Friday, 29 June 2012

PSE NA DUHET REAGANOMIKSI


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 QERSHOR 2012

Kosova duhet të krijojë një identitet të djathtë reaganian. Krijimi i lirisë individuale në ekonomi, formësimi i tregut të lirë e të pangufatur, zvogëlimi i Qeverisë në madhësi dhe intensitet si dhe rritja e prezencës në mbrojtje janë disa nga elementet që ky identitet duhet ti promovojë


Inspirohem nga Reaganomiksi. Një kombinim fantastik i krenarisë nacionale, lirisë individuale në ekonomi e respektit ndërshtetëror i zhvilluar me plot kujdes e vullnet nga një lider historik; me plot kuptimin e fjalës. Është kjo doktrina që vuri themelet e një Amerike më ndryshe, e një superfuqie ekonomike, politike e ushtarake; e një Amerike të mundësive individuale e ecjes kolektive. Po jo vetëm kaq; në po të njëjtën frymë Thatcherismi ndërtonte Anglinë e sodit duke bërë kështu vulosjen e ekselencës që buron nga djathtizmi i mbështetur në liri ekonomike e patriotizëm. E ky djathtizëm, me këtë kombinim kaq substancial, them se bën çelësin e orientimit filozofik ekopolitik që Kosova herët a vonë duhet të ndjekë.

Kosova ka nevojë për një Reaganomiks. Ka nevojë për një ekonomi të lirë të tregut (Friedmanizëm), ku liritë individuale garantohen me çdo mekanizëm ligjor e të forcës. Në këtë ekonomi iniciativa private duhet të shihet si forcë e vetme ekogjeneruese. Në këtë ekonomi individualja është e shoqërisë, interesi i profitit vetanak është interes i të gjithëve. Këtu profiti nuk bën mëkat, por përkundrazi është objektivi thelbësor i një loje fer e të garantuar nga një shtet minimal. Në profit bashkohen interesat e qytetarëve me bizneset, të punëkërkuesve me punëdhënësit, të vet shtetit me agjentët ekonomik. Në këtë profit kosovarët do të merrnin produktet më të lira, më të mira e më me vlerë, punë më shumë e fuqi më tepër.

Tmerrohem kur dëgjoj arsyetime nga më bizaret që mendja mund ti japë, mbi dëmet se një biznes na e paska objektiv profitin. Sikur të gjykosh garuesin se objektiv ka vendin e parë. Është e natyrshme për një biznes të maksimizojë profitin, madje do të ishte irracionale, destruktive e shqetësuese pasja e bizneseve që nuk kanë për objektiv maksimizimin e profitit. Thënë të drejtën, arsyeja pse ne nuk kemi sot rimëkëmbje ekonomike është mu në faktin se bizneset që krijojnë sot pak punë janë të njëjtat që nuk kanë objektiv maksimizimin e fitimit (në kuptimin e saktë ekonomik), por zhvatjen e një sistemi të korruptuar. Mjeshtëria e një ekonomie të shëndoshë, megjithatë, është mu në ndërlidhjen e këtij profiti me interesin e të gjithëve. Fatkeqësisht për ne, në masë të madhe sot e Kosovës shihet vetëm një pronë shoqërore, një Postë apo një KEK, apo një ndërtesë aty këtu që nuk ka pronar. Po çfarë realisht është e Kosovës?

A është e Kosovës një firmë private, që për objektiv ka maksimizimin e fitimit. Kujdes, maksimizimi i fitimit nuk është një sinonim që keqinterpretuesit e japin pa përtesë, e që në thelb paraqet shfrytëzimin, rrjepjen apo mbytjen e së mirës. Maksimizimi i fitimit si definicion ekonomik është rritje e vlerës. Një biznes me logjikë të shëndoshë investon në makineri e lëndë të parë, punëson të papunë dhe prodhon vlerë. Kjo vlerë për tu shitur duhet të jetë e mirë dhe e lirë. Shitja e saj bën pagën për të papunët që tanimë janë në punë, dhe bën një profit për ndërmarrësin që ka marrë një risk. Ky profit nuk ruhet, nuk vendoset në një qyp e groposet nën dhe. Ky profit riinvestohet, meqë në rend të parë biznesi ka për qëllim maksimizimin e fitimit, pra i njëjti ka një cikël logjik që ndjek. Riinvestimi sjell më shumë teknologji, sjell më shumë vende pune për të papunët e në fund sjell produkte edhe më shumë të lira, edhe më shumë të mira. A është potencialishti Kosovës një biznes i tillë? Është, me kuptimin më të fortë të fjalës. Është e Kosovës meqë krijon investim, është e Kosovës meqë krijon vende pune, dhe është e Kosovës meqë krijon outpute me më shumë kualitet për kosovarët. Një firmë private është po aq e Kosovës sa edhe një ndërtesë me teknologji të ndryshkur pa pronësi të qartë.

Kosova ka nevojë për Reaganomiks meqë duhet të promovojë konkurrencën në vend të monopolit siç e bën tani. Kosova duhet të liberalizojë sa më tepër tregun e brendshëm, nëpërmjet zhbërjes së konkurrencës së padrejtë. E njëjta sot na buron nga anomalitë e institucioneve publike që nëpërmjet politikave e hiperprezencës ka çrregulluar çdo treg. E në sektorët ku ne nuk kemi potenciale për të krijuar vlerë, them se duhet të liberalizojmë dhe më gjerë (gjeografikisht). Kosova nuk do të mund asnjëherë të prodhojë Mercedes; as për së afërmi bile. Në vend të kësaj ne mund të blejmë atë. Blerja e një produkti jo domosdo është shenjë e dobësisë. Ne thjeshtë bëhemi selektiv e të mençur në përzgjedhjen e asaj që mund të bëjmë më së miri. Pataten e bëjmë më së miri në rajon; për këtë dhe mund të thirremi të zot. Gjetja e përparësive krahasuese është mjeshtri që nuk e kemi ende.

Kosova ka nevojë për Reaganomiks për të reduktuar prezencën kaq të madhe të Qeverisë në ekonomi, qoftë në madhësi qoftë në ndikime politike. Një djathtizëm Reaganian do të përgjysmonte madhësinë e qeverisë aktuale. Pothuajse gjysma e ministrive të sodit do të shkriheshin në mes vete. Vendi në çdo skenario real nuk do të duhej të kishte më tepër se 7-8-9 ministri. Për shembull, pse mos të shkrihen Ministria e Integrimeve, Ministria e Diasporës e Ministria e Punëve të Jashtme në një Ministri? Të tri kanë funksion të njëjtë, të tri kanë punë të njëjtë, të tri kanë fokus të njëjtë; marrëdhëniet e shteti me jashtë. Apo pse nuk mund të bëhen bashkë Ministria për Zhvillim Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës në një Ministri, atë për Ekonomi? Të tri merren me probleme ekonomike; pse vallë rrugët, industria e tregtia nuk bëjnë ekonominë?! Pasja e problematikës nuk arsyeton krijimin e ministrive të reja, ato thjeshtë mund të jenë minidepartamente brenda një trupi koordinues. Përkundrazi, logjika e krijimit të ministrive për çdo problematikë është një shembull tipik i një strukture keqmenaxhuese e cila në një pikë krijon më shumë telashe se zgjidhje. Pasja e kaq shumë ministrive është filozofi e majtë, e një Qeverie megalomane që krijon jo vetëm kosto në mbajtjen e saj, pra për vetekzistencë, por edhe në të gjitha politikat që ajo prodhon. Tek ne një qeveri kaq e madhë përveç tjerash ka shërbyer edhe për rahatimin e ushtarëve politik, një paradoks e praktikë e paparë diku më herët.

Në Reaganomiks zvogëlimi i Qeverisë në madhësi do të bëhej edhe nëpërmjet reduktimit të intensitetit të politikave. Kujtoni se arsyeja pse Qeveria në esencë ndërhynë në ekonomi është për të shpërndarë paranë; pra u merr atyre që kanë e u jep (nën një supozim të menaxhimit më të mirë) atyre që nuk kanë. U thonë politika sociale. Presidenti Reagan një herë kishte thënë se politika sociale më e mirë është vet puna. Ajo çfarë Reagan mendonte ishte se në vend se ti merret një euro e një biznesi që për qëllim ka maksimizimin e fitimit (pra gjithë atë ciklin e krijimit dhe rikrijimit të vendeve të punës) e udhës do ishte sikur ajo euro në rend të parë ti lihej vet biznesit; e i cili në probabilitetin më të madh është më i mençur, më me sens, e më kreativ në shfrytëzimin e kësaj euroje se sa një punonjës publik që në rastin më të mirë të mundshëm prej asaj euroje të plotë ndal një të dhjetën për pagën e vet, pra jep një output 90 centësh. E në shoqëri të tranzicionit, me institucione të dobëta e fragjile, me gjithë atë korrupsion, nepotizëm e kriminalizëm publik, nga një euro e mbledhur në treg nuk kthehet as një e dhjeta.

Në Reaganomiks reduktimi në politika nuk do të thotë vetëm zvogëlim i kostos financiare të ekzistencës së shtetit, por do të thoshte edhe ikje nga ngufatja e lirisë së të vepruarit. Me pengesat e shumta burokratike, me kërkesat absurde, marrje-lejet e me gjithë ato pika transaksioni të pakuptimta, liria individuale veçse bëhet më e ngushtë. Në fakt, ajo nuk bëhet më fare liri. E mbytja e lirisë individuale është mbytje e motivit për të krijuar, kreativitetit për inovacion, e nevojës për prosperitet. Pa liri individuale për zotësi, krijim e inovacion, ekonomia është e mbytur që në fillim. Ideja se një zyrtar publik diku në zyret publike di të tregojë se çfarë është mire e çfarë është keq, është në start mbivlerësuese. Sikur i njëjti zyrtar të kishte kaq aftësi e intuitë ai në rend të parë do bënte biznes për vete. Është njëjtë sikur të mësosh peshkun të notojë.

E bukura e Reaganomiksit qëndron në reduktimin e shtetit në ekonomi, por rritjen e tij në një fushë tjetër: mbrojtje. Nëpërmjet gjykatave i njëjti krijon mbrojtjen e agjentëve në treg. U siguron atyre të drejta autoriale e më shumë motive për inovacion. Nëpërmjet rregullatorëve kontrollon monopolet natyrore, pra aty ku konkurrenca nuk mund të krijohet. Nëpërmjet policisë ushtron rregulla të barabarta për të gjithë, e nëpërmjet ushtrisë mbron vendin nga çdo pretendim i jashtëm. Dhe në këtë mbrojtje të jashtme Reaganomiksi krijon krenarinë nacionale, krijon patriotizmin modern. Në këtë patriotizëm modern shteti mban identitetin e vet. Këtu ndërpritet vija e liberalizmit ekonomik për të kaluar në një republikanizëm politik.

Kosova me një filozofi Reaganiane do të krijonte një shtet që nuk bën biznes, nuk rregullon biznes, nuk ndërhynë në biznes, por krijon e ndërton rregullat e biznesit. Kosova me një filozofi Reaganinane të mbrojtjes do të krijonte relacione rajonale të barabarta, do të krijonte reciprocitet aty ku interesat i shkelen, do të krijonte siguri aty ku tendencat territoriale marrin formë. Një ushtri e fuqishme dhe e madhe në numër do përdorej jo vetëm si garantues i paqes së brendshme, qoftë edhe nëpërmjet forcës (R.Reagan: Liria ka një çmim), por edhe si burim i inovacionit të dijes e avancimit teknologjik. Në një ambient ballkanas egoizmi patriotik Reaganian është vlera e vetme mbijetuese; në të kundërtën do të na shkelin i madh e i vogël.

Sot Kosova ka mungesë serioze të lirisë ekonomike. Kjo liri cenohet fillimisht nga vet prezenca e institucioneve të cilat me anomalitë e tyre kanë derregulluar rrjedhën normale të parasë publike, krijimin e bizneseve logjike e ndërtimin e vlerës ekonomike. Kosova ka prezencë hiper të madhe të Qeverisë në madhësi dhe intensitet, e përkundër madhësisë ka mini-ndikim në krijimin e një ambienti ligjor të brendshëm apo krijimin e një force të qëndrueshme për jashtë. Kosova nuk ka një filozofi shtetndërtuese. Ajo më tepër udhëhiqet nga politika të rastit që nuk përkojnë veçmas me një filozofi ekonomike apo politike. Për shembull ne privatizojmë por nuk liberalizojmë duke goditur kështu djathtizmin dhe ekonominë e lirë të tregut, apo rritemi në madhësi me ministri por nuk shërbejmë një shtet zhvillimor, duke goditur po aq njëjtë majtizmin. Në relacione me jashtë ne sillemi si liberalë por humbim identitetin nacional, dhe për më tepër në një ambient aspak liberal ne marrim goditje fyese e përçmuese. Ndaj këtyre goditjeve ne nuk arrijmë dot të reciprokojmë. Në gjithë këtë amulli, them se një politikë e djathtë Reaganiane do të jepte zgjidhje të njëmenda; anipse kuptoj largësinë e vendit tim, apo ndonjë lideri potencial për të besuar njëmend në një filozofi të tillë. Dikur dikush do të besojë njëmend.


No comments: