Kam përshtypjen se për fatin tonë të ligë, miratimi i buxhetit do të ecën hapave të njëjtë të proceseve të fundit, me një “shumice” pakicë, me një shtytje puro partiake, me mungesë të konstruktivitetit e mosndërtmit të koncenzusit dhe me popullizëm të pashoq nën petkun e pagave që siguruan disa mijëra vota. Ky popullizëm fatkeq do të identifikojë taboret në dy, ku të gjithë që kundërshtojnë buxhetin shihen si kundërshtarë të pashpirt të mësimdhënësve, policëve, mjekëve e shërbyesve civil; e ku të tjerët mendojnë për prosperitetin ekonomik, ngritjen e mirëqenies dhe për shpërndarjen e drejtësisë. Kam frikë se problemi i financave publike është shumë më i thellë se një ngushtim i tillë ngufatës.
Parametrat e paraqitur në projekt-buxhet kalojnë disa kufij realist. Së pari rritja e të hyrave prej 20% është për tu kontestuar. ATK dhe Doganat në dy muajt e parë me pompozitet proklamuan ngritjen e të hyrave për 22 % krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar, thuajse kjo mjaftonte për të na bindur neve pak dhe FMN-ën më shumë. Çfarë ata nuk treguan është fakti se në Korrik të 2010-ës ne kemi aplikuar një akcizë të re, dhe me këtë edhe kemi rritë të hyrat (bashkë me çmimet). Krahasimi i Janarit 2011 që ka këtë akcizë, me Janar 2010 pa të, është i pakuptimtë dhe statistikisht i parëndësishëm.
Shitja dhe mbledhja e 300 milionëve në këtë vit nga PTK-ja duket po ashtu pak realiste marrë imazhin ekonomik të vendi dhe kohën e nevojshme për një transakcion të tillë; por edhe më pak realiste janë ndihmat e ndërkombëtarëve. Së pari, vizita e fundit nuk ishte një inspektim për marrëveshje të re që do të dërgonte raportin final në Bord të FMN-së për aprovim ose jo të pjesëve të mbetura të ndihmës së famshme prej 108 milionë euro të nënshkruar vitin e kaluar. Kjo vizitë ishte vetëm njoftuese. Dërgesa në Bord kërkon vizitë të re, kohë të re dhe domosdoshmërish vonime të reja. Kujtoj se kjo ndihmë ishte ofruar pas nënshkrimit të marrëveshjes së vjetshme dhe ne veçse kemi marre këstin e parë prej 21 milionësh. Këstin e dytë dhe të tretë ne e kemi të ngrirë meqë kishim shkelur marrëveshjen në tetor dhe për më tepër nuk kishim institucione për dy muaj të plotë. Marrja e kësteve “të humbura” në mënyrë retroaktive lidhet me raportime të rrepta, përcjellje të proceseve të rënda të cilat Kosova ka gjasë të mos i bëjë asnjëherë. Mosmarrëveshja e tanishme, e që është thënë qartë e mirë në deklaratën e Fondit se ka ngecë, duket se do të qëndrojë si e tillë për një kohë të gjatë. Nëse deri në mbledhjen e Bordit të gjysmëvitit ne nuk kemi pajtueshmëri të re atëherë i themi lamtumirë 40 milionëve të ngrira dhe 47 të mbetura. Dhe këtu fillon dominoja e humbjeve të ndihmave. Ne më pas rrezikojmë 27 milionë nga Banka Botërore dhe rreth 50 milionë nga Komisioni Evropian. Të parat kërkojnë miratimin 2/3 e Parlamentit e me ndarjet e tanishme dyshoj në koncensuz dhe marrje të tyre. Të fundit janë edhe më të pasigurta. Vitin e kaluar ne kishim planifikuar të mbledhim rreth 65 milionë euro nga po i njëjti burim ndërkaq fundvitin e kishim mbyllur me vetëm 30 milionë. Ketë vit marrja e 50 milionëve të planifikuara do të jetë mision i pamundur, sidomos pas mospajtimeve në relacion me ngritjen e pagave.
Buxheti çalon dukshëm edhe në shpenzimet e veta. Pagat ndonëse janë rritur për 23%, ato do të mbesin të pandryshuara për 3 vite të plota. Në vitin e parë ato janë 383 milion, në të dytin bëhen 385, e në të tretin 389 milionë. Ato rriten për vetëm 0. 5% në vitet në vijim. Ngurtësimi i tillë ka disa implikime të rrezikshme. E para, mos përshtatja e pagave me norma të inflacionit i bën përfituesit e tyre prapë më të varfër. Nëse gjatë këtij viti ndodh, e sipas të gjitha gjasave po, që vendi ynë të ketë inflacion mbi 5.5% atëherë qysh në 2012 përfituesit publik bëhen më të varfër për aq. Nëse ritmi vazhdon edhe në 2013-ën e 14-ën atëherë varfërimi vazhdon më tutje. Në një skenario të tillë do të ishte e udhës sikur pagat të rriteshin gradualisht nëpër vite e me këtë të amortizojnë edhe inflacionin por dhe të sigurojnë qëndrueshmërinë buxhetore e pse jo edhe mos-shitjen me nguti të aseteve nacionale. Në fund të fuqia e tyre do të ishte e njëjtë vetëm se këtë herë ecim më sigurt dhe nxjerrim fitim më kualitativ nga asetet.
Por problemi me pagat nuk mbaron këtu. Të gjithë ata që nuk i prekë rritja në këtë buxhet, do të mbesin në stad të njëjtë deri në 2014-ën me gjithë ndikimet inflacioniste. Unë dyshoj se ne do të jemi në gjendje të i mbajmë pagat e pandryshuara për ta sidomos tani kur kemi filluar ciklin e ngritjeve. Nëse asgjë tjetër ne kemi nxitur protesta të njëpasnjëshme.
Buxheti i njëjtë është tejet shpenzues. Mbi 839 milionë euro jepen si paga, subvencione dhe mallra e shërbime. Si mund të quhet një buxhet i tillë zhvillimor?! Për të zbutur këtë tërësi rrëqethëse, qeveria investon rreth 448 milionë euro në investime kapitale dhe rreth 124 milionë tjera investohen nga niveli komunal. Këto investime kapitale janë të llojeve nga më të ndryshme, nga rrugët, shkollat e deri te parkingjet e ndërtesave qeveritare. Por e veçantë e kësaj shume janë investimet rrugore që janë rreth 260 milionë. Prej këtyre 225 janë për autostradë, ndonëse nuk janë përfshirë ende kostot e eksproprimit. Sinqerisht nuk arrij ta kuptoj se si e kanë menduar këta zotërinj mos-pagesën e këtyre shpenzimeve domosdoshme për ata që japin pronën e tyre por le të mbetët kjo pjesë e një diskutimi tjetër. E rëndësishmja këtu është se këtë vit, dhe vitet në vijim ne duhet të harrojmë çdo rrugë tjetër nga pushteti qendror. Këtë vit rrugë të reja do të jenë vetëm 8 milion euro apo dy herë më shumë se pagat dhe mëditjet e deputetëve të Parlamentit. Pjesa tjetër janë rrugë të mbetura nga 2010-ta. Mirëmbajtja dhe rikuperimi i rrugëve as që është menduar në këtë buxhet.
Po i njëjti buxhet nuk reflekton dot në tre ligje të Parlamentit që do të duhej të ishin obligim për Qeverinë e vendit: Ligji për Veteranët, Ligji i Punës dhe Ligji i të Burgosurve. A do të thotë se ne do të mund ti akomodojmë interesat e këtyre grupeve pa implikime të reja buxhetore? Edhe më pak përfshihet kostoja e themelimit të sistemit të sigurimit shëndetësor. Ky buxhet na thotë se për 3 vitet e ardhshme ne do të vazhdojmë të jemi të vetmit në Evropë pa një sigurim të tillë. Aspak më mirë nuk është as bujqësia që do të ketë buxhet më të ulët se Ministria e Kulturës. E tmerrshme duket edhe shpërndarja regjionale e buxhetit që nuk merr parasysh aspak nevojat zhvillimore por prejardhjen e votave. Deri kur me këtë provincialitet patetik?
Marrë parasysh rrezikshmërinë e gjenerimit të burimeve të financimit të deficitit, një stabilitet financiar do të kërkonte vendosjen e “safeguards” apo siguresave mbrojtëse që do të paralizonin seksione të caktuara shpenzuese nëse shohim se kemi mbetur pa para; si psh ndërprerjen e punëve në autostradë, ngrirjen e rritjeve të pagave apo ngrirjen e investimeve tjera kapitale. Buxheti i vendit në asnjë moment nuk parasheh ndonjë risk, madje është i luluar me fraza poetike. Parashikueshmëria e risqeve do të vendoste rrjedhimisht edhe daljet emergjente që duhet të jenë normale për një vend normal. Ne ose jemi të shkëlqyer në parashikim dhe nuk brengosemi për të papriturat, ose jemi të humbur e naiv e me këtë rrezikojmë çdo inç të ardhmërisë sonë. Unë e besoj këtë të fundit.
KOHA DITORE, 25 Mars 2011
Letra nga Limbo
No comments:
Post a Comment