Mundohem të kuptoj panikun që e ka kapluar Qeverinë këto ditë. Kontrata e prezantuar është mjaft informative dhe domosdo djersit projektuesit tanë. Por them se e vërteta nuk ka çmim dhe të njëjtën duhet mbrojtur si të shenjtë. Në fund të fundit e vërteta nëse është e drejtë nuk duhet ta trembë askënd
Autostrada sërish bëri lajmin. Asfalti i njomë i saj këtë herë nuk po ndiente gomat e veturave superluksoze që bartnin zyrtarë publikë të veshur me kostume uniforme e kapela ngjyrë portokalli. Të njëjtit sa herë kishin marrë kritika për punën e tyre zgjidhnin të njëjtin vend për të bërë paradë e shprehur glorifikimin e projektit si hiperkombëtar dhe kolorifikimin e kundërshtarëve si antiatdhedashës. Në rreshta si këta fillonte e përfundonte i gjithë argumenti publik, dija e punëditëve dhe mundi i kritikëve. Këtë herë autostrada po bënte lajmin se “Vetëvendosja” bëri atë çfarë, për mendimin tim, Qeveria është dashur të bëjë kaherë, transparencën e kontratës më të madhe në historinë e vendit; atë që mbushë një të katërtën e bruto prodhimit vendor të Kosovës për një vit. “Vetëvendosja” mund ta ketë huqur gjithë konsistencën e politikës së saj kur bën protestë e dëmton pronën publike për një vizitë, por rri indiferente në ditën e punës kur ka çdo të dytin bashkëqytetar të papunë, megjithatë këtë herë guximi, artikulimi i argumenteve dhe kontributi në ndërtimin e demokracisë, transparencës dhe përgjegjësisë ka qenë i përsosur.
Autostrada u nis me këngë e me valle, me entuziazëm të pafund nacionalist. Tupanët qeveritarë po murosnin idenë e diskutimit madje ende pa filluar gërmimi i metrit të parë. Qysh në fillim u tha se projekti ishte mbarëkombëtar, se nuk duhej kundërshtuar, ndalë e dyshuar. Disa javë më parë, në kuadër të Forumit 2015, ne patëm një tryezë ku torëm çështjen e autostradës. Kritikuam koston, transparencën, mungesën e analizës, financimin e pasigurt dhe efiçencën. Përgjigjet vijuese të udhëheqësve dhe ndjekësve qeveritarë ishin sa shokuese, aq edhe bajate “kush është kundër autostradës është kundër vendit”. Po të mundja, do t’ua vizatoja në ballë se nuk ka as një shqipdashës të vetëm që kundërshton nevojën për rrugë si kjo jona. Burra e gra kanë dhënë jetë, mend e pasuri që një ditë të kemi një rrugë të tillë. Kush jemi ne që të mos japim paratë e taksat tona të brishta. Megjithatë, të njëjtët burra e gra bënë të njëjtat sakrifica që ne një ditë të kemi të drejtën e mundësinë ta duam e mbrojmë vendin e tyre e tonin; e si ka mënyrë më të mirë se të duash e mbrosh vendin nga korrupsioni, ligjthyerja e keqpërdorimi?!
Them korrupsion, ligjthyerje e keqpërdorim meqë në ditën kur u bë prezantimi i kontratës u dhanë mu këto tri elemente që kam frikën se tiparizojnë për së keqi projektin tonë më madhor. Në këto tri argumente, njeriu gjen indinjatë, fyerje të inteligjencës e mllef. Elementi i parë buron nga observimet e “Vetëvendosjes” mbi çmimin e metrit kub të betonit, e që ishte 2.5 herë më i lartë se ai që njeriu me pak mund e gjen në treg. Nuk ka shumë rëndësi se a është çmimi i betonit, zallit apo gurit që vendi i paguan punëkryesit, ka rëndësi se kontrata e prezantuar si më e mira në Ballkan mund të ketë afera të rënda korruptive brenda saj. Jo se duhet habitur. Nëse dikush mendon se në Kosovën që zë vendin e 110-të në Transparency International për korrupsion ka zero aferë korruptive në një projekt qindramilionësh, them se ka humbur keq rrugën. Korrupsion ka, që ç’ke me të; por se sa është shkalla e fryrjes së çmimeve e mbipagesës është mister i pathënë. Nëse observimet e “Vetëvendosjes” janë të vërteta, gjë që unë nuk dyshoj, atëherë dikush dikur duhet dhënë një përgjegjësi.
Elementi i dytë ndërlidhet me kahun e autostradës dhe atë devijim të famshëm. Jo se ka shumë rëndësi ekonomike nga shkon autostrada në një vend që skaj më skaj ka pak më shumë se 80 kilometra, por një tunelizim i përmbajtjes së projektit është falsifikim i rëndë dhe luajte patetike me institucionet e vendit, përfaqësuesit e qytetarëve dhe vetë qytetarët. Sipas hartës që ishte pjesë e kontratës, traseja e autostradës ka qenë e parapërcaktuar madje para dërgimit të projektit në Parlament. Thënë ndryshe, deputetet, përfaqësuesit e popullit, jo vetëm se kanë votuar diçka krejtësisht tjetër nga ajo çfarë është nënshkruar, por kanë votuar kot së koti, meqë në fund traseja ishte parapërcaktuar në kontratë para votimit të tyre. Në një vend demokratik një manipulim e falsifikim i tillë bën një varg dorëheqjesh. Në Kosovë jam i bindur se kalon me një të qeshur prapa shpinës së institucioneve nën kërcëllimet irrituese të dhëmbëve dhe shprehjes “punë e madhe”.
E vërteta e hidhur është se befasia nuk më erdhi shumë nga këto keqpërdorime masive; qershia në tortë vinte nga elementi i tretë, reagueshmëria e institucioneve të vendit ndaj publikimit dhe argumenteve të nxjerra. I dalë në një stil diktatoresk, por si gjynah, me një tekst të tmerrshëm, pa të drejtën e pyetjeve, ministri i Infrastrukturës në vend se të japë kundërargumente ndaj thënieve të ngritura, zgjodhi ta quajë publikimin e kontratës si “sulm ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës” dhe “tendencë për ndalur zhvillimin ekonomik shqiptar”. Sa e mjeruar kjo! Pyes veten nga kur u bë informimi i qytetarëve, i garantuar me Kushtetutë, sulm ndaj institucioneve shtetërore? Prej kur kosovarët nuk kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë e tyre? Sikur ato qindra miliona të ishin lënë pasuri e trashëguar bartëseve të projektit as që do të çanim kokën për to, por ja që janë paratë tona, të aseteve të sotme e ato që do t’i fitojmë nesër. E argumenti “kundërshqiptar” nuk është gjë tjetër veçse një arsyetim i gjorë, i përsëritur dhe i thatë për të mbuluar çdo të zezë të projektit, i cili nga fillimi nisi mbrapshtë. Ore zotërinj, të mos paguash dy-tri herë më shtrenjtë, të mos luash me Parlament, të mos mashtrosh me milet nuk është “antikombëtar”, është thelbi i ruajtjes së vlerave më bazike të një kombi e shteti.
Garda e arsyetimeve patetike vazhdoi të nesërmen nëpërmjet ministrit të Kulturës, i cili argumentonte se publikimet e tilla largojnë investitorët e huaj. Dorën në zemër investitorët vetëm mund të inkurajohen kur shohin fitime të tilla të majme. Nëse Qeveria brengoset aq shumë për investime le të kujdeset për korrupsionin e vet, ambientin biznesor e krimin e organizuar që ka tmerruar investitorët e huaj e jo për një sistem transparent e mbarinformativ qytetar. Thënë të drejtën për rrjepje të tilla nuk kemi nevojë për investitorë fare, rrimë kështu si jemi.
Mundohem të kuptoj panikun që ka marrë Qeverinë këto ditë. Kontrata e prezantuar është mjaft voluminoze e informative dhe domosdo djersit projektuesit vendorë. Për më tepër ajo do të nxjerrë në dritë të dhëna të reja, befasi të reja e gjithsesi edhe vizita të shumta në Vërmicë për të treguar se ky është projekt kombëtar dhe çdo kundërshtim është antishqiptar. Por them se e vërteta nuk ka çmim dhe të njëjtën duhet mbrojtur si të shenjtë. Në fund të fundit e vërteta nëse është e drejtë nuk duhet të trembë askënd. Në anën tjetër, keqpërdorimi i disponimit tonë për projekte që stimulojnë ngritjen kombëtare dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në rajon nuk guxon të merret si ombrellë e pasurimeve personale, shkeljes së ligjeve e institucioneve apo për më tepër mjet i ushqimit të egove korruptive. Kontrata e publikuar shërben skajshmërisht transparencën, përgjegjësinë dhe demokracinë e vendit.
KOHA DITORE, 20 MAJ 2011
LETRA NGA LIMBO
No comments:
Post a Comment