Një vlerësim post-tranzitor në Kosovë dhe Shqipëri të bën të kuptosh se tregjet respektive vazhdojnë të mbajnë fundin e listave të konkurueshmërisë dhe si të ndara kanë pak gjasa të impresionojnë
“Tani, i shtoni Kosovën kësaj toke të 1913-ës. Puna nderon menjëherë dhe qindpërqind. Kosova është krejt një fushë pjellore me bjeshkë të blerta, siç thotë vjershëtori. Klima krejt e favorshme për bujqësi. Lartësia e tokës 900 metra. Lumenjtë nuk i mbytin me ujë tokat. Grurë, misër e drithëra të tjera prodhohen shumë. Bujqësia është më e përparuar sesa tek ne. Njerëzit janë të shëndoshë, të fortë dhe punëtorë. Këtu ne e bëjmë hesap prodhimin me tagar, me qese e me karroqe. S’ia kemi arritur akoma kuintalit si masë. Në Kosovë e bëjnë hesap me vagon!” Janë këto rreshtat e Nebil Çekës, të shkruara më 1942 në një ese impresionuese që tjerr mirë nevojën e bashkimit ekonomik shqiptar, ndryshe nga ngjyrimet nacionaliste çfarë ne dëgjojmë në vazhdimësi, e përtej retorikave të panumërta që na çajnë kokën ditë e më shumë. Ndonëse tokat e Kosovës që atëherë mund të kenë harruar se çfarë është gruri e misri, se njerëzit e kësaj toke mund dhe mos të jenë aq të fortë e punëtorë, parimet e kësaj ideje 70 vite më pas mbesin plotësisht valide. Çeka vë bashkimin e tregjeve nën llupën e argumenteve të pastra ekonomike mbi principet e një tregu të përbashkët shqiptar e që në thelb jep një sinergji nga theksimi i përparësive krahasuese të dy vendeve, një kulmim i ndërlidhjeve të dijes, teknologjisë e fuqisë punëtore.
Përtej nacionalizmit shkumues, shkrepjeve pas këngëve me sharki, ndërtimit të vendit në tingëllimat e çajit rus, e ndjenjës të superioritetit nacional të shqiptarëve të Kosovës ndaj atyre të Shqipërisë; dhe përtej një indiference nacionaliste të mbrapshtë, përtej një mbi-vetëvlerësimit të gabuar në dije, keqardhjes së paarsyeshme dhe tendencës mbizotëruese të shqiptarëve nga Shqipëria ndaj atyre të Kosovës, fokusi i Çekes ka mbetur i virgjër e asnjëherë i mbështetur apo nisur nga cilado anë. Sa për rekord, në logjikën e lirisë dhe liberalizmit tregtar nuk duhet pasur as edhe një arsye e argument valid në nxitjen e shkëmbimit të mallrave, lëvizjes së kapitalit e njerëzve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më shumë se në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë apo Indonezisë. Në fund të fundit liria e lëvizjes është domosdoshmëri e një funksionimi ekonomik logjik, efiçent e zhvillues dhe si i tillë duhet të formësohet pavarësisht orientimeve të diktuara nga qeveritë apo shtetet. Bizneset gjejnë profitin aty ku shohin arsyen e asesi aty ku i thuhet se duhet kërkuar një. Megjithatë, brenda kornizave liberale të tregtisë në mes të vendeve ka hapësirë për argumentim ekonomik, dhe ky argumentim nënvizon rezonin se dy vendet duhet orientuar drejt një tregu më uniform, më përqafues dhe më të fuqishëm ekonomik, meqë të njëjtit, si një, janë më konkurrues, më zhvillimor dhe më fitimprurës. Në fund të fundit, të dy tregjet kanë shumë tipare të përbashkëta dhe herët a vonë bashkimi i tyre ekonomik është i pashmangshëm, jo për arsye politike, as nacionaliste, as vullnetare, por thjeshtë për shkak të eficencës dhe sinergjisë.
Gjuha, kultura, vullneti dhe në fund miqësia e dy tregjeve janë disa nga elementet parësore në këtë argumentim. Bizneset nga të dy anët do të kishin barriera socio-demografike pothuajse nul në krahasim me çdo treg tjetër potencial në rast të një kohezioni. Në anën tjetër, vullneti dhe gatishmëria për bashkëveprim vetëm se do të materializonte këtë potencial, për të dhënë në fund produkte dhe shërbime më kualitative dhe më të lira, e me këtë dhe më konkurrente në tregjet tjera rajonale.
Por ja që ndjenja dhe shpresat për një treg të vetëm shqiptar si duket kanë ngecë dukshëm. Bilancet tregtare në mes të vendeve janë tmerruese përballë potencialeve; të dyja tregjet duken larg njëra-tjetrës. Përpjekjet institucionale ndërkohë kanë përfunduar në një asfalt të shtruar mirë e bukur, thuajse kështu na jepen zgjidhjet për kohezion ekonomik; ndonëse duhet thënë se ky asfalt është vepra më bazike e çfarëdo këmbimi të pritur, krahas nevojës për një hekurudhë të re apo linja ajrore më të shpeshta. Këtu nuk duhet hyrë në hak as gjenerozitetit të Shqipërisë për portin e Shën Gjinit, por ja që funksionalizmi i tij kërkon para që Kosova nuk ka ku ti marrë e si ti bëjë.
Miliardat e dhëna nga të dy anët duket se nuk përkojnë me vullnetin real të vendeve. Për të pasur fotografinë e qartë se nga shkojmë, kujtoj lëvizjen e fundit të Shqipërisë për të vendosur një strukturë të re tarifore ndaj të gjitha shteteve nënshkruese të marrëveshjes së lirë tregtare, CEFTA-s, me përjashtim të Kosovës. Me fjalë të tjera, përveç ndaj Kosovës, Shqipëria do të aplikojë zero tarifë doganore ndaj çdo biznesi nga ky vend që importon në tregun shqiptar produkte industriale. Mund të kuptoj arsyet politike brenda CEFTA-s që potencialisht ndalojnë participimin e Kosovës në këtë rang vendesh, por në fund të fundit Kosova dhe Shqipëria mund të lidhin marrëveshje tregtare mbi kuotat, tarifat e taksat tjera pa pyetur askënd, me një vullnet të vetëm dypalësh. Ndërkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është edhe më i rëndë kur shihen kuotimet nga të dy palët, por me theks të veçantë ato të Shqipërisë për bizneset kosovare. Në vend të një unifikimi tregtar, heqjes së barrierave jo-tarifore dhe vënies në dukje të përparësive krahasuse në mes të vendeve, shqiptarët në të dy anët e kufirit vendosin kufij. Ky kufi bëri që vitin e kaluar të kemi kalbjen e patateve kosovare vetëm për shkak të ndalesës në eksport të vënë nga Shqipëria. Mu atëherë kur bizneset e shkreta të Kosovës arritën pak aftësi eksportuese, Doganat e Shqipërisë u dhanë një shuplakë duke u vënë kufizime në sasinë që mund të importohej në tregun e tyre.
Bizneset duket se hezitojnë të provojnë tregjet respektive. Të pakta janë rastet e tilla, ndonëse Shqipëria duket se ka një prezencë lehtësisht më të madhe në tregun kosovar. Ndërmarrjet nga Shqipëria në fushën e IT-së, ndërtimtarisë, medias dhe së fundi në tregun financiar janë mirë të themeluara në Kosovë. Ndërkohë shumë më të pakta janë bashkëpunimet në investime të përbashkëta kapitale. Më duhet të mendoj gjatë që të gjejë një ndërmarrje në bashkëpronësi të shqiptarëve nga dy vendet, edhe pse një bashkëpronësi e tillë do të duhej të ishte një formulë suksesi. Besoj se barrierat e shumta në shtruarjen e veprimtarisë, pabarazitë fiskale si dhe kostot tjera burokratike në të dyja vendet për palën tjetër, janë shkaqet prapa një ngecje të tillë. Përveç kësaj risku që dy vendet krijojnë për investitorët e huaj është mbytës. Kujtoni avullimin nga 30 në 3% të aksioneve të PTK-së në operatorin e telefonisë mobile të Shqipërisë dhe çfarë sinjale dërgon një avullim i tillë tek investitorët tjerë nga Kosova. As më e mirë nuk është sjellja e konsumuesve ndaj produkteve të kundërta. Duket se dy palët kanë tendencë tejet të rezervuar.
Këmbimi tregtar i sodit dhe politikat në këtë drejtim mund të jetë një goditje e rëndë për potencialet e një tregu të përbashkët, por edhe më keq ka qenë dhe është tregu energjetik. Kujtoj se Kosova dhe Shqipëria kanë pasur në vazhdimësi probleme enorme energjetike përgjatë dekadës së fundit. Përkundër kësaj ato nguruan të ndërtojnë një “autostradë energjetike”, transmetuesin ndër-shtetëror, që kushtonte jo më shumë se dyzet milionë euro por kursente miliona të tjera. I njëjti do të jetësonte shkëlqyeshëm idealizimin e idesë së përparësive krahasuese, kur gjatë dimrit Kosova do të merrte tepricën e Shqipërisë e gjatë verës Shqipëria do të pranonte me po aq dëshirë tepricën e Kosovës, për të cilën shpeshherë kjo e fundit ka paguar dënime meqë po e plasonte në rrejt rajonal përkundër kërkesës së ulët. Në vend të kësaj ne kemi vendosur ndryshe. Kujtoni sa para i jep në vit Kosova fqinjit të saj verior, Serbisë, për blerjen e energjisë elektrike, madje e paguan atë dhe me TVSH meqë i njëjti e konsideron Kosovën si pjesë integrale të saj. Projekti i “autostradës energjetike” fatmirësisht morri hovin javën që shkoi, por them sinqerisht të humbura koti janë dhjetë vite të plota; ndërkohë skam se si mos të shpreh pesimizmin kur mendoj në neglizhencën e zakonshme që kanë gjasa të tregojnë të dy vendet.
Vullneti për liberalizim ekonomik mund të jetë ose jo në të dyja anët. Unë besoj se i ai duhet dhe do të ndodhë herët a vonë. Përtej deklarimeve dhe fryrjeve nacionaliste, që një mik i imi dhe juaji, z. Halil Matoshi, i quante me të drejtë “turbofolkizëm”, them se është domosdoshmëri materializimi i potencialeve ekonomike nga ndërveprimi i dy vende. Për këtë është imperative heqja e të gjitha barrierave mes dy tregjeve dhe unifikimi i tyre në emër të një liberalizmi që liderët politik nga të dy vendet e promovojnë me plot gojë ndaj tregjeve tjera por asnjëherë ndaj njëri tjetrit.
KOHA DITORE, 13 MAJ 2011LETRA NGA LIMBO
No comments:
Post a Comment