Projekt buxheti prodhon deficit të thellë, humbje të ndihmave financiare, shitje të aseteve, nxitje të protestave, thyerje të orientimeve strategjike e për më tepër paqëndrueshmëri të plotë në vitet në vijim dhe si i tillë duhet refuzuar
Mu atëherë kur mendojmë se problemet e paradokset e vetë-krijuara marrin fund, na dalin disa kamikaz që thyejnë qafën e tyre, tonën, e të gjithë vendit pa bërë as më të voglin hesap për konsekuencat që i vënë perspektivës ashtu kështu të zymtë të kësaj cope toke që mezi quhet shtet. E tmerrshmja e këtyre kamikazëve, që buron pritshëm nga vet natyra e tyre, bie mbi shpinën e të tjerëve, atë të kosovarëve. Aspak më ndryshe nuk duket as buxheti i aprovuar pa kurrfarë diskutimi në mbledhjen e Qeverisë dhe si i tillë i dërguar në Parlamentin e Republikës për miratim final. Në po të njëjtin buxhet njeriu gjen më shumë arsye për refuzim e shumë pak për ta pëlqyer. Buxheti i tanishëm vuan nga gjashtë elemente thelbësore e që do të duheshin të jenë të mjaftueshme për ti bindë deputetët e vendit që ta kthejnë prapa. Aprovimi i tij ndërkaq është futje në qorrsokak.
Le të nisemi nga argumenti i parë. Buxheti shkel rrënjësisht rregullat më të rëndësishme financiare të Bashkimit Evropian ku deficiti buxhetor nuk guxon të kalojë 3.5% e GDP-së; ky i yni arrin në 5.2%. Qeveria planifikon të inkasojë 1.2 miliard euro apo 140 milionë më shumë se vitin e kaluar; dhe të ketë një shpenzim rekord për vendin prej 1.4 miliardë euro apo 230 milionë më shumë se vitin e kaluar. Në këto vija projekt-buxheti sheh një deficit primar prej 170 milionë euro. Shto këtyre edhe kreditë për ndërmarrjet publike atëherë deficiti i përgjithshëm na bëhet hiç më i paktë se 226 milion euro. Thënë këtë, është shumë e qartë se edhe në rastin më optimist produkti final është thjeshtë deficit i rëndë dhe si i tillë i rrezikshëm për vendin. Po të ishim vend anëtar i BE-së buxheti me parametra të tillë deficitar nuk do të kishte as gjasën më të vogël për diskutim e lëre më për aprovim. Dhe ka një arsye të shëndoshë këtu. Greqia dhe Irlanda kishin kaluar këto kufizime për të përfunduar më pas në kolaps epik.
Argumenti i dytë lidhet me marrëveshjen me FMN, burim thelbësor i financimit të deficitit. Nuk ka kaluar shumë kohë që kur Kosova kishte marrë pëlqimin për anëtarësim në FMN përkundër presioneve politike nga vendet më kontribuuese në këtë fond. Ky pranim u tha e u ritha si arritja më e madhe e Qeverisë pas shpalljes së pavarësisë. Se si arritëm që këtë arritje historike ta minimizojmë e sot ta quajmë si irelevante është çudi e kohës. Besoj se ka një shpjegim sa logjik aq edhe irritues rrugëtimi jonë në këtë pikë. Ky rrugëtim fillon nga një thënie me vend e shqiptarëve se me këmbë të majtë punët nuk nisen. Kur në Dhjetorin e fundit dëgjuam premtim-vendimin (më vonë të shpallur anti-ligjor) për rritjen e pagave ishte mjaft e qartë se mbarë assesi nuk po nisnim vitin. Ne kishim thyer një marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare dhe disa muaj më pas ne kuptojmë se marrëveshja e re është e paarritshme. Deklarimet e fundit të FMN-së se nuk kanë pajtueshmëri për buxhetin e vendit nënkuptojnë humbjen e 167 milion eurove dhe krijimin e një deficiti edhe më të rëndë. Këto elemente janë të mjaftueshme për ta refuzuar buxhetin, por kjo si duket nuk e ka penguar Qeverinë që ta aprovojë atë dhe për më tepër të kërkojë edhe miratimin e Parlamentit. Unë habitem se si Qeveria e vendit mund të aprovojë para që si ka. A ka marrëzi më të madhe se të marrësh vendim se si ti shpenzosh paratë e huaja?! Këto 167 milionë ende nuk u janë garantuar Kosovës dhe ka gjasa reale që të humben. E nëse humben atëherë parlamentarët tanë kanë një buxhet tërësisht ndryshe nga ky i sodit, aspak të qëndrueshëm dhe domosdoshmërisht që meriton refuzim.
Argumenti i tretë buron në lidhshmërinë e buxhetit të këtij viti me shitjen e PTK-së. Shitja si duket është bërë pjesë integrale e tij. Kujtoj se një orientim i tillë është strategjikisht i gabuar. Vendi ynë duhet të ndajë proceset privatizuese, sidomos ato të aseteve nacionale, nga proceset buxhetore meqë ashtu ne nuk nxjerrim më të mirën prej tyre. Përveç kësaj caktimi i shumës 300 milion euro është amatorëllëk i paparë meqë vetë-zhvlerëson PTK-në dhe asetet e saj. Cili investitor do të ofrojë një euro mbi këtë shumë kur din pritjet tona. Amatorëlluku nuk përfundon këtu fatkeqësisht. Planifikimi se këto 300 milionë do të merren brenda 2011-ës është iluzion sui-generis. Edhe po të shesim PTK-në sot, inkasimi i këtyre milionave nuk do të bëhej menjëherë në vitin e parë meqë nuk ka investitor në botë që vjen me dy-tri çanta kesh 300 milion euro dhe na jep ato si peshqesh. Edhe në rastin më optimist kjo shumë do të ndahej nëpër vite, e mos-marrja e tyre natyrshëm thellon deficitin.
Argumenti i katërt dhe më i nxehti është ai i pagave, premtimit për rritje dhe kërcënimit për protesta. Le ta kemi të qartë, pagat nuk do të rriten për 30%, as 40% e hiç se hiç 50%. Ja pse. E ulur përballë atyre që marrin vesh dhe e vetëdijshme për borxhet që kishte futur vetën, Qeveria kuptoj se një rritje e tillë ka kosto mbi 140 milionë euro. Kjo natyrshëm duhej zvogëluar, por për projektuesit ishte e rëndësishme mos prekja e konceptit “rritje prej 30, 40 e 50 përqind”. Se ku, si e sa do të thotë kjo rritje ishte irelevante. E vetmja mënyrë për të bërë një gjë të tillë ishte kthimi prapa në pagën bazë të shërbyesve publik të disa viteve më parë. Shtimi i një fjale “në pagën e parë bazë” kishte zvogëluar koston e rritjes në 72 milion euro, apo nga 311 në 383 milionë, për të prodhuar kështu një rritje mesatare prej 23%. Me fjalë të tjera qeveria i ulë pagën shërbyesit publik, ja llogaritë rritjen në përqindjet e premtuara mbi këtë ulje dhe jep një pagë të re. Çështje e lojërash numerike them unë. Por unë kam drojën se përfituesit e tyre kur të shohin llogaritë bankare në fund të muajit do të dëshpërohen nga rritja e bërë meqë për ta 50% është 50% dhe rritja e pagave nënkupton paratë që i marrin tani e jo që i kanë pranuar vite e vite më parë. Kjo edhe mund të ngjallë pakënaqësitë sociale që duket se kanë një fitil të vetëm.
Argumenti i pestë ndërlidhet me konfrontimin e këtij buxheti me Kornizën Afatmesme të Shpenzime e cila është miratuar dhe aprovuar nga Parlamenti i vendit. Një miratim parlamentar nënkupton se Qeveria nuk guxon të kalojë kufizime e dhëna, ose për të bërë atë duhet ri-kornizuar shpenzimet afatmesme e më pas si të tillë ta aprovojnë në Parlament. Tek atëherë mund të vendosej një buxhet i ri. Shkelja e këtyre procedurave ligjore është më tepër se një shkelje. Është tregues i mungesës së vizionit për planifikim afatgjatë dhe ecje strategjike e vendit dhe financave të tij.
Argumenti i fundit ka të bëjë me paqëndrueshmërinë dhe obligimet që ky buxhet krijon në vitet në vijim. Ndonëse këtë vit kemi 300 milionë të PTK-së, 167 të ndërkombëtarëve dhe një super performancë në margjinë prej 20% nga Dogana dhe ATK, çfarë do të kemi në 2012 e 2013-ën, kur shpenzimet do të mbesin të njëjta po ja që më nuk kemi asete tjera për të shitur e mesiguri edhe ndihma më të pakëta. Ku dhe si do ti financojmë deficitet vijuese? Si duket parashikimet tona janë aq të shkurta sa edhe humbin arsyeshmërinë e me këtë edhe nevojën për aprovim të tyre.
Deputetët e vendit duhet ti thirrin mendjes dhe projekt buxhetin e vënë në tavolinën e tyre duhet ta kthejnë mbrapa. Votimi i buxhetit të tillë është luajtje në zare me gjithë fatin e vendit. Përgjegjësinë dhe pasojat dikush dikur duhet dhe do ta marrë.
KOHA DITORE, 18 Mars 2011
Letra nga Limbo
No comments:
Post a Comment