Friday, 8 June 2012

VENDI I MJERANAVE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 QERSHOR 2012

Derisa e kuptoj se prej dritareve të errëta të “xhipave” me targa Z, “fellneve” të aluminit 17-she, e “klimatronizmit” tetë këndor është e vështirë të ndjehet mjerimi i kosovarëve jashtë, nuk mund të kuptoj dot se a jepen arsyetime zyrtare sa për të shpërlarë, denigruar e prishur çfarëdo lloj debati që lindë në këtë drejtim, apo se (dhe kjo bën  bindjen time) në parim një pjesë e madhe e zyrtarëve tanë janë njerëz që “nuk dinë që s’dinë”

Kështu të paktën konsiderohej Kosova nga “Business Insider”, që rangonte plot 197 shtete në botë sipas “Indeksit të mjerimit”. Kosova në këtë rangim zinte vendin e 9-të; thënë ndryshe ishte një ndër dhjetë vendet më të mjera në planetë për nga kualiteti i jetës. “Indeksi i mjerimit” është një tregues ekonomik i krijuar fillimisht nga ekonomisti amerikan Arthur Okun, e i cili në esencë kishte paraqitur një formulë shumë të thjeshtë. Kjo formulë bënte hiç më shumë se shumën e normës së papunësisë dhe inflacionit. Indeksi mori famën menjëherë pas luftës së dytë botërore dhe në SHBA përdoret shpesh edhe si matës i performancës së presidentit. Madje, në fushatën e vitit 1980 për presidentin amerikan, Ronald Reagan kishte demoluar presidentin e atëhershëm Carter me po këtë tregues në njërin prej debateve televizive presidenciale. Carter para marrjes së presidencës kishte deklaruar se çdo udhëheqje që kalon “indeksin e mjerimit” në mbi 12% meriton dorëheqje; në vet administrimin e tij indeksi kishte arritur në plot 20%.

Sipas “Business Insider”, indeksi i mjerimit në Kosovë shënonte plot 53.6%. Indeksi natyrisht nuk kishte marrë të dhëna inekzistente, por i referohej të dhënave zyrtare të “Cia Factbook”, e cila më pas ju kishte referuar të dhënave zyrtare në Kosovë. Këto të dhëna tregonin se niveli i papunësisë në vend ishte 45.3% e se inflacioni në vitin 2011 kishte arritur në plot 8.3%. Mbledhja e 45.3% dhe 8.3%, të jepte më pas vlerën e indeksit, pra plot 53.6%. Me një vlerë kaq alarmante e kaq të trishtë, më keq se Kosova ishin vetëm shtetet si: Nepali, Jemeni, Namibia, Xhibuti, Turkmenistani, Burkina Faso, Liberia e Zimbabve e Mugabes. Për të zezën tonë, vendet si Bjellorusia, Senegali, Kenia, Haiti, Ishujt Marshall, Svazilandi, Bosnja, Rripi i Gazës, Afganistani e Irani i Ahmedinexhat, ishin më mirë se ne; duke përmbyllur kështu Top 20 vendet më të mjera në planetë.

Tashti, nga një rangim i tillë Kosova merr edhe një goditje në pasqyrimin ndërkombëtar, njëjtë sikurse në rangimet e të bërit biznes kur për mbrojtjen e investitorëve ishim prapa Iranit e Afganistanit. Por kjo nuk bën problemin thelbësor për ne; në fund të fundit pavarësisht pasqyrimeve jemi ne kosovarët që ndajmë mëngjesin e darkën si mjerana. Një rangim i tillë tregon thjeshtë se ku jemi, ku kemi ngecur dhe sa gjatë kohë do të na duhet të dalim nga ky ankth. Rangimi i tillë megjithatë do të duhej të rrihte kambanat e kthjelljes tek politikbërësit tanë, megjithatë, siç jemi mësuar tanimë pas çdo raporti ndërkombëtar, reagimet e qeveritarëve tanë ishin në dy vija: a) kjo është një fushatë me qëllim të denigrimit të figurës së Kosovës në botë; dhe b) të dhënat nuk janë të sakta, Kosova është një vend që po lulëzon. Kjo e fundit veçse po bëhet më e shpeshtë. Kur vendimmarrësit tanë mbesin pa argumente, kur politika e tyre joadekuate kthehet në numra të tmerrshëm, reagimi i parë që marrim është në zhvlerësimin e këtyre numra. E kur zhvlerëson numra njeriu fillon të flasë për hava.

Derisa e kuptoj se prej dritareve të errëta të “xhipave” me targa Z, “fellneve” të aluminit 17-she, e “klimatronizmit” tetë këndor është e vështirë të ndjehet mjerimi i kosovarëve jashtë, nuk mund të kuptoj dot se a jepen arsyetime të tilla sa për të shpërlarë, denigruar e prishur çfarëdo lloj debati që lindë në këtë drejtim, apo se (dhe kjo bën  bindjen time) në parim një pjesë e madhe e zyrtarëve tanë janë njerëz që “nuk dinë që s’dinë”; dhe si të tillë shuajnë çdo lloj shprese për të pasur ndonjë reakcion ndaj çfarëdo problemi ekonomik në Kosovë. Kjo sepse të paditurit duhet fillimisht bindur se e kanë keq, e më pas duhet ri-bindur për alternativat përkatëse. Një mohues i problemit nuk ka se si të prodhojë zgjidhje meqë në rend të parë nuk ka haber për ekzistencën e problemit.

Pavarësisht kësaj, për gjithë ata “ushtarët e rendit të parë” që sulen e vërsulen sa për të prishur debatin, larguar vëmendjen e bastardizuar çdo argument logjik, pra për gjithë ata që mendojnë se konspiracioni botëror edhe një herë goditi Kosovën tonë dhe “figurat tona të shenjta”, për të gjithë ata me “targa Z” që besojnë se numrat janë fals  e të pavërtetë, më lejoni të kujtoj se tri institucionet e vetme në Kosovë që kanë dhënë vlerësime për nivelin e papunësisë në vend, pra Banka Botërore (2011), UNDP (2012) dhe (më e rëndësishmja) Enti i Statistikave të Kosovës (tashti Agjencion), të gjitha, kujdes të gjitha, kanë vlerësuar se niveli i papunësisë në Kosovë sillet në regjionin 40-45%. Them më e rëndësishmja nga të gjitha për ESK për dy fakte, një, meqë e njëjta është agjencion nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pra është institucion publik dhe në nëse asgjë tjetër do të mund të jepte të dhëna në favor të Qeverisë, dhe dy, sepse e njëjta ka zhvilluar në Korrik 2010 studimin e fundit të fuqisë punëtore në vend. Për të siguruar largimin e çdo mëdyshjeje (ndoshta me vend) rreth kredibilitetit të numrave të ESK-së, studimi në fjalë ishte ndërtuar komform parimeve të EUROSTAT-it; e EUROSTAT kosovarë të dashur, është institucioni më klredibil i Bashkimit Evropian në mbledhjen e statistikave. Për të siguruar edhe një dozë kualiteti, studimi i njëjtë kishte marrë edhe mbikëqyrjen e Bankës Botërore (fjalët për të shpjeguar kredibilitetin e këtij institucioni besoj se janë të tepërta). Meqë analiza ka pasur një kornizë bajagi evropiane, edhe kriteret e matjes kanë qenë në të njëjtën vijë them se kemi të bëjmë me një vlerësim mjaft serioz dhe të besueshëm. Përveç kësaj, metodologjia kishte hesapuar qartësisht gjithë ata që konsiderohen si fuqi punëtore, prezencën e ekonomisë së hirtë, e llogaritë tjera të gabimeve eventuale në monstrim e përgjigje; thënë shkurtë ishte një metodologji e njëjtë me vendet e BE-së dhe si e tillë jepte rezultate që lehtësisht mund të krahasohen me po të njëjtat vende. Analiza në fjalë kishte llogaritur se norma e papunësisë në Kosovë është plot 45.3%; po aq sa kishte marrë për bazë “Business Insider” në llogaritjen e indeksit të mjerimit.

Nëpër korridoret e diskutimeve kam dëgjuar shpesh arsyetime nga më banalet, më absurdet e më të palogjikshmet të mundshme. Një prej tyre ishte se në këtë metodologji nuk ishte llogaritur “ekonomia e hirtë” e Kosovës (thuajse metodologjia evropiane nuk kishte hesapuar këtë “zbulim epokal” të tyre), e se po të llogaritej kjo ekonomi norma e papunësisë do të binte edhe në 30%. Së pari, për çdo njeri që sillet e pështillet në pak copë tokë të Kosovës, papunësia prej 30% është parajsë. Është injorim total i problemit një konstatim kaq joreal e kaq joprofesional. Së dyti, promovuesit e deklarimeve të tilla kanë probleme esenciale në dallimin e ekonomisë së “hirtë” prej asaj të “zezë”. Për t’iu kthyer bazamenteve të ekonomiksit, dallimet në terminologji të tillë janë relevante vetëm në matjen e evazionit fiskal (pra vjedhjes së tatimeve) por jo edhe në numrin e të papunëve. Kosova, në fushën e punësimit ballafaqohet me problemin e “hirtë’, meqë të rralla janë bizneset që nuk deklarojnë fare punëtorë (karakteristikë kjo e ekonomisë së “zezë”). Ata deklarojnë punëtorë por fshehin pagën e tyre reale për t’iu shmangur obligimeve tatimore e kontributeve pensionale. Thënë shkurtë, në matjen e papunësisë ekonomia e “hirtë” ka shumë pak ndikim. Së treti, për të shuar çdo kureshtje, një llogaritje e indeksit të mjerimit edhe me një papunësi prej 30%, rangonte Kosovën jo më shumë se në vendin e 19-të. E nëse dikush mburret me një rangim të tillë, ja pafshim hairin. Së katërti, të kundërshtosh kredibilitetin e EUROSTAT, Bankës Botërore, UNDP-së, e të mbështetesh në intuitë, vërteton më së mirë atë bindjen që pata në fillim, për kategorinë e atyre që “nuk dinë që s’dinë”. Të njëjtit e shohin Kosovën në hiper ngritje, në hiper zhvillim, në hiper ecje. Kosova për ta është parajsë. E shohin kështu meqë të njëjtit kanë rregulluar punët e veta, të familjeve e akrabave në kurriz të varfanjakëve kosovarë. E shohin kështu meqë për ta, zgjate Zot.

Në miniaturë mjeranash u panë edhe paria e Universitetit të Prishtinës para, gjatë e pas blerjes së “çmimit ndërkombëtar për cilësi”. Një proces si ky është shembulli më tipik i një Kosove nën mikroskop; i një Kosove të strukur e përmbledhur në një institucion. Gjithçka filloj me deklarimin bombastik se universiteti publik i Kosovës na del më i miri në botë. Së pari, vet ideja se UP merr çmim për kualitet është absurde. Thuajse nuk jetojmë, ndajmë e hamë të njëjtën tokë, ujë e bukë. Së dyti, UP-ja është institucioni i çdo vakie, është vend i nepotizmit, mashtrimit e shkeljes së të drejtave elementare të studentëve. Vetëm në UP politikanët marrin tituj doktoratash me rrëfime për një betejë lufte (me rrëfime të një ditari personal), vetëm në UP asistentë e profesorë zgjidhen deputetë e mafiozë, vetëm në UP shpërndahen paga sipas qejfit, vetëm në UP shkelen ligjet e moshës pensionale për të mbajtur gjallë klanet. Por ja që kështu lulohen, ngjyrosen e transformohen realitetet në Kosovë; njëjtë si në rastin e papunësisë kur pretendohet se ne realisht kemi shumë punë por të huajt po na kanë inat. Ishte skandaloze vet marrja e çmimit dhe rënia pre e një skeme mashtruese që jepte çmime për çdo kënd që paguante një shumë prej rreth 4000 eurosh; ishte skandaloze se kurrfarë vlerësimi e kurrfarë analize nuk i kishte paraprirë marrjes së çmimit; ishte edhe më skandaloze se kishim shpenzuar 15 mijë euro, pjesën më të madhe për mëditje të udhëtuesve, për gjithë këtë mashtrim. Ishte skandaloze se si u paluam e dolëm në fotografi me flutura në qafë vetëm e vetëm për të mashtruar e transformuar një realitet. Në këtë gjendje jemi ra.

Edhe më skandaloze ishte reagimi pas publikimit të fakteve. I njëjti reagim tashmë është bërë standard i reagimeve pas çdo gafe e marrie të bërë. Ky reagim ka tre hapa: A) fute elementin e “Serbisë” dhe “tendencës për denigrim figurash”. Kështu me futjen e pseudo-patriotizmit ndoshta shpërlahesh prej marrisë; pa kuptuar mirë se patriotizëm nuk bëhet rrena, vjedhja e mashtrimi, por denoncimi i tyre. Nuk ka asnjë lidhje Serbia pse ne blejmë çmim e dalim naiv para skemave mashtruese. B) Jep një arsyetim që ofendon inteligjencën e çdo kosovari me pak mend në kokë; kjo sa për të denigruar e dezorientuar diskutimin në masë. U tha se paratë e paguara ishin jo për blerjen e çmimit por për anëtarësim. A vallë udhëheqësit e dijes kosovare paskan menduar se oferta zyrtare do të ishte se paratë duhen dhënë për blerje të çmimit?! Po gjithsesi se arsyetimi do të jepej për anëtarësim. Dhënia e çmimeve të rrastë, pra atyre përtej skemave mashtruese nuk kërkon as anëtarësim, as pagesë as hiçgjë, kërkon vetëm pranimin tënd dhe përuljen e tyre për mundin tënd. Këtë nuk kanë se si ta dinë ata që kurrë çmim marrë nuk kanë. Dhe e fundit, C) fajëso gjithë mediat për shpifje dhe konspiracion ndaj teje; njëjtë sikur në rastin e papunësisë kur çdo organizatë ndërkombëtare u zhvlerësua për të paraqitur veten si viktimë.

E derisa si mjerana na shohin rangimet, mjerana na bëjnë dijetarët, mjerana na dalin edhe policia e vendit e cila edhe një herë si në “deja-vu” jep lajmin e vjedhjes së dhomës së dëshmive, sa për të dëshmuar kështu brishtësinë e institucionit të tyre. Paramendoni gjendjen e sigurisë në Kosovë kur të thirrurit për mbrojtje kanë nevojë për mbrojtje. Për të zbutur imazhin e rëndë që kapi policinë kosovare, të njëjtit u renditën si sardina menjëherë të nesërmen për të treguar kështu kapjen e 100 kg droge. A thua kapja e drogës u bë dhe mund të bëhet sa herë që policia ka nevojë, apo ishte thjeshtë një koincidencë?

Në fund fare, me apo pa dëshirën tonë, me apo pa dijen tonë, Kosova vazhdon të marr fundet e çdo raporti ndërkombëtar. E ne të shkretët mbesim me gishta në gojë, mbesim me misione të pamundura si kjo e bindjes së të pabindurve se e kanë gabim dhe më e rëndësishmja, pavarësisht bindjeve të “targave Z”, ne mbesim pa punë. Do të na duhet kohë shumë për të rrotulluar gjithë këtë amulli. E deri atëherë, skandalet në institucionet tona vetëm se do të përditësohen.



No comments: