Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 SHTATOR 2011
Kosova me reciprocitet tregtar e ka të gozhduar Serbinë aty ku do. Këtë avantazh vendi duhet ta negociojë vetëm atëherë kur të ketë zgjidhur një sërë çështjesh tjera jetike për ekzistencën e vendit. Kompromisi paraprak rreth vulave, pa zgjidhje suksesive, na lë me gishta në gojë
Me ritëm të ngadaltë, por me destinim të qartë, ndjenja e fuqisë së shteti, vënies së rendit e rregullit, e në këtë vlug dhe prezencës anarkike në veri të vendit, po zbret gradualisht në tavolinën e bisedimeve, aty ku prezenca jonë bëhet për hir të akomodimeve evropiane. Disa vite më parë, një aterim i tillë ndoshta dhe do jepte shkëndija shprese për kosovarët. Por sot, tre vjet pas pavarësisë, ideja e bisedimeve duket shterpe në beneficione. Së pari, pa pikë nevoje, një vend tjetër bëhet subjekt i mëvetësisë tonë. Së dyti, i njëjti negocion mbi problemet që ka krijuar vet. Në vend të ultimatumeve për ndërprerje të vetë-problemeve, ne po negociojmë për to; është njëjtë sikur një i huaj do të japë një shqelm e më pas do të negociojë për një mes, një gjysmë-shqelmi. A bën të mos na e japë fare at far shqelmi?!
Dhe si asnjëherë deri më tani, një çështje ekonomike bëhet kyçe në këto bisedime: dogana dhe vulat e famshme të Kosovës. Për mendimin tim, ka disa probleme thelbësore me natyrën e futjes tonë në dialog, dhe të gjitha, fatkeqësisht, anojnë hisen kosovare. I pari, ndërlidhet me idenë e ri-uljes në tavolinë me njeriun që nxiti rebelimin, ushqeu urrejtjen dhe më pas dhunoj rendin institucional në vend. Zoti Stefanoviq nëse asgjë tjetër është dashur të shpallet ‘persona non grata’, njeri i kërkuar nga policia për hyrje ilegale në vend, dhe potencialisht i ndjekur nga gjykatat kosovare për anarki. Në vend të kësaj, ne amnistojmë të njëjtin që me bërryla të përvesur, telefon në vesh e megafon në gojë bënte thirrje për qëndresë me të gjitha mjetet; të gjitha mjetet më pas ishin fatale për një polic të njësive speciale. Por meqenëse nuk dimë të bëjmë politikë, të krijojmë letra politikash nga gjithçka-ja (serbët krijojnë nga asgjëja) pranimi i Stefanoviqit në bisedime është më i lehti për nga barra e dëmeve që mund ti sjellim vetes. Dëmet serioze vijnë nga ato tipike ekonomike, e që vetëm një optimist i pasprovuar i sheh të ndalura nga delegacioni amator kosovar.
I pari ka të bëjë me rangimet prioritare të bisedimeve, e të cilat sipas paralajmërimeve ndërkombëtare mbrojnë tërësisht agjendën serbe; thuhet se do të bisedohet për vula e më pas për dogana. Them agjendën serbe meqë paniku i krijuar në Serbi është aq enorm e aq i dhimbshëm sa që ndikimi i shumëthirrur për reciprocitet ka prodhuar efekte disa herë më të mëdha se pritjet tona. Përpos humbjeve në miliona dhe habisë për mosnënshtrim të Kosovës, janë presionet nga bizneset serbe në udhëheqësinë e tyre që shtyjnë presidentin Tadiq të bëjë zgjidhje. Pas vlugut emocional serb, kur gjakrat u ndalën e mendimet e kthjella morën vend, u bë e qartë se në fund të fundit këmbëngulja serbe ishte paranoike për faktin se vulat e doganave kosovare nuk përmbanin asnjëherë termin ‘Republikë’, dhe si të tilla ato do të duhej të ishin të pranueshme për serbët. Madje në një intervistë për edicionin serb të Zërit të Amerikës, Ministrja jonë e Tregtisë si për ti ngushëlluar serbët thoshte se vulat janë në pajtueshmëri të plotë me rezolutën 1244, duke i dhënë kështu paradoksalisht mbështetje rezolutes së shfuqizuar nga Parlamenti i vendit; papjekuri politike.
Nën rezultatin e ri, ku Serbia humb miliona, e Kosova (me shumë fat) mban vetën në këmbë, pritjet për zgjidhje janë shumë të qarta; realisht do të jenë të qarta sa herë që Serbia bën kompromis për asgjë. Tendenca serbe do të jetë pranim sa më i shpejtë i vulave me mbishkrimin e tanishëm pa ‘Republikë’ duke dërguar kështu mesazh suksesi për konsum të brendshëm e me këtë dhe rihapje të qarkullimit. Por kur bisedat prekin vijat e pikat doganore, mos-pajtueshmëria bëhet e pritshme. Në fund të raundit të ri, ne shumë lehtë mund të përfundojmë me rinormalizim të qarkullimit, por pa zgjidhje për doganat. Thënë shkurt, me një gol për serbët, e me gishta në gojë për ne.
Në vend të kësaj, kërkesa jonë duhet të jetë e thjeshtë. Nuk ka asnjë kompromis për vula pa definimi të qartë të problemeve doganore dhe strukturave paralele; zgjidhjet bëhen paralelisht. Tregtia mes dy vendeve ka kuptim vetëm nën normalizimin e plotë të marrëdhënieve politike, vendosjes së kufijve, policisë kufitare e doganierëve të Republikës së Kosovës. Negociatori Cooper këtë javë paralajmëroj relaksim të bisedave nëse arrihet marrëveshje për vula, por çfarë na duhet relaksimi i Borkos e Editës nëse serbët marrin gjithçka. Çfarë potencialisht mund ti shtyjë serbët për kompromis pas zgjidhjes së hallit ekonomik të tyre?
Nëse politikëbërësit tanë kanë pranuar një agjendë të tillë prioritare, përtej relaksimeve në një ambient që nuk duhet të jetë relaksues (meqë nuk është tarracë pushimi po tavolinë koncesionesh shtetërore, administrative e politike), atëherë pritjet për gabime suksesive janë reale. Nëse tanët tregojnë pak maturi, atëherë letrën e reciprocitetit, xhokerin tonë, e luajnë me mend e me plot kujdes; në të vërtetë e kushtëzojnë me të gjitha zgjidhjet tjera tregtare Kosovë-Serbi. Për të mos lënë me kaq, Kosova madje duhet të vendos shpejt e mirë termin ‘Republikë’ në vulat e saj doganore, ashtu siç i ka hije çdo vendi që është i pavarur në plotni. Halli i serbëve më pas a merren a jo me paranoja. Thënë këtë, çdo pranim i heqjes së termit ‘Republikë’ është pranim disfate kur je në udhëheqje.
Së dyti, tregtia Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë e cunguar vetëm nën kornizën e të drejtës për lëvizje. Përtej kësaj të drejte, e domosdo definimeve doganore, janë një seri çështjesh tjera që kërkojnë vëmendje në dialogun e ri, nga të cilat më thelbësori, unë argumentoj, është implementimi i lëvizjes. Në këtë implementim, rol esencial luajnë dokumentet identifikuese, targat e automjeteve, dokumentet e administratës shtetërore (tatimore, inspektoratet, gjykatat, etj), e plot dokumente tjera me emërtime zyrtare që bartin terme ‘Republikë’, pa të cilat tregtia e lirë nuk ka kuptim. Neve mund të na hapen të gjithë kufijtë në letër për në Serbi, por kur e njëjta palë nuk na pranon targat që bartnin mallrat, dokumentet certifikuese biznesore, e hiç se hiç pasaportat, ku është relevanca e dobishmëria e tregtisë?! Normalizimi i marrëdhënieve tregtare do të thotë o njohje e tyre nga palët o refuzim bilateral, pra reciprocitet (përtej idesë së lëvizjes së lirë) – nuk na njihni, nuk ju njohim. Përveç kësaj, reciprociteti në produktet e subvencionuara serbe, që po mbysin bujqësinë tonë, është po aq kritik. Po të kishim pak dell negociues vendi do kërkonte me plot ngulm ndarjen e informatave të certifikuara ndërkombëtarisht për çdo produkt serb të subvencionuar e importuar në Kosovë. Të njëjtit më pas do të merrnin trajtim konform rregullave të tregtisë së lirë (lexo refuzim).
Kosova ka një rast të shkëlqyeshëm para vetes për të marrë një bollëk përfitimesh, që dorën në zemër i takojnë kaherë por ja marrja e tyre ka kaluar aftësitë tona plotikëbërëse. Kosova, me reciprocitet tregtar e ka të gozhduar Serbinë aty ku do. Këtë avantazh vendi duhet ta negociojë vetëm atëherë kur të ketë zgjidhur një sërë çështjesh tjera jetike për ekzistencën e vendit, ashtu siç është njohur mbarësisht. Definimi doganor, pasaportat, targat, e dokumentet tjera biznesore, janë elementet para-përbërëse të dialogut për vula doganore. Në fund të fundit, tregtia e lirë dhe e drejtë është shumëdimensionale.
No comments:
Post a Comment