Friday, 15 June 2012

AS PRIVATIZIM E AS INVESTIM


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 QERSHOR 2012

Nuk arrij dot të kuptoj se si një aset që në katër-pesë vitet e fundit ka investuar nga paratë e taksapaguesve mbi 200 milionë euro, të shitet për vetëm 26 milionë. Fqinji ynë maqedon, për asetin e njëjtë ka grumbulluar plot 225 milionë euro, apo dhjetë herë më shumë se sa vendi ynë


Për gjithë ata që kanë përcjellë procesin e privatizimit të distribucionit, shpallja e fituesit “Limak-Calik” nuk ishte aspak befasuese. Ka pothuajse një vit që nëpër korridoret e llafeve turqit ishin fituesit e sigurt. Në një shkrim të nëntorit 2011 kisha përmbledhur pasojat e privatizimit nga kompania në fjalë, që thënë të drejtën nuk ka as edhe një ditë eksperiencë në sektorin energjetik. Befasuese megjithatë ishte çmimi për të cilën kishim “hequr qafe” njërin ndër asetet më të vlefshme të Kosovës. Të privatizosh një rrjet distribuomi për vetëm 26 milionë euro është çmenduri “sui generis”. Nuk arrij ende të kuptoj se si është e mundur që një aset që vetëm në katër-pesë vitet e fundit ka pasur investime mbi 200 milionë euro, të shitet për një të dhjetën e vlerës së investimeve. Është njëjtë sikur të blesh një veturë, të investosh para në të sa s’bëhet më dhe në fund ta shesësh për një shumë simbolike që nuk kthen as për së afërmi vlerën e investuar.

Në një vend normal, të paktën nga privatizimi do të nxirrej jo vetëm vlera reale e asetit, por edhe parashikimet për profit disavjeçar. Për një privatizim të përjetshëm, një proces normal e pa hile në Kosovë do të duhej të merrte së paku gjysmë miliard euro vlerë. Kujtoj se Maqedonia, që në të gjitha nuancat mund të kuptohet si një vend më pak normal se standardi i normales, nga procesi i privatizimit (madje të vetëm 90% të aksioneve të distribucionit) kishte siguruar, besoni apo jo, 225 milionë euro, apo dhjetëfish më shumë se çfarë ne morëm nga shitja jonë. Në një vend edhe më pak normal, Shqipëri, kompania CEZ kishte blerë rrjetin e distribuimit shqiptar për plot 105 milionë euro; në një proces që gjithashtu konsiderohej i parallogaritur dhe me skenar.

Çmimi jashtëzakonisht i ulët është humbja e parë për kosovarët. Humbja e madhe vjen nga vendosja e një monopoli të ri. Dhe monopoli i krijuar është mu thelbi i paradoksit ekonomik të Kosovës. Si ithtar i flakët i liberalizmit ekonomik, konkurrencës e pronësisë private, nuk kam se si të shpreh habinë e një devijimi kaq absurd nga një proces që do të duhej të ishte më efiçent, më i duhur e më me vlerë. Kujtoni se distribucioni i energjisë elektrike është një monopol natyror. Thënë shkurt do të ishte absurde sikur të kishim më shumë se një ndërmarrje në këtë fushë; në një situatë të tillë ne do të kishim shtylla elektrike gjithandej për çdo firmë që zoton një rrjet distribuimi. Njëjtë si në rastin e hekurudhave, disa sektorë nga logjika e funksionimit natyror mbesin monopole; por e veçanta e monopoleve natyrore është se ato në masë të madhe mbesin në pronësi publike, ose në një rast më ekstrem liberal, jepen në shfrytëzim nga një ndërmarrje private për një periudhë të dhënë kohore. Në rastin e dytë vendosja e rregullatorit bën punë. Në Kosovë, nuk ndodh asnjëra. Për më tepër, në Kosovë bashkë me distribuimi i jepet edhe furnizimi duke monopolizuar kështu edhe shitjen e energjisë elektrike. Në shumë vende me mend janë qytetarët ata që vendosin se nga ku mund të blejnë rrymë. Në Kosovë, kosovarët nuk do të kenë asnjëherë një zgjidhje të tillë.

Dhe mungesa e zgjidhjes bën thelbin e paradoksit kosovar, bën kundërthënien më të çuditshme të ekonomisë së promovuar nga qeveria jonë. Kujtoni se politikat qeveritare promovojnë në pafundësi një koncept që për ta është i “tregut të lirë” dhe “liberalizmit ekonomik”. Prapë si një besimtar i verbër në këtë filozofi, nuk kam se si të mos pajtohem më shumë. Kjo për një fakt të thjeshtë: edhe tregu i lirë e edhe liberalizmi ekonomik në esencë e kanë krijimin zgjedhjes së lirë për qytetarët, pra të drejtën e zgjedhjes nga ta. Monopoli është mu e kundërta e tregut të lirë; është gjithçka tjetër veçse zgjedhje e lirë. Madje në monopol ka vetëm një zgjedhje të parapërcaktuar. Dhe këtu skam se si të mos përmend një armatë fyerjesh e sharjesh ndaj konceptit liberal që ndodh sot në Kosovë, nga sindikata, asociacione, e besa dhe parti politike. Për hir të korrektësisë, ne duhet ta kemi të qartë se procesi i privatizimit në Kosovë nuk është as edhe për së afërmi me ekonomië e tregut të lirë. Privatizimi i Kosovës është veçse transformim i pronës, pra një hap i lënë në gjysmë. Hapi tjetër normal do të ishte liberalizim i tregut dhe rritje e konkurrencës; kështu të paktën thotë teoria e ekonomisë së tregut të lirë (shih vet emërtimin). Privatizimi pa liberalizim është thjeshtë anomali e vendeve të varfra. Ky fenomen është thjeshtë plaçkitje. E të kritikosh privatizimin normal bazuar në efektet e privatizimit kosovar është thjeshtë si të bësh një operacion me çekan, e të thuash se operacioni është i ligë, i tmerrshëm, i gabuar. Jo, i gabuar është operacioni me çekan, por operacioni në vete është shpëtim i Zotit po u bë si duhet. Edhe tek ne them se po bëmë privatizimin si duhet, pra me të gjitha hapat që një mendje normale i kupton (transformim prone, liberalizim e rregullatorë) problemet ekonomike do të ishin kaherë të harruara.

Pavarësisht kësaj, për t’iu kthyer edhe një herë privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, që unë preferoj ta quaj”plaçkitje”, është e tmerrshme mbështetja e të gjitha organizatave ndërkombëtare në vend, që si duket në shumicën e proceseve “me erë” kanë dorë vetë. Të përshëndesësh një proces që falë një aset në vend se të shesë, lë shumë për të dëshiruar e edhe më shumë për të dyshuar. Por në radhë të parë këto organizata duhet të mendojnë mirë për kredibilitetine  tyre në një periudhë afatgjate. Le të kujtonë se anomalitë e tilla nuk do të zgjasin përherë, e kur një ditë rendi e logjika do prekë dhe Kosovën përgjegjësia do të jetë e drejtë.


***

Procesi i privatizimit të distribucionit tregon më së mirë natyrën e ekonomisë kosovare. Për qeverinë tonë investim është vetëm shitja e aseteve. As edhe një ide më e zhvilluar e më e thellë nuk është dhënë në mbi gjashtë vite qeverisje. Dhe këtu nuk kam se si të mos përmend deklaratëne  fundit të Odës Ekonomike të Kosovës e cila kishte shprehur me plot të drejtë pakënaqësinë dhe mllefin për një neglizhencë totale të institucioneve tona ndaj një takimi që kishte mbledhë plot gjashtëdhjetë firma të huaja.

Nëse nga një kabinet qeveritar me një kallabllak ministra e me një autobus zëvendësministra nuk gjinden dy-tre vetë që shkojnë e takojnë pak investitorët potencial, atëherë çfarë është kuptimi i thirrjeve retorike në CNN se Kosova është vend ku duhet investuar?! Si duket, të tërhequr nga mëditjet e majme, qeveritarët tanë parapëlqejnë udhëtimet luksoze në qendra të mëdha tregtare ku përveç shëtitjeve nëpër distriktet e kuqe nuk ka kush që i pret. Si duket për ta pasja e plot gjashtëdhjetë firmave të huaja në vend nuk bën ndonjë atraksion.

Në një vend me pak vullnet, i madh e i vogël nga qeveria do ti kushtonin pak minuta kohë këtyre njerëzve që kanë interes të fusin paranë e tyre në vendin tonë të shkretë. Do tu garantonin të njëjtëve se paratë e tyre do të jenë të sigurta, se biznesi i tyre do të ishte i privilegjuar se obligimet fiskale për ta do të minimizoheshin; do tu thonin aman ejani te ne!

Por kjo nuk ndodh. Nuk do të ndodhë asnjëherë përderisa politikëbërësit tonë, i madhe  i vogël, i shohin investitorët e huaj si burim i pasurimit të tyre të shpejtë, në këmbim të ndonjë “allash-verishi”, le të themi diçka si falja e aseteve nacionale. E duke injoruar kështu investitorët serioz ne jepemi mbas tuxharëve oriental që për qëllim kanë marrjen e pasurisë sonë për jo më shumë se një të dhjetën e vlerës së tyre reale. E kjo nuk do të bëjë asnjëherë zgjidhje. Kjo nuk është as privatizim e as investim; është thjeshtë plaçkitje.

E relacioni me bizneset kosovare të përfaqësuara nëpërmjet Odës Ekonomike tregon më së mirë për qasjen e kësaj qeveria ndaj gjithçkaje që është jo-qeveritare e jashta kontrollit të tyre. Njëjtë sikurse në relacion me organizatat e shoqërisë civile dhe me mediat, kjo qeveri parapëlqen “azganllëkun” e shtyrjen me gjoks. Esenca e një lideri të mirëfilltë është bashkimi i të gjitha forcave dhe ofrimi i alternativave më të shëndosha për të gjithë. Nuk maj mend të ketë pasur relacion më të tensionuar ndonjëherë në mes pozitës dhe gjithçka jashta pozitës. Nuk do të ketë asnjëherë.

Në fund fare, privatizimi i distribucionit ka ende kohë për tu ndalur. Megjithatë do të duhej një mrekulli e paparë deri më tani që dikush të ndalojë e përfundojë një falje të tillë. Në Kosovën tonë të mjerë, mrekullitë ndodhin rrallëherë.



No comments: