Kam përshtypjen se për fatin tonë të ligë, miratimi i buxhetit do të ecën hapave të njëjtë të proceseve të fundit, me një “shumice” pakicë, me një shtytje puro partiake, me mungesë të konstruktivitetit e mosndërtmit të koncenzusit dhe me popullizëm të pashoq nën petkun e pagave që siguruan disa mijëra vota. Ky popullizëm fatkeq do të identifikojë taboret në dy, ku të gjithë që kundërshtojnë buxhetin shihen si kundërshtarë të pashpirt të mësimdhënësve, policëve, mjekëve e shërbyesve civil; e ku të tjerët mendojnë për prosperitetin ekonomik, ngritjen e mirëqenies dhe për shpërndarjen e drejtësisë. Kam frikë se problemi i financave publike është shumë më i thellë se një ngushtim i tillë ngufatës.
Parametrat e paraqitur në projekt-buxhet kalojnë disa kufij realist. Së pari rritja e të hyrave prej 20% është për tu kontestuar. ATK dhe Doganat në dy muajt e parë me pompozitet proklamuan ngritjen e të hyrave për 22 % krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar, thuajse kjo mjaftonte për të na bindur neve pak dhe FMN-ën më shumë. Çfarë ata nuk treguan është fakti se në Korrik të 2010-ës ne kemi aplikuar një akcizë të re, dhe me këtë edhe kemi rritë të hyrat (bashkë me çmimet). Krahasimi i Janarit 2011 që ka këtë akcizë, me Janar 2010 pa të, është i pakuptimtë dhe statistikisht i parëndësishëm.
Shitja dhe mbledhja e 300 milionëve në këtë vit nga PTK-ja duket po ashtu pak realiste marrë imazhin ekonomik të vendi dhe kohën e nevojshme për një transakcion të tillë; por edhe më pak realiste janë ndihmat e ndërkombëtarëve. Së pari, vizita e fundit nuk ishte një inspektim për marrëveshje të re që do të dërgonte raportin final në Bord të FMN-së për aprovim ose jo të pjesëve të mbetura të ndihmës së famshme prej 108 milionë euro të nënshkruar vitin e kaluar. Kjo vizitë ishte vetëm njoftuese. Dërgesa në Bord kërkon vizitë të re, kohë të re dhe domosdoshmërish vonime të reja. Kujtoj se kjo ndihmë ishte ofruar pas nënshkrimit të marrëveshjes së vjetshme dhe ne veçse kemi marre këstin e parë prej 21 milionësh. Këstin e dytë dhe të tretë ne e kemi të ngrirë meqë kishim shkelur marrëveshjen në tetor dhe për më tepër nuk kishim institucione për dy muaj të plotë. Marrja e kësteve “të humbura” në mënyrë retroaktive lidhet me raportime të rrepta, përcjellje të proceseve të rënda të cilat Kosova ka gjasë të mos i bëjë asnjëherë. Mosmarrëveshja e tanishme, e që është thënë qartë e mirë në deklaratën e Fondit se ka ngecë, duket se do të qëndrojë si e tillë për një kohë të gjatë. Nëse deri në mbledhjen e Bordit të gjysmëvitit ne nuk kemi pajtueshmëri të re atëherë i themi lamtumirë 40 milionëve të ngrira dhe 47 të mbetura. Dhe këtu fillon dominoja e humbjeve të ndihmave. Ne më pas rrezikojmë 27 milionë nga Banka Botërore dhe rreth 50 milionë nga Komisioni Evropian. Të parat kërkojnë miratimin 2/3 e Parlamentit e me ndarjet e tanishme dyshoj në koncensuz dhe marrje të tyre. Të fundit janë edhe më të pasigurta. Vitin e kaluar ne kishim planifikuar të mbledhim rreth 65 milionë euro nga po i njëjti burim ndërkaq fundvitin e kishim mbyllur me vetëm 30 milionë. Ketë vit marrja e 50 milionëve të planifikuara do të jetë mision i pamundur, sidomos pas mospajtimeve në relacion me ngritjen e pagave.
Buxheti çalon dukshëm edhe në shpenzimet e veta. Pagat ndonëse janë rritur për 23%, ato do të mbesin të pandryshuara për 3 vite të plota. Në vitin e parë ato janë 383 milion, në të dytin bëhen 385, e në të tretin 389 milionë. Ato rriten për vetëm 0. 5% në vitet në vijim. Ngurtësimi i tillë ka disa implikime të rrezikshme. E para, mos përshtatja e pagave me norma të inflacionit i bën përfituesit e tyre prapë më të varfër. Nëse gjatë këtij viti ndodh, e sipas të gjitha gjasave po, që vendi ynë të ketë inflacion mbi 5.5% atëherë qysh në 2012 përfituesit publik bëhen më të varfër për aq. Nëse ritmi vazhdon edhe në 2013-ën e 14-ën atëherë varfërimi vazhdon më tutje. Në një skenario të tillë do të ishte e udhës sikur pagat të rriteshin gradualisht nëpër vite e me këtë të amortizojnë edhe inflacionin por dhe të sigurojnë qëndrueshmërinë buxhetore e pse jo edhe mos-shitjen me nguti të aseteve nacionale. Në fund të fuqia e tyre do të ishte e njëjtë vetëm se këtë herë ecim më sigurt dhe nxjerrim fitim më kualitativ nga asetet.
Por problemi me pagat nuk mbaron këtu. Të gjithë ata që nuk i prekë rritja në këtë buxhet, do të mbesin në stad të njëjtë deri në 2014-ën me gjithë ndikimet inflacioniste. Unë dyshoj se ne do të jemi në gjendje të i mbajmë pagat e pandryshuara për ta sidomos tani kur kemi filluar ciklin e ngritjeve. Nëse asgjë tjetër ne kemi nxitur protesta të njëpasnjëshme.
Buxheti i njëjtë është tejet shpenzues. Mbi 839 milionë euro jepen si paga, subvencione dhe mallra e shërbime. Si mund të quhet një buxhet i tillë zhvillimor?! Për të zbutur këtë tërësi rrëqethëse, qeveria investon rreth 448 milionë euro në investime kapitale dhe rreth 124 milionë tjera investohen nga niveli komunal. Këto investime kapitale janë të llojeve nga më të ndryshme, nga rrugët, shkollat e deri te parkingjet e ndërtesave qeveritare. Por e veçantë e kësaj shume janë investimet rrugore që janë rreth 260 milionë. Prej këtyre 225 janë për autostradë, ndonëse nuk janë përfshirë ende kostot e eksproprimit. Sinqerisht nuk arrij ta kuptoj se si e kanë menduar këta zotërinj mos-pagesën e këtyre shpenzimeve domosdoshme për ata që japin pronën e tyre por le të mbetët kjo pjesë e një diskutimi tjetër. E rëndësishmja këtu është se këtë vit, dhe vitet në vijim ne duhet të harrojmë çdo rrugë tjetër nga pushteti qendror. Këtë vit rrugë të reja do të jenë vetëm 8 milion euro apo dy herë më shumë se pagat dhe mëditjet e deputetëve të Parlamentit. Pjesa tjetër janë rrugë të mbetura nga 2010-ta. Mirëmbajtja dhe rikuperimi i rrugëve as që është menduar në këtë buxhet.
Po i njëjti buxhet nuk reflekton dot në tre ligje të Parlamentit që do të duhej të ishin obligim për Qeverinë e vendit: Ligji për Veteranët, Ligji i Punës dhe Ligji i të Burgosurve. A do të thotë se ne do të mund ti akomodojmë interesat e këtyre grupeve pa implikime të reja buxhetore? Edhe më pak përfshihet kostoja e themelimit të sistemit të sigurimit shëndetësor. Ky buxhet na thotë se për 3 vitet e ardhshme ne do të vazhdojmë të jemi të vetmit në Evropë pa një sigurim të tillë. Aspak më mirë nuk është as bujqësia që do të ketë buxhet më të ulët se Ministria e Kulturës. E tmerrshme duket edhe shpërndarja regjionale e buxhetit që nuk merr parasysh aspak nevojat zhvillimore por prejardhjen e votave. Deri kur me këtë provincialitet patetik?
Marrë parasysh rrezikshmërinë e gjenerimit të burimeve të financimit të deficitit, një stabilitet financiar do të kërkonte vendosjen e “safeguards” apo siguresave mbrojtëse që do të paralizonin seksione të caktuara shpenzuese nëse shohim se kemi mbetur pa para; si psh ndërprerjen e punëve në autostradë, ngrirjen e rritjeve të pagave apo ngrirjen e investimeve tjera kapitale. Buxheti i vendit në asnjë moment nuk parasheh ndonjë risk, madje është i luluar me fraza poetike. Parashikueshmëria e risqeve do të vendoste rrjedhimisht edhe daljet emergjente që duhet të jenë normale për një vend normal. Ne ose jemi të shkëlqyer në parashikim dhe nuk brengosemi për të papriturat, ose jemi të humbur e naiv e me këtë rrezikojmë çdo inç të ardhmërisë sonë. Unë e besoj këtë të fundit.
KOHA DITORE, 25 Mars 2011
Letra nga Limbo
Friday, 25 March 2011
ME KAMIKAZ NE QORRSOKAK
Projekt buxheti prodhon deficit të thellë, humbje të ndihmave financiare, shitje të aseteve, nxitje të protestave, thyerje të orientimeve strategjike e për më tepër paqëndrueshmëri të plotë në vitet në vijim dhe si i tillë duhet refuzuar
Mu atëherë kur mendojmë se problemet e paradokset e vetë-krijuara marrin fund, na dalin disa kamikaz që thyejnë qafën e tyre, tonën, e të gjithë vendit pa bërë as më të voglin hesap për konsekuencat që i vënë perspektivës ashtu kështu të zymtë të kësaj cope toke që mezi quhet shtet. E tmerrshmja e këtyre kamikazëve, që buron pritshëm nga vet natyra e tyre, bie mbi shpinën e të tjerëve, atë të kosovarëve. Aspak më ndryshe nuk duket as buxheti i aprovuar pa kurrfarë diskutimi në mbledhjen e Qeverisë dhe si i tillë i dërguar në Parlamentin e Republikës për miratim final. Në po të njëjtin buxhet njeriu gjen më shumë arsye për refuzim e shumë pak për ta pëlqyer. Buxheti i tanishëm vuan nga gjashtë elemente thelbësore e që do të duheshin të jenë të mjaftueshme për ti bindë deputetët e vendit që ta kthejnë prapa. Aprovimi i tij ndërkaq është futje në qorrsokak.
Le të nisemi nga argumenti i parë. Buxheti shkel rrënjësisht rregullat më të rëndësishme financiare të Bashkimit Evropian ku deficiti buxhetor nuk guxon të kalojë 3.5% e GDP-së; ky i yni arrin në 5.2%. Qeveria planifikon të inkasojë 1.2 miliard euro apo 140 milionë më shumë se vitin e kaluar; dhe të ketë një shpenzim rekord për vendin prej 1.4 miliardë euro apo 230 milionë më shumë se vitin e kaluar. Në këto vija projekt-buxheti sheh një deficit primar prej 170 milionë euro. Shto këtyre edhe kreditë për ndërmarrjet publike atëherë deficiti i përgjithshëm na bëhet hiç më i paktë se 226 milion euro. Thënë këtë, është shumë e qartë se edhe në rastin më optimist produkti final është thjeshtë deficit i rëndë dhe si i tillë i rrezikshëm për vendin. Po të ishim vend anëtar i BE-së buxheti me parametra të tillë deficitar nuk do të kishte as gjasën më të vogël për diskutim e lëre më për aprovim. Dhe ka një arsye të shëndoshë këtu. Greqia dhe Irlanda kishin kaluar këto kufizime për të përfunduar më pas në kolaps epik.
Argumenti i dytë lidhet me marrëveshjen me FMN, burim thelbësor i financimit të deficitit. Nuk ka kaluar shumë kohë që kur Kosova kishte marrë pëlqimin për anëtarësim në FMN përkundër presioneve politike nga vendet më kontribuuese në këtë fond. Ky pranim u tha e u ritha si arritja më e madhe e Qeverisë pas shpalljes së pavarësisë. Se si arritëm që këtë arritje historike ta minimizojmë e sot ta quajmë si irelevante është çudi e kohës. Besoj se ka një shpjegim sa logjik aq edhe irritues rrugëtimi jonë në këtë pikë. Ky rrugëtim fillon nga një thënie me vend e shqiptarëve se me këmbë të majtë punët nuk nisen. Kur në Dhjetorin e fundit dëgjuam premtim-vendimin (më vonë të shpallur anti-ligjor) për rritjen e pagave ishte mjaft e qartë se mbarë assesi nuk po nisnim vitin. Ne kishim thyer një marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare dhe disa muaj më pas ne kuptojmë se marrëveshja e re është e paarritshme. Deklarimet e fundit të FMN-së se nuk kanë pajtueshmëri për buxhetin e vendit nënkuptojnë humbjen e 167 milion eurove dhe krijimin e një deficiti edhe më të rëndë. Këto elemente janë të mjaftueshme për ta refuzuar buxhetin, por kjo si duket nuk e ka penguar Qeverinë që ta aprovojë atë dhe për më tepër të kërkojë edhe miratimin e Parlamentit. Unë habitem se si Qeveria e vendit mund të aprovojë para që si ka. A ka marrëzi më të madhe se të marrësh vendim se si ti shpenzosh paratë e huaja?! Këto 167 milionë ende nuk u janë garantuar Kosovës dhe ka gjasa reale që të humben. E nëse humben atëherë parlamentarët tanë kanë një buxhet tërësisht ndryshe nga ky i sodit, aspak të qëndrueshëm dhe domosdoshmërisht që meriton refuzim.
Argumenti i tretë buron në lidhshmërinë e buxhetit të këtij viti me shitjen e PTK-së. Shitja si duket është bërë pjesë integrale e tij. Kujtoj se një orientim i tillë është strategjikisht i gabuar. Vendi ynë duhet të ndajë proceset privatizuese, sidomos ato të aseteve nacionale, nga proceset buxhetore meqë ashtu ne nuk nxjerrim më të mirën prej tyre. Përveç kësaj caktimi i shumës 300 milion euro është amatorëllëk i paparë meqë vetë-zhvlerëson PTK-në dhe asetet e saj. Cili investitor do të ofrojë një euro mbi këtë shumë kur din pritjet tona. Amatorëlluku nuk përfundon këtu fatkeqësisht. Planifikimi se këto 300 milionë do të merren brenda 2011-ës është iluzion sui-generis. Edhe po të shesim PTK-në sot, inkasimi i këtyre milionave nuk do të bëhej menjëherë në vitin e parë meqë nuk ka investitor në botë që vjen me dy-tri çanta kesh 300 milion euro dhe na jep ato si peshqesh. Edhe në rastin më optimist kjo shumë do të ndahej nëpër vite, e mos-marrja e tyre natyrshëm thellon deficitin.
Argumenti i katërt dhe më i nxehti është ai i pagave, premtimit për rritje dhe kërcënimit për protesta. Le ta kemi të qartë, pagat nuk do të rriten për 30%, as 40% e hiç se hiç 50%. Ja pse. E ulur përballë atyre që marrin vesh dhe e vetëdijshme për borxhet që kishte futur vetën, Qeveria kuptoj se një rritje e tillë ka kosto mbi 140 milionë euro. Kjo natyrshëm duhej zvogëluar, por për projektuesit ishte e rëndësishme mos prekja e konceptit “rritje prej 30, 40 e 50 përqind”. Se ku, si e sa do të thotë kjo rritje ishte irelevante. E vetmja mënyrë për të bërë një gjë të tillë ishte kthimi prapa në pagën bazë të shërbyesve publik të disa viteve më parë. Shtimi i një fjale “në pagën e parë bazë” kishte zvogëluar koston e rritjes në 72 milion euro, apo nga 311 në 383 milionë, për të prodhuar kështu një rritje mesatare prej 23%. Me fjalë të tjera qeveria i ulë pagën shërbyesit publik, ja llogaritë rritjen në përqindjet e premtuara mbi këtë ulje dhe jep një pagë të re. Çështje e lojërash numerike them unë. Por unë kam drojën se përfituesit e tyre kur të shohin llogaritë bankare në fund të muajit do të dëshpërohen nga rritja e bërë meqë për ta 50% është 50% dhe rritja e pagave nënkupton paratë që i marrin tani e jo që i kanë pranuar vite e vite më parë. Kjo edhe mund të ngjallë pakënaqësitë sociale që duket se kanë një fitil të vetëm.
Argumenti i pestë ndërlidhet me konfrontimin e këtij buxheti me Kornizën Afatmesme të Shpenzime e cila është miratuar dhe aprovuar nga Parlamenti i vendit. Një miratim parlamentar nënkupton se Qeveria nuk guxon të kalojë kufizime e dhëna, ose për të bërë atë duhet ri-kornizuar shpenzimet afatmesme e më pas si të tillë ta aprovojnë në Parlament. Tek atëherë mund të vendosej një buxhet i ri. Shkelja e këtyre procedurave ligjore është më tepër se një shkelje. Është tregues i mungesës së vizionit për planifikim afatgjatë dhe ecje strategjike e vendit dhe financave të tij.
Argumenti i fundit ka të bëjë me paqëndrueshmërinë dhe obligimet që ky buxhet krijon në vitet në vijim. Ndonëse këtë vit kemi 300 milionë të PTK-së, 167 të ndërkombëtarëve dhe një super performancë në margjinë prej 20% nga Dogana dhe ATK, çfarë do të kemi në 2012 e 2013-ën, kur shpenzimet do të mbesin të njëjta po ja që më nuk kemi asete tjera për të shitur e mesiguri edhe ndihma më të pakëta. Ku dhe si do ti financojmë deficitet vijuese? Si duket parashikimet tona janë aq të shkurta sa edhe humbin arsyeshmërinë e me këtë edhe nevojën për aprovim të tyre.
Deputetët e vendit duhet ti thirrin mendjes dhe projekt buxhetin e vënë në tavolinën e tyre duhet ta kthejnë mbrapa. Votimi i buxhetit të tillë është luajtje në zare me gjithë fatin e vendit. Përgjegjësinë dhe pasojat dikush dikur duhet dhe do ta marrë.
KOHA DITORE, 18 Mars 2011

Monday, 14 March 2011
EDHE NJË REGRES
Kur nga ndërkombëtarët trumbetohej nevoja për Qeveri me duar të pastra, në një diskutim miqsh si në habi po peshonim modestinë e objektivave që na viheshin para. Një vend tranzitor me nevoja emergjente e sfida nga më të rëndat kishte një objektiv tejet normal. Nga ne nuk kërkohej vënia e njerëzve reformues, progresiv e të punës por thjeshtë disa që mund të përmbushin një objektiv të vetëm: mos-vjedhjen. Gjatë kësaj jave Banka Botërore doli me rangimin e saj më të famshëm “Doing Business 2011”. Për të keqën tonë, të vendit tonë, ky rangim Kosovën e vuri dukshëm më rëndë se vitin e kaluar, pra konstatoj regres. Stagnimi me të vërtetë na qenka arritje në Kosovë.
E në këtë frymë rënëse njeriu nuk ka si mos ta pyet vetën se si është e mundur që qindra miliona euro paga e shpenzime në vjet për Qeverinë e Parlamentin, e mbi 25.000 shërbyes civil të punësuar 40 orë në javë, miliona donacione dhe ndihma tjera prodhojnë ecje mbrapa. A nuk është ky argument i mjaftueshëm për predikuesit dhe mbrojtësit e fuqisë së Qeverisë, se me të vërtetë ajo na qenka problemi? I bëj thirrje politikëbërësve dhe gjithë atyre që thirren si pushtetarë, aman të mos bëjnë asgjë, as politika as vendime as edhe një hap të vetëm. Çdo vendim, çdo hap, çdo procedurë e juaja shndërrohet në barrierë për bizneset, frikë për investitorët, turp për vendin. Të paktën lëreni ashtu siç është; regresi është absurd.
***
Për ata që “Doing Business” është term i padëgjuar, fjala është për një analizë dhe rangim të Bankës Botërore mbi ambientin biznesor në 183 vende të botës. Është studimi më gjeneral, më serioz dhe më kredibil i bërë në vazhdimësi. Po i njëjti matë nivelin e zhvillimit të vendeve në 9 kategori biznesore: hapjen e biznesit, mbrojtjen e investitorëve, marrjen e lejeve të ndërtimit, regjistrimin e pronës, marrjen e kreditit, procedurat e pagesës së tatimeve, tregtinë, forcimin e kontratave dhe mbylljen e biznesit. Të nëntë kategoritë e raportit përmblidhen më pas në një tregues final, i nxjerrë nga peshimi i secilit prej tyre. Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore ka bërë vendin tonë subjekt të kësaj analize. Referimi i këtij raporti është i gjithmbarshëm nga pothuajse të gjithë akademikët në disiplinat biznesore, Qeveritë, agjencionet promovuese dhe më e rëndësishmja investitorët e huaj të interesuar për eksplorimin e tregjeve të reja; është gjëja e parë që ata shikojnë. Me një fjalë nëse ka ndonjë raport ku do na shkonte fytyra, mundi për imazh e ku thirrjet për investime shuhen, atëherë ky është ai.
Vitin e kaluar, treguesi final i Bankës Botërore kishte vendosur Kosovën në pozitën e 113. Për kohën u tha se ishte rangim alarmant, i dëmshëm dhe aspak ndihmues për nevojat zhvillimore të vendit. Ky tregues kishte vendosur vendin tonë prapa gjithë vendeve rajonale, po se po Evropiane, por për më tepër ne shoqëroheshim me vende që kishin probleme serioze të qëndrueshmërisë dhe demokracisë. Treguesi fatkeqësisht jepte pasqyrën e saktë të ambientit biznesor të rënduar në vend. Me theks të veçantë shihej dobësia për mbrojtjen e investitorëve të huaj, ku Kosova sërish turpshëm po zinte vendin e 172. Me fjalë të tjera investitorët nuk mbroheshin fare. Asokohe, Qeveria tha se do të reflektonte në rekomandimet e raportit dhe kështu do të fillonte përmirësimin e ambientit biznesor e me këtë edhe rangimin në “Doing Business”. Madje thanë se do të ndiqnin shembullin e Gjeorgjisë që për 3 vite kishte përmirësuar pozicionin e vet për 100 vende, për të hyrë në dhjetëshen e parë.
***
Çfarëdo që Qeveria të ketë bërë ose jo, këtë vit Kosova largohet edhe më tepër si vend për të bërë biznes. Rangimi i botuar javën e kaluar vendos vendin tonë hiç më pak se në 6 vende më poshtë, në vendin e 119. Një vështrim i shpejtë në rajon të bën të kuptosh sa larg jemi. Mali i Zi rangohet në pozitën e 66-të, Serbia në të 89-tën, Shqipëria në të 82-të, ndërkaq Maqedonia që merr lavadata të shumta këtë vit merr pozitën e 38-të. Shtroj pyetjen se pse do të duhej të vinte tek ne një investitor i huaj kur ka gjithë këto vende fqinje tona që i japin më pak barriera dhe për më tepër kosto zero pasuese në Kosovë të garantuar me CEFTA-n. Kosova thjeshtë është një vrimë e zezë. Për të mos mjaftuar kjo, mbrojtja e investitorëve pëson edhe një rënie duke u ranguar nga vendi i 172 në 173; jemi në fund të pusit. Këtë pozitë e ndajmë me Palau, Mikronezinë, Gambinë, dhe Guinenë. Vetëm 5 vende në mbarë botën i mbrojnë më keq se ne investitorët, ndër të cilat dalloj Venezuelën e Hugo Chavez-it dhe Afganistanin e talibanëve i cili përmbyll listën në vendin e fundit. Me fjalë të tjera, një investitor potencial në Kosovë është i tmerruar nga vendi ynë dhe po i njëjti nuk duhet të ketë as më të paktën arsye që të shikojë drejt nesh. Kjo po se po është dëshpëruese. Po në të njëjtin stad jemi edhe sa i përket marrjes së lejeve ndërtimore e që në Kosovë marrin hiç më pak se një vit të plotë. Paramendoni, një investim i huaj duhet të presë një vit të tërë për të ndërtuar një objekt të tij. Si duket edhe pushteti lokal ecën në hapat e atij qendror.
Këtë vit kemi humbur 5 vende në fillimin e bizneseve, 3 në mbylljen e tyre, 2 në qasjen për kredi, 1 në regjistrimin e pasurisë dhe kemi mbetur në stadin e njëjtë sa i përket fuqizimit të kontratave, në atë të 155-të. Sipas Bankës Botërore një biznes duhet të kalojë në hiq më pak se 53 procedura në plot 420 ditë për të fuqizuar një kontratë të vetme. Sa siguri u japim! Madje në raport Banka Botërore e nënvizon Kosovën si vend ku rreziku për kontrata është si më i larti, bashkë me Sudanin, Timorin Lindor, Iranin dhe Sirinë. E dikush, i huaji apo i brendshëm, që ka ndarë mendjen për të hapë një biznes duhet të presë plot 56 ditë, apo 5 herë më shumë se në vendet e rajonit. Raporti thotë se “vendosja e numrit fiskal ka rënduar procedurat e hapjes së biznesit meqë dhënia e tij merr kohë”. Hiç më mirë nuk i kemi punët as me procedurat për eksport. Ne kërkojmë përafërsisht dyfish procedura më shumë për gjithë ata që synojnë eksportin, e dyfish më pak për ata që importojnë. Paradoksale kur kihet parasysh bilanci tregtar i vendit. Në gjithë këtë raport, notën më të mirë e marrim kur kemi të bëjmë për mbylljen e bizneseve. Aty jemi të ranguar në vendin e 31; punë e madhe. Për ti mos mbetur borxh as administratës tatimore pagesa e tatimeve duket se ka një stad më të mirë në këtë rangim total. Të paktën këtu kemi shënuar një progres të lehtë.
***
Vendosja në një familje me Venzuelën e Afganistanin si duket nuk i ka brengosë fare vendimmarrësit tanë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si përgjegjëse e drejtpërdrejtë për një ambient të tillë nuk e pa të udhës as të komentojë rëniet e Kosovës, as të kundërshtojë rangimin, pse jo metodologjinë ose të paktën të tregojë gatishmëri për të ndryshuar diçka. As edhe në fjalë e vetme nuk u tha.
Them se është imperative fillimi i reformave procedurale, shuarja e burokracisë dhe marrje me seriozitetin më të plotë të rekomandimeve të Bankës Botërore. Nuk na hynë në punë investimet dhjetëra milionëshe të “evropianëve të rinj” apo reklamat televizive në CNN e BBC. Janë këto rangime rrëqethëse që largojnë çdo kapital të huaj që është shpresa jonë e vetme për rimëkëmbje. Kosova nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë kapacitete të brendshme gjeneruese. Sytë dhe mundi ynë duhet të orientohet drejt krijimit të një ambienti të mëndafshtë biznesor për çdo të huaj që sheh vendin tonë si potencial investues. E nëse rëndësia e tyre dhe interesi ynë përputhën në një ekuilibër të dhënë atëherë them se dhe angazhimi ynë duhet të jetë shumë më i lartë se i Iranit, Venezuelës e Afganistanit.
Koha Ditore, 11 Mars 2011
LETRA NGA LIMBO
Friday, 4 March 2011
SA PESHOJMË?
Derisa nga komfortet e zyrave të ngrohta qeveritare prodhohen arritje e perspektiva mbresëlënëse, në këtë dimër Kosova “evropiane” vazhdon të ketë plot 700 mijë banorë që jetojnë në varfëri
Nga prononcimet e mbrojtësve dhe ithtarëve qeveritar shpeshherë kam vënë në dyshim se kemi barometër të njëjtë suksesi. Besoj se është koha që me Qeverinë e re të bëhet një skanim i numrave ekonomik, matësve kryesor të standardit të jetesës sonë dhe që sa herë që dikush diku merr guximin të shpreh përparim le të bëjë fillimisht matjen e termeve si të papunë o të varfër. Sot nuk do të jap alternativa. Sot do të paraqes pasqyrën e vendit tonë të zhveshur nga zbukurimet e përqindjeve e lojërave tjera numerike. Çdo rezultati final i progresit tonë ekonomik duhet nisur nga një bazë alarmante, ku 43% e kosovarëve janë të papunë, ku 34% janë në varfëri dhe jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë, dhe ku 18% janë në varfëri të skajshme me vetëm 93 cent në ditë... vetëm 93 cent! Kjo është tabloja finale e suksesit ose jo e çdo politike ekonomike, çdo privatizimi, çdo rruge, çdo shkolle dhe e çdo spitali. Këto janë kilogramët e kosovarëve, kjo është pesha jonë.
***
Ku jemi sot? Mbi 20 vjet tranzicion, ekonomia kosovare vazhdon të varet kryesisht nga burime të paqëndrueshme zhvillimore. Shpenzimet qeveritare, remitancat dhe ndihmat vazhdojnë të jenë shtytësit kryesor eko-gjenerues. Qartazi, themelet zhvillimore janë të ndërtuar mbi një bazë afatshkurte meqë në fund të fundit ato një ditë to të zbehen. Do të zbehen remitancat meqë janë në korrelacion negativ me zhvillimin ekonomik, sa më shumë zhvillohemi më tepër dobësohen lidhjet me emigrantët tanë; do të zbehen ndihmat financiare meqë po përfundojmë tranzicionin dhe do të kalojmë në huamarrje – tashmë këtë praktikë veçse e ka filluar Britania e Madhe; dhe do të zbehen investimet qeveritare se në fund të fundit nevojat për asfalt e shkolla natyrshëm janë dhe do të jenë në rënie. Dhe çka më pas? Kjo na sjell te sektori privat, i padukshëm, i ngarkuar e i mbytur nga një ambient i çuditshëm ekonomik që kalon çdo shpjegim logjik të vetëmbajtësimit dhe funksionalizimit. Ky sektor nuk po merr dot veten për tu bërë i zhurmshëm në kohën kur dritat janë të drejtuar nga ai. E kur investimet qeveritare, remitancat e ndihmat do të veniten, lokomotiva jonë gjeneruese do të jetë e papjekur për të shtyrë trenin e zhvillimit. Ai nuk do e merr vetën përderisa bizneset punojnë për banka me fitim më të ulët se normat e interesit, përderisa korrupsioni dhe burokracia nuk çrrënjosen, përderisa gjykatat nuk u krijojnë një ambient të besueshëm kontraktual, përderisa politikat fiskale mbysin çdo start-up dhe përderisa nuk prodhojmë!
Në një ambient të tillë ekonomik, Kosova vazhdon të ketë një GDP (për jo ekonomistët: vlera në euro e gjithë produkteve dhe shërbimeve të krijuara brenda një viti) jo më të madhe se 4 miliard euro. Kaq krijojmë! E kjo vlerë është dy herë më e pakët se e Malit të Zi, tri herë se e Maqedonisë e Shqipërisë, e katër herë se e Serbisë. Produkti ynë kombëtar është indiferent ndaj zhvillimeve rajonale, dhe një vend me një produkt të tillë ka pak gjasa të impresionojë edhe me parametra të tjerë. Për më tepër, rritja ekonomike (e GDP-së) prej 4.6%, nuk ka arrit ti përmbushë kërkesat dhe nevojat zhvillimore të vendit. I konfirmuar edhe nga Raporti i Progresit, ky numër vazhdon të mbetet një statistikë që nuk përkthehet dot në standardin e jetesës, meqë as papunësia e as varfëria në vend nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre them dramatike. Pse kështu? Në një nomenklaturë të pastër, çdo euro publike e dhënë tek bizneset normale do të përfundonte në një vend të ri pune. Kjo nuk ndodh me eurot tona. Ato nëpërmjet prokurimit publik dhe fenomeneve korruptive brenda tij, favorizojnë bizneset fantome, inekzistente e të lidhura ngushtë me grupe të interesit gjithmonë në kurriz të reproduktimit logjik ekonomik. Ajo euro fshehët, shpërlahet dhe largohet nga vendi pa lënë gjurmë në punësim dhe zbutje të varfërisë.
***
Nën optikën e të ardhurave, vendi ynë është i humbur. Derisa banorët e Bosnjës kanë të ardhura për kapita rreth 5000 euro në vit, të Shqipërisë rreth 6000, të Maqedonisë rreth 7000, e të Serbisë rreth 8000 , kosovarët vazhdojnë të jenë më të varfrit në Evropë me një të ardhur për kokë banori prej vetëm 1800 euro. Sipas FMN-së sot ne vendosemi po se po prapa të gjitha vendeve rajonale, por edhe prapa Afrikës Veriore, prapa gjithë Amerikës Latine, për tu rehatuar diku në vendin e 141. Këto parametra të rënduar ekonomik inkurajojnë migrimin dhe ekonominë e zezë në vend që llogaritet të jetë rreth 1 miliard euro dhe me një evazion fiskal në vlerë prej 300-400 milion euro, vlerë kjo vjetore që humbë buxheti i vendit. Në rast të një lufte kuptimplote mbi informalitetin, ne do të mund ti dyfishonim pagat e financonim autostradën pa nevojë për shitje të PTK-së ose rrezikim të qëndrueshmërisë buxhetore. Rangime aspak më pozitive nuk i bëhen Kosovës as për ambientin biznesor dhe mbrojtjen e investitorëve nga Banka Botërore. Deri sa për të parën mbajmë vendin e 113, për të fundit jemi në vendin e 174. Për të dy treguesit në 2010-tën Kosova ka humbur një vend. Kjo nuk është e habitshme meqë në vitin 2010 ne kishim rënie të investimeve të huaja.
Aspak më mirë nuk janë relacionet tregtare që prodhojnë një disbalanc enorm. Vlera totale e eksporteve në vitin 2010 ishte rreth 320 milion euro; me 90% të tregjeve në BE. Në anën tjetër Kosova importon rreth 2.3 miliard euro kryesisht nga tregjet e Maqedonisë, Serbisë dhe Gjermanisë. Vetëm Serbia dhe Bosnja në çdo vit importojnë në Kosovë hiç më pak se 500 milion euro në forma të rregullta dhe mbi 300 milion euro nëpërmjet ekonomisë së zezë nga Veriu i vendit. E gjitha kjo ndodh deri sa bizneset tona as nuk kanë guximin të mendojnë të përdorin korridoret transportuese të këtyre vendeve e lërë më të synojnë tregjet e tyre. Dëm edhe më i madh eksporteve i bëhet nga heqja e preferencave evropiane tregtare nga 2011, duke mbetur kështu të vetmit në rajon pa to. Liberalizimi i lëvizjes së njerëzve është “ mendim luksoz” në këtë kohë.
***
Tenderët njëburimorë vazhdojnë të rriten. Në vitin 2007 ne kishim vetëm 20 milion euro të dhëna pa konkurrencë, në 2008 jo më shumë se 60 milionë, në 2009 ato morën hov e u bënë 200 milionë, për tu “zvogëluar” më pas në 170 milionë në vitin 2010. Në një vend modern, tenderi njëburimor jepet në rast të katastrofave natyrore, kur procedurat e prokurimit potencialisht marrin kohë e emergjenca e vendit nuk pret. Tek ne, tenderë njëburimorë jepen edhe për letër tualeti. Këta tregues pasqyrojnë një mungesë të qartë të menaxhimit së parasë publike qoftë nga buxheti i vendit qoftë nga ndërmarrjet publike. Se s’kemi menaxhim të mirëfilltë financiar na përkujton edhe rezerva buxhetore që është hiç më pak se 360 milionë euro. Sa shpesh kemi dëgjuar zërat për kthimin e parave të privatizimit në vend. Ne kemi po aq të bllokuara nga buxheti i vendit për shkak se nuk dimë të menaxhojmë me para dhe rrezikojmë me deficit enorm. Për vetëm një vit ne kemi kaluar nga një tepricë prej 110 milionëve në një mungesë prej 90.
Për ti vënë qershi tortës, sipas Bankës Botërore, për tu barazuar në 2020-tën me vendin e parafundit në Evropë, Shqipërinë, neve na duhet një rritje ekonomike vjetore prej 8-10%. Vetëm 2 vende në historinë ekonomike globale kanë pasur një rritje kaq të lartë për një dekadë rresht. Thënë shkurt, mund të kalojnë më së paku edhe 10 vite të tjera e ne prapë do të jemi të fundit me punësim, të parët me varfëri. Nuk besoj se meritojmë një trajtim të tillë.
Koha Ditore, 4 Mars 2011
Letra nga limbo
Letra nga limbo
Subscribe to:
Posts (Atom)