Friday, 23 September 2011

MBYLLNI KUFIJTË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 Shtator 2011


Ishte vet iluzioni dhe gabimi në interpretim i vendimmarrësve rreth marrëveshjes së vulave që shtyu vendin me pamaturi ti rihapte kufijtë. Deklarimet zyrtare serbe se vetëm me  dokumente të “krahinës jugore” mund të tregtohet mjaftojnë për të rivënë urgjentisht masat e reciprocitetit; këtë herë ashtu siç duhet

Ende pa u bërë një javë nga hapja e njëanshme e kufijve tregtarë ndaj Serbisë, vendi po pranon outputet e parë të një pamaturie ekonomike dhe politike të treguara ndaj një vendi armiqësor, sabotues dhe provokues sa s’bëhet më. Përtej euforive mediatike pas negociatave, këto ditë na dhanë mjaft për të kuptuar cilësinë e vendimit të domosdoshëm kosovar, e i cili, për çudinë më të madhe, vonon së ardhuri. E deri sa tanët vazhdojnë me lutje, përkëdhelje e deklarata inferioriteti, serbët vazhdojnë avazin e vjetër pa fije brenge. Madje, po të shikosh se sa me zell e me vrull ministrat tanë promovonin tregtinë e lirë kur dy-tre kamionë kaluan kufirin (për të kuptuar më vonë se asnjëri nuk barte dokumente kosovare), kupton lehtë se sa të dëshpëruar jemi për zgjidhje, qoftë edhe nëse ajo është gjysmake. Si duket presioni dhe barra e politikave madhore e shtetformuese janë thjeshtë të rënda për vendimmarrësit që preferojnë më pak punë e mund.
Në ditën e parë pas 16 Shtatorit, një konfuzion i gjerë publik u dha në vend nga Qeveria. Së pari, shtrirja e sovranitetit u ndërlidh me çështjet ekonomike e tregtare duke sugjeruar se për të vendosë një grusht dogainerë në Veri duhet hapur domosdo kufijtë. Thënë të drejtën sovraniteti dhe tregtia e barabartë nuk kanë asnjë lidhje në mes vete. Vendi mundet dhe të shtrojë sovranitet dhe të reciprokojë njëkohësisht. Këto dy procese nuk përjashtojnë njëra tjetrën, mund të komplementojnë por dhe mund të ndërtohen ndarazi. Fatkeqësisht për Qeverinë, tregtia me Serbinë bëhet dhe në pikat Lindore të vendit duke shfaqur kështu mbarësisht defektin e marrëveshjes së re të Borkos e Editës, e më pas të legjitimuar pa nevojë nga Qeveria; për ti dhënë në fund rend promovuesve më mesatar trumbetimin e një fitoreje të padallueshme. Ndonëse sovraniteti i Kosovës është prioritet i pakompromistë i vendit, hapja e kufijve tregtar njëtrajtësisht është një kosto e pamenduar. Vazhdimi i bartjes së kësaj kostoje është çmenduri!
Se marrëveshja për vula ishte e kotë, u bë e qartë nga deklarata nënçmuese e irrituese e kryenegociatorit serb, i cili më qartë se kurrë tha se Serbia ka njohur vulat e Kosovës (pa mbishkrim Republikë), por se (dhe kjo “por se” bën dallimin) kalimi apo plasimi nëpër e në Serbi nga bizneset kosovare mund të bëhet vetëm me dokumente të lëshuara nga, sipas Borkos, “institucione legjitime të krahinës serbe” të lokalizuara në jug të Serbisë.  Në vend se negociatorët tanë të qartësojnë këtë pozicion në bisedime, ata gati sa s’thyen këmbët e  hundët në ngutje për të dhënë lajmin se tregtia na u paska rregulluar tashmë, duke u bërë të verbër e të shurdhën para qëndrimeve e synimeve më se të qarta serbe. Injorimin e pozicionit serb e vazhdoj fatkeqësisht dhe Qeveria jonë, duke shfuqizuar vendimin për reciprocitet. Në ditën e parë pas 16 shtatorit, 36 kamionë serb u futën nga Serbia në Kosovë, asnjë anasjelltas. Në të dytën, tre kamionë kosovarë mbushën “profecinë” e Qeverisë tonë dhe u dhanë udhë deklarimeve grandioze se “kjo është ditë historike për Kosovën”. Sa e mjerë u duk “dita historike” kur u kuptua se kamionët në fjalë kishin targa të Novi Pazarit, bizneset ishin të regjistruara në librat regjistrues të UNMIK-ut, e lejen për qarkullim tregtar e kishin marrë nga komuna paralele e Zubin Potokut; mu ashtu siç kishte thënë Borko. Po çfarë zori na shtiu të hapim kufijtë?
Qeveria e vendit nuk di apo nuk do të kuptojë se Serbia nuk njeh targat tona, nuk njeh dokumentet biznesore, nuk njeh certifikatën e origjinës dhe rrjedhimisht nuk lejon e nuk do të lejojë asnjë kargo me dokumente si këto. Qeveria e vendit nuk di apo nuk do të kuptojë deklarimet zyrtare të Serbisë, të qarta si kristal, e të cilat mund të shërbejnë për pretekst mjaft legjitim përballë bashkësisë ndërkombëtare për rivënie të reciprocitetit. Qeveria e vendit nuk do apo nuk di të verifikojë realisht refuzimet e kamionëve kosovar që ndodhin në vazhdimësi dhe mbi këtë bazë të sjell një vendim të ri ku shtrinë reciprocitetin jo vetëm në vula pro dhe në dokumente tjera biznesore (në fund të fundit po shihet se pranimi i vulave nuk do të thotë tregti e barabartë). Për Serbinë, për të pasur marrëveshje, vendi duhet të ndërrojë të gjitha dokumentet e simbolet shtetformuese. Meqë rendet nuk i kemi të kthehemi në 1999, atëherë është shumë e qartë se tregtia me Serbinë, me mendtë që i ka, nuk bëhet tani.
Për 45 ditë sa patëm reciprocitet, Serbia pranoi një presion ekonomik përtej gjitha parashikimeve tona. Për një javë sa u hapëm kufijtë, i gjithë presioni u humb. Bizneset serbe falë lidhjeve të trasha me ato kosovare mbushën tregun tonë sa hap e mbyllë sytë. Do të duhen muaj të tjerë për të kthyer avantazhin e presionit në anën tonë. E duke njohur politikat serbe dhe dredhitë në to, sa herë që presioni do të mbërrijë pikun e qëndresës së tyre, Serbia do të kamuflojë një marrëveshje inferiore sa për të hapë kufijtë, mbushë tregun, provokojë incident, mbyllë prapë dhe kështu kthen gjendjen e fillimit. Lojë fantastike dorën në zemër.
Besoj se Qeveria e vendit ka në dorë të gjitha arsyet për ta rivënë reciprocitetin tregtar me Serbinë. Këtë herë le ta bëjë si duhet dhe çdo hapje e jona të bëhet pas asaj serbe, madje pas një kohe testimi. Në një optimum të dëshirueshëm, sikur gjërat në vend të optimizoheshin, tregtia e barabartë do të ndërlidhej me shumë aspekte tjera ekonomike e politike të cilat Kosova me Serbinë kanë për ti zgjidhur. Në fund të fundit barrën e mostregtisë domosdo e bartë shitësi. Pavarësisht kësaj, ishte vet iluzioni dhe gabimi në interpretim i marrëveshjes së vulave që shtyu vendin me pamaturi ti rihapte kufijtë. Deklarimet zyrtare serbe se vetëm me  dokumente të “krahinës jugore” mund të tregtohet mjaftojnë për të rivënë urgjentisht masat e reciprocitetit; këtë herë ashtu siç duhet. Po të kishim pak dell më shumë në politikë, po të merrnim më seriozisht deklarimet provokative serbe, po të këmbëngulnim pak më tepër në marrëveshje, sot lutjet e përkëdheljet do të bëheshin nga ana tjetër për ne. Deri sa ti mësojmë këto, mbyllni kufijtë. Ky nuk është reciprocitet.

No comments: