Friday 28 October 2011

NJË RANGIM SKANDALOZ

Letra nga limbo 
KOHA DITORE 28 TETOR 2011


Tri vende të humbura në hapjen e biznesit, dy në marrjen e lejeve të ndërtimit, katër në furnizim me energji, shtatë në regjistrim të pronës, tre në marrjen e kredisë, dy në mbrojtjen e investitorëve, një në  pagesën e tatimeve dhe dy në tregtinë ndërkombëtare, bëjnë vlerësimin e fundit regresiv nga Banka Botërore për Kosovën


Stina e raporteve po ndjehet dukshëm në vend. Pas Raportit të Progresit vjen dhe një rangim regresiv nga Banka Botërore; një goditje kjo e re për performancën e institucioneve tona dhe për gjithë ato vetëlavdata të thata që na shurdhuan. Në vlerësimin e të bërit biznes Kosova për një vit ka treguar mu të kundërtën, atë se si nuk duhet bërë biznes. Nga dhjetë treguesit e ambientit biznesor, tetë shënojnë humbje të konsiderueshme në rangim deri sa vetëm dy shënojnë stagnim; as edhe një progres i vetëm. Raporti u pranua edhe një herë me klishenë tanimë standarde se “është real”. Madje zëvendëskryeministrja Kusari-Lila e quajti rangimin e ri si progres meqë Kosova “ka ndalur më në fund trendin rënës”. Nuk di cilin raport ka lexuar Znj. Kusari-Lila, por ky i fundit nuk jep kurrfarë progresi. Janë tri vende të humbura në hapjen e biznesit, dy në marrjen e lejeve të ndërtimit, katër në furnizim me energji, shtatë në regjistrim të pronës, tre në marrjen e kredisë, dy në mbrojtjen e investitorëve, një në  pagesën e tatimeve,dhe  dy në tregtinë ndërkombëtare; madje këto regrese bëhen mbi një rangim ashtu kështu bizar nga viti i kaluar. Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti i gjetjes së progresit në ndalje të rënies. Jemi në fund të pusit për atë Zot, më keq nuk ka ku shkon. Ndalja eventuale e regresit tonë bëhet vetëm falë konflikteve në Libi, Tunizi, Egjipt e diktaturave në Iran e Venezuelë.

Zëvendësministrja u mundua të pastrojë vetën nga përgjegjësia me faktin se vlerësimi i raportit është bërë vetëm tre muaj pas ardhjes së saj në Qeveri. Ndoshta dhe ka të drejtë, ndoshta dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të reformuar, por ja që epoka e zhvillimit kosovar nuk mund të fillojë me ardhjen e një zonje në një Ministri; ne ende nuk kemi filluar të ndajmë vitin kalendarik “para lindjes së Mimozës” dhe “pas lindjes së saj”. E vërteta e vetme është se Qeveria e sodit udhëhiqet nga e njëjta strukturë vendimmarrëse me atë nga 2007-ta, dhe se për më tepër, ecja e vendit ka trend plotësisht të njëjtë me të mandatit të parë. Kjo ecje është vetëm regresive. Aktorët mund të kenë ndërruar aty këtu, por regjisori mbetet i njëjtë. Vendimmarrësit ja pafshin hajrin vlerësimeve të tilla, ashtu siç ja u shohin lëvdatave (kjo vetëm në teori meqë në praktikë nuk di për çka mund ti lavdërojë dikush).

“Kosova ofron mundësi dhe përkrahje institucionale për investitorët”, ishin fjalët e kryeministrit tonë të dhëna në Forumin Ekonomik të Vjenës. Fjalët si zakonisht u recituan me një ton aspak bindës. Si për inat të kryeministrit, rangimi i Bankës Botërore për çdo investitorë që dinë pak shkrim e lexim thoshte mu të kundërtën. Kosova ndanë vendin e 174  (nga gjithsej 182 vende) me Mikronezinë, Gambinë dhe Guinean sa i përket mbrojtjes së investitorëve. Janë vetëm 5 vende në gjithë botën që mbrojnë investitorët me keq se Kosova. Është Xhibuti, është Venezuela e Hugo Çavezit, është Surinamo, është Republika Popullore Demokratike e Laos dhe në fund fare është Afganistani i talibanëve. Paramendoni tmerrin e ndonjë investitori potencial kur sheh Kosovën në fund të pusit me vende si Venezuela e Afganistani; madje edhe Republika Islamike e Iranit rangohet më mirë se ne. Këtë vit edhe Haiti i shkretë pas atyre tërmeteve, sëmundjeve epidemike, zjarreve e Zoti e di çka, ka përmirësuar rangimin e vet dukshëm. Po çfarë mundësie, çfarë përkrahje, çfarë bakraçi!

Rangimi i dytë më i rëndë është ai mbi hapjen e një biznesi. Lerë që nuk i mbrojmë investitorët e huaj e vendorë, po edhe për të nisë një biznes të gjorët nxjerrin të zinjtë e ullirit.  Të vlerësuar në vendin e 168-të, aty afër diku me Bolivinë, Kamboxhinë, madje shumë prapa Venezuelës Çaveziane, Kosova tregon sinjale shumë të qarta se hapja e biznesit është mision pothuajse i pamundur. Realisht jo se dhe ne këtu mendonim ndryshe. Për të marrë ndonjë licencë, leje, apo dokument biznesor njeriu duhet shëtitë nëpër zyre, kafe e bodrume e me pare plot për ti pasuruar kushërinjtë e kushërirat e politikanëve tanë të cilët para dite luajnë “solitaire” e pas dite qesin falle kafesh. Efikasiteti i tyre shihet vetëm në shpejtësinë e avullimit të parasë; për këtë janë specialistë.

Në rangim pothuajse të njëjtë janë marrja e lejeve të ndërtimit dhe fuqizimi i kontratave. Të dy vlerësimet tregojnë se komunat i kemi llom e gjykatat edhe ma zi. Sipas Bankës Botërore, për të marrë një leje ndërtimi një investitor duhet të presë plot 301 ditë; në Maqedoni as edhe 3 muaj. Në një treg të hapur si ky i rajonit tonë pak kush zgjedh Kosovën para fqinjëve tanë sidomos kur kursen kohë, mund e domosdo dhe para tre herë më shumë. Edhe më keq i kemi punët në gjykata. Për të fuqizuar një kontratë një biznes duhet të pres plot 401 ditë; kështu ndodh kur trajtojmë shkeljet në trafik njëjtë si problemet biznesore. Një vend që sillet si në anarki, ku marrëveshjet kontraktuale janë vetëm fjalë në letër, pritjet për investitorë janë vetëm parulla të bukura fjalimesh që vetëm qeveritarët tanë mund ti lexojnë me bindje plot. Bizneset nuk inkurajohen me fjalime por me reforma substanciale në pothuajse gjithçka publike. Pozitën e vetëm të lakmueshme Kosova e mbanë në mbylljen e bizneseve. Aty jemi në Top 30. Për të mbyllë biznese jemi shembull; çfarë “inkurajimi”!

Me rangime si këto, vetëm një i çmendur do të rrezikonte kapitalin e tij tek ne. Thënë këtë, investimet do të vijnë vetëm aty ku ka mundësi pasurimi të shpejtë ose ku blerjet bëhen lirë, gjithmonë për hir të apetiteve korruptive të vendimmarrësve. Kryeministri përmendi në Vjenë Lamkosin, Ferronikelin dhe Bektel-Enkan si shembuj të investimeve të mira në Kosovë. I pari i falimentuar, i dyti i falur dhe skandaloz në operim, e i treti nuk është investitor por një punë-kryerës i shtrenjtë; të gjithë bëjnë shembujt tipik të prezencës shkel-e-shko. Për këso investitorë vendi nuk ka nevojë asnjëherë. Për asi të hajrit nuk e kemi as rendin e as vullnetin. Deri sa i gjithë angazhimi ynë është në fjalë të thata, deri sa biznesi shihet vetëm si mjet i mirë kalimi nga “opingat në mercedes”, deri sa nuk besojmë se pa biznese zhvillimi ynë ekonomik është i pamundur, ne do të vazhdojmë me avaz regresiv si ky tani. Plani hajgare i Banskos e parasheh Kosovën në Top 40 në vitin 2014. Me trendin e tanishëm do të na duhen edhe 200 vjet të tjera për të kaluar Mikronezinë. Rangimet si këto sado të dëmshme në pasqyrimin e Kosovës jashtë tregojnë edhe për filozofinë ekonomike që ndjek Qeveria jonë. Të njëjtit akuzojnë të tjerët për mendime komuniste, diktatoriale e me “mentalitet të së kaluarës”; për mua, një filozofi që mbyt biznesin e që nuk beson në biznes nuk është asgjë tjetër veçse një filozofi komuniste e diktatoriale. Në fund të fundit a nuk na shohin raportet si këto mu ashtu?!

No comments: