Friday, 14 October 2011

KËSHTU FLISTE RAPORTI I PROGRESIT:KRITERET EKONOMIKE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 TETOR 2011



Shtatëmbëdhjetë nga njëzet vlerësimet ekonomike të Raportit të Progresit shënojnë o regres o stagnim; vetëm tri tregojnë progres


Raporti  i Progresit më në fund foli; pale çfarë të folme. Një grumbull regresesh, alarmesh e vërejtjesh si këto të lëshuara drejt Kosovës të thyejnë e përlyejnë çdo shpresë qe ke për perspektivën evropiane të vendit tënd; ato do të bënin çdo të huaj të pyeste mbanë se çfarë lidhë realisht Kosovën me Evropë. Thënë të drejtën asgjë. Jo se pritej më ndryshe, jo se kishin bërë më shumë, hiç se hiç se meritojmë më mirë. Vlerësime të tilla janë bërë e vazhdojnë të bëhen në Kosovë nga çdo kush që nuk vozitë vetura me ‘targa Z’; që nuk ka dajë, axhë, teze, hallë, motër, vëlla, nënë e babë të punësuar rreth vendimmarrësve; e që nuk merr tender të favorizuar qeveritar. Vlerësimi i jetës së kosovarëve mund të bëhet dhe në rrugë, në skajet e godinave qeveritare, afër veturave publike super-luksoze, prapa kafeneve ku kryhen pazaret milionëshe në kurriz të varfanjakëve; “progresi” i Kosovës është i lexueshëm lehtë, ai shihet vetëm në regres. Po ja që ndoshta një raport i thënë në anglisht, nga të huajt, do të rrisë atë pak vullnet të keqmenaxhuesve. Ndoshta një raport i huaj do të dëgjohet më shumë.  

Përshtypja e parë që të krijohet gjatë leximit të raportit është se shtatëmbëdhjetë nga njëzet vlerësimet ekonomike të tij shënojnë o regres o stagnim; vetëm tri tregojnë progres. Të gjitha janë më të rënda se tjetra dhe për të gjitha mbetet pak vend për shpresë. Vërejtja e parë në kriteret ekonomike jepet mbi politikat makroekonomike duke vënë në pah mungesën e plotë të vizionit qeverisës. Thuhet se ka mungesë të një strategjie të mirëfilltë ekonomike që ndërlidhë prioritetet, reformat strukturore dhe shpenzimet qeveritare. Qartësisht Komisioni Evropian nuk merr seriozisht planin “power-point” të Banskos. Thënë të drejtën askush nuk e ka marrë seriozisht deri më tani, as vet hartuesit. Po ta merrnin seriozisht edhe atë copë dokumenti që e quajnë strategji, sot të paktën ndonjë progres do shënonim. Kur thuhej se Kosova nuk ka plan, se nuk di ka duhet të ecën, se shpenzimet milionëshe bëhen në bazë të tekeve, qeveritarët tanë jepnin cilësime si zhurmues e keqdashës. Sa keqdashës na bëhen tashti zhurmuesit evropianë!

Në spektrin e treguesve makroekonomik, vërejtja thelbësore që i jepet qeverisë është buxheti disproporcional dhe shpenzimet e pakontrolluara nëpër vite, me theks të veçantë kalimi nga suficite të bollshme në deficite edhe më të rënda. Thënë shkurt, për BE-në shpenzimet e tilla jo vetëm se vënë vendin afër kolapseve financiare por ato tregojnë për një paqëndrueshmëri serioze financiare afatgjate; madje një mosrrënim tashmë është bërë i mundshëm vetëm falë grumbullimeve që vendi ka gjeneruar nëpër vite. Lajmi i keq për kosovarët është se ecja destruktive është vetëm në hapat e parë. Me planifikimet e reja për rrugë miliardëshe hendeku veçse do bëhet dhe më i thellë. Me të njëjtën frymë kritikohet modeli ekonomik zhvillimor i Kosovës, i cili vazhdon të jetë i bazuar kryesisht në shpenzime qeveritare. Një ecje e tillë konsiderohet nga raporti si e paqëndrueshme. Konkluza finale thotë se rritja ekonomike (e njëjta që po zbukurohet nga ministrat tanë) është e dobët dhe fragjile. Është e dobët meqë shpenzimet qeveritare kanë një fund, donacionet janë në rënie e remitancat herët a vonë do të zbehen. Për tu mëvetësuar nga një model i tillë Qeveria duhet të besoj në sektorin privat. Fatkeqësisht për ne, besimin e vetëm që ky stil qeverisës ka treguar ndaj sektorit privat deri më tani është nëpërmjet dhënies së parave familjarëve të tyre, mbushjes së llogarive afrikane e shpëlarjes enorme të parasë. Përveç kësaj, bizneseve i jepet korrupsioni, konkurrenca jo fer, jo-reciprociteti, ngarkesat, haraçi, përqindja e kështu me radhë. Jemi larg me mija vjet drite nga një zhvillimi i qëndrueshëm.

Në fushën e bilancit tregtar, raporti përveç se vlerëson lehtësisht rritjen e eksporit (të hekurishteve), jep një konkluzë mjaft domethënëse; në të cilën përveç se rithekson rëndesën e disbalancës aktuale nënvizon dhe kufizimet në tërheqjen e investitorëve të huaj për të rritur prodhimin në Kosovë. Aspak e habitshme kur mbrojmë investitorët më keq se Irani e Somalia (shih rangimin e Bankës Botërore). Të gjitha ato paralajmërime për reforma biznesore u harruan. Pritjet optimiste qeveritare se në fund të 2011-ës Kosova do të jetë në Top 40 e të bërit biznes tashmë janë bërë pjesë e një tallje publike. Jo se i ka marrë dikush ndonjëherë seriozisht, por një huqje e tillë të bën të kuptosh sa të paaftë jemi në planifikim dhe sa joserioz bëhemi kur nuk realizojmë as ato që i planifikojmë vet.  

Aspak më i mirë nuk duket vlerësimi mbi gjendjen e punësimit. Raporti nënvizon qartazi se krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë i padallueshëm duke mos zbutur kështu as për së afërmi barrën e një fuqie punëtore të papunë apo pasojat e tjera ekonomike që vijnë nga ajo. Në muajt në vijim do të dëgjojmë në vazhdimësi paragrafet e mësuara përmendësh nga promovuesit qeveritar për një zbutje të papunësisë në numra dyshifror; se kështu e kanë të shkruar në Planin Bullgar. Të shkretit nuk dinë se progresi nuk matet me planet e fletoreve qeveritare por me paret në xhepat e kosovarëve, me bërjen e vendeve të punës, me zbutjen e varfërisë. E kur jemi tek varfëria, Raporti konstaton thellim të saj nga inflacioni i ri kosovar i cili cilësohet si “i rritur në nivele mjaft të larta”. Thënë shkurt, me normat e tanishme të rritjes së çmimeve jeta e kosovarëve bo varfërohet në vazhdimësi.

Goditja më e rëndë që i jepet vendit ndërlidhet me buxhetin e Kosovës dhe marrëveshjen me FMN-ën; të njëjtën të cilën kryeministri dhe ministri i financave e patën quajtur muaj më parë si sukses enorm të qeverisjes me vizionare që ka pasur Kosova ndonjëherë. Raporti e thotë qartë: “planifikimi financiar dhe kualiteti i financave publike është degraduar dhe më tej, prandaj parashikueshmëria, qëndrueshmëria dhe transparenca mbesin sfida serioze”. Nuk ka asgjë të re në raport nga ajo çfarë është thënë deri më tani. Ne kemi degraduar menaxhimin e financave publike duke prishur relacione me Fondin; kemi humbur aftësinë parashikuese meqë shpenzojmë disproporcionalisht sa herë që duhet blerë vota, marrë mbështetje financiare nga bizneset apo siguruar pushtet nga favoret për firmat e huaja; kemi harruar si duket qëndrueshmëria financiare meqë kemi shterur e tharë arkën shtetërore; dhe për më keq transparenca është harruar fare meqë nuk mërzitemi se duhet dhënë përgjegjësi dikujt. Kaq për proceset “më vizionare” të para ndonjëherë!

Raporti gjithashtu kritikon administratën e  dobët shtetërore, shërbimet publike dhe mungesën e sundimit të ligjit. Të gjitha këto shihen si pengesa të paadresuara drejt zhvillimit të biznesit. Madje për sistemin ligjor thuhet të vazhdojë të jetë “tërësisht i nënzhvilluar dhe i varfër”.  Në anën tjetër, tregu i lirë që promovohet me plotë gojë nga qeveritarët tanë (pa ditur fare kuptimin e tij) thuhet të jetë larg optimales gjithmonë për shkak të barrierave të imponuara nga korrupsioni, konkurrenca jo fer dhe ekonomia joformale. Raporti konstaton se ndërhyrjet e shtetit në ekonomi janë të tepërta dhe ato vazhdojnë të mos reduktohen. Ambienti biznesor thuhet të vuaj shumë nga mungesa e kapitalit human të kualifikuar i cili nuk arrin ti përmbushë as nevojat më bazike të tregut, gjithmonë falë një sistemi edukativ pa vizion. Në anën tjetër, Raporti konstaton se struktura e ambientit biznesor vazhdon të mos ketë asnjë ndryshim, madje ajo vazhdon të jetë e hendikepuar nga prezenca e sektorit informal.

Për të mos bërë Raportin krejt zi, progresi konstatohet në privatizimin e ndërmarrjeve publike, stabilitetin monetar dhe sektorin bankar. Dy nga tri progreset nuk kanë lidhje me politikat qeveritare, pra janë të pavarura nga to.  Progresi i të parës bazohet vetëm në orientimin filozofik të Qeverisë, e asesi në implementimin e këtij orientimi. Implementimi merr vlerësime degraduese. Thënë këtë, është mjaft e qartë se progresi i vetëm i Kosovës është arritë mu aty ku Qeveria nuk ka dorë.

Një raport si ky të bën me dije sa prapa është Kosova në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Deri sa fqinjët tanë vrapojnë, ne ende nuk kemi bërë as hapin e parë. Për më tepër, në një vlerësim që ofron më shumë degradim se sa progres Kosova duhet të kuptojë se procesi i saj po shkon tejet mbrapsht. Thënë këtë, është imperative ndërrimi i gjithçkaje; ama bash gjithçkaje. Nga modeli ekonomik që ndjekim, nga prioritetet qeveritare, nga politikat makroekonomike, nga ambienti biznesor, nga stili qeverisës, e deri te promovimi, mbrojtja e subvencionimi i investimeve duhet të ndërrohen. Ka tre vite që marrim vlerësime të njëjta nga evropianët, madje njeriu ndonjëherë fiton dhe përshtypjen se po lexon raportin e njëjtë nga viti i kaluar. Sinjale si këto duhet të ndezin kambanat e reaksionit tonë. Po vazhduam kështu, rënia jonë do jetë dhe më e thellë.

No comments: