Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 QERSHOR 2012
Tregimi mbi politikën që jep
me një dorë e merr me tjetrën
Lajmi mbi shtrenjtimin e energjisë
elektrike për kosovarët nuk duhet të shihet me aspak befasi. Vendimi është vetëm
një output i parapërcaktuar kohë më parë e i paralajmëruar në vazhdimësi. Them
i parapërcaktuar meqë janë kufizimet buxhetore të Qeverisë, futja në ngurtësim financiar
e politika shpenzuese disproporcionale që kanë shtyrë domosdo Rregullatorin e
Energjisë të marrë vendimin e rritjes; e them i paralajmëruar meqë ka kohë që bëjmë
thirrje për një maturi financiare për të mos rënduar xhepin ekonomik të kosovarëve,
në të kundërtën situata si këto do të jenë tërësisht të zakonshme. Thënë shkurt
e shqip, kësaj i thonë transfer i krizës financiare në krizë ekonomike. E përderisa
në Qeveri askush nuk mërzitet për një balancë ekonomike, përderisa koncepti
ekonomik vazhdon të rrumbullakohet rreth barazimit të numrave buxhetor (pavarësisht
kostos), standardi i kosovarëve do të vazhdojë e rëndohet. Këto kosovarë të dashur
janë kostot finale të një politike ekonomike ad-hock.
Kujtoni se filli i tregimit për
shtrenjtimin në fjalë buron nga nevoja e vendit për të reduktuar një sërë
shpenzimesh e rritë një sërë të hyrash pas prishjes së marrëveshjes me FMN. Për
të kthyer filmin prapa në dhjetor 2010, kur dhe mbaheshin zgjedhjet, ideja për
të rritur paga e ndërtuar hiperautostradë në të njëjtën kohë ishte thjeshtë e paqëndrueshme.
Kosova nuk kishte para. Për të siguruar një bilanc pozitiv financiar vendi që
nga marsi 2011 ka marrë vendime të ashpra buxhetore. Ato fillimisht targetonin ndërprerjen
e investimeve kapitale në të gjitha rrugët që nuk kishin emrin autostradë e
shkurtimet në subvencionimin e energjisë elektrike. Thënë shkurt, për të
barazuar buxhetin deficitar, Qeveria jo vetëm se kishte prerë rrugët rajonale
por kishte prerë dhe paratë për energji duke shtyrë KEK-un kështu të kërkojë
rritje të çmimit të energjisë elektrike. Për më tepër, qeveria jonë e mbetur pa
para, kishte rritur edhe tantiemën, apo taksën në thëngjill. Pra KEK-u, ndërmarrje
publike, për të prodhuar rrymën e kosovarëve duhej të paguante një taksë tanimë
1000% më shtrenjtë se që paguante në periudhën paradeficitare. Me këtë taksë
buxheti grumbullonte disa miliona euro shtesë. Por ky grumbullim normalisht se
nuk do vinte asnjëherë nga KEK-u; KEK-u në fund të fundit mbledh para nga
qytetarët. Rritja e energjisë elektrike domosdo do paguhej nga gjithë kosovarët.
Për të thjeshtëzuar gjithë këtë cikël, derisa më një dorë qeveria u rritë rrogën
mësuesve e shërbyesve publik, me tjetrën ju merr të njëjtat para. Problemi thelbësor
megjithatë qëndron në idenë se jo të gjithë kanë pasur rritje të pagave e të hyrave.
Një cikël i tillë nuk është as më shumë e as më pak se zvogëlim i fuqisë blerëse
për kosovarët. Kjo në esencë është vazhdim i varfërimit të kosovarëve, varfërim
që ka marrë hov, rastësisht apo jo, që nga viti 2007 kur dhe kjo Qeveri filloj
aplikimin e një politike ekonomike të paparë ndonjëherë në rajon.
Meqenëse parapëlqej numrat dhe
argumentet e numrave, për dallim nga të gjithëdijshmit tanë pro-qeveritar, që
marrin guxim pa fije dije, eksperience e haber të ndërtojnë shpjegime ekonomike
bazuar në intuitë, më lejoni që shkurtimisht ti referohem raportit të Agjencisë
së Statistikave të Republikës së Kosovës, atij mbi Indeksin e Çmimeve të
Konsumit i cili, për të mos humbur në shpjegime ekonomike, matë nivelin mesatar
të rritjes së çmimeve, pra matë inflacionin. Agjencioni i Statistikave ka matë
që nga paslufta në baza mujore nivelin mesatar të çmimeve në vend. Në raportin
e fundit (maj 2012), si në çdo raport tjetër mujor jepen dhe trendet vjetore. Po
shikuat rrjedhën e këtij indeksi nëpër vite vëreni se nga viti 2003 e deri në
vitin 2007 çmimet e produkteve në Kosovë janë rritur për jo më shumë se 2.1% në
mesatare. Kjo rritje në kornizën ekonomike është një gjendje perfekte e
stabilitetit të çmimeve; njërit prej qëllimeve kryesore makroekonomike. Si me
magji, nga viti 2007 e deri më sot, niveli mesatar i çmimeve është rritur për
pothuajse 22%; pra mbi dhjetë herë më shumë.
Një rritje e tillë tregon se, të gjithë
kosovarët që kanë pasur paga konstante nga viti 2007, pra të gjithë ata që nuk
kanë pasur rritje në të hyrat e tyre, janë varfëruar për një të pestën e
pasurisë së tyre. Të gjithë ata që kanë pasur rritje prej 20%, janë në gjendje
të njëjtë, veçse në ecje prej gjashtë vitesh kanë humbur shumë. E për një vend
të nënzhvilluar humbja e gjashtë viteve është edhe më shumë se shumë. Për të
pasur edhe më të qartë e saktë problematikën, më duhet ti referohem një studimi
të AKB-së në vitin 2007 që vlerësonte asokohe pagën mesatare në sektorin privat
rreth 240 euro. Sot, në 2012-ën, sipas studimit të UNDP-së, paga mesatare në
sektorin privat është jo më shumë se 270 euro. Një rritje prej 20 eurosh në
gjashtë vite është një rritje prej jo më shumë se 11%. Në një ambient me
inflacion gati sa 22% në po të njëjtën periudhë i bie se të gjithë të punësuarit
në sektorin privat kanë pasur varfërim për gati 10%. Këtij varfërimi i kanë shpëtuar
vetëm të punësuarit në sektorin publik, të cilët gjatë kësaj periudhe në
mesatare kanë pasur një rritje të njëjtë sa edhe inflacioni. E për të papunët e
shkretë, e që bëjnë as më pak e as më shumë se 40% të kosovarëve, një rritje
kaq e lartë e çmimeve nëpër vite është thjeshtë një goditje e papërballueshme.
Për ta varfërimi është i pastër sa edhe inflacioni.
E rënda e inflacionit kosovar është se
numri prej 20%, pra mesatarja, është kaq “e ulët” (në thonjëza) vetëm falë
zbritjes së çmimeve në disa produkte luksi. Ju kujtoj se sipas raportit zyrtar
të ASK-s, nën ombrellën e Qeverisë së Republikës së Kosovës (po e ritheksojë këtë
për vet faktin se burimi është nën kontrollin e atyre qe janë përgjegjës për një
varfërim të gjithmbarshëm dhe nëse asgjë tjetër numrat veçse do të ishin dhe më
të rëndë), rritjet më të mëdha të çmimeve në periudhën 2007-2012 janë bërë në
produktet më bazike të mundshme; e që bëjnë shportën e shumicës së kosovarëve të
papunë, dhe të atyre me pagë sa për mbijetesë. Sipas raportit në fjalë, në periudhën
gjashtëvjeçare, buka ka pësuar rritje të çmimit prej 70%, mishi prej 30%, qumështi
e djathi prej 24%, vaji prej 30%, sheqeri prej 45%, furnizimet me vendbanim
100%, rryma 12% (pa rritjen e re). Pra çmimi i një mesatareje “të ulët” prej
20% vjen vetëm për shkak të uljes së çmimit, në, le të themi, këpucë 30%,
perime 20%, orendi 10%, telefon 10%; thënë
shkurt kosovarët në masë të madhe kanë pasur një rritje substanciale të çmimeve
në produkte bazike, përkundër një rënie substanciale në produkte luksi. E me një
Kosovë të varfër ku ndërrimi i orendive shtëpiake është luks, shumëherë më prekëse
është rritja e çmimit të bukës, mishit, vajit, sheqerit apo dhe energjisë
elektrike.
Për t’iu
kthyer edhe një herë rritjes së çmimit të energjisë elektrike, them se një
vendim i tillë do të ketë dy pasoja gjenerale. E para, do të rëndojë paguesit e
rregullt të energjisë elektrike dhe më shumë, në kurriz të evazionistëve të
energjisë. Në këtë formë ne edhe më tutje rëndojmë trajtimin e pabarabartë, e
për bizneset kjo do të jetë dhe më e rëndë marrë parasysh ambientin ashtu
kështu të pabarabartë. Një pabarazi në anën tjetër do të shtyjë paguesit e
rregullt të paguajnë dhe më pakë. Në një situatë të tillë ne vazhdojmë të
distancojmë qyteteratët nga sistemet shtetërore; kjo në vete do të jetë një
problem thelbësor herë do kurdo. E dyta, energjia elektrike do të shkaktojë
rritjen e çmimeve të një sërë produktesh. Kujtoni se rryma është produkt bazë i
shumicës absolute të bizneseve kosovare. Rritja e kostove të tyre do të thotë
rritje e çmimeve finale. Në fund të fundit të njëjtit veçse do të bëjnë bartjen
e barrës tek blerësit e zakonshëm. Rritja e çmimeve do të ushqejë dhe më tutje
inflacionin e gjithmbarshëm. Në fund të vitit ne do të kemi prapë një shkallë
të lartë inflacioniste dhe një rënie po aq të madhe të fuqisë blerëse. Rënia e
fuqisë blerëse në periudhën afatmesme do të reduktojë konsumin e investimin,
duke prodhuar rrjedhimisht dy efekte në treg: a) shterjen të mëtutjeshme të
tregut nga paraja e gatshme, dhe b) rënien e potencialeve gjeneruese. Të dyja
këto do të thajnë fuqinë e bizneseve kosovare duke ulur jo vetëm vlerën e
produkteve në vend por edhe kapacitetet e rritjes. Rënia e mëtutjeshme e fuqisë
së bizneseve do të thotë më pak vende të reja pune për fluksin e madh të të
papunëve.
Në fund fare, jostabiliteti i çmimeve është
defekti i dytë më i rëndë i një ekonomie, pas papunësisë. Të parin e kemi tanimë
të bërë llom dhe me inflacion po e ushqejmë dhe më shumë. Me një rritje të vazhdueshme
të çmimeve, të kontribuar kryesisht nga politika tmerrësisht të gabueshme
qeveritare them se rëndesa e standardit të jetës do të vazhdojë dhe për pak kohë.
Megjithatë, këtë herë qeveritarët tanë nuk kanë se si të fajësojnë importin e
inflacionit sa herë që ne shënonim rekorde në rritje të çmimeve, ani pse i
gjithë rajoni kishte normë inflacioniste dy herë më të vogël se tonën dhe në
rastin më të rëndë e edhe sikur të importonim 100% inflacionin e tyre ne
(logjikisht) nuk duhej të kishim inflacion më të lartë se të burimit. Sidoqoftë,
këtë herë të njëjtit duhet të fajësojnë vetën për një shpenzim disproporcional
të buxhetit, për investime të gabuara, për keqpërdorim enorm të parasë publike,
për një deficit të papranueshëm, e për mungesë absolute të vizionit. Pavarësisht
kritikave e lëvdatave politikat e mira ekonomike nuk sjellin rritje të çmimeve,
ato bëjnë mu të kundërtën, një stabilitet në çmime e rritje e pagave.
No comments:
Post a Comment