Letra nga limboKoha Ditore, 7 Tetor 2011
Pazari i miliardave, borxhi e bankroti dhe specat e Ferizajit
Një ide që muaj më parë bënte jo më shumë se një shaka të brishtë, një truk financiar e një fantazi të pashoq ka kohë që po formësohet nëpër prononcimet qeveritare me plot bindje e seriozitet. Është autostrada e re Prishtinë-Shkup që këtë herë bishtnon vëmendjen kosovare, ndonëse projekt-ideja herët a vonë do të quhet e përfunduar teknikisht dhe gati për lansim. Në një ambient të mbyllur për diskutim e ku pazaret përfundojnë ende pa filluar analiza, heshtja publike vazhdon të bëj vend. Në këtë heshtje janë zënë si në grackë dhe Parlamenti i vendit që ka pak ide për një investim kaq madhor, shoqëria civile e cila ftohet në diskutime qeveritare vetëm atëherë kur duhet përmbushur ndonjë kërkesë nga Raportit i Progresit, e edhe më pak kontribuuesit financiar të projektit– taksapaguesit më të varfër Evropian - kosovarët. Pak kush nga këta ka dëgjuar për kushtëzimet e radhës të FMN-ës pas vizitës së fundit të Ministrit të Financave në Uashington, apo për refuzimin e parë të idesë buxhetore me një autostradë në të. Thënë shkurt, autostrada e re për kushtet financiare të Kosovës vazhdon të mbetet një aventurë; por e cila, fatkeqësisht për ne, vazhdon të forcohet nga një qeveri që për më pak se 4 vite nga një suficit 7% kalon në deficite suksesive mbi 5% (të BPV-së).
Në stil të njëjtë me autostradën e kombit, kjo e reja ka pak vend për tu dalluar. Njëjtë si ajo tjetra projekti bëhet me nguti, pa burime të qarta financimi, pa analizë kost benefit, pa fije transparence, dhe sipas të gjitha gjasave me kosto të papërballueshme financiare për një vend që ashtu kështu ecën në kufijtë e likuiditetit financiar. Outpute si këto do të replikonin pasojat e njëjta që bartim sot nga një autostradë hiper të kushtueshme.
Së pari, një investim i planifikuar qeveritar pa burim të qartë financimi bartë me vete edhe një prishje të re në relacionet e Kosovës me institucion financiare, dhe njëjtë si në rastin e këtij viti, me humbje të miliona eurove asistence. Kujtoni se me marrëveshjen e re monitoruese të FMN-së, Kosovës i është bërë e qartë se përsëritja e “Autostradës së Kombit” në drejtim të Shkupit i jep përfundimisht udhë bankrotit financiar të vendit. Madje, për të siguruar seriozitetin në paralajmërim, FMN në të njëjtën marrëveshje bën të qartë fatin e Kosovës në relacion me të nëse një skenar i tillë zë vend. Ministri i Financave, ndonëse i vetëdijshëm për gjasat inekzistente për kompromis, vazhdon të shtyjë teket e shefit të tij. Për më tepër, deklarimet e fundit të Ministrit të Infrastrukturës se projekti pothuajse është gati tregojnë qartë pozicionin dhe vendosshmërinë (e panevojshme) qeveritare në këtë drejtim. Thënë shkurt, Qeveria e vendit si duket ka ndarë mendjen që projekti i ri të zhvillohet, pa marrë parasysh kostot, pasojat apo alternativat.
Kjo kryengurtësi në politika kaq madhore financiare,e asesi në raste tjera politike (si dialogu apo Veriu), përveç se do ti humbë Kosovës edhe një 150 milionësh tjetër asistencë, pra gjithsej 300 në më pak se dy vjet, do ta fusë dhe një gjeneratë të tërë në borxh. Për më tepër, në mungesë të asistencës, Qeveria do të zgjasë duart drejt mjeteve të privatizimit, burimi i vetëm i paprekur gjer më tani. Këto 600 milionë nga privatizimi me Ligjin e ri për AKP-në i ofrohen si dhurate ditëlindjeje Qeverisë. Ligji, sikurse dhe projekti i Shkupit, u kalua në kohë kur vëmendja e kosovarëve ishte në Veri dhe i njëjti anashkalon nevojën për një debat të gjerë për formën e shfrytëzimit të pasurisë së kapitalizuar nëpër gjenerata. Përveç kësaj, paralajmërimet e shpeshta qeveritare se Kosova nuk është në borxh ndërkombëtar të japin tregimin e radhës për planet eventuale; ne do të futemi në borxh, por ja që me rangimin e tanishëm për kreditim interesat që duhet paguar do të jenë thjeshtë të pambuluar.
Së dyti, projekti i ri nuk ka as edhe analizën më të vogël kost benefit. Ne ende nuk pamë, dhe nuk do të shohim, ndonjë dokument që tregon një arsye logjike ekonomike se pse e si duhet shpenzuar paratë e taksapaguesve. Nuk dimë ende se pse është më mirë të ndërtohen rrugë miliardëshe para investimeve në shëndetësi, arsim apo në fund të fundit rrugë rajonale. Me planifikime si këto, vendit i bëhet shumë e qartë se shëndeti i tyre do të mbetet i paadresuar për nja 5-7 vite të ardhshme, se edukimi do të jetë më bizari në Evropë, e se rrugët që lidhin qytetet kosovare do të mbesin dytrakëshe për dekadën tjetër. Për më tepër, treguesi më shqetësues do të mbetet ideja se paratë e privatizimit do të destinohen për një projekt që gjeneron jo më shumë se 2000 vende pune, apo një të dhjetën e të papunëve që krijohen brenda një viti, dhe atë për një periudhë jo më të madhe se 3 vjeçare. Alternativat e shfrytëzimit të këtyre parave kanë përfshirë gjithmonë ide më brilante, si ato vijat e veçanta kreditore për bizneset të cilat jo vetëm se do të gjeneronin kapital financiar për të prodhuar punësim, por dhe ulje të normave të interesit nëpërmjet konkurrencës. Të njëjtat alternativa kanë sugjeruar edhe ndërlidhjen infrastrukturore të qyteteve kosovare për të ofruar një zhvillim më të balancuar rajonal. Edhe më e arsyeshme mund të duket përmirësimi i kujdesit shëndetësor nëpërmjet themelimit të fondit të sigurimeve. Me koston e Shkupit, ne mund ti bënim të trijat! Pyetja që Qeveria duhet ti bëjë vetit është se cilat peshojnë më shumë: të gjitha bashkë apo vetëm rruga për Shkup?
Nëse dikush ka tendencë të gjej logjikën e shëndoshë prapa një investimi kaq enorm, më mirë ta lërë kërkimin që në fillim. E vërteta e hidhur është se në Kosovë, korrupsioni “nga ata lartë” ka ndryshuar formë. Ai nuk bëhet më si dikur me mijëra tendera por me pazare jo më shumë pesë shifrore. Në vend të kësaj, tash flasim me një a dy projekte por me vlerë miliardash (Rruga Prishtinë-Merdare, Prishtinë-Shkup, Termocentrali i ri); janë lehtë të kontrollueshme, transaksioni ndodh vetëm një herë dhe për më tepër fshihen shumë më lehtë. Dhe kjo na sjell te argumenti i tretë, ai i mungesës totale të transparencës. Nuk kam as edhe dyshimin më të vogël se firma ndërtuese do të jetë Bektel-Enka. Dikush do të arsyetojë efiçencën në çmim (meqë i ka tashmë makineritë në Kosovë), dikush tjetër kualitetin e treguar në investimin e kaluar, e dikush mund të argumentojë dhe në “miqësinë e shëndoshë” që kompania ka në Kosovë dhe rajon. Kur herën e fundit dëgjova presidenti Serb Tadiq të thoshte se tashmë ka të kontraktuara 80 km rrugë me Bektelin, kisha shumë të qartë fuqinë e saj në Ballkan. Ata definitivisht do ta marrin projektin e Shkupit. Për mendimin tim, ata dhe mund të jenë më të lirë, më të mirë, apo më influencial. Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi për neve ka vetëm transparenca në kontratë-dhënie dhe çmim i lirë që duhet të paguajmë për këtë rrugë. Nuk do të ndodhë asnjëra!
Njëjtë sikurse në rastin e autostradës patriotike, Qeveria do ta mbajë të mbyllur kontratën për rezonet kinse biznesore (një praktikë e paparë në Evropë). Të gjithë ata që do të kundërshtojnë një mbyllje të tillë do të akuzohen këtë herë jo për mungesë patriotizmi (se nuk ka çfarë i lidhë patriotët tanë me Shkup), por me mungesë të vizionit dhe qëllimit të mirë ndaj zhvillimit ekonomik. Në paranoja të tilla, shefi do ti quaj të gjithë që mendojnë më ndryshe zhurmues e shkurtëpamës, ndjekësit e tij do të dalin në debate televizive për të treguar tash se një kamion nga Ferizaji mund të dërgojë speca e kastraveca më shpejtë në Shkup, dhe Ministrat e shkretë do të mësojnë disa paragrafe përmendësh për të thënë se kjo është kontrata më e favorshme në rajon, ani pse askush (as ata vet) nuk e kanë parë e prekë.
Për gjithë ata që do të ndjekin një mendim të tillë, e vërteta është më ndryshe. Kosova duhet të investojë në rrugë e projekte tjera kapitale, por për të bërë një gjë të tillë vendi duhet fillimisht të gjenerojë para, të kursejë dhe të arsyetojë. Për të gjeneruar para duhet mbledhë më tepër tatime; jo nga rritja e tyre, por nga përmirësimi i performancës ekonomike të Kosovës. Ndoshta një alternativë edhe më e mençur do të ishte pritja e anëtarësimit të vendit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka financuar dhe vazhdon të financojë projekte të tilla në rajon. Ne po i përfundojmë të gjitha projektet madhore kapitale pa shfrytëzuar as centin më të vogël nga kjo mundësi e artë. Për të kursyer duhet të ndalur apetitet korruptive dhe keqpërdorimet financiare rekorde. Ndalja e këtyre apetiteve do të thoshte dhe transparencë; atëherë nuk kanë çfarë të fshehin, pra çmimi bëhet domosdo më i lirë (dhe puna më e mirë). Dhe në fund, për të arsyetuar projektin, Qeveria duhet të prodhojë dokumente të mirëfillta që tregojnë se pse një euro e investuar në rrugën për në Shkup sjell kthim më të madh se një euro e investuar bashkë në biznes, shëndetësi, arsim, rrugë rajonale e pensione.
Ndonëse optimizmi im për ndonjërën nga këto prekë limitet e ulëta, frika e vetme që më mbetet është ecja jonë financiare nga aventura si këto. Ne jemi pothuajse në bankrot financiar nga kostoja e një autostrade miliardëshe, pale më nga dy. Për më tepër, efektet ekonomike të miliardave si këto po shihen sa janë në disproporcion me investimet e bëra. Shtimi i tyre do të thoshte degradim dhe ngufatje e mundësive ekonomike. Them se nuk kemi luksin të prishim prapë marrëdhëniet ndërkombëtare, të shpenzojmë pa menduar gjithë ato para të privatizimit, ti shesim gjitha asetet nacionale me nguti (si në rastin e PTK-së, tash radhën e ka Termocentrali), apo të fusim vendin në borxhe të parikuperueshme. Neve na duhet mu e kundërta; asesi dyfishimi i gabimeve. Ndaleni këtë ide sa nuk është vonë.
No comments:
Post a Comment