Friday, 30 September 2011

JUGU NËN HIJEN E VERIUT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 Shtator 2011


Fokusimi ynë vetëm në Veri ka lënë proceset jetike të vendit në mëshirën e zgjidhjeve ad-hock, të pafavorshme e absurde. Ndonëse asgjë nuk vjen në rend me sovranitetin e një vendi, them se asgjë nuk duhet hedhet e humbet nga prezenca e mos-sovranitetit

Nuk ka asnjë dyshim se ngjarjet e fundit në Veri kanë zhveshur animin e palëve në relacion me perëndimin. Të pakta janë grupet që kanë relacion dhune me forcat evropiane dhe amerikane; përveç talibanëve, forcave të Gadafit, Koresë së Veriut,Venezuelës e piratëve të Somalisë, serbët marrin një vend të dukshëm në këtë drejtim. Nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka treguar durim e partneritet me ndërkombëtarët (perëndimorë) në kurriz të një stabiliteti politik që domosdo stagnon përparim në fusha tjera. Por, nuk ka as edhe një dyshim se vazhdimi i tensioneve në Veri do të mbajnë vendin të paralizuar në çfarëdo ecje të tij; përfshirë edhe atë ekonomike. Prandaj, çfarëdo qoftë hapi i ardhshëm i vendit, ai duhet të ndodhë sa më shpejtë. Veriu duhet të marrë fund. Veriu nuk mund të jetë një bombë e kurdisur!
Deri sa pritjet për zgjidhje janë enorme, oferta politike në Kosovë vazhdon të prodhojë pasivitet. Kujtoni se  në dhunën e fundit, reagimi i parë publik i institucioneve tona erdh disa orë më vonë; madje edhe sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara kishte reaguar para nesh. Edhe më e pabesueshme më duket qëndrimi i ofruar shpeshherë në media nga disa deputetë, ministra e zëvendësministra qeveritar mbi gjendjen në Mitrovicë; thonë se nuk kanë çfarë të bëjnë. A nuk duket e turpshme për një Qeveri të deklaroj haptazi kapitullimin para disa qindra rebelëve? A nuk është e thirrur e njëjta Qeveri, që të mbrojnë me çdo mjet sovranitetin dhe lirinë e kosovarëve? Thënie e qëndrime të tilla tregojnë pritjet e atyre që japin mërzinë më të vogël për tërësinë e vendit. Dhe njerëz si këta, që pranojnë dorëzimin para forcës së shtetit, janë mbytësit e shpresës së fundit se Kosova do të dijë e do të mund të bëjë zgjidhje.
Edhe më pak kuptoj tendencën e vendit të ngutet për bisedime pa kuptuar mirë se me një vend armiqësor e me pretendime territoriale ndaj nesh, me struktura terroriste që dhunojnë edhe vlerat më perëndimore, nuk ka çfarë të kërkojë në tavolinë me ne. Nuk kuptoj se çfarë duam të tregojmë me këtë nguti, por çfarë realisht po tregojmë është mungesë totale të karakterit shtetëror; na ngrenë zvarrë si fëmijë sa herë që donë. Edhe më i paarsyeshëm duket insistimi ynë për dialog kur pala serbe thotë se me ne nuk ka çfarë e nuk do të bisedojë. Kë duam të impresionojmë?
E deri sa Kosova me të drejtë qan hallin mbi një sovranitet gjysmak, kam përshtypjen se fokusi ynë ka mbetur i tharë në relacion me proceset tjera. Mendoj se një vend me kapacitete serioze duhet të ketë qasje shumëdimensionale dhe se çdo krizë potenciale në një spektër nuk duhet të minojë gjithë të tjerat.
Një spektër i mbetur nën hije nga ngjarjet në Veri është dhe tregtia e lirë që vazhdon të kamuflohet sa herë që përmendet. Nuk arrij të kuptoj optimizim e pabazë të politikëbërësve se marrëveshja e lirë na qenka rregulluar kur të gjithë maunat kosovare arrijnë kalimin në Serbi vetëm falë dokumentacionit të dyfishtë të garantuar nga strukturat paralele; e se targat, patentat e vozitësve, pasaportat e dokumentet tjera nuk janë në asnjë rast kalimi të Kosovës. Nuk dyshoj se politikëbërësit tanë  nuk dinë të dallojnë tregtinë e lirë prej asaj që ofron Serbia, ata kanë çdo dije mbi problemet e bizneseve kosovare, por ja që kamuflimi dhe dhënia e një përshtypje ndryshe po bëhet e zakonshme në vend. Kujtoni humbjen e 156 milionëve të asistencës financiare dhe se si sot, pas plot gjashtë muajve, versioni zyrtar mbetet se paratë nuk janë humbur; ani pse asnjëri nuk ka guxim ta shtrojë mos-humbjen në buxhet të rishikuar.
Në hije mbetet edhe privatizimi i PTK-së që vazhdon të zvarritet përkundër nevojës për gjenerim të mjeteve në fund të vitit. Thënë të drejtën në gjendjen që jemi tani nuk di a do të preferoja një arkë boshe të shtetit apo një shitje nënvlerësuese të asetit; të dy zgjedhjet nuk japin zgjidhje. Madje me pasigurinë e ofruar kohëve të fundit në Veri dyshoj se vendi do mund të marrë një shumë impresionuese. Edhe më në hije mbetet procesi i projektit ‘Kosova e Re’. Deri sa sytë tanë, të deputetëve, mediave e të tjerëve vazhdojnë të jene në Veri, pakoja e famshme e monopolit energjetik dhe marrëveshjes më të rëndë energjetike të mbajtur në mend ndonjëherë në regjion, vazhdon të shtyhet prapa perdeve. Do të jetë i vonshëm reagimi i kosovarëve dhe mundësia për ndryshim. Me të njëjtin stil vazhdojnë dhe negociatat me FMN rreth marrëveshjes së re për vitin 2012. Mosaftësia për të treguar likuiditet e qëndrueshmëri financiare, për të gjeneruar të hyra që kemi garantuar se do ti bëjmë, tashmë ka prodhuar refuzimin e parë të projekt-buxhetit. Një lajm i tillë me pasoja enorme financiare do të duhej të bënte ballinat; këtë herë kalon pa zhurmë. Edhe më problematike me FMN do të jetë autostrada e re për Shkup e cila po vazhdon të shtyhet ani pse nuk jemi askund me para. Si duket Qeveria është në nguti të nënshkruaj kontratë, më pas punë e madhe kur bëhet, si bëhet, e sa na bëhet.
Tendencat e deklaruara qeveritare në fillmvit për përmirësimin e ambientit biznesor tashmë janë harruar. Kujtoni targetin për futjen e Kosovës në top dyzetëshën botërore e të bërit biznes. Nuk kemi bërë as edhe reformën më të vogël në këtë drejtim. Bizneset vazhdojnë të ngarkohen me licenca e leje të panevojshme, investitorët e huaj vazhdojnë të mos mbrohen, gjykata vazhdojnë të neglizhojnë kontestet biznesore, e korrupsioni vazhdon të bëjë rregullat e shtëpisë. Edhe më pak mërzitemi për të dhënat e fundit të Entit Statistikor se inflacioni vjetor në Kosovë do të jetë rreth 10%. Pak kosovarë kuptojnë se në fund të këtij viti ata do të varfërohen për një të dhjetën, se pagat e posarritura të mësuesve, mjekëve e shërbyesve civil do të vlejnë 10% më pak se kur u dhanë në Prill; se dita e 14% të të varfërve në skajshmëri do të bëhet edhe më e rëndë kur ky inflacion prek produktet dhe më bazike. Po edhe më pak lajm bën Ligji i ri i AKP-së që i jep të drejtë Qeverisë të marrë paratë e Fondit të Privatizimit e ti fusë në buxhet për ti mbuluar më pas vrimat e boshllëqeve financiare të krijuara nga kontrata absurde miliardëshe. Do të ishte krim i rëndë ekonomik një ndërlidhje e pasurisë dhjetëra vjeçare të kosovarëve me buxhetin e një Qeverie. Çdo fond e çdo pasuri e krijuar në gjenerata duhet të menaxhohet ndarazi nga aventurat politike të ndonjë Qeverie; do të duhet konsensus mbarë shoqëror, analizë të alternativave e kreativitet në shfrytëzimin e këtyre parave para se ato të mund të shpenzohen.
Prandaj them se vendi duhet të funkcionojë në multi-dimenzione, se fokusimi ynë vetëm në Veri ka lënë proceset jetike të vendit në mëshirën e zgjidhjeve ad-hock, të pafavorshme e absurde. Ndonëse asgjë nuk vjen në rend me sovranitetin e një vendi, them se asgjë nuk duhet hedhet e humbet nga prezenca e mos-sovranitetit.

Friday, 23 September 2011

MBYLLNI KUFIJTË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 Shtator 2011


Ishte vet iluzioni dhe gabimi në interpretim i vendimmarrësve rreth marrëveshjes së vulave që shtyu vendin me pamaturi ti rihapte kufijtë. Deklarimet zyrtare serbe se vetëm me  dokumente të “krahinës jugore” mund të tregtohet mjaftojnë për të rivënë urgjentisht masat e reciprocitetit; këtë herë ashtu siç duhet

Ende pa u bërë një javë nga hapja e njëanshme e kufijve tregtarë ndaj Serbisë, vendi po pranon outputet e parë të një pamaturie ekonomike dhe politike të treguara ndaj një vendi armiqësor, sabotues dhe provokues sa s’bëhet më. Përtej euforive mediatike pas negociatave, këto ditë na dhanë mjaft për të kuptuar cilësinë e vendimit të domosdoshëm kosovar, e i cili, për çudinë më të madhe, vonon së ardhuri. E deri sa tanët vazhdojnë me lutje, përkëdhelje e deklarata inferioriteti, serbët vazhdojnë avazin e vjetër pa fije brenge. Madje, po të shikosh se sa me zell e me vrull ministrat tanë promovonin tregtinë e lirë kur dy-tre kamionë kaluan kufirin (për të kuptuar më vonë se asnjëri nuk barte dokumente kosovare), kupton lehtë se sa të dëshpëruar jemi për zgjidhje, qoftë edhe nëse ajo është gjysmake. Si duket presioni dhe barra e politikave madhore e shtetformuese janë thjeshtë të rënda për vendimmarrësit që preferojnë më pak punë e mund.
Në ditën e parë pas 16 Shtatorit, një konfuzion i gjerë publik u dha në vend nga Qeveria. Së pari, shtrirja e sovranitetit u ndërlidh me çështjet ekonomike e tregtare duke sugjeruar se për të vendosë një grusht dogainerë në Veri duhet hapur domosdo kufijtë. Thënë të drejtën sovraniteti dhe tregtia e barabartë nuk kanë asnjë lidhje në mes vete. Vendi mundet dhe të shtrojë sovranitet dhe të reciprokojë njëkohësisht. Këto dy procese nuk përjashtojnë njëra tjetrën, mund të komplementojnë por dhe mund të ndërtohen ndarazi. Fatkeqësisht për Qeverinë, tregtia me Serbinë bëhet dhe në pikat Lindore të vendit duke shfaqur kështu mbarësisht defektin e marrëveshjes së re të Borkos e Editës, e më pas të legjitimuar pa nevojë nga Qeveria; për ti dhënë në fund rend promovuesve më mesatar trumbetimin e një fitoreje të padallueshme. Ndonëse sovraniteti i Kosovës është prioritet i pakompromistë i vendit, hapja e kufijve tregtar njëtrajtësisht është një kosto e pamenduar. Vazhdimi i bartjes së kësaj kostoje është çmenduri!
Se marrëveshja për vula ishte e kotë, u bë e qartë nga deklarata nënçmuese e irrituese e kryenegociatorit serb, i cili më qartë se kurrë tha se Serbia ka njohur vulat e Kosovës (pa mbishkrim Republikë), por se (dhe kjo “por se” bën dallimin) kalimi apo plasimi nëpër e në Serbi nga bizneset kosovare mund të bëhet vetëm me dokumente të lëshuara nga, sipas Borkos, “institucione legjitime të krahinës serbe” të lokalizuara në jug të Serbisë.  Në vend se negociatorët tanë të qartësojnë këtë pozicion në bisedime, ata gati sa s’thyen këmbët e  hundët në ngutje për të dhënë lajmin se tregtia na u paska rregulluar tashmë, duke u bërë të verbër e të shurdhën para qëndrimeve e synimeve më se të qarta serbe. Injorimin e pozicionit serb e vazhdoj fatkeqësisht dhe Qeveria jonë, duke shfuqizuar vendimin për reciprocitet. Në ditën e parë pas 16 shtatorit, 36 kamionë serb u futën nga Serbia në Kosovë, asnjë anasjelltas. Në të dytën, tre kamionë kosovarë mbushën “profecinë” e Qeverisë tonë dhe u dhanë udhë deklarimeve grandioze se “kjo është ditë historike për Kosovën”. Sa e mjerë u duk “dita historike” kur u kuptua se kamionët në fjalë kishin targa të Novi Pazarit, bizneset ishin të regjistruara në librat regjistrues të UNMIK-ut, e lejen për qarkullim tregtar e kishin marrë nga komuna paralele e Zubin Potokut; mu ashtu siç kishte thënë Borko. Po çfarë zori na shtiu të hapim kufijtë?
Qeveria e vendit nuk di apo nuk do të kuptojë se Serbia nuk njeh targat tona, nuk njeh dokumentet biznesore, nuk njeh certifikatën e origjinës dhe rrjedhimisht nuk lejon e nuk do të lejojë asnjë kargo me dokumente si këto. Qeveria e vendit nuk di apo nuk do të kuptojë deklarimet zyrtare të Serbisë, të qarta si kristal, e të cilat mund të shërbejnë për pretekst mjaft legjitim përballë bashkësisë ndërkombëtare për rivënie të reciprocitetit. Qeveria e vendit nuk do apo nuk di të verifikojë realisht refuzimet e kamionëve kosovar që ndodhin në vazhdimësi dhe mbi këtë bazë të sjell një vendim të ri ku shtrinë reciprocitetin jo vetëm në vula pro dhe në dokumente tjera biznesore (në fund të fundit po shihet se pranimi i vulave nuk do të thotë tregti e barabartë). Për Serbinë, për të pasur marrëveshje, vendi duhet të ndërrojë të gjitha dokumentet e simbolet shtetformuese. Meqë rendet nuk i kemi të kthehemi në 1999, atëherë është shumë e qartë se tregtia me Serbinë, me mendtë që i ka, nuk bëhet tani.
Për 45 ditë sa patëm reciprocitet, Serbia pranoi një presion ekonomik përtej gjitha parashikimeve tona. Për një javë sa u hapëm kufijtë, i gjithë presioni u humb. Bizneset serbe falë lidhjeve të trasha me ato kosovare mbushën tregun tonë sa hap e mbyllë sytë. Do të duhen muaj të tjerë për të kthyer avantazhin e presionit në anën tonë. E duke njohur politikat serbe dhe dredhitë në to, sa herë që presioni do të mbërrijë pikun e qëndresës së tyre, Serbia do të kamuflojë një marrëveshje inferiore sa për të hapë kufijtë, mbushë tregun, provokojë incident, mbyllë prapë dhe kështu kthen gjendjen e fillimit. Lojë fantastike dorën në zemër.
Besoj se Qeveria e vendit ka në dorë të gjitha arsyet për ta rivënë reciprocitetin tregtar me Serbinë. Këtë herë le ta bëjë si duhet dhe çdo hapje e jona të bëhet pas asaj serbe, madje pas një kohe testimi. Në një optimum të dëshirueshëm, sikur gjërat në vend të optimizoheshin, tregtia e barabartë do të ndërlidhej me shumë aspekte tjera ekonomike e politike të cilat Kosova me Serbinë kanë për ti zgjidhur. Në fund të fundit barrën e mostregtisë domosdo e bartë shitësi. Pavarësisht kësaj, ishte vet iluzioni dhe gabimi në interpretim i marrëveshjes së vulave që shtyu vendin me pamaturi ti rihapte kufijtë. Deklarimet zyrtare serbe se vetëm me  dokumente të “krahinës jugore” mund të tregtohet mjaftojnë për të rivënë urgjentisht masat e reciprocitetit; këtë herë ashtu siç duhet. Po të kishim pak dell më shumë në politikë, po të merrnim më seriozisht deklarimet provokative serbe, po të këmbëngulnim pak më tepër në marrëveshje, sot lutjet e përkëdheljet do të bëheshin nga ana tjetër për ne. Deri sa ti mësojmë këto, mbyllni kufijtë. Ky nuk është reciprocitet.

Friday, 16 September 2011

HARAÇI I AGJENCIONIT KOSOVAR TË PRIVATIZIMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 Shtator 2011
Nëse Presidentja e vendit nënshkruan ligjin e aprovuar nga Parlamenti për menaxhimin e AKP-së, atëherë vendi, për herë të parë, legjitimon institucionalisht një haraç tipik, duke i dhënë kështu precedent edhe keqpërdorimeve tjera në çdo trup e institucion publik

Se ndërmarrjet dhe agjencionet publike në vend po thyejnë rekorde për së mbrapshti, kjo nuk bën habi. Se averzioni ynë ndaj gjithçkaje jo-private ka një burim të arsyeshëm, kjo shpjegohet. Se kufijtë e paradokseve të tilla vazhdojnë të legjitimohen, kjo po se po është risi. Në këtë risi nuk bën pjesë lista e famshme e të punësuarve në PTK, ku çdo politikan i madh e i vogël, kontribues e degradues i idealeve shtetndërtuese, kishte punësuar gratë, burrat, motrat, bijtë, vëllezërit e besa dhe motrat e grave – të gjithë në struktura menaxhuese pa fije kualifikimi e profesionalizmi. Paramendoni tash çfarë është rrethi i të punësuarve tjerë nga këta akraba politikanësh! Në risinë tonë nuk bën pjesë as punësimi familjar në Ministrinë e Integrimeve, e as paralajmërimi për “reciprocitet të njëanshëm”, term ky i ri i futur në fjalorin ekonomik kosovar. Risinë e bën Agjencioni Kosovar i Privatizimi, bartësi kryesor i shitjes së pasurisë, krijimit të 400-500 milionë eurove, e një sërë tregimesh tjera mbi korrupsion, keqpërdorim, mbipagesa, shpërblesa e Zoti e di çka, dhe mundësisë për ndarje të 5% të fondit të privatizimit për AKP-në me ligjin e ri. Një haraç tipik!
Pesë përqind (5%) e të gjitha të hyrave të pranuara si rrjedhojë e çfarëdo shitje në të kaluarën apo të ardhmen, transferimit, privatizimit, likuidimit apo mënyrave tjera të zgjidhjes të cilësdo ndërmarrje apo pasurie, pavarësisht se a është bërë nga agjencia apo paraardhësja e saj, do të jetë tarifë administrative e Agjencisë për të mbuluar shpenzimet e veta të përgjithshme administrative dhe operative”. Është ky Neni 21, Pika 2, e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Këto rreshta nuk prodhojnë nevojën për reflektim të arsyeshëm, por në vend te saj, prodhojnë averzion dhe paradokse konsekutive të çdo gjëje publike në Kosovë. Paramendoni, AKP-së, me ligjin e ri i garantohen 5% e të hyrave të privatizimit të ndodhur kurdoherë në Kosovë. Nëse fondet e privatizimit arrijnë në fund të procesit 600 milionë euro, atëherë AKP-ja i merr hiq më pak se 30 milionë; dhe për çka? Për të mbuluar shpenzimet e saja administrative dhe operative, pra pagat e punëtorëve të saj, veturat hiperluksoze dhe bonuset tjera të fundviteve.
Kalimi i një ligji të tillë nga Parlamenti, ka qenë absurd. I kaluar në heshtje dhe pa shumë diskutim ai pret nënshkrimin e Presidentes. Një nënshkrim i dhënë do thoshte shkelje e rëndë e menaxhimit të drejtë të parasë dhe pasurisë publike për disa arsye. Së pari, AKP-ja me Nenin 20, të po të njëjtit ligj, ka të garantuara dhe mbuluara pagat dhe shpenzimet e stafit të vet. Agjencia financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës si çdo agjencion tjetër publik, dhe e njëjta ka zero nevojë për fonde shtesë; sidomos kur pagat e menaxhmentit dhe stafit të saj janë disaherë mbi ato të nëpunësve tjerë publik. Për më tepër, fondet e shumta nga Komisioni Evropian e trupa tjerë ndërkombëtar me vite kanë mbushur llogarinë e AKP-së. E dyta, AKP duhet të kuptojë një herë e mirë se nuk është pronare e pasurisë së Kosovës, por menaxhuese e privatizimit të saj. Pronarë janë dhe do të vazhdojnë të mbesin kosovarët, të cilët me taksat e tyre tanimë kanë paguar dhe do të paguajnë AKP-në për menaxhimin e bërë; ani pse kanë marrë pak llogari për shpërndarjen e taksave të tyre (kujtoni raportet e auditorit). E treta, prej kur kemi filluar të paguajmë dy herë punën normale e të pritshme? Marrja e një përqindje nga pasuria e kosovarëve, në emër të një pune që paguhet paraprakisht nga taksapaguesit, është njëjtë sikur Qeveria e vendit të vendosë që mbi pagat e tyre të rregullta të marrë dhe 5% të Buxhetit të Kosovës. E katërta, çdo kompromis në këtë drejtim do të jetë një precedent për të gjitha agjencionet tjera publike.  Nuk do të habitesha sikur nesër agjencioni për investime, komisioni i konkurrencës, rregullatori i energjetikës, e plot të tjera, të kërkojnë kompenzime shtesë për investimet e bëra, mundësimin e konkurrencës e rregullimin  tregut energjetik. E katërta, sa është racionale dhënia e 20% të pasurisë së privatizuar punëtorëve që kanë ndihmuar në krijimin, ekzistencën dhe në fund shitjen e pasurisë në fjalë, kundrejt 5% të AKP-së? A nuk ka një disproporcion enorm në kontribut dhe shpërblim këtu? Prej kur kontributi dy vjeçar i punëtorëve të AKP-së arrin kontributin dyzet vjeçar të ish punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore? Dhe e fundit, a nuk janë 30 milionë shumë për të tërhequr vëmendjen e çdo vote në Parlament?
Nëse asgjë tjetër, për kualitetin e bërë deri më tani, për korrupsionin e zhvlerësimin e pasurisë publike të shkaktuar nga një menaxhim alla kaotik, “shpërblimi” i vetëm që duhet dhënë AKP-së dhe paraardhëses së saj, është ndjekja ligjore e gjenerimi i përgjegjësisë.
Turpi i ligjit nuk ndalon me kaq. AKP kërkon shpërblimin edhe për punën e bërë nga AKM-ja, meqë pjesa “pavarësisht se a është bërë nga agjencia apo paraardhësja e saj” tregon qartazi lakminë e paarsyeshme dhe irrituese të këtij agjencioni. Nuk di kush ka qenë ai talent që ka shkruar një kërkesë të tillë, por nëse pagesa e dyfishta ka një logjikë përtej racionales që unë shtrova, atëherë çfarë logjike të shëndoshë mund të gjejë njeriu për kompensimin e punës që nuk ka bërë? Kujtoni çmimin e paguar nga kosovarët për “punën” e bërë nga AKM-ja, ato pagat dhjetë herë më të mëdha se të Presidentit, ankesat për korrupsion nga palët pjesëmarrëse në privatizim, shitjet nën çmimin e tregut njerëzve të lidhur ngushtë me politikë, ndryshimin e veprimtarisë së pasurisë (nga toka bujqësore në komerciale), shpërblimet prej mijëra eurosh për stafin në emër të shuarjes së AKM-së, dhe në fund, si qershi në torte, djegia e dokumenteve dhe rekordeve financiare, ofertuese e regjistruese,  sa për të humbur çdo gjurmë të mundshme në hesapet e kryera – vjedhje klasike, por me stil! Dhe tash, për të njëjtën punë ne duhet të paguajmë AKP-në?!
Ligji i tillë jo vetëm se prodhon një keqpërdorim të rëndë financiar, jo vetëm se përhapë pabarazi në trajtimin e kontributit të punëtorëve me shitësit e këtij kontributi, jo vetëm se thyen rregullat e menaxhimit të trupave publik, por në rend të parë është një haraç tipik i vënë nga AKP-ja ndaj pronarëve të kësaj pasurie: kosovarëve. Them se dimë më mirë se kaq. Ndonëse Parlamenti, si në plot raste të tjera, nuk po arrin të shtroj rezonin para interesave partiake, them se Presidentja ka në dorë fjalën e fundit. Përtej vizitave, mirëpritjeve e simbolikës së dhënë deri më tani, them se ajo duhet të vë një shenjë edhe në çështjet e brendshme të vendit, duke filluar mu nga mbrojtja e 30 milionëve të kosovarëve.

Friday, 9 September 2011

NJË DITË PAS VULAVE

Letra nga limbo

KOHA DITORE, 9 SHTATOR 2011

Lajmin e dhënë nga kryenegociatorja jonë se tregtia e lirë do të zhvillohet pas marrëveshjes së vulave, duhet amortizuar e refuzuar si të qenë në të parën. Paraprakisht, Qeveria e vendit duhet të verifikojë aftësinë plasuese e kaluese në e nëpër Serbi të një biznesi kosovar me pasaportë, leje vozitje, targa e dokumente biznesore të lëshuara nga Republika e Kosovës

Javën që shkoi argumentova në favor të mosmarrëveshjes për vula pa zgjidhjen e një sërë çështjesh elementare për funksionimin e plotë të tregtisë së lirë, ekonomisë së drejtë e shtetit serioz; se një marrëveshje e tillë do të ngurtësonte Serbinë nga kompromiset eventuale, dhe se vendi do të mbeste me gishta në gojë; një javë më pas tashmë jemi me gishta në gojë e Serbinë s’ka kush që e shtynë në kompromise të reja. Ishte absurd dhe dëshpërues lajmi se kemi marrëveshje për pikën e vetme që na garantonte fuqi biseduese. Sot kur gjendemi në kulmin e lajthitjeve të suksesit inekzistent, rezultati i ekuacionit negociues është i çuditshëm e paradoksal.
Është e çuditshme meqë problemi është në burim irracional e i krijuar nga një palë (jo nga dyjat) dhe si i tillë nuk meriton bisedim por zgjidhje të menjëhershme nga pala problematike; dhe është paradoksal meqë ‘progresi’ pas bisedimeve realisht është kthim prapa në pikën zero, aty ku ishim në fillim para mospranimit. Kujtoni marrëveshjet e arritura deri më tani: regjistrat kadastral, vulat, pasaportat, targat e diplomat. E përbashkëta e tyre është se të gjitha burojnë nga refuzimi serb. Thënë thjeshtë, ne negociojmë mospranimin e një pale, madje e quajmë këtë sukses. Është njëjtë sikur ne sot të vendosim mospranimin e flamurit serb (pra krijojmë problem), më pas detyrojmë Serbinë të ulet në tavolinë për të zgjidhë mospranimin tonë (pra negociojmë), dhe në fund arrijmë një marrëveshje ku ne njohim flamurin e tyre (pra bëjmë zgjidhje). Njëjtë dhe Serbia ka refuzuar të pranojë vulat,  pasaportat, targat e diplomat tona (problemi), më pas na detyron për hir të progresit të saj evropian të ulemi në tavolinë (negociojë) dhe në fund na jep një output në emër të kompromisit (bën zgjidhje). Teknikisht, ne po negociojmë në të thatë, thjeshtë po marrim asgjë prapa.
Se marrëveshja e vulave do të ngurtësojë Serbinë nga marrëveshjet tjera u bë kristal e qartë nga qëndrimet e Beogradit në momentin e parë pas shpalljes së kompromisit. Kur pyetën Borkon se kur do të negociohet për doganierë, ai tha se vendosja e vijës administrative do të jetë pjesë e negociatave për Veriun, duke kaluar kështu peshën e negociatave nga “teknike” në atë “territoriale”. E rëndësishme (dhe fatkeqe) për Kosovën është argumenti se, së pari, me marrëveshje nuk do të bëhet asnjëherë vendosja e fuqisë së Republikës në Veri, prandaj vendosja e rendit duhet të bëhet me forcë, dhe se, së dyti, çdo pranim bilateral i vulave nënkupton mosaftësinë tonë për të kontrolluar e doganuar mallrat nga Serbia pavarësisht hapjes të plotë të Kosovës për ato serbe. Një marrëveshje e tillë është gjysmake dhe si e tillë nuk derivon tregti të barabartë. Paralajmërimeve legjitime se Kosova megjithatë do ti rivendosë mekanizmat e saj në veri, kryenegociatori serb u dha udhë me kërcënim. Sipas tij, në rast se doganierët e Kosovës vendosen atje, qeveria e tij do ti përkrahë protestuesit për shprehje të pakënaqësisë. I njëjti stil, i njëjti ton, i njëjti vizion: dhunë, bllokadë, djegie; mu ashtu si herën e fundit dhe para saj – e ne prapë do të takohemi me të!
Lajmin e dhënë nga kryenegociatorja jonë se tregtia e lirë do të zhvillohet pas marrëveshjes së vulave duhet amortizuar e refuzuar në të parën. Fillimisht, besoj se një vendim për reciprocitet nuk i takon asaj - nuk ka tagër për një vendim të tillë. Në rend të parë fjala e fundit i takon Qeverisë së vendit, e cila duhet të shfuqizojë paraprakisht vendim e marrë për reciprocitet e të vë një të ri për qarkullim të lirë e bilateral. Për të bërë këtë, dyanshmëria kërkon reflektimin e marrëveshjes në terren. Për arsyet e tjerra e stërtjerra tanimë, zgjidhja e lëvizjes së lirë kërkon shumë më shumë se sa pranimi i disa vulave doganore, prandaj deklarimi i tregtisë së lirë vetëm me njohjen e vulave është iluzion.
Për të provuar marrëveshjen, Qeveria e vendit duhet të masë aftësinë e bizneseve kosovare për të plasuar e kaluar në e nëpër Serbi. Këto biznese para se të marrin rrugë, duhet të pajisen me pasaportë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me certifikatën e origjinës të lëshuar nga Ministria e Tregtisë, me targat e kamionëve të lëshuar nga Ministria e Transportit, dhe me lejet e vozitjes së po të njëjtës ministri (të gjitha ministri të Republikës). Nëse ky biznes kalon pa fije problemi kufirin serb, atëherë (përkundër panevojës për nguti në marrëveshje) themi se kemi marrëdhënie reciproke. Por, nëse pavarësisht optimizmit të pabazë të kryenegociatorës se rregulluam tashti tregtinë me pranimin e një vule, i njëjti biznes merr refuzim nga dogana serbe (për shkak të emërtimeve në të gjitha këto dokumente), atëherë relacioni tregtar mbetet tërësisht i pabarabartë. Në fund të fundit, me anije kozmike nuk kemi ndërmend të kalojmë nëpër Serbi. Vë bast kursimet e mia pensionale se biznesi kosovar jo që do të refuzohet, por kargoja e tij do të konfiskohet nga doganierët serb për posedim të dokumentacionit “fals”.
Potencën që kemi humbur me pranimin e vulave, mund ta korrigjojmë pjesërisht me kushtëzime thelbësore suksesive dhe përbërëse të tregtisë së lirë e të barabartë. Është dekurajues deklarimi i kryeministrit se tash marrëdhëniet janë vënë në vijë dhe se Kosova do të hapë kufijtë për Serbinë më 16 Shtator. Kemi një javë kohë për të parë se mos-plotnia në marrëdhëniet tregtare bën që marrëveshja për vula të jetë irelevante. Në ndërkohë, kushtëzimet tona legjitime (nëse ndodhin) mund dhe të japin një sy të keq karshi të huajve; sikur ne po zvarrisim kompromisin. Kështu ndodh kur ngutesh pa pikë nevoje e bën marrëveshje kur nuk di as elementet bazë të tregtisë. Pavarësisht kësaj, vendimin e Qeverisë për mosnjohje të vulave duhet ngritë në nivel të  ri, atë të mosnjohjes së dokumenteve serbe identifikuese e biznesore– me ton e peshë të njëjtë me refuzimin serb. E rëndësishme është se hapja jonë duhet të pasojë atë serbe. Them se po hapëm kufijtë tanë tani, para tyre, mund dhe të kemi humbur një herë e mirë idenë e rivënies së kontrollit reciprok me Serbinë, prandaj çdo hap i yni duhet të vihet pas atij serb.

Friday, 2 September 2011

KUJDES ME VULAT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 SHTATOR 2011

Kosova me reciprocitet tregtar e ka të gozhduar Serbinë aty ku do. Këtë avantazh vendi duhet ta negociojë vetëm atëherë kur të ketë zgjidhur një sërë çështjesh tjera jetike për ekzistencën e vendit. Kompromisi paraprak rreth vulave, pa zgjidhje suksesive, na lë me gishta në gojë

Me ritëm të ngadaltë, por me destinim të qartë, ndjenja e fuqisë së shteti, vënies së rendit e rregullit, e në këtë vlug dhe prezencës anarkike në veri të vendit, po zbret gradualisht në tavolinën e bisedimeve, aty ku prezenca jonë bëhet për hir të akomodimeve evropiane. Disa vite më parë, një aterim i tillë ndoshta dhe do jepte shkëndija shprese për kosovarët. Por sot, tre vjet pas pavarësisë, ideja e bisedimeve duket shterpe në beneficione. Së pari, pa pikë nevoje, një vend tjetër bëhet subjekt i mëvetësisë tonë. Së dyti, i njëjti negocion mbi problemet që ka krijuar vet. Në vend të ultimatumeve për ndërprerje të vetë-problemeve, ne po negociojmë për to; është njëjtë sikur një i huaj do të japë një shqelm e më pas do të negociojë për një mes, një gjysmë-shqelmi. A bën të mos na e japë fare at far shqelmi?!
Dhe si asnjëherë deri më tani, një çështje ekonomike bëhet kyçe në këto bisedime: dogana dhe vulat e famshme të Kosovës. Për mendimin tim, ka disa probleme thelbësore me natyrën e futjes tonë në dialog, dhe të gjitha, fatkeqësisht, anojnë hisen kosovare. I pari, ndërlidhet me idenë e ri-uljes në tavolinë me njeriun që nxiti rebelimin, ushqeu urrejtjen dhe më pas dhunoj rendin institucional në vend. Zoti Stefanoviq nëse asgjë tjetër është dashur të shpallet ‘persona non grata’, njeri i kërkuar nga policia për hyrje ilegale në vend, dhe potencialisht i ndjekur nga gjykatat kosovare për anarki. Në vend të kësaj, ne amnistojmë të njëjtin që me bërryla të përvesur, telefon në vesh e megafon në gojë bënte thirrje për qëndresë me të gjitha mjetet; të gjitha mjetet më pas ishin fatale për një polic të njësive speciale. Por meqenëse nuk dimë të bëjmë politikë, të krijojmë letra politikash nga gjithçka-ja (serbët krijojnë nga asgjëja) pranimi i Stefanoviqit në bisedime është më i lehti për nga barra e dëmeve që mund ti sjellim vetes. Dëmet serioze vijnë nga ato tipike ekonomike, e që vetëm një optimist i pasprovuar i sheh të ndalura nga delegacioni amator kosovar.
I pari ka të bëjë me rangimet prioritare të bisedimeve, e të cilat sipas paralajmërimeve ndërkombëtare mbrojnë tërësisht agjendën serbe; thuhet se do të bisedohet për vula e më pas për dogana. Them agjendën serbe meqë paniku i krijuar në Serbi është aq enorm e aq i dhimbshëm sa që ndikimi i shumëthirrur për reciprocitet ka prodhuar efekte disa herë më të mëdha se pritjet tona. Përpos humbjeve në miliona dhe habisë për mosnënshtrim të Kosovës, janë presionet nga bizneset serbe në udhëheqësinë e tyre që shtyjnë presidentin Tadiq të bëjë zgjidhje. Pas vlugut emocional serb, kur gjakrat u ndalën e mendimet e kthjella morën vend, u bë e qartë se në fund të fundit këmbëngulja serbe ishte paranoike për faktin se vulat e doganave kosovare nuk përmbanin asnjëherë termin ‘Republikë’, dhe si të tilla ato do të duhej të ishin të pranueshme për serbët. Madje në një intervistë për edicionin serb të Zërit të Amerikës, Ministrja jonë e Tregtisë si për ti ngushëlluar serbët thoshte se vulat janë në pajtueshmëri të plotë me rezolutën 1244, duke i dhënë kështu paradoksalisht mbështetje rezolutes së shfuqizuar nga Parlamenti i vendit; papjekuri politike.
Nën rezultatin e ri, ku Serbia humb miliona, e Kosova (me shumë fat) mban vetën në këmbë, pritjet për zgjidhje janë shumë të qarta; realisht do të jenë të qarta sa herë që Serbia bën kompromis për asgjë.  Tendenca serbe do të jetë pranim sa më i shpejtë i vulave me mbishkrimin e tanishëm pa ‘Republikë’ duke dërguar kështu mesazh suksesi për konsum të brendshëm e me këtë dhe rihapje të qarkullimit. Por kur bisedat prekin vijat e pikat doganore, mos-pajtueshmëria bëhet e pritshme. Në fund të raundit të ri, ne shumë lehtë mund të përfundojmë me rinormalizim të qarkullimit, por pa zgjidhje për doganat. Thënë shkurt, me një gol për serbët, e me gishta në gojë për ne.
Në vend të kësaj, kërkesa jonë duhet të jetë e thjeshtë. Nuk ka asnjë kompromis për vula pa definimi të qartë të problemeve doganore dhe strukturave paralele; zgjidhjet bëhen paralelisht. Tregtia mes dy vendeve ka kuptim vetëm nën normalizimin e plotë të marrëdhënieve politike, vendosjes së kufijve, policisë kufitare e doganierëve të Republikës së Kosovës. Negociatori Cooper këtë javë paralajmëroj relaksim të bisedave nëse arrihet marrëveshje për vula, por çfarë na duhet relaksimi i Borkos e Editës nëse serbët marrin gjithçka. Çfarë potencialisht mund ti shtyjë serbët për kompromis pas zgjidhjes së hallit ekonomik të tyre?
Nëse politikëbërësit tanë kanë pranuar një agjendë të tillë prioritare, përtej relaksimeve në një ambient që nuk duhet të jetë relaksues (meqë nuk është tarracë pushimi po tavolinë koncesionesh shtetërore, administrative e politike), atëherë pritjet për gabime suksesive janë reale. Nëse tanët tregojnë pak maturi, atëherë letrën e reciprocitetit, xhokerin tonë, e luajnë me mend e me plot kujdes; në të vërtetë e kushtëzojnë me të gjitha zgjidhjet tjera tregtare Kosovë-Serbi. Për të mos lënë me kaq, Kosova madje duhet të vendos shpejt e mirë termin ‘Republikë’ në vulat e saj doganore, ashtu siç i ka hije çdo vendi që është i pavarur në plotni. Halli i serbëve më pas a merren a jo me paranoja. Thënë këtë, çdo pranim i heqjes së termit ‘Republikë’ është pranim disfate kur je në udhëheqje.
Së dyti, tregtia Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë e cunguar vetëm nën kornizën e të drejtës për lëvizje. Përtej kësaj të drejte, e domosdo definimeve doganore, janë një seri çështjesh tjera që kërkojnë vëmendje në dialogun e ri, nga të cilat më thelbësori, unë argumentoj, është implementimi i lëvizjes. Në këtë implementim, rol esencial luajnë dokumentet identifikuese, targat e automjeteve, dokumentet e administratës shtetërore (tatimore, inspektoratet, gjykatat, etj), e plot dokumente tjera me emërtime zyrtare që bartin terme ‘Republikë’, pa të cilat tregtia e lirë nuk ka kuptim. Neve mund të na hapen të gjithë kufijtë në letër për në Serbi, por kur e njëjta palë nuk na pranon targat që bartnin mallrat, dokumentet certifikuese biznesore, e hiç se hiç pasaportat, ku është relevanca e dobishmëria e tregtisë?! Normalizimi i marrëdhënieve tregtare do të thotë o njohje e tyre nga palët o refuzim bilateral, pra reciprocitet (përtej idesë së lëvizjes së lirë) – nuk na njihni, nuk ju njohim. Përveç kësaj, reciprociteti në produktet e subvencionuara serbe, që po mbysin bujqësinë tonë, është po aq kritik. Po të kishim pak dell negociues vendi do kërkonte me plot ngulm ndarjen e informatave të certifikuara ndërkombëtarisht për çdo produkt serb të subvencionuar e importuar në Kosovë. Të njëjtit më pas do të merrnin trajtim konform rregullave të tregtisë së lirë (lexo refuzim).
Kosova ka një rast të shkëlqyeshëm para vetes për të marrë një bollëk përfitimesh, që dorën në zemër i takojnë kaherë por ja marrja e tyre ka kaluar aftësitë tona plotikëbërëse. Kosova, me reciprocitet tregtar e ka të gozhduar Serbinë aty ku do. Këtë avantazh vendi duhet ta negociojë vetëm atëherë kur të ketë zgjidhur një sërë çështjesh tjera jetike për ekzistencën e vendit, ashtu siç është njohur mbarësisht. Definimi doganor, pasaportat, targat, e dokumentet tjera biznesore, janë elementet para-përbërëse të dialogut për vula doganore. Në fund të fundit, tregtia e lirë dhe e drejtë është shumëdimensionale.