatorë të tanishëm edhe me dy apo tre të tjerë? Le ta thyejnë
qafën në shtyrje e sipër për që duhet të na bëhet vonë. Çdo shtyrje në mes tyre
është e mira jonë. Madje me një liberalizim të tillë ne dhe gjatë rrugës do të
merrnim ca miliona kontribute, siç ishte rasti i licencimit të telefonisë së
dytë. Një industri e zhvilluar e konkurruese e telekomunikacionit në Kosovë do
të ishte përveç tjerash edhe ushqyes i drejtpërdrejtë i mijërave të punësuarve
shtesë, i shërbimeve më të mira për qytetarët e bizneset kosovare e i
inovacioneve teknologjike. Si duopol çfarë mendojmë ta kemi, coftë në pronësi
publike apo private apo dhe kombinim i të dyjave (siç është sot), nuk përbën kurrfarë
sektori zhvillimor.
Por nëse kemi koncenzus për konkurrencë
dhe anti-monopol (si e mira më e mirë që mund i bëhet kosovarëve), atëherë nga
këtu derivojmë situatën e një mosaftësie ekzistuese të një ndërmarrje publike
në një treg të tillë . Në një treg konkurrencial të telekomunikacionit, pronësia
publike me këto anomalitë e sodit, e besa edhe pa to, nuk do të arrijë asnjëherë të jetë me efikase
se operatorët privat. Një prej arsyeve pse nuk ndodh kështu është mu qëllimi i
operuesve publik, pra mosndjekja e profitit por (në rastin më optimal) luajtja
e rolit të një strehimoreje artificiale sociale, me të punësuar jo pse ka nevojë
e logjikë biznesore por se duhet akomoduar për, besoni apo jo, “një interes të
përbashkët”. E nëse duhet modifikuar një ndërmarrje publike duke e e zhveshur nga
teprica e punëtorëve e duke e shndërruar në ndjekëse të pastër të profitit vetëm
që të jetë e aftë për të konkurruar me privatët e rrjedhimisht e aftë për të
mbijetuar, atëherë pse mos ta bëjmë private në rend të parë?!
Në një treg konkurrues, me qëllime të
tilla e pa modifikimet e thëna, vlera e telekomit publik vetëm se do të
degradohej. Prandaj, po të kishim pak mend e vullnet, pas ndaljes së procesit të
tanishëm “alla-kosovar, pas rikuperimit e rimodelimit të telekomit publik, pas
ngritjes së vlerës e caktimit të pragut minimal, pas gjetjes së kohës së përshtatshme
dhe rrjedhimisht pas shitjes (e marrjes e parave të majme për këtë transaksion –
të paktën dy-tre-fishin e asaj që flitet sot) ne do të vazhdonim menjëherë me prurje
të reja, me operatorë të ri e rrjedhimisht me mjete të reja. Ky proces do të na
sillte përfundimisht shumë më tepër të punësuar, e rrjedhimisht zhvillim të një
sektori të pazhvilluar. Mbajtja e pronësisë publike në anën tjetër dhe ruajtja
e vlerës në të njëjtën kohë do të jetë e mundur vetëm po sakrifikuam
konkurrencën. E sakrifikimi i konkurrencës për diçka artificiale megjithatë nuk
na del si e Kosovës.
No comments:
Post a Comment