Ne mund të mos dimë se çfarë bën, por e dimë mirë se çfarë nuk bën; dhe nuk bën një tavë mishmashe e ideve, filozofive, projekteve e akteve tjera ndihmuese në kohë të rindërtimit ekonomik. I tilli jo vetëm se prodhon ngecje, por për më tepër dëmton çdo shpresë dhe bazë për rimëkëmbje
Leo është emri i një zyrtari të lartë administrativ të misionit EULEX, i bërë i famshëm për së mbrapshti javë më parë. Ky far Leo thuhet të ketë abuzuar me stafin lokal, të ketë fyer në baza raciste shqiptarët, flamurin e tyre të ketë përdorur për pastrimin e nevojave fiziologjike, të ketë shfaqur kënaqësi me vrasjet e tyre nëpër kohë, e të ketë kërcënuar me largim nga puna të gjithë ata që kanë menduar ndonjëherë të thonë atë që kanë dëgjuar nga ai. Leo nuk më brengosë! Mund të jetë një emër random, një parazit që vazhdon të ushqehet me paaftësinë tonë për të mbajt shtet. Leo mund të jetë një i paaftë që në kampionatin e të paaftëve do të zinte vendin e fundit meqë aq i paaftë është. Mund të jetë një kacabu që shëtit në batakun e problemeve tona; e meqë mban titull jo impresiv fatmirësisht mund të jetë një hiç që nuk ka pasur ndonjë fuqi vendimmarrëse për vendin. Leo është thjeshtë një vajtues melankolik që si ka në hatër shqiptarët. Të tillë ka mjaft, kjo nuk duhet të më brengosë. Më brengos ideja se ky dhe Leo’t tjerë, ndonjëherë, nga fatkeqësia jonë e të pasurit fatin e djeshmit e të sodit, mund të kenë pasur dje e sot rastin për të vendosur për ne. E kur dikush si Leo vendos për këtë vend timin të shkretë atëherë kjo më brengosë.
Jo se mërzitem nga prezenca ndërkombëtare në Kosovë. Leo asesi nuk mund të thirret si surrogat i tyre, është thjeshtë një defekt i kontributit ndërkombëtar në vend, në kohë kur mbijetonim për ekzitencë e në kohë kur jetojmë për shtet. Prezenca ndërkombëtare është dhe ka qenë domosdoshmëri për ne, ata ishin dado e rritjes sonë. Jo se mërzitem shumë as për reputacionin e EULEX-it. Ata ashtu kështu kanë thyer rekordin e a-disponueshmërisë së kosovarëve; ndonëse ende nuk arrij të kuptoj se si një mision aq i pëlqyer fillimisht të amortizojë këtë disponim më thellë e më keq se që e kishte bërë UNMIK-u. Paaftësia e tyre për të prodhuar rezultate është kthyer në fabrike pesimizmi në sytë e kosovarëve. Mërzitem vetëm për fuqitë e të tillëve si Leo për të vendosur madje edhe për fatin më të vogël tonin.
Ky far Leo më ktheu filmin bukur mbrapa, në kohën kur ndërkombëtarët morën timonin e zhvillimit tonë politik, ekonomik e kulturor. Për të satën herë, jo se duhet bërë ndryshe. Vaj halli për ne po të mos ishin ata. Por nëse çdo fis ka një pis, në fluksin e ndërkombëtarëve ne patëm me bollëk. Kompleksiteti i misioneve ndërkombëtare në emër të një uniteti “balerinash” mbi nevojën për përfaqësim gjithë kontinental, racor, religjioz, kulturor, fushor, kodrinor e Zoti e di çfarë tjetër bëri që Kosova të mbante në vete nga idetë më të ndryshme filozofike zhvillimore të prodhuara prej Marksit e deri te Smithi, nga Muhamedi e deri te Krishti, prej Aleksandrit të Madh e deri te Xhingis Khan-i, për tu përzier të gjitha më pas në një vorbull të administratorëve “unmikez” e rezultuar në politika zhvillimore absurde dhe objektiva edhe më absurde, diçka si ato 8 standardet që as shteti më utopik në mijëvjeçarin e largët prej sot nuk do të mund ti përmbushë. Mu kjo përzierje e filozofisë ndërtuese, me theks të veçantë e qasjes ekonomike në një treg të virgjër, natyrshëm u bë sherr i vetës, barrierë serioze me pasoja epike. Sado e dhimbshme të duket kjo praktikë e jona, ajo sot mund ti shërbejë bashkësisë ndërkombëtare në misionet e saja të ardhme, në Irak sot, e në Libi nesër. Ne mund të mos dimë se çfarë bën, por definitivisht e dimë se çfarë nuk bën; dhe nuk bën një tavë mishmashe e ideve, filozofive, projekteve e akteve tjera ndihmuese. Rindërtimi ekonomik i tillë i jo vetëm se jep ngecje, por për më tepër dëmton çdo shpresë dhe bazë për rimëkëmbje.
Leo kishim edhe në kohën kur procesi i privatizimit të vendit, në vlugun e tij më të lartë, në pikun e tërheqjes së investimeve të huaja, u ndërpre nga një grua me emrin Marie Fucci që thirrej në jo-pronësinë e kosovarëve në asetet e tyre, gjithmonë për të favorizuar thirrjet e Beogradit. Ishte koha kur Kosova kishte vëmendjen e investitorëve të huaj e kur kapitali po vërshonte regjionin. Në kohë të paqartësive mbi statusin final të vendit, ndërprerjet e tilla kishin trembur çdo tendencë investive. Marie Fucci është vetëm një femër e zgjedhur rëndom nga një masë destruktive vendimmarrëse ndërkombëtarë të kohës. Aspak më të mirë nuk ishin të tjerët në Shtyllën e IV, njerëz që silleshin si Zot të ekonomisë kosovare.
Leo të shumtë e të shurdhur ndaj thirrjeve tona kishte deri në vitin 2006, në marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje. Kujtoni se na u deshtë të presim plot 7 vite për të vënë reciprocitet ndaj Maqedonisë që vinte akciza 26% në çdo produkt kosovar, deri sa ne për produktet e tyre venim marrëzisht vetëm 1%. Dhe ky trajtim i pabarabartë është shkaku kryesor pse ne sot kemi disbalanc enorm në relacione tregtare me vend; ne i kemi mbytur bizneset tona, natyrshëm që tash duhet kohë dhe mund për ti rifunkcionalizuar ato.
Leo të shumtë kemi pasur në KEK me milionat e shumta të fshehura në bankat e Gjibraltarit. Ju Kujtohet gjermani Jo Trutschler, një nga menaxherët e lartë të KEK-ut, e që sot vuan burgun për paratë e vjedhura në vitin 2003? Për fatin tonë të mirë, Jo ishte kapur, po sa Jo të tjerë kanë ikur? Leo të shumtë kishim edhe në menaxhimin e PTK-ës; me Ronnen Sorensen e Norway Invest i dënuar për keqpërdorime të majme të parasë së asetit më të famshëm publik në vend. Sorensen më pas kishte hapë një ueb të tij me arsye se pse nuk duhet investuar në Kosovë.
Leo të shumtë kemi sot në menaxhimin e CEFTA-s, ata që thirren neutral ndaj statusit tonë politik e me këtë edhe ndaj mundësisë për prosperitet ekonomik, njerëzit e “unmikistanit”. Janë të njëjtit që për vite të tëra mbajtën zhvillimin ekonomik të Kosovës në status-quo e që sot bëhen barrierë serioze (për fajin tonë) në vazhdimin e kësaj gjendje në pafundësi. Leo kishim atëherë kur të gjitha paratë e privatizimit i larguam nga tregu i brendshëm për ti bllokuar diku në bodrumet e bankave evropiane me norma interesi komike. Leo kemi sot në Veri të vendit që vazhdojnë të jenë të verbër përball informalitetit më ashiqar në mbarë Evropën. Kishim edhe Leo rumun që vranë protestuesit tanë pa pikën e brengës për tu larguar më pas pa një therrë në këmbë. Leo kemi dhe sot në të gjitha projektet e mëdha kapitale të vendit. Kujtoni deklaratën e fundit të ish-Ministres Shiroka-Pula që skicoi bukur interesat e këshilltarëve ndërkombëtarë me bizneset potenciale investuese në vend, gjithmonë në dëm të kosovarëve. Nuk dyshoj se të tillë do të kemi nesër në privatizimin e PTK-së e pasnesër në atë të Trepçës. Madje për këtë të fundit tashmë është vonë. Caktimi i administratorëve ndërkombëtar dhe ideja për komercializim të pjesshëm pa ndonjë bazë analitike është një hap që hapë më shumë dyshime se sa optimizëm; sidomos në kohë kur vendi ka institucione vetanake.
Kosova ka pasur dhe do të ketë plot Leo. Kemi pasur e kemi meqë nuk dimë më mirë, se duhet të na mësojë dikush si të sillemi si patriot ndaj vendit, vizionarë ndaj nevojave ekonomike, e jo-lakmitarë ndaj parasë publike në benefit të egos së tmerrshme korruptive. E deri sa nuk dimë të bëjmë më mirë, atëherë kacabu si Leo do të kenë shanse të fshijnë mbeturinat fiziologjike me flamurin tonë.
KOHA DITORE, 6 MAJ 2011
LETRA NGA LIMBO
No comments:
Post a Comment