Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 SHTATOR 2011
KOHA DITORE, 9 SHTATOR 2011
Lajmin e dhënë nga kryenegociatorja jonë se tregtia e lirë do të zhvillohet pas marrëveshjes së vulave, duhet amortizuar e refuzuar si të qenë në të parën. Paraprakisht, Qeveria e vendit duhet të verifikojë aftësinë plasuese e kaluese në e nëpër Serbi të një biznesi kosovar me pasaportë, leje vozitje, targa e dokumente biznesore të lëshuara nga Republika e Kosovës
Javën që shkoi argumentova në favor të mosmarrëveshjes për vula pa zgjidhjen e një sërë çështjesh elementare për funksionimin e plotë të tregtisë së lirë, ekonomisë së drejtë e shtetit serioz; se një marrëveshje e tillë do të ngurtësonte Serbinë nga kompromiset eventuale, dhe se vendi do të mbeste me gishta në gojë; një javë më pas tashmë jemi me gishta në gojë e Serbinë s’ka kush që e shtynë në kompromise të reja. Ishte absurd dhe dëshpërues lajmi se kemi marrëveshje për pikën e vetme që na garantonte fuqi biseduese. Sot kur gjendemi në kulmin e lajthitjeve të suksesit inekzistent, rezultati i ekuacionit negociues është i çuditshëm e paradoksal.
Është e çuditshme meqë problemi është në burim irracional e i krijuar nga një palë (jo nga dyjat) dhe si i tillë nuk meriton bisedim por zgjidhje të menjëhershme nga pala problematike; dhe është paradoksal meqë ‘progresi’ pas bisedimeve realisht është kthim prapa në pikën zero, aty ku ishim në fillim para mospranimit. Kujtoni marrëveshjet e arritura deri më tani: regjistrat kadastral, vulat, pasaportat, targat e diplomat. E përbashkëta e tyre është se të gjitha burojnë nga refuzimi serb. Thënë thjeshtë, ne negociojmë mospranimin e një pale, madje e quajmë këtë sukses. Është njëjtë sikur ne sot të vendosim mospranimin e flamurit serb (pra krijojmë problem), më pas detyrojmë Serbinë të ulet në tavolinë për të zgjidhë mospranimin tonë (pra negociojmë), dhe në fund arrijmë një marrëveshje ku ne njohim flamurin e tyre (pra bëjmë zgjidhje). Njëjtë dhe Serbia ka refuzuar të pranojë vulat, pasaportat, targat e diplomat tona (problemi), më pas na detyron për hir të progresit të saj evropian të ulemi në tavolinë (negociojë) dhe në fund na jep një output në emër të kompromisit (bën zgjidhje). Teknikisht, ne po negociojmë në të thatë, thjeshtë po marrim asgjë prapa.
Se marrëveshja e vulave do të ngurtësojë Serbinë nga marrëveshjet tjera u bë kristal e qartë nga qëndrimet e Beogradit në momentin e parë pas shpalljes së kompromisit. Kur pyetën Borkon se kur do të negociohet për doganierë, ai tha se vendosja e vijës administrative do të jetë pjesë e negociatave për Veriun, duke kaluar kështu peshën e negociatave nga “teknike” në atë “territoriale”. E rëndësishme (dhe fatkeqe) për Kosovën është argumenti se, së pari, me marrëveshje nuk do të bëhet asnjëherë vendosja e fuqisë së Republikës në Veri, prandaj vendosja e rendit duhet të bëhet me forcë, dhe se, së dyti, çdo pranim bilateral i vulave nënkupton mosaftësinë tonë për të kontrolluar e doganuar mallrat nga Serbia pavarësisht hapjes të plotë të Kosovës për ato serbe. Një marrëveshje e tillë është gjysmake dhe si e tillë nuk derivon tregti të barabartë. Paralajmërimeve legjitime se Kosova megjithatë do ti rivendosë mekanizmat e saj në veri, kryenegociatori serb u dha udhë me kërcënim. Sipas tij, në rast se doganierët e Kosovës vendosen atje, qeveria e tij do ti përkrahë protestuesit për shprehje të pakënaqësisë. I njëjti stil, i njëjti ton, i njëjti vizion: dhunë, bllokadë, djegie; mu ashtu si herën e fundit dhe para saj – e ne prapë do të takohemi me të!
Lajmin e dhënë nga kryenegociatorja jonë se tregtia e lirë do të zhvillohet pas marrëveshjes së vulave duhet amortizuar e refuzuar në të parën. Fillimisht, besoj se një vendim për reciprocitet nuk i takon asaj - nuk ka tagër për një vendim të tillë. Në rend të parë fjala e fundit i takon Qeverisë së vendit, e cila duhet të shfuqizojë paraprakisht vendim e marrë për reciprocitet e të vë një të ri për qarkullim të lirë e bilateral. Për të bërë këtë, dyanshmëria kërkon reflektimin e marrëveshjes në terren. Për arsyet e tjerra e stërtjerra tanimë, zgjidhja e lëvizjes së lirë kërkon shumë më shumë se sa pranimi i disa vulave doganore, prandaj deklarimi i tregtisë së lirë vetëm me njohjen e vulave është iluzion.
Për të provuar marrëveshjen, Qeveria e vendit duhet të masë aftësinë e bizneseve kosovare për të plasuar e kaluar në e nëpër Serbi. Këto biznese para se të marrin rrugë, duhet të pajisen me pasaportë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me certifikatën e origjinës të lëshuar nga Ministria e Tregtisë, me targat e kamionëve të lëshuar nga Ministria e Transportit, dhe me lejet e vozitjes së po të njëjtës ministri (të gjitha ministri të Republikës). Nëse ky biznes kalon pa fije problemi kufirin serb, atëherë (përkundër panevojës për nguti në marrëveshje) themi se kemi marrëdhënie reciproke. Por, nëse pavarësisht optimizmit të pabazë të kryenegociatorës se rregulluam tashti tregtinë me pranimin e një vule, i njëjti biznes merr refuzim nga dogana serbe (për shkak të emërtimeve në të gjitha këto dokumente), atëherë relacioni tregtar mbetet tërësisht i pabarabartë. Në fund të fundit, me anije kozmike nuk kemi ndërmend të kalojmë nëpër Serbi. Vë bast kursimet e mia pensionale se biznesi kosovar jo që do të refuzohet, por kargoja e tij do të konfiskohet nga doganierët serb për posedim të dokumentacionit “fals”.
Potencën që kemi humbur me pranimin e vulave, mund ta korrigjojmë pjesërisht me kushtëzime thelbësore suksesive dhe përbërëse të tregtisë së lirë e të barabartë. Është dekurajues deklarimi i kryeministrit se tash marrëdhëniet janë vënë në vijë dhe se Kosova do të hapë kufijtë për Serbinë më 16 Shtator. Kemi një javë kohë për të parë se mos-plotnia në marrëdhëniet tregtare bën që marrëveshja për vula të jetë irelevante. Në ndërkohë, kushtëzimet tona legjitime (nëse ndodhin) mund dhe të japin një sy të keq karshi të huajve; sikur ne po zvarrisim kompromisin. Kështu ndodh kur ngutesh pa pikë nevoje e bën marrëveshje kur nuk di as elementet bazë të tregtisë. Pavarësisht kësaj, vendimin e Qeverisë për mosnjohje të vulave duhet ngritë në nivel të ri, atë të mosnjohjes së dokumenteve serbe identifikuese e biznesore– me ton e peshë të njëjtë me refuzimin serb. E rëndësishme është se hapja jonë duhet të pasojë atë serbe. Them se po hapëm kufijtë tanë tani, para tyre, mund dhe të kemi humbur një herë e mirë idenë e rivënies së kontrollit reciprok me Serbinë, prandaj çdo hap i yni duhet të vihet pas atij serb.
No comments:
Post a Comment