Friday, 30 September 2011

JUGU NËN HIJEN E VERIUT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 Shtator 2011


Fokusimi ynë vetëm në Veri ka lënë proceset jetike të vendit në mëshirën e zgjidhjeve ad-hock, të pafavorshme e absurde. Ndonëse asgjë nuk vjen në rend me sovranitetin e një vendi, them se asgjë nuk duhet hedhet e humbet nga prezenca e mos-sovranitetit

Nuk ka asnjë dyshim se ngjarjet e fundit në Veri kanë zhveshur animin e palëve në relacion me perëndimin. Të pakta janë grupet që kanë relacion dhune me forcat evropiane dhe amerikane; përveç talibanëve, forcave të Gadafit, Koresë së Veriut,Venezuelës e piratëve të Somalisë, serbët marrin një vend të dukshëm në këtë drejtim. Nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka treguar durim e partneritet me ndërkombëtarët (perëndimorë) në kurriz të një stabiliteti politik që domosdo stagnon përparim në fusha tjera. Por, nuk ka as edhe një dyshim se vazhdimi i tensioneve në Veri do të mbajnë vendin të paralizuar në çfarëdo ecje të tij; përfshirë edhe atë ekonomike. Prandaj, çfarëdo qoftë hapi i ardhshëm i vendit, ai duhet të ndodhë sa më shpejtë. Veriu duhet të marrë fund. Veriu nuk mund të jetë një bombë e kurdisur!
Deri sa pritjet për zgjidhje janë enorme, oferta politike në Kosovë vazhdon të prodhojë pasivitet. Kujtoni se  në dhunën e fundit, reagimi i parë publik i institucioneve tona erdh disa orë më vonë; madje edhe sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara kishte reaguar para nesh. Edhe më e pabesueshme më duket qëndrimi i ofruar shpeshherë në media nga disa deputetë, ministra e zëvendësministra qeveritar mbi gjendjen në Mitrovicë; thonë se nuk kanë çfarë të bëjnë. A nuk duket e turpshme për një Qeveri të deklaroj haptazi kapitullimin para disa qindra rebelëve? A nuk është e thirrur e njëjta Qeveri, që të mbrojnë me çdo mjet sovranitetin dhe lirinë e kosovarëve? Thënie e qëndrime të tilla tregojnë pritjet e atyre që japin mërzinë më të vogël për tërësinë e vendit. Dhe njerëz si këta, që pranojnë dorëzimin para forcës së shtetit, janë mbytësit e shpresës së fundit se Kosova do të dijë e do të mund të bëjë zgjidhje.
Edhe më pak kuptoj tendencën e vendit të ngutet për bisedime pa kuptuar mirë se me një vend armiqësor e me pretendime territoriale ndaj nesh, me struktura terroriste që dhunojnë edhe vlerat më perëndimore, nuk ka çfarë të kërkojë në tavolinë me ne. Nuk kuptoj se çfarë duam të tregojmë me këtë nguti, por çfarë realisht po tregojmë është mungesë totale të karakterit shtetëror; na ngrenë zvarrë si fëmijë sa herë që donë. Edhe më i paarsyeshëm duket insistimi ynë për dialog kur pala serbe thotë se me ne nuk ka çfarë e nuk do të bisedojë. Kë duam të impresionojmë?
E deri sa Kosova me të drejtë qan hallin mbi një sovranitet gjysmak, kam përshtypjen se fokusi ynë ka mbetur i tharë në relacion me proceset tjera. Mendoj se një vend me kapacitete serioze duhet të ketë qasje shumëdimensionale dhe se çdo krizë potenciale në një spektër nuk duhet të minojë gjithë të tjerat.
Një spektër i mbetur nën hije nga ngjarjet në Veri është dhe tregtia e lirë që vazhdon të kamuflohet sa herë që përmendet. Nuk arrij të kuptoj optimizim e pabazë të politikëbërësve se marrëveshja e lirë na qenka rregulluar kur të gjithë maunat kosovare arrijnë kalimin në Serbi vetëm falë dokumentacionit të dyfishtë të garantuar nga strukturat paralele; e se targat, patentat e vozitësve, pasaportat e dokumentet tjera nuk janë në asnjë rast kalimi të Kosovës. Nuk dyshoj se politikëbërësit tanë  nuk dinë të dallojnë tregtinë e lirë prej asaj që ofron Serbia, ata kanë çdo dije mbi problemet e bizneseve kosovare, por ja që kamuflimi dhe dhënia e një përshtypje ndryshe po bëhet e zakonshme në vend. Kujtoni humbjen e 156 milionëve të asistencës financiare dhe se si sot, pas plot gjashtë muajve, versioni zyrtar mbetet se paratë nuk janë humbur; ani pse asnjëri nuk ka guxim ta shtrojë mos-humbjen në buxhet të rishikuar.
Në hije mbetet edhe privatizimi i PTK-së që vazhdon të zvarritet përkundër nevojës për gjenerim të mjeteve në fund të vitit. Thënë të drejtën në gjendjen që jemi tani nuk di a do të preferoja një arkë boshe të shtetit apo një shitje nënvlerësuese të asetit; të dy zgjedhjet nuk japin zgjidhje. Madje me pasigurinë e ofruar kohëve të fundit në Veri dyshoj se vendi do mund të marrë një shumë impresionuese. Edhe më në hije mbetet procesi i projektit ‘Kosova e Re’. Deri sa sytë tanë, të deputetëve, mediave e të tjerëve vazhdojnë të jene në Veri, pakoja e famshme e monopolit energjetik dhe marrëveshjes më të rëndë energjetike të mbajtur në mend ndonjëherë në regjion, vazhdon të shtyhet prapa perdeve. Do të jetë i vonshëm reagimi i kosovarëve dhe mundësia për ndryshim. Me të njëjtin stil vazhdojnë dhe negociatat me FMN rreth marrëveshjes së re për vitin 2012. Mosaftësia për të treguar likuiditet e qëndrueshmëri financiare, për të gjeneruar të hyra që kemi garantuar se do ti bëjmë, tashmë ka prodhuar refuzimin e parë të projekt-buxhetit. Një lajm i tillë me pasoja enorme financiare do të duhej të bënte ballinat; këtë herë kalon pa zhurmë. Edhe më problematike me FMN do të jetë autostrada e re për Shkup e cila po vazhdon të shtyhet ani pse nuk jemi askund me para. Si duket Qeveria është në nguti të nënshkruaj kontratë, më pas punë e madhe kur bëhet, si bëhet, e sa na bëhet.
Tendencat e deklaruara qeveritare në fillmvit për përmirësimin e ambientit biznesor tashmë janë harruar. Kujtoni targetin për futjen e Kosovës në top dyzetëshën botërore e të bërit biznes. Nuk kemi bërë as edhe reformën më të vogël në këtë drejtim. Bizneset vazhdojnë të ngarkohen me licenca e leje të panevojshme, investitorët e huaj vazhdojnë të mos mbrohen, gjykata vazhdojnë të neglizhojnë kontestet biznesore, e korrupsioni vazhdon të bëjë rregullat e shtëpisë. Edhe më pak mërzitemi për të dhënat e fundit të Entit Statistikor se inflacioni vjetor në Kosovë do të jetë rreth 10%. Pak kosovarë kuptojnë se në fund të këtij viti ata do të varfërohen për një të dhjetën, se pagat e posarritura të mësuesve, mjekëve e shërbyesve civil do të vlejnë 10% më pak se kur u dhanë në Prill; se dita e 14% të të varfërve në skajshmëri do të bëhet edhe më e rëndë kur ky inflacion prek produktet dhe më bazike. Po edhe më pak lajm bën Ligji i ri i AKP-së që i jep të drejtë Qeverisë të marrë paratë e Fondit të Privatizimit e ti fusë në buxhet për ti mbuluar më pas vrimat e boshllëqeve financiare të krijuara nga kontrata absurde miliardëshe. Do të ishte krim i rëndë ekonomik një ndërlidhje e pasurisë dhjetëra vjeçare të kosovarëve me buxhetin e një Qeverie. Çdo fond e çdo pasuri e krijuar në gjenerata duhet të menaxhohet ndarazi nga aventurat politike të ndonjë Qeverie; do të duhet konsensus mbarë shoqëror, analizë të alternativave e kreativitet në shfrytëzimin e këtyre parave para se ato të mund të shpenzohen.
Prandaj them se vendi duhet të funkcionojë në multi-dimenzione, se fokusimi ynë vetëm në Veri ka lënë proceset jetike të vendit në mëshirën e zgjidhjeve ad-hock, të pafavorshme e absurde. Ndonëse asgjë nuk vjen në rend me sovranitetin e një vendi, them se asgjë nuk duhet hedhet e humbet nga prezenca e mos-sovranitetit.

No comments: